Telefon : 00355 4 2349233

Urgjenca (për Tiranën) : 00355 4 2222235

Rruga e Dibrës, Nr. 372, Tiranë (Shiko ku gjendet në hartë)

Rezervimet e Konsultave Ambulatore (e hënë - e premte) : 0800 28 28 (vetëm nga numër fiks) 00355 4 2349217

Kodi i Etikës dhe Deontologjisë për Mjekët


Kreu > Rreth nesh > Kuadri Ligjor > Kodi i Etikës dhe Deontologjisë për Mjekët

Kodi i Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore

 

KODI I ETIKËS

DHE DEONTOLOGJISË MJEKËSORE

 

PARIME KRYESORE

 

Neni 1 – Përcaktimi

Deontologjia mjekësore është një bashkësi principesh dhe rregullash, të cilat mjeku është i detyruar t’i njohë dhe t’i respektojë gjatë ushtrimit të profesionit. Sjellja e mjekut, edhe jashtë ushtrimit të profesionit, duhet të jetë shembullore në përputhje me dinjitetin që kërkon ky profesion.

Mjekët janë të detyruar të njohin principet dhe rregullat që përmbahen në këtë Kod dhe në bazë të tyre të përshtasin sjelljen profesionale.

Neni 2 – Njohja e legjislacionit dhe e Urdhrit të Mjekëve

Çdo mjek e ka detyrë të njohë Ligjin 8615, datë 01.06.2000 “Për Urdhrin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë”, Urdhrin e Mjekëve si një ent publik dhe autoritet i vetrregullimit profesional të pavarur, si dhe legjislacionin në fushën e shëndetësisë dhe sigurimeve të kujdesit shëndetësor.

Neni 3 – Njohja e Kodit dhe Betimi i Mjekut

Në çastin kur regjistrohet në Urdhrin e Mjekëve, çdo mjek është i detyruar të konfirmojë me shkrim njohjen e këtij Kodi, si dhe të betimit të mjekut dhe të shpreh angazhimin se do t’i respektojë me përpikmëri dhe me vullnet të plotë.

 

KREU i PARË

DETYRAT E PËRGJITHSHME TË MJEKËVE

 

Neni 4 – Detyrat dhe misioni i mjekut

Detyra themelore e çdo mjeku, në shërbim të individit dhe të shëndetit publik, është mbrojtja e jetës, e shëndetit fizik e mendor të njeriut dhe lehtësimi i vuajtjeve të tij. Në misionin e tij human, në respekt të jetës njerëzore, të individit dhe dinjitetit të tij, për mbrojtjen e shëndetit, zbulimin dhe mjekimin e sëmundjeve, mjeku bazohet vetëm në shkencë dhe në ndërgjegjen e tij, duke i dhënë përparësi interesave të shëndetit të pacientit.

Mjekut nuk i lejohet të përdorë dijet e tij në kundërshtim me këto interesa.

Neni 5 – Ofrimi i kujdesit shëndetësor

Mjeku është i detyruar, në kohë paqeje dhe lufte, të ofrojë kujdesin shëndetësor dhe ndihmën mjekësore në përputhje me principet e mjekimit efektiv, të njëjtë për të gjithë, pa dallim moshe, seksi, race, kombësie, feje, pikëpamje politike, gjendje ekonomike, pozite shoqërore etj, duke respektuar të drejtat dhe dinjitetin e pacientit.

Neni 6 – Detyrimi për t’u angazhuar në rast lufte apo katastrofash

Në rast lufte apo katastrofash natyrore mjeku duhet të angazhohet menjëherë duke u vënë në dispozicion të autoriteteve kompetente për të ofruar ndihmën e tij.

Neni 7 – Respektimi i traditës

Mjeku duhet të respektojë dhe mbrojë traditat më të vyera të profesionit mjekësor, duke praktikuar vazhdimisht standarde të larta profesional dhe sjellje etike të përshtatshme ndaj të sëmurit, familjarëve dhe ndaj çdo personi tjetër që i kërkon ndihmë.

Neni 8 – Kushtëzime të aktivitetit profesional

Mjekut në asnjë rast nuk i lejohet të abuzojë me prioritetet dhe avantazhet që i krijon statusi i tij profesional ndaj të sëmurit, për qëllime përfitimi personal dhe profesional. Mjeku që kryen funksione administrative, apo i zgjedhur në poste publike duhet të sigurojë transparencën më të lartëpër gjithçka që mund të duket si konflikt interesi. Ai e ka të ndaluar të shfrytëzojë funksionin dhe postin e tij për të rritur klientelën apo për përfitime të tjera personale të kundraligjshme.

Neni 9 – Ndihma në raste urgjente

Në prezencë të një të sëmuri apo të dëmtuari në rrezik për jetën, ose kur i bëhet thirrje për një rast të tillë, mjeku, pavarësisht profilit profesional, e ka për detyrë të ndërhyjë në çdo vend e rrethanë për të dhënë ndihmën urgjente, duke asistuar deri në momentin që të sigurohet se ai po merr ndihmën mjekësore të kualifikuar.

Neni 10 – Mbi marrëdhëniet me kolegët dhe personelin

Mjekët e kanë për detyrë të mbajnë marrëdhënie të mira dhe të ndershme me njëri-tjetrin dhe me anëtarët e tjerë të personelit mjekësor, duke respektuar pavarësinë profesionale të secilit, në interes të sëmurëve dhe ruajtjes së emrit të mirë të profesionit dhe të institucionit mjekësor.

Neni 11 – Mbi reputacionin profesional dhe figurën morale

Mjeku, madje edhe jashtë ushtrimit të profesionit duhet të ruajë të pastër figurën e tij morale duke shmangur çdo akt që do të zhvlerësonte personalitetin dhe dinjitetin e tij njerëzor e profesional. Në çfarëdo rrethanë qoftë, ai nuk duhet të lejojë që emri i tij të përdoret për qëllime publicitare e fitimprurëse, ai duhet të ruhet nga vetmburrja dhe fryrja e pa vend e fames së tij.

Neni 12 – Përdorimi i njohurive dhe pavarësia profesionale

Përdorimi i njohurive dhe ushtrimi i mjekësisë bazohet në parimin e lirisë dhe pavarësisë së profesionit.

Mjeku duhet të përdorë njohuritë dhe të gjitha burimet e shkencës mjekesore për një mjekim efektiv, duke u bazuar në pavarësinë profesionale, lirinë e veprimit dhe përgjegjshmërinë personale. Ai duhet të marrë parasysh avantazhet, efektet e dëmshme dhe pasojat e mundshme të hulumtimeve dhe mjekimeve që përshkruan.

Neni 13 – Mbi edukimin dhe përditësimin e dijeve

Gjatë gjithë jetës aktive profesionale, mjeku e ka për detyrë azhornimin me të rejat e shkencës, të ruajë dhe perfeksionojë dijet e tij.

Në mënyrë të veçantë, mjeku duhet të angazhohet sistematikisht në programet e edukimit mjekësor të vazhdueshëm, të organizuara dhe individuale, të cilat zhvillojnë kompetencën dhe rrisin aftësitë e tij profesionale.

Mjeku ka për detyrë të marrë pjesë në vlerësimin e praktikës dhe performancës së tij profesionale.

Neni 14 – Vlerësimi i gjendjes së të sëmurit

Mjeku duhet të bëjë vlerësimin e drejtë të gjendjes së të sëmurit dhe të aplikojë në mënyrë të përshtatshme burimet e shkencës mjekësore, duke u bazuar në anamnezë, shenjat klinike dhe në ekzaminimet që ai i vlerëson të nevojshme dhe të domosdoshme.

Neni 15 – Tejkalimi i mundësive dhe kompetencave

Mjeku, me përjashtim të urgjencave dhe rrethanave të jashtëzakonshme, nuk duhet të marrë përsipër ndjekjen e të sëmurëve, as të formulojë përshkrime që i tejkalojnë mundësitë dhe kompetencat e tij profesionale.

Ai duhet të kufizojë ushtrimin e tij esencialisht në specialitetin që i është njohur ligjërisht, si dhe në disiplinat që lidhen me të.

Kur është e nevojshme, mjeku e ka për detyrë të konsultohet me kolegët brenda apo jashtë specialitetit të tij dhe të zbatojë vendimet e konsultës në mënyrë korrekte dhe me ndershmëri.

Neni 16 – Mësimdhënia dhe kontributi për edukimin e kolegëve

Mjeku e ka për detyrë të kontribuojë në edukimin dhe trajnimin e mjekëve të tjerë. Në qoftë se është i ngarkuar me detyrën e mësimdhënies duhet të punojë për të qënë një mësues kompetent dhe të sigurohet se kolegët e rinj apo studentët përfitojnë dhe mbikqyren në mënyrë të përshtatshme.

Neni 17 – Mbi edukimin dhe promocionin e shëndetit

Në kuadrin e misionit dhe detyrimeve të tij profesionale, mjeku e ka për detyrë të kontribuojë në veprimtaritë dhe programet për edukimin dhe promocionin e shëndetit dhe të ndihmojë publikun për të njohur e kuptuar çështjet shëndetësore.

 

KREU I DYTË

DETYRAT E MJEKUT NDAJ TË SËMURIT

 

Neni 18 – Marrëdhëniet me të sëmurin

Kujdesi për ruajtjen e mirëqënies dhe interesave shëndetësore të të sëmurit duhet të jetë preokupacioni parësor i mjekut. Marrëdhëniet midis mjekut dhe të sëmurit duhet të mbështeten në mirëbesimin e ndërsjelltë. Zgjedhja e lirë e mjekut dhe e institucionit të mjekimit nga i sëmuri është një e drejtë e tij, e cila përbën parimin themelor të këtyre marrëdhënieve. Mjeku është i detyruar të respektojë dhe t’i krijojë të gjitha mundësitë që i sëmuri të ushtrojë këtë të drejtë.

Neni 19 – Përkushtimi dhe sjellja

Mjeku duhet t’i garantojë të sëmurit përkushtim, sjellje të mirë dhe kompetencë profesionale. Ai e ka për detyrë t’i dedikojë të sëmurit të gjithë kohën e domosdoshme për informimin e tij dhe marrjen e vendimeve diagnostike e mjekuese sa më të drejta.

Mjeku duhet të përmbushë misionin e tij me respekt dhe zbatim të standardeve profesionale dhe etike, pa abuzuar mbi të sëmurin nga ana fizike, emocionale ose materiale.

Atij nuk i lejohet t’i imponojë të sëmurit opinionet e tij personale, filozofike, morale ose politike.

Neni 20 – Detyrat ndaj fëmijëve, pleqve dhe handikapatëve

Në ushtrimin e profesionit, mjeku duhet të angazhohet në kujdesin për fëmijët, pleqtë dhe handikapatët, sidomos kur vëren se në ambjentin familjar ose jashtëfamiljar ku ata jetojnë, nuk kujdesen në mënyrë të mjaftueshme për shëndetin e tyre.

Mjeku që thërritet për të trajtuar një të mitur, apo të paaftë fizikisht a mendërisht, duhet të përpiqet të marrë pëlqimin e prindërve, të të afërmve apo të përfaqësuesve të tij ligjorë. Bëhet përjashtim kur rasti eshtë urgjent dhe mjeku nuk ka mundësi të komunikojë me këta persona.

Në rast dyshimi për abuzim ose keqtrajtim të fëmijës, apo të një handikapati, mjeku është i detyruar të lajmërojë organet kompetente të njohura me ligj.

Neni 21 – Mos përzierja në çështjet familjare

Mjekut nuk i lejohet të ndërhyjë apo të përzihet në probleme personale ose familjare të sëmurit dhe as të përpiqet për të ndikuar në privatësinë e tij, me përjashtim kur kjo justifikohet për arsye profesionale që lidhen me sëmundjen apo me trajtimin mjekësor të tij.

Neni 22 – Ruajtja e sekretit

Të dhënat që mjeku mëson rreth të sëmurit të tij gjatë kryerjes së detyrës, konsiderohen të fshehta mjekësore dhe përbëjnë sekret profesional. Me dëshirën e të sëmurit dhe në interes të tij, mjeku është i detyruar të mbajë të fshehtë edhe ndaj familjarëve e personave të tjerë gjithçka që i është besuar dhe gjithë çka parë e dëgjuar gjatë punës së tij me të sëmurin.

Madje edhe pas vdekjes së të sëmurit, me përjashtim të rasteve kur ajo përbën rrezik për shëndetin dhe jetën e të tjerëve, mjeku duhet të mos zbulojë sekretin professional.

Neni 23 – Zbulimi i sekretit

Mjekut i lejohet të zbulojë të fshehtat mjekësore të të sëmurit, vetëm në rastet kur fshehja e tyre rrezikon jetën e të sëmurit ose kur kërkohet nga një organ i njohur me ligj.

Kur mjeku përdor të dhënat mjekësore të sëmurit të tij për t’i publikuar, ai është i detyruar që identiteti i të sëmurit të mos zbulohet.

Neni 24 – Lehtësimi i vuajtjeve për të sëmurin

Në çdo rrethanë mjeku duhet t’i kushtojë të sëmurit kohën e nevojshme, jo vetëm për ta diagnostikuar dhe mjekuar në mënyrë të përshtatshme, por edhe për ta asistuar atë moralisht dhe lehtësuar vuajtjet. Mjeku duhet të jetë i kujdesshëm dhe racional në ndërhyrjet dhe proçedura diagnostikuese dhe mjekuese, për të mos e rënduar dhe bezdisur të sëmurin me teprime të panevojshme dhe të pajustifikuara.

Neni 25 – E drejta e të sëmurit për t’u informuar

I sëmuri ka të drejtë të informohet për sëmundjen, ekzaminimet dhe mjekimet që i propozohen dhe rezultatet e tyre. Mjeku e ka për detyrë ta informojë të sëmurin në mënyrë të sinqertë dhe të kuptueshme duke marrë parasysh në çdo rast personalitetin dhe gjendjen e tij psiqike.

Nëse i sëmuri është nën 16 vjeç apo i paaftë për të kuptuar gjendjen dhe mjekimin që i propozohet, informacioni i jepet familjarit më të afërt që e ka nën kujdestari.

Nëse mjeku gjykon se duke informuar të sëmurin rrezikon të dëmtojë gjendjen e tij psiqike e shëndetësore, atëhere ai nuk është i detyruar ta informojë e as ta njohë me dokumentacionin mjekësor. Një diagnozë e rëndë dhe prognozë fatale mund të zbulohet me shumë maturi. Gjithsesi familjarët duhet të jenë të informuar dhe paralajmëruar, përveçse, nëse vetë i sëmuri i ka përcaktuar më parë personat të cilët mund të informohen për gjendjen e tij.

Neni 26 – Informimi i familjarëve

Mjeku e ka për detyrë të tregojë mirëkuptim dhe bashkëshqetësim me familjarët. Ai duhet t’i mbajë ata në dijeni për proçedurat mjekësore dhe kujdesin që i ofrohet të sëmurit, ecurinë dhe perspektivën e tij, me kusht që një gjë e tillë të mos bjerë në kundërshtim me vullnetin e të sëmurit.

Neni 27 – Proçedurat diagnostikuese e mjekuese

Në proçesin e përpunimit të diagnozës dhe vendosjen e mjekimit për të sëmurin e tij, mjeku duhet të propozojë dhe të përshkruajë ato proçedura diagnostikuese dhe mjekuese, të cilat në gjykimin e tij i vlerëson më të përshtatshme për rrethanat e të sëmurit, shkencërisht të provuara dhe bashkëkohore dhe ekonomikisht me kosto më të ulët.

Mjekut nuk i lejohet që me përshkrimin e tij, të rrezikojë në mënyrë të pajustifikuar shëndetin dhe jetën e të sëmurit. Ai duhet t’i formulojë përshkrimet e tij në përputhje me udhëzuesit klinikë dhe protokollet e miratuara, në mënyrë të qartë e të kuptueshme për pacientin dhe për të tjerët.

Neni 28 – Pëlqimi pas infomimit (konsenti i informuar)

Është detyrim për çdo mjek marrja e pëlqimit të të sëmurit përpara çdo ndërhyrjeje, ekzaminimesh apo mjekimesh të propozuara, pasi ta ketë informuar me hollësi dhe të jetë bindur se i sëmuri e ka kuptuar.

Kur i sëmuri, në gjendje për të shprehur vullnetin e tij, refuzon ndërhyrjen e propozuar, mjeku duhet të pranojë vullnetin e të sëmurit, pasi ta ketë informuar dhe bindur për pasojat e pritshme.

Në qoftë se i sëmuri është nën 16 vjeç ose i paaftë për të shprehur vullnetin e tij për të marrë vendime, mjeku nuk mund të ndërhyjë pa njoftuar të afërmit e të sëmurit apo personin përgjegjës legjitim, me përjashtim të rasteve urgjente apo të pamundësisë për të kontaktuar këta persona.

Informimi i të sëmurit dhe marrja e pëlqimit apo refuzimi i tij shprehen me shkrim në dosjen klinike të të sëmurit dhe firmoset nga i ai apo personat legjitimë që e kanë në kujdestari.

Neni 29 – Përfitimi i të drejtave

Mjeku duhet të përpiqet të mundësojë që i sëmuri i tij të përfitojë të gjitha të drejtat shoqërore ose materiale që i takojnë me ligj për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

Çdo abuzim, mashtrim ose fallsifikim i dokumentave mjekësore për këtë pëlqim, është i dënueshëm.

Neni 30 – Vazhdimësia e mjekimit

Në çfarë do rrethanash qoftë, mjeku e ka për detyrë të sigurojë vazhdimin e mjekimit të të sëmurit të tij. Edhe në rast të një rreziku publik, mjeku nuk duhet të braktisë të sëmurët e tij, veçse me Urdhër nga autoritetet përgjegjëse në përputhje me Ligjin.

Në rastet kur mjeku do të largohet dhe do të lerë detyrën për një kohë, apo kur ai e gjykon se problemet apo gjendja shëndetësore e të sëmurit dalin jashtë aftësive dhe njohurive të tij profesionale, apo jashtë mundësive të tjera për ta trajtuar, atëherë mjeku e ka për detyrë të marrë të gjitha masat që i sëmuri të kalojë për të vazhduar mjekimin tek një mjek tjetër i fushës përkatëse i aftë për të marrë përsipër këtë trajtim.

Neni 31 – Ndërrimi i mjekut kurues

Mjeku ka të drejtë të heqë dorë apo të refuzojë vazhdimin e mjekimit të sëmurit dhe të rekomandojë trajtimin e tij tek një mjek apo institucion tjetër në këto raste:

  1. Për arsye profesionale apo personale;
  2. Kur i sëmuri, i aftë dhe i ndërgjegjshëm për të marrë vendime të pavaruara, humb besimin tek mjeku ;
  3. Kur i sëmuri, i cili është koshient, sillet në mënyrë të pahijshme, bëhet brutal dhe kërcënues ndaj mjekut.

Edhe në këto raste, nëse i sëmuri përbën urgjencë mjekësore, mjeku e ka për detyrë t’i ofrojë ndihmën mjekësore deri në kapërcimin e situatës apo të ketë siguruar vazhdimin e trajtimit nga një mjek tjetër.

Neni 32 – Ndihma mjekësore për të dënuarit

Kur mjeku që thirret ose punon në një institucion ku të dënuarit vuajnë masën e dënimit, vëren se personi pranë të cilit është thirrur, është viktimë e një keqtrajtimi, duhet jo vetëm t’i ofrojë ndihmë mjekësore, por edhe të mbrojë të drejtat e dinjitetin e tij. Nëse për arsye të moshës, gjendjes fizike apo psikike, nuk është i zoti për t’u mbrojtur, mjeku duhet të vërë në dijeni organet kompetente të njohura me ligj.

Neni 33 – Mjekimi dhe ushqyerja e detyruar për të dënuarin

Mjeku e ka të ndaluar kategorikisht të marrë pjesë apo të asistojë në dhunën ose torturat kundër të pandehurit.

Mjekimi dhe ushqimi i detyruar lejohet vetëm në rastet kur i dënuari i sëmurë nuk është mendërisht i aftë të vendosë vetë. Në qoftë se një i rritur, mendërisht i shëndoshë dhe i vetëdijshëm, refuzon ushqimin me vullnetin e tij, mjeku duhet të respektojë vullnetin e të sëmurit.

Neni 34 – Dokumentimi i veprimeve mjekësore

Të gjitha veprimet diagnostikuese e mjekuese që kryen në praktikën klinike në çdo lloj shërbimi dhe profili ambulator, spitalor, publik a privat, mjeku i përshkruan (regjistron) në dokumentat mjekësore të posaçme, të cilat ruhen e mirëmbahen në përputhje me dispozitat që aplikon institucioni shëndetësor në kushtet e respektimit dhe të ruajtjes së sekretit professional.

Mjeku e ka për detyrë të krijojë Dosjen (kartelën) klinike individuale të të sëmurit, e cila plotësohet dhe ruhet nën përgjegjësinë e mjekut kurues si një dokument i rëndësishëm klinik, studimor-shkencor dhe juridik (mjeko-ligjor). Ai e ka për detyrë të përshkruajë në kartelën klinike qartë e kuptueshëm diagnozat, ekzaminimet dhe interpretimet e tyre, mjekimet dhe argumentat për çdo ndryshim që bën, si dhe konsultat mjekësore që kryhen për të sëmurin e tij.

Neni 35 – Lëshimi i dokumentave mjekësore

Në praktikën mjekësore është e domosdoshme bërja e dokumentave mjekësore, çertifikata, epikriza, dëshmi, etj dhe lëshimi i tyre me kërkesë të të sëmurit, familjarëve ose organeve kompetente të njohura me Ligj. Çdo dokument që plotëson dhe lëshon mjeku duhet të hartohet në mënyrë korrekte, plotësisht në përputhje me konstatimet mjekësore, të jetë i lexueshëm, ku të mund të identifikohet nënshkruesi dhe firma e tij.

Neni 36 – Pasaktësitë dhe abuzimi me dokumentet mjekësore

Çdo pasaktësi dhe mospërputhje me konstatimet mjekësore dhe abuzimi në përshkrimin dhe lëshimin e dokumentave mjekësore, përbën objekt ndjekjeje dhe përballjeje me proçeset e gjykimit disiplinor profesional dhe juridik për personat përgjegjës.

Neni 37 – Ankesat e të sëmurëve

Në qoftë se të sëmurët kanë ankesa lidhur me kujdesin shëndetësor apo mjekimin, atyre duhet t’u jepet një përgjigje e menjëhershme dhe e përshtatshme. Mjeku kurues ka përgjegjësi për tu marrë me ankesat në mënyrë konstruktive dhe të ndershme. Në rast se gjatë mjekimit, pacienti ka pësuar dëmtime serioze, pavarësisht nga arsyeja, duhet t’i shpjegohet plotësisht se çfarë ka ndodhur dhe mundësisht t’i kërkohet të falur atij, ose kur është nën 16 vjeç, familjarëve të tij.

Neni 38 – Lehtësimi i vuajtjeve të sëmurit që është duke vdekur

Lehtësimi i vuajtjeve dhe dhimbjes është një nga detyrat thelbësore të mjekut ndaj çdo të sëmuri. Kjo është veçanërisht e rëndësishme gjatë trajtimit të një sëmuri që është duke vdekur. Mjeku përveç mjekimit, i cili duhet të jetë sa më i lehtë dhe pa teprime të pashpresa, duhet të ofrojë asistencë e përkujdesje shpirtërore, duke respektuar dëshirat dhe besimin fetar të të sëmurit dhe duke ruajtur deri në fund dinjitetin e tij. Mjeku duhet të vërë në dijeni familjarët e të sëmurit mbi gjendjen e tij dhe të përpiqet të gjejë bashkëpunimin e tyre në lehtësimin e vuajtjeve të të sëmurit.

 

Neni 39 – Mos shpejtimi i vdekjes

Shpejtimi i përfundimit të jetës apo provokimi i vdekjes është në kundërshtim me etikën mjekësore. Nëse i sëmuri është pa vetëdije, pa shpresë për të jetuar, mjeku duhet të veprojë sipas gjykimit të tij për më të mirën e mundshme. Ai duke u konsultuar me kolegët e tjerë dhe familjarët më të afërm të të sëmurit vendos për qëndrimin terapeutik që duhet mbajtur.

Neni 40 – Vdekja e të sëmurit

Kur vdes një i sëmurë, mjeku kurues duhet t’u shprehë familjarëve ngushëllimet dhe keqardhjen e tij dhe t’u shpjegojë shkaqet dhe rrethanat e vdekjes. Ata duhet të informohen me të gjitha hollësitë e nevojshme për paqartësitë dhe pyetjet që mund të shtrojnë.

Neni 41 – Ndërhyrjet gjymtuese

Mjekut nuk i lejohet të kryejë ndërhyrje gjymtuese pa motiv shumë serioz mjekësor, pa informimin paraprak të të sëmurit dhe pëlqimin e tij. Bëhet përjashtim vetëm në rastet urgjente dhe kur është e pamundur të informohet dhe të merret pëlqimi i të sëmurit.

KREU I TRETË

MARRËDHËNIET MIDIS MJEKËVE, NDAJ PROFESIONIT DHE INSTITUCIONEVE

 

Neni 42 – Respekti reciprok

Marrëdhëniet midis mjekëve duhet të bazohen në principet e një shoqërie të mirë dhe respekti reciprok. Mjeku duhet të sillet ndaj kolegëve të tij me korrektësi e ndershmëri, duke ruajtur e mos cënuar dinjitetin e asnjërit, ashtu siç do të dëshironte që ata të silleshin ndaj tij.

Mjekut nuk i lejohet të përgojojë kolegët e tij, me qëllim që të ulë autoritetin dhe personalitetin e tyre përpara të sëmurëve dhe publikut, duke i dëmtuar në ushtrimin e profesionit, si dhe në marrëdhëniet dhe besimin e të sëmurëve ndaj tyre.

Asnjë mosmarrëveshje midis mjekësh nuk duhet të çojë në polemika publike, ato duhet të zgjidhen vetëm në rrugën e pajtimit, në rast nevoje edhe me ndërmjetësinë e autoriteteve institucionale apo të Urdhrit të Mjekëve.

Neni 43 – Respekti ndaj mësuesve

Mjeku duhet të jetë gjithë jetën mirënjohës dhe të tregojë respekt dhe mirësjellje ndaj mësuesve të tij për dijet, aftësitë profesionale dhe mjeshtërinë që ka fituar nga ata. Mungesa e mirënjohjes dhe e respektit ndaj mësuesve është e pafalshme dhe e dënueshme moralisht.

Neni 44 – Solidariteti ndaj kolegëve

Çdo mjek e ka për detyrë të ruajë dhe respektojë solidaritetin me kolegët, në të mirë të ruajtjes së integritetit profesional dhe në respekt të normave të etikës dhe deontologjisë mjekësore.

Në qoftë se një mjeku i kërkohet një këshillë ose ndihmë profesionale nga një koleg, ai duhet të jetë i gatshëm t’i japë ato me sinqeritet dhe në përputhje me njohuritë më të mira që zotëron.

Është në moralin dhe nderin e çdo mjeku të marrë në mbrojtje, në qoftë se një koleg është sulmuar dhe vënë në akuzë në mënyrë të padrejtë.

Neni 45 –Qëndrimi ndaj sjelljes jo korrekte të kolegëve

Në rast se mjeku vihet në dijeni të një sjellje të padenjë të një kolegu, e cila nuk përputhet me normat e etikës mjekësore, ai e ka për detyrë t’ja vërë në dukje këtë vetëm kolegut të tij dhe autoriteteve drejtuese të institucionit dhe/ose Urdhrit të Mjekëve. Atij nuk i lejohet të diskutojë për këtë me të sëmurët, me familjarët apo me kolegë dhe persona të tjerë.

Neni 46 – Gabimet e bashkëpunëtorëve

Mjeku është i detyruar të mos heshtë dhe të mos qëndrojë indiferent përpara gabimeve që mund të bëhen nga bashkëpunëtorët ose personeli tjetër ndihmës. Ai duhet t’i trajtojë ato me takt, pa cënuar dinjitetin e asnjërit dhe asnjëherë përpara të sëmurit, familjarëve apo personave të tjerë.

Mjeku për gjithçka që e konsideron të gabuar e në dëm të punës dhe shëndetit të individit apo publikut duhet ta diskutojë me autoritetin drejtues të institucionit dhe/ose të Urdhrit të Mjekëve.

Neni 47 – Raportet e një mjeku me mjekun kurues dhe me të sëmurin

Raportet e ndërsjellta të mjekut me mjekun kurues dhe me të sëmurin duhet të jenë korrekte, të sinqerta dhe të ndershme, në respekt të të cilave mjekët duhet të zbatojnë këto rregulla dhe parime etike:

  1. Kur mjekut i kërkohet ofrimi i kujdesit mjekësor për një të sëmurë, i cili ka si mjek kurues një tjetër koleg, ai:
    1. Nëse i kërkohet ta marrë në trajtim mjekësor si mjek kurues, mund ta pranojë me dijeninë e mjekut tjetër kurues, kur vetë i sëmuri kërkon të heqë dorë nga ky i fundit;
    2. Nëse i kërkohet thjesht një këshillim, por jo të ndryshojë mjekun kurues, i propozon një konsultim të përbashkët me mjekun kurues. Në qoftë se nuk është dakord, i jepet këshillimi i kërkuar dhe, nëse është e nevojshme i ofron trajtim mjekësor urgjent. Në përfundim, me pëlqimin e të sëmurit, për gjithçka informohet mjeku kurues.
    3. Nëse një i sëmurë paraqitet sepse i mungon mjeku i tij kurues, atij i sigurohet kujdesi mjekësor i nevojshëm deri në kthimin e mjekut të tij kurues. Këtij të fundit, me pëlqimin e të sëmurit, i jepet informacioni i nevojshëm.
    4. Në qoftë se një i sëmurë, ka ardhur pa rekomandimin dhe dijeninë e mjekut të tij kurues, është detyrim etik dhe në interes të të sëmurit që mjeku, pasi të ketë marrë pëlqimin e tij, të hyjë në kontakt me mjekun kurues me qëllim që të shkëmbejnë mendimet e tyre.
    5. Një mjeku konsulent që ka ekzaminuar një të sëmurë së bashku me kolegun apo kolegët e tij, nuk i lejohet që me iniciativën e vet të ekzaminojë përsëri këtë të sëmurë në vazhdim të së njëjtës sëmundje, pa praninë e mjekut kurues ose miratimin e tij, përveçse në rast urgjente.

Neni 48 – Këshillimi dhe konsultimi me kolegët

  1. Këshillimi dhe konsultimi me kolegun kur e kërkojnë rrethanat e të sëmurit është praktikë që duhet ndjekur e respektuar si e domosdoshme, jo vetëm në interes të trajtimit më të mirë të të sëmurit, por edhe të rritjes së integritetit dhe formimit profesional të mjekëve.
  2. Është e palejueshme për mjekët, madje e dënueshme që konflikte apo mosmarrëveshje personale midis tyre, të bëhen shkas për të hezituar në thirrjen e konsultës apo pjesëmarrjen në të.
  3. Kur mjeku do të organizojë një konsultë, ai pasi e ka informuar paraprakisht të sëmurin me hollësi për konsultën dhe mjekun apo mjekët që do marrin pjesë, merr pëlqimin e tij si për konsultën dhe për mjekët të cilët vetë i sëmuri mund të propozojë, me kusht që zgjedhja e të sëmurit mos të dëmtojë shëndetin e tij. Kur mjeku beson dhe është i bindur se nuk duhet të miratojë zgjedhjen e bërë nga i sëmuri apo të afërmit e tij, ai e refuzon këtë.
  4. Në përfundimin e një konsulte midis dy a më shumë mjekësh, është rregull që konkluzionet e tyre të formulohen me shkrim dhe të firmosen nga mjeku kurues dhe konsulentët.

 

KREU I KATERT

QËNDRIMI I MJEKUT NDAJ RIPRODHIMIT HUMAN, EKSPERIMENTEVE KLINIKE E KËRKIMEVE

BIO-MJEKËSORE DHE TRANSPLATIMEVE TË INDEVE E ORGANEVE

 

Neni 49 – Lidhur me Informimin dhe kujdesin për shëndetin seksual

Mjeku e ka për detyrë të punojë për edukimin dhe informimin e popullatës për çështje të shëndetit seksual dhe parandalimin e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme. Ai duhet të propagandojë dhe të popullarizojë metodat shkencore të planifikimit familjar dhe përdorimit të kontraceptivëve të provuar shkencërisht dhe të besueshëm.

Neni 50 – Ndërprerja e shtatzanisë dhe sterilizimi

Mjekut i ndalohet të bëjë ndërprerje të shtatëzanisë dhe të kryejë proçedura sterilizimi përveçse në kushtet e parashikuara me aktet ligjore.

Mjekut nuk i lejohet ndërprerja e një shtatëzanie apo kryerja e një proçedure sterilizimi pa marrë pëlqimin e të interesuarve mbasi t’i ketë informuar mbi indikacionet, rreziqet dhe pasojat e mundshme.

Neni 51 – Aplikimi i metodave të riprodhimit të ndihmuar

Mjekut nuk i lejohet të ndërmarrë një proçedurë mjekësore të riprodhimit të ndihmuar, përveçse, në kushtet e parashikuara me ligj apo akte të tjera të ligjshme.

Në trajtimin e pamundësisë bashkëshortore për të lindur fëmijë, mjeku domosdoshmërisht duhet të zotërojë njohuritë bazë shkencore dhe etike, të njihet me metodat që aplikohen në përputhje me konceptet e pranuara botërisht dhe të njohura me ligj. Ai e ka për detyrë të informojë hollësishëm partnerët mbi proçedurën, mundësitë e suksesit dhe dështimit duke marrë pëlqimin e tyre pas informimit.

Neni 52 – Pjesëmarrja në kërkime shkencore

Mjekut nuk i lejohet të udhëheqë apo të marrë pjesë në kërkime apo eksperimente shkencore, bio-mjekësore, me përjashtim të rasteve kur një gjë e tillë është e parashikuar në ligj apo akte të tjera të ligjshme.

Mjeku që merr përsipër një punë kërkimore me qëllim parandalues, diagnostikues apo mjekues, ku përfshihen të sëmurë apo vullnetarë, detyrimisht paraqet projektin përpara një komisioni të posaçëm të bioetikës, kompetent dhe të pavarur, për të vlerësuar përligjien shkencore, pranueshmërinë etike dhe për ta miratuar.

Mjeku duhet të informojë me kujdes personin apo personat e përfshirë në projekt mbi objektin e punës kërkimore, dobitë e pritshme, pasojat dhe dëmet e mundshme dhe t’u marrë pëlqimin. Në qoftë se marrja e pëlqimit është e pamundur për shkak të paftësisë fizike, mendore apo të moshës së pacientit, pëlqimi mund të merret nga të afërmit.

Neni 53 – E drejta për t’u larguar nga studimi

Personit të përfshirë në studim i bëhet e ditur mundësia e ndërprerjes dhe largimit nga studimi me vullnetin e tij të lirë në çdo moment.

Neni 54 – Raportimi i rezultateve

Mjeku pjesëmarrës në studim e ka për detyrë të udhëheqë kërkimet me ndershmëri duke ndjekur e zbatuar me përpikmëri të gjitha aspektet e protokollit të kërkimit.

Ai duhet të regjistrojë rezultatet e kërkimit me vërtetësi, të raportojë dhe t’i publikojë ato me ndershmëri duke mos pretenduar autorësinë në mënyrë të pajustifikuar.

Neni 55 – Aplikimi i metodave të reja

Aplikimi i metodave të reja diagnostikuese, mjekuese dhe parandaluese lejohet vetëm pas shqyrtimit klinik nga një komision i posaçëm i pavarur dhe kompetent.

Adoptimi, kryerja dhe nxitja e metodave të pavërtetuara shkencërisht është e ndaluar, konsiderohet kundravajtje me aktet ligjore, dhunim i Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore dhe objekt ndjekje dhe përballjeje me këto akte. Vetëm një mjekim i krahasuar me placebo mund të lejohet në kushtet kur sipas të dhënave shkencore i sëmuri mund të përfitojë, por duke e garantuar se efektet e dëmshme janë të përjashtuara në mënyrë të sigurt.

Neni 56 – Abuzimi me embrionet njerëzore

Abuzimi me embrionet njerëzore për qëllime kërkimore, apo çfarëdo qëllimi tjetër qoftë është i ndaluar. Ai konsiderohet shkelje ligjore dhe etike dhe ndëshkohet përballë këtyre akteve normative.

Neni 57 – Transplatimi i indeve dhe organeve

  1. Marrja e organeve, indeve apo çfarëdo produkti tjetër nga trupi i njeriut të gjallë apo të vdekur, praktikohet vetëm në rastet dhe kushtet e parashikuara me ligj apo akte të tjera të ligjshme të cilat i përkasin kësaj fushe.
  2. Mjekut nuk i lejohet marrja e organeve, indeve apo çfarëdo produkti tjetër nga trupi i njeriut, as transplatimi i tyre, në qoftë se ai nuk është i kualifikuar në këtë fushë dhe po të mos ketë një ekip bashkëpunues të kualifikuar dhe trajnuar. Atij gjithashtu nuk i lejohet një ndërmarrje e tillë nëse nuk ka në dispozicion pajisjet mjekësore dhe teknike të përshtatshme.

 

KREU I PESTË

KUSHTET E USHTRIMIT TË PROFESIONIT

 

Neni 58 – Sigurimi i mjedisit të punës

Vendi ku mjeku është instaluar për të ushtruar profesionin duhet të ketë mjedis të përshtatshëm pune, pajisje mjekësore dhe teknike, të cilat i përgjigjen dhe i përshtaten natyrës së akteve mjekësore parandaluese, diagnostikuese dhe terapeutike që ai praktikon.

Mjeku nuk duhet të ushtrojë profesionin në kushte e rrethana që kompromentojnë sigurinë e të sëmurëve dhe cilësinë e kujdesit ndaj tyre dhe publikut.

Neni 59 – Mbi dhuratat dhe financimet

Mjeku e ka të ndaluar të kërkojë apo të pranojë dhurata apo financime të papërligjura dhe kompromentuese nga kompani, firma apo individë që tregtojnë medikamente, pajisje apo materiale të tjera mjekësore, me përjashtim të financimeve të përligjura vetëm për veprimtari të akredituara, të cilat organizohen në funksion të edukimit dhe formimit profesional të mjekëve.

Neni 60 – Mjekësia si biznes, publiciteti, ortakëritë

  1. Mjekut nuk i lejohet të hyjë dhe të veprojë në ortakëri me farmacistë, stafet ndihmuese apo persona të tjerë për qëllime fitimprurëse të paligjshme.
  2.  Mjekut nuk i lejohet të praktikojë mjekësinë si biznes. Ai e ka kategorikisht të ndaluar të bëjë vizita apo konsultime në lokale e mjedise tregtare ku tregtohen medikamente, produkte, aparatura a pajisje të tjera mjekësore.
  3. Është e ndaluar për mjekun të merret me reklamë a publicitet të çfarëdo lloji me përjashtim të rasteve kur këto kanë qëllim shkencor apo edukativ. Në këtë rast, mjeku duhet të bëjë kujdes që publiciteti të jetë objektiv dhe në përshtatje me rregullat e deontologjisë mjekësore. Mjekut nuk i lejohet të bëjë asnjë publicitet në favor të aktivitetit të tij personal apo të një institucioni të caktuar.

Neni 61 – Treguesit profesionalë personalë

  1. Të vetmit tregues që i lejohet mjekut të paraqesë në fletë recetat, dokumentat dhe njoftimet e ndryshme që publikon janë:
  • Emër, mbiemër, adresë, numër telefoni dhe orët e konsultave.
  • Titujt profesionalë legal (zyrtarë) të liçensuar dhe autorizuar nga Urdhri i Mjekëve për të ushtruar.
  • Titujt honorifikë të njohur nga Republika e Shqipërisë.
  1. Treguesit që i lejohen mjekut të figurojnë në hyrje të kabinetit të tij janë:
  • Emri dhe mbiemri i tij.
  • Orari i konsultave.
  • Titujt profesionalë legalë (zyrtarë) të liçensuar dhe autorizuar nga Urdhri i Mjekëve për të ushtruar.

Kur mjeku është titullar i një diplome të huaj, atëhere duhet të specifikohet vendi dhe Universiteti që ka lëshuar diplomën ose çertifikatën që e autorizon të ushtrojë këtë profesion.

 

Neni 62 – Kontrata e punës

Ushtrimi i mjekësisë, në çdo formë qoftë, pranë një institucioni privat a publik, është i detyruar të bëhet në bazë të një kontrate me shkrim, ku përcaktohen detyrimet dhe të drejtat përkatëse të palëve. Çdo projekt kontrate i komunikohet paraprakisht Këshillit Rajonal të Urdhrit të Mjekëve, i cili shpreh me shkrim vërejtjet dhe sugjerimet që mund të ketë.

Neni 63– Honoraret

  1. Në mungesë të një kontrate apo marrëveshje paraprake për honoraret, mjekët caktojnë honoraret të cilat zakonisht paguhen nga i sëmuri ose nëpërmjet një administrate e cila rregullon honoraret e mjekëve, gjithnjë në pajtim me aktet ligjore apo nënligjore të kësaj fushe.
  2. Në përcaktimin e honorareve, mjekët duhet të jenë të kujdesshëm dhe të matur, duke e marrë parasysh gjendjen ekonomike të të sëmurëve, mundësitë e shërbimit që ofrojnë dhe rrethana të tjera.
  3. Mjeku e ka për detyrë të shpjegojë dhe të justifikojë me argument koston e shërbimit.

Neni 64 – Bashkimi i mjekëve

  1. Çdo bashkim ose grupim mjekësh duhet të bëhet në bazë të një kontrate të shkruar që respekton pavarësinë e secilit. Kontrata i komunikohet paraprakisht Këshillit Rajonal të Urdhrit të Mjekëve, i cili verifikon nëse është ose jo në përputhje me Ligjet dhe me Kodin e Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore.
  2. Në çdo bashkim apo grupim mjekësh, pavarësisht statusit të tij juridik, ushtrimi i profesionit mbetet personal dhe secili ruan pavarësinë dhe përgjegjësinë profesionale. Edhe në këtë rast, zgjedhja e mjekut nga i sëmuri është parim etik dhe deontologjik i pandryshueshëm dhe duhet respektuar.
  3. Çdo marrëveshje ose kontratë grupimi, me qëllim profesional midis mjekëve nga njëra anë dhe punonjësve të tjerë si infermierë, kimistë, etj. i dërgohet Këshillit Rajonal të Urdhërit të Mjekëve, i cili verifikon përputhshmërinë me Ligjet në fuqi dhe Kodin e Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore.

Neni 65 – E drejta për grevë

  1. Mjekët kanë të drejtë të kërkojnë nga organet shoqërore dhe shëndetësore krijimin e kushteve dhe mundësive sa më të përshtatshme dhe më të mira që të jetë e mundur për kryerjen e aktiviteteve të tyre profesionale. Për të arritur këtë, mjekët përdorin mundësitë që kanë në dispozicion e që janë më të përshtatshme dhe më pak të dëmshme për të sëmurët.
  2.  Gjithsesi, mjekët kanë të drejtë të organizojnë dhe të marrin pjesë në grevë, por me kushtin e domosdoshëm që të kenë garantuar mundësinë e ofrimit të shërbimit të urgjencës dhe të shërbimeve të domosdoshme për të sëmurët.

KREU I GJASHTE

DISPOZITA PLOTËSUESE DHE PËRFUNDIMTARE

Neni 66 – Mjeku dhe institucionet e ndryshme (përgjithësim)

Pavarësisht profilit apo institucionit në të cilin punon një mjek, publik apo privat, detyrimi i tij për respektimin dhe zbatimin e dispozitave të këtij kodi në ushtrimin e profesionit mbetet i pandryshuar.

  1. Ushtrimi i profesionit i çfarëdo profili e në çdo institucion qoftë, publik a privat, është personal dhe i pavarur. Mjeku është përgjegjës për vendimet dhe aktet mjekësore që kryen.
  2. Në çdo institucion publik apo privat, ushtrimi i profesionit duhet të jetë objekt i një kontrate të shkruar, e cila të jetë në përshtatje me dispozitat e këtij Kodi dhe me natyrën e specifikat e institucionit përkatës. Një mjek nuk duhet të nënshkruajë kontratë dhe të pranojë të punojë për një institucion, i cili e privon atë nga mundësitë për të përmbushur detyrimet e tij etike dhe deontologjike mjekësore.
  3. Pavarësisht institucionit në të cilin punon një mjek, publik apo privat, ai është i detyruar që përtej principeve dhe rregullave që parashikohen në dispozitat e këtij Kodi, të njohë ligjet, normat dhe rregullat administrative shtetërore dhe të institucionit ku punon, të cilat i përkasin fushës së ushtrimit të mjekësisë, detyrave dhe të drejtave të mjekut në profesion
  4. Pavarësisht institucionit shëndetësor publik a privat në të cilin punon një mjek, ai e ka për detyrë t’i përgjigjet çdo kërkese zyrtare për t’u vënë në dispozicion dhe bashkëpunuar kur bëhen hetime apo kërkohen informacione të ndryshme lidhur me të sëmurin e tij apo çfarëdo çështje tjetër. Ai duhet të ndihmojë autoritetet e interesuara, të cilat detyrimisht duhet të jenë të përligjura zyrtarisht, duke iu përmbajtur dispozitave të këtij Kodi për respektimin dhe ruajtjen e sekretit profesional.
  5. Është normë themelore e etikës mjekësore për çdo mjek që pavarësisht institucionit ku punon, të respektojë të drejtën e të sëmurit për të zgjedhur mjekun e tij dhe kur rrethanat e bëjnë të mundur, për ta patur këtë mjek prezent në çdo proçedurë mjekësore, të cilës i nënshtrohet ky i sëmurë.
  6. Pavarësisht profilit profesional dhe institucionit ku ushtron mjeku, në asnjë rast nuk duhet të pranojë të shpërblehet, bazuar në rendimentin e arritur në njësi kohe apo çdo kusht tjetër, i cili do të kufizonte lirinë e tij për vendimmarrje klinike të pavarur dhe do të cënonte cilësinë e kujdesit shëndetësor.
  7. Mjekut nuk i lejohet përdorimi i publicitetit profesional personal apo në favor të institucionit publik apo privat në të cilin punon. Ai duhet të jetë i kujdesshëm për të mos lejuar përdorimin e emrit të tij nga institucioni në të cilin punon për qëllime publicitare.
  8. Pavarësisht institucionit publik apo privat në të cilin punon, si dhe pozicionit hierarkik apo social të cilit i përket, mjeku është i detyruar t’i përgjigjet çdo kërkese nga Urdhri i Mjekëve, për tu paraqitur për një proçes gjykimi disiplinor profesional apo çfarëdo informacioni a bashkëpunimi që i kërkohet nga ky organizëm.

Neni 67 – Detyrim për respektimin e Kodit

Është detyrë e të gjithë mjekëve, e studentëve të mjekësisë që asistojnë apo zëvendësojnë mjekët në detyrë, si edhe e mjekëve praktikantë të njohin dhe të zbatojnë dispozitat e këtij Kodi gjatë gjithë karrierës profesionale. Mosnjohja nuk e përjashton asnjërin nga përgjegjësia dhe masat ndëshkimore për çdo kundravajtje të kryer.

Neni 68 – Masat disiplinore

Çdo akt mjekësor apo sjellje profesionale në kundravajtje me dispozitat e këtij Kodi, përbën objekt për ndjekje dhe gjykim disiplinor profesional bazuar në Ligjin 8615, datë 01.06.2000 “Për Urdhrin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë” dhe në Rregulloren e Gjykimit Disiplinor Profesional të Urdhrit të Mjekëve.

Neni 69 – Njoftimi i Urdhrit të Mjekëve për shkeljet

Çdo mjek e ka për detyrë të njoftojë Këshillin Rajonal përkatës të Urdhrit të Mjekëve për të gjitha shkeljet, të cilat në gjykimin dhe vlerësimin e tij janë në kundravajtje me dispozitat e këtij Kodi.
Neni 70 – Shfuqizimi i Kodit të vjetër

Kodi Deontologjik i miratuar nga Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Mjekëve me Vendimin Nr. 10, Datë 29.03.2002 shfuqizohet.

Neni 71 – Hyrja në fuqi

Ky Kod hyn në fuqi menjëherë.

 

Miratuar nga Këshilli Kombëtar me vendimin Nr.9, Datë: 11.11.2011

 

PËR KËSHILLIN KOMBËTAR TË U.M.SH.

 

PRESIDENTI

Dr. Din ABAZAJ