Edukimi Terapeutik i të sëmurëve me Diabet

Ç’është diabeti

1. Cilat janë vlerat e glicemisë në normë?

2. Cilat vlera mund të merren si pre-diabet (rreziku i fillimit të diabetit)?

3. Ç’është HbA1c dhe cilat janë vlerat normale të saj?

4. Cilat janë kriteret e diagnozës së diabetit?

5. Cilat janë shkaqet e diabetit?

6. Dallimi midis diabetit tipi 1 dhe diabetit tipi 2.

7. Cilat janë shenjat klinike të diabetit?

Diabeti mellitus (DM) një sëmundje kronike e cila shfaqet kur pankreasi nuk prodhon aspak ose prodhon një sasi të pamjaftueshme insuline. Karakterizohet nga hiperglicemia (rritja e sheqerit në gjak), si rezultat i sasisë së pamjaftueshme ose absolute të insulinës (një ndër hormoneve kryesore që prodhon pankreasi). Vlerat normale të sheqerit në gjak janë nga 70-110 mg/dl. Për një person me diabet, vlerat e sheqerit 2 orë pas buke, duhet të jetë > 140 mg/dl. Diabeti është një sëmundje që prek një numër të madh personash në të gjithë botën.

Trajtimi i diabetit ndjek tre objektiva të cilat janë:

1. Mbajtja e një mirëqenie metabolike;

2. Arritja e mirëqenies fizike e psikike;

3. Shmangia e shfaqjes së komplikacioneve të diabetit.

Për arritjen e këtyre tre objektivave të trajtimit të diabetit duhet të përmbushen tre shtyllat thelbësore: dieta, mjekimi dhe aktiviteti fizik.

Diabeti është një gjendje kronike që ndodh kur:

1. Pankreasi i njeriut nuk mund të prodhojë sasi të mjaftueshme insuline.

2. Insulina e prodhuar nuk vepron efektivisht.

3. Këto çojnë në rritjen e sheqerit në gjak (hiperglicemi) dhe në çrregullime të tjera në organizëm që mund të sjellin dëmtime të rënda në shumë organe e sisteme sidomos në nervat dhe në enët e gjakut.

Klasifikimi

Ekzistojnë disa tipe të diabetit, ku ndër më kryesorët janë Diabeti tipi 1 (i cili prek moshat e reja dhe është insulinovartës) dhe diabeti tipi 2 (i cili prek moshën e rritur dhe mjekimi mund të jëtë me medikamente orale ose insulinë).

Diabeti Mellitus tip 1 (DM tip 1) (më parë i njohur si diabeti i të rinjve ose i varur nga insulina):

· rezulton nga shkatërrimi qelizave β të pankreasit kryesisht nga proceset autoimune.

· Këto pacientë kanë më shumë mundësi të bëjnë ketoacidoze dhe kërkojnë mjekim të menjëhershëm me insulinë.

· Familjarët e personave me DM tip 1 kanë një rrezik më të madh që gjatë jetës të bëjnë diabet.

· Të lindurit nga një nënë diabetike tip 1 kanë 3% rrezik të jenë të sëmurë.

· Rreziku bëhet 6% nëse dhe babai është i sëmurë.

· Edhe pse të dhënat tregojnë për një kontribut të rëndësishëm gjenetik, trashëgimia luan rol më të madh në DM tip 2.

Diabeti Mellitus tip 2 (DM tip 2) (më parë i njohur si diabet i të rriturve ose i pavarur nga insulina), numërohen 80 – 90 % të rasteve me këtë tip diabeti:

· Është një çrregullim heterogjen dhe përfaqëson një numër të madh defektesh të ndryshme fillimisht gjenetike dhe mjedisore.

· Rezulton nga mungesa e pjesshme e insulinës (një mospërputhje midis prodhimit të insulinës dhe kërkesave për insulinë), ndryshe nga mungesa absolute e insulinës tek pacientet me DM tip1.

· Këta pacientë paraqiten kryesisht të rritur me shkallë të ndryshme të obezitetit, megjithëse rritja e nivelit të obezitetit po çon në shfaqjen më të hershme të sëmundjes tek adoleshentet dhe fëmijët.

· Në fillim shumica e pacientëve nuk kërkojnë mjekim me insulinë (sheqeri në gjak normalizohet nga marrja e mjekimeve të ndryshme me kokrra), por me kalimin e kohës kapaciteti sekretues i pankreasit tenton të pakësohet, dhe atëherë është e nevojshme trajtimi me insulinë për të patur një kontroll më të mirë të sheqerit në gjak.

· Ketoza rrallë ndodh, mund të instalohet si pasojë e një stresi të rëndësishëm si pasojë e traumës ose infeksionit.

Shumë nga pacientët diabetikë, pavarësisht nga pesha, kanë një ndjeshmëri të ulur të indeve ndaj insulinës që i atribuohet një sërë faktorëve gjenetike (shumica ende të panjohur) dhe që përkeqësohen nga jeta sedentare, plakja, obeziteti sidomos në zonën e barkut.

Shenjat më të shpeshta klinike të Diabetit Mellitus

DM tip 1 DM tip 2
Etje e theksuar, tharje goje, poliuri
  • ++
  • +
Dobësi ose lodhje e shpejtë
  • ++
  • +
Polifagi me rënie në peshë
  • ++
Urinim i shpeshtë sidomos natën (enuresis nocturna )
  • ++
  • +
Turbullim i shikimit
  • +
  • ++
Vulvovaginit ose prurit
  • +
  • ++
Neuropati periferike
  • +
  • ++
Plagë që mbyllen me vështirësi
  • +
  • ++
Shpesh asimptomatik
  • ++

Kriteret për diagnozën e diabetit

Norma Prediabet Diabet Mellitus
Glicemi (sheqeri) esëll (mg/dl)
  • 70 -110
  • 110 – 125
  • ≥126
Glicemi (sheqeri) 2 h pas ushqimit (mg/dl)
  • <140
  • ≥140 – 199
  • ≥200
HbA₁с
  • <5.7
  • 5.7 – 6.4
  • ≥6.5

· Niveli i sheqerit në gjak esëll ≥126 mg/dl është diagnostike për diabetin nqs konfirmohet në ditën pasardhëse pas një nate esëll.

· Niveli i sheqerit në gjak 2h pas ushqimit ≥200 mg/dl së bashku me praninë e shenjave klinike të diabetit është diagnostike.

Fazat e përshtatjes ndaj sëmundjes

Diagnostikimi me një sëmundje kronike mund të shkaktojë një impakt të thellë mbi personin dhe familjarët e tij. Ndryshimet që vijnë prej saj mund të prekin cilësinë dhe mirëqenien e jetesës së individit duke ndikuar në mënyrën në të cilën ai zgjedh të përballojë këtë situatë të re. Sëmundja sjell ndryshime në vetë personin, në ambientin e tij social, familjarë dhe në perspektivën për të ardhmen. Përshtatja ndaj sëmundjes shpesh është shumë e vështirë për tu arritur. Studime të ndryshme tregojnë se duhet më shumë se një vit për tu ambientuar me idenë dhe praninë e sëmundjes. Kjo sjell ndryshime në gjendjen emocionale dhe në sjelljen e personit të cilat çojnë në shfaqen e simptomave të ankthit dhe influencojnë mënyrën se si ky individit do të përballë sëmundjen e tij.

Fazat e përshtatjes ndaj sëmundjes janë:

Faza e mohimit , në të cilën personi nuk beson atë që i ka ndodhur.

Faza e rebelimit ku personi shfaq inat ndaj situatës.

Faza e disocimit ku personi mendon se nuk do të jetë në gjendje për të bërë të njëjtat gjëra si më përpara.

Faza e trishtimit në të cilën mendon se çdo gjë është humbur për faj të diabetit.

Faza e bashkëpunimit ku fillon të pranojë që ka sëmundjen e diabetit dhe të vendos të kryejë vetëkontrollin.

Faza e përshtatjes ku kupton se mund të jetohet lehtësisht edhe me sëmundjen e diabetit.

Rëndësia e mënyrës së jetesës dhe çfarë duhet ndryshuar

Është e rëndësishme të kuptohet mënyra e jetesës së personit me diabet, pasi përmes saj mund të ndërtohet një tablo më e qartë për ndjekjen që ky individ do ti bëj sëmundjes pas fazës së parë të diagnostikimit.

Tre janë shtyllat kryesore të vetëkontrollit: dieta, mjekimi dhe aktiviteti fizik.

P.sh. nëse personi i prekur nga sëmundja ka një ditë të ngarkuar, në të cilën pjesën më të madhe të kohës e kalon në punë, atëherë mjeku së bashku me pacientin duhet të përshtatin këtë situatë me gjendjen e re të krijuar, pjesë e të cilës të bëhet edhe marrja e mjekimit në orarin e duhur, respektimi i dietës dhe kryerja e aktivitetit të nevojshëm fizik.

TEMA Nr 2: Rëndësia e dietës në mjekimin e diabetit

I sëmuri me diabet mund të marrë çdo lloj ushqimi, por sasia do të ndryshojë në varësi të përmbajtjes së sheqernave dhe yndyrnave që ato kanë. Dieta ka shumë rëndësi në mjekimin e diabetit. Disa persona me diabet arrijnë vlera normale të sheqerit në gjak vetëm duke mbajtur dietën e rekomanduar nga mjeku endokrinolog dhe pa asnjë mjekim tjetër shoqërues. Dieta është specifike për çdo person me diabet. Ajo varet nga metabolizmi bazal, nga BMI-ja (indeksi trupor i cili përcaktohet nga pesha dhe gjatësia e personit) dhe nga aktiviteti i tij fizik. Pra është specifike për çdo person që jeton me sëmundjen e diabetit.

Sa vakte dhe sa mini vakte duhet të marri një person me diabet gjatë ditës dhe në cilën pjesë të ditës ?

· Një person me diabet duhet të marrë 3 vaktet kryesore dhe 3 vakte të ndërmjetme (mini vakte) pra gjithsej 6 vakte në ditë.

· Vaktet kryesore merren zakonisht: Në mëngjes, në orën 8.00, në drekë, në orën 14.00, dhe në darkë n orën 20.00.

· Vaktet e vogla (mini vaktet) merren midis vakteve kryesore, në orën 11.00, në orën 17.00 dhe në orën 23.00 ku rekomandohet më së shumti të konsumohet një frut.

· Shumë e rëndësishme është që vaktet të merren pothuajse në të njëjtën orë çdo ditë dhe hapësira nga vakti në vakt të jetë e njëjtë.

· Mos të kalojnë shumë orë pa ngrënë.

· Një vakt ushqimor duhet të përmbajë me patjetër karbohidratet (sheqerna) të nevojshme.

Në çfarë sasie duhet t’i marrim përbërësit kryesore?

· Zakonisht përqindja e përbërësve kryesore ushqimore të një vakti duhet të jenë: 40% karbohidrate, 40% proteina dhe 20% yndyrna.

1. Cilat ushqime mund të konsumohen pa kufij nga të sëmurët me diabet ?

Uji Kungulleshka
Kafeja pa sheqer Rrepe, speca, spinaq,
Çajrat pa sheqer Qepë, panxhar i kuq
Lëngë zarzavatesh Lakër e bardhe, lulelakër
Kastravecë, domate Patëllxhan, bamje
Karota, sallatë jeshile. Mollë

2. Rekomandohen të merren përditë por në sasinë e caktuar:

  1. Bukë 1/2 e bardhë 50 g , bukë me drithëra 60 gr,
  2. oriz i gatuar 50 g, makarona të gatuara 50 g,
  3. patate 60 g, patate të skuqura 30 g, pure patatesh 70 g,
  4. qumësht 200 ml, kos frutash 180 g,
  5. bizele të gatuara 20 g, fasule të bardha bishtaja 2 lugë supë, bizele të vogla 50 gr.

3. Nuk rekomandohen :

· pasta me krem (sheqer), ëmbëlsira në përgjithësi;

  1. të skuqura (yndyrna);
  2. pije të ëmbla (ivi, kola, fanta);
  3. pije alkoolike, birra.

>br>
Si të ndërtojmë një vakt normal për një person me diabet ?

  1. Mëngjesi : bukë + qumësht + djathë + vezë e zier
  2. Dreka : bukë + supë perimesh + mish peshku ose pule + sallatë perimesh
  3. Darka : bukë + supë zarzavatesh ose makarona + kos
  4. Vakti i ndërmjetëm: një frut, Kos frutash, sallatë perimesh ose 3 biskota.

TEMA Nr 3: Ç’është Hipoglicemia ?

Hipoglicemia: Është ulja e vlerave të sheqerit në gjak në më pak se 70 mg/dl.

Cilat janë shkaqet pse ndodh hipoglicemia?

· Mos marrja e vaktit ushqimor ose marrja në sasi të pamjaftueshme.
· Marrja e një doze më të lartë të insulinës.
· Aktiviteti i shtuar fizik (kur ecën ose kryen punë të rënda).

· Marrja e mjekimeve që shtojnë prodhimin e insulinës.

· Pirja e alkoolit esëll, të pa shoqëruar me ushqim.

· Kombinimi i mjekimit me insulinë dhe mjekime orale që shtojnë prodhimin e saj.

Cilat janë shenjat klinike të rënies së sheqerit?

· Shenjat kryesore klinike të hipoglicemisë janë: këputje trupi, djersë të ftohta, dhimbje koke, marrje mendsh, turbullim ose errësim i shikimit, ndjenje urie, gjendje të fikti, humbje e ndërgjegjes deri në koma, axhitim, personi bëhet më nervoz dhe nuk arrin të kontrollojë sjelljen e tij.

Si duhet të veprojmë në rastin e hipoglicemisë?

Në rast se kemi njërën apo disa nga shenjat e mësipërme Duhet të zbatojmë rregullin e 15-ës që do të thotë se, Duhet të marrim menjëherë 15 gr sheqer në formë të ngurtë ose të tretur në ujë, d.m.th. të merren :

– 3 karamele, 1 gotë pije të sheqerosur (lëng frutash, kola, pepsi, fanta, etj).

Pasi kemi marrë 15 gr sheqer do presim 15 minuta dhe do bëjmë një matje të sheqerit në gjak të çastit, përmes aparatit tuaj. Nëse rezultati është > 70 mg/dl, kjo do të thotë se e kemi kaluar rrezikun dhe duhet të merrni një mini vakt pas kësaj gjendje. (Që mund të jetë një fetë bukë e shoqëruar me djathë dhe një zarzavate p.sh. domate etj. Në rast se sheqeri në gjak vazhdon të jetë më <70 mg/dl atëherë do përsërisim rregullin e 15-ës.

Të rikonsumoni edhe njëherë 15 gr sheqer të formës së ngurtë ose të tretur.

Nëse edhe pas përpjekjes së dytë sheqeri vazhdon të jetë <70 mg/dl duhet të kërkoni ndihmën e mjekut ose të paraqitemi në qendrën më të afërt shëndetësore për ndihmë mjekësore.

Aktiviteti fizik

Aktiviteti fizik përbën një ndër shtyllat kryesore të ndjekjes së diabetit. Të gjithë jemi në dijeni që të ecurit, vrapi, noti, aerobia ndikojnë në përmirësimin jo vetëm të peshës sonë por dhe të gjendjes psikologjike.

Sigurisht që kjo vlen edhe për një person të sëmurë me diabet. Duhet ditur se përpara fillimit të aktivitetit fizik të gjithë të sëmurëve me diabet u bëhet një vlerësim i komplikacioneve kronike për të përcaktuar qartë intensitetin e aktivitetit fizik të secilit, në bazë të shkallës së komplikacioneve.Për këtë është e nevojshme të kryhen ekzaminimet që përcaktojnë praninë e komplikacioneve mikrovaskulare dhe makrovaskulare të cilat mund të përkeqësohen gjatë aktivitetit fizik. Kështu që identifikimi i komplikacioneve na ndihmon të minimizojmë rriskun dhe të përcatojmë një plan individual të aktivitetit fizik për çdo të sëmurë. Aktiviteti fizik ka një ndikim të rëndësishëm në organizmin e njeriut pasi normalizon nivelin e sheqerit në gjak; pakëson faktorët e rrezikut për sëmundjet e zemrës; ul nivelin e yndyrnave në gjak; rregullon tensionin e gjakut; na ndihmon për uljen në peshë; ul riskun për kancer.

Aktivitetet më të pranueshme janë:

Ushtrime aerobe (ecje, vallëzim, not, volejboll, basketboll, futboll, tenis, ecje me biçikletë etj.).

Në Ushtrime rezistente futen veprimtaritë ku ushtrohet forcë dhe vihen në punë grup muskuj mundësisht të mëdhenjtë, si për shembull të muskujve si bicepsit, tricepsit, deltoidit, të muskujve të barkut, kuatricepsit.

Kriteret që duhen vlerësuar përpara fillimit të aktivitetit janë:

¢ mosha >30 vjeç

¢ mosha >25 dhe diabet tip2 >10 vjet, diabet tip1>15vjet.

¢ prania e faktorëve të tjerë të riskut për sëmundje të zemrës.

¢ Prania e sëmundjeve mikrovaskulare (retinopatia prolifertive, nefropatia etj.)

¢ Sëmundje vaskulare periferike

¢ Neuropatia autonome

Rekomandohet gjithmonë që përpara ushtrimit të mund të llogariten dozat suplementare të karbohidrateve për nga intensiteti dhe zgjatja e aktivitetit fizik, duke konsideruar dhe vlerat e glicemisë të cilat të mos jenë esëll më > 250 mg/dl. Të kryhet kontrolli metabolik përpara fillimit të çdo aktiviteti fizik.

TEMA Nr. 4: Mjekimi i diabetit me kokrra (tableta)


Është e rëndësishme të përmendet që ky mjekim përdoret vetëm në Diabetin tip 2 (diabetin e të rriturve).

Ekzistojnë mjekime të ndryshme që mund të përdoren nga një person me diabet si: Metformina; Daonil; Glipizid, Gliklazid etj.


Një pjesë e tyre ndikojnë në shtimin e prodhimit të insulinës, prandaj, duhet njohur fakti se, mjekime si: Glibenklamid, Glipizid, Gliklazid cojnë në gjendje hipoglicemie, ndërsa Metformina nuk jep hipoglicemi

.


Mjekimi i diabetit me insulinë

Insulina është një ndër mjekimet më të rëndësishme në kurimin e diabetit. Cilësohet si jetike për diabetin tipi 1. Ky mjekim për diabetin tipi 2 mund të filloj atëherë kur mjeku kurues vendos se është moment i përshtatshëm. Personi me diabet nuk duhet, për asnjë arsye, të ndërpres marrjen e saj pa miratimin e mjekut. Ekzistojnë disa lloje insulinash të cilat përcaktohen si më efektivet edhe sipas nevojës së personit.

Sa lloje insulinash janë, kur fillon dhe sa ju zgjat veprimi?


1 –Insulina me veprim shumë të shpejtë
ASPART, GLULIZINË, LISPRO

Fillojnë veprimin 5-10 min pas injektimit dhe zgjasin 3-4 orë.


2 –Insulina me veprim të shpejtë
: ACTRAPID, HUMULINE S, INSUMAN RAPIDFillojnë veprimin 30 min pas injektimit dhe e vazhdojnë për rreth 6 orë.


3 –Insulina me veprim të ndermjetëm
: HUMULINE N. Fillon veprimin pas 60 min nga injektimi dhe e vazhdon për rreth 14 orë.


4 –Insulina me veprim shumë të gjatë
GLARGINE, DETEMIRFillojnë veprimin pas 1.5 orësh nga injektimi dhe vazhdojnë rreth 24 orë.


5 –Insulinat mikse
INSULINE BIFAZIKE LISPRO, INSULINE BIFAZIKE ASPART.

Kur është i domosdoshëm mjekimi me insulinë?

Diabeti tip 1 mjekohet vetëm me insulinë!

Diabeti tip 2 , mjekohet me insulinë në rastet e shtatzënisë, ndërhyrjeve kirurgjikale, në AVC, në ushqimin parenteral, kur mjekimi vetëm me kokrra nuk arrin të japë rezultat në ekuilibrimin e sheqerit, në situata emergjente të veçanta etj. Vendi i aplikimit të insulinës mund të jetë në zonën e barkut, me distancë dy gisht nga kërthiza, në pjesën e brendshme të kofshëve, në të pasmet dhe në pjesën e krahut. Aplikimi mund të kryhet nga vetë personi ose në pamundësi mund të ndihmohet edhe nga një familjar.


Efektet anësore të insulinës

· Mund të shkaktojë gjendje hipoglicemie (rënie të sheqerit në gjak) nëse doza e insulinës është më e lartë se ajo e llogaritur për vaktin dhe aktivitetin fizik të personit me diabet.

· Rritje në peshë. Mund të ndodh në rastet kur doza e marrë nga personi është më e lartë se 30 UI.

Kombinimi i insulinës me antidiabetikët oral

Insulina mund të kombinohet me çdo mjekim me kokrra (tabletë) përveç se me mjekimet që ndikojnë në prodhimin e insulinës në pankreas.

A mund t’i ndryshojë dozat e insulinës një person me diabet në kushtet e shtëpisë?

Po, personi me diabet ka të drejtë të ndryshimit të dozave në rastet ku vë re që doza që i ka përcaktuar mjeku nuk jep rezultat në normalizimin e vlerave të sheqerit në gjak. Në këto kushte ndryshimi i dozave bëhet në varësi të sheqerit kur ai është në vlera jo normale, duke lejuar shtimin ose pakësimin e tyre nga 2 UI deri në 4 UI në vakt. E rëndësishme është gjithashtu që personi të mund të përshtasë dozat e insulinës me aktivitetin fizik që kryen p.sh.: nësë një ditë të caktuar ka vendosur të mund të kryejë më shumë aktivitet (si lëvizje, vrap, sport etj) duhet të ketë parasysh që të marrë një sasi ushqimi më të madhe ose të ulë dozat e insulinës për të shmangur hipogliceminë (rënien e sheqerit).

TEMA Nr. 5. Komplikacionet e diabetit, cilat janë dhe si mjekohen.

Komplikacionet e diabetit janë akute dhe kronike
,

1.Komplikacionet akute janë:

  1. hipoglicemia;
  2. acidoketoza;
  3. koma hiperglicemike;
  4. acidoza laktike etj.

kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të një mjeku

2.Komplikacionet kronike kryesore janë:

  1. neuropati;,
  2. nefropatia;
  3. retinopatia; dhe
  4. këmba diabetike.

Për të cilat duhet të kemi sa më shumë njohuri në mënyrë që t’i parandalojmë ose te ngadalësojmë avancimin e tyre.

Cilat janë organet e trupit që dëmtohen më shpesh dhe më shpejt nga diabeti?

Zemra (infarkte) Sëmundja e arterieve koronare është komplikacioni më i shpeshtë.

Të sëmurët me diabet tip 2 kanë rrezik dy herë më të shpeshtë se sa personat pa diabet për të bërë sëmundje kardiovaskulare (të zemrës). Insuficienca kardiake kongjestive është më e shpeshtë në të sëmurët me diabet dhe shfaqet më rëndë.

Sistemi nervor sidomos nervat e gjatë të anësive (kjo quhet neuropati).

Sytë (retinopatia) një ndër ndërlikimet më serioze që shfaqet tek diabetikët është dhe problemi me sytë. Të sëmurët ankojnë për turbullim të shikimit, vështirësi në pamje e cila mund të jetë e ndikuar dhe nga niveli i lartë i sheqerit në gjak.

Veshkat (nefropatia) Është e njohur që veshkat bëjnë filtrimin e mbeturinave të depozituara në gjak. Sheqeri i lartë në gjak dhe tensioni arterial mund të dëmtojnë enët që bëjnë filtrimin duke e bllokuar këtë proces. Dëmtimi i veshkave nga diabeti mund të ndodh ngadalë saqë personi nuk arrin ta kuptojë. Një ndër shenjat kryesore që tregon se veshka është duke u dëmtuar është se personi fillon të ndjejë këmbët të fryra dhe të urinojë më shpesh, sidomos gjatë natës. Sa më shumë dëmtimi i veshkës përkeqësohet, më shumë proteina humbet përmes urinës. Kjo quhet proteinuri. Personi mund të ndjejë të përziera, lodhje, këputje, të humbasë oreksin dhe të ketë dhembje të këmbëve.

Këmbët (arteriopatia dhe neuropatia ) Tek të sëmurët me diabet duhet të tregojmë një kujdes të veçantë për këmbët. Çdo i sëmurë duhet që t’i lajë çdo ditë këmbët me ujë të ngrohtë dhe me sapun, më pas duhet t’i thajë ato me peshqir të pastër. Duhet t’i presin thonjtë me kujdes jo thellë dhe t’i bëjnë me limë. Gjithashtu duhet të përdorin çorape pambuku, dhe të veshin këpucë sa më të rehatshme. Ato duhet t’i kontrollojnë çdo ditë këmbët se mos është shfaqur ndonjë flluske apo plagë të vogla me qëllim që në momentet e para të paraqiten tek mjeku i tyre për t’u mjekuar sepse çdo vonesë mund të jetë një rrezik për këmbën. Të mos prekin objektet e nxehta për t’u ngrohur sepse mund të digjen.

Vështirësi seksuale: Si meshkujt dhe femrat me diabet paraqesin vështirësi seksuale, sidomos nëse ata janë të diagnostikuar prej vitesh. Dëmtimi i nervit të quajtur neuropati diabetike autonome, shkakton impotencë tek burrat dhe femrat mund të kalojnë në humbje të ndjeshmërisë rreth zonës vaginale. Kontrolli i sheqerit është zgjidhja më e mirë për parandalimin e kësaj problematike.

Truri (AVC ose neuropati )Sëmundja vaskulare e trurit duke përfshirë atakun ishemik tranzitor është më e shpeshta.

Trakti tretës (zorra dembele, çrregullime të tretjes etj.)

Sistemi urinar (infeksione urinare) nefropatia diabetike (shfaqja albuminës në urinë).

Si t’i parandalojmë komplikacionet e diabetit?

Diabeti është një sëmundje e cila zgjat të gjithë jetën. Një kontroll jo i mirë i sheqerit në gjak mund të shkaktojë dëmtime serioze në organizëm. Ndërsa një kontroll i mirë i sheqerit në gjak mund të vonojë madje edhe të parandalojë komplikacionet e diabetit. Nëse i sëmuri me diabet respekton parimet kryesore të dietës, marrjen e mjekimit në oraret e caktuara nga mjeku kurues dhe kryerjen e aktivitetit fizik në bazë të nevojave personale, ndjekja e mëtejshme e sëmundjes do të jetë e mirë, çfarë do të ndikojë në parandalimin dhe avancimin e komplikacioneve.

1. Ndërtoni një plan të ushqyerjes në të cilën të keni kontrolluar kaloritë, karbohidratet dhe sheqernat. Duhet të kufizoni sa më shumë kripërat për të kontrolluar tensionit arterial dhe proteinat për të mbrojtur veshkat. Nëse jeni mbipeshë, humbja e saj do të ndikonte në përmirësimin e sheqerit dhe tensionit arterial.

2. Merrini mjekimin rregullisht. Sigurohuni që mjeku të jetë i informuar për të gjitha mjekimet që merrni.

3. Shkoni tek mjeku të paktën dy herë në vit. Nëse keni problem duhet të konsultoheni më shpesh.

4. Shkoni tek okulisti një herë në vit nëse keni rrezik për të vuajtur nga retinopatia (sëmundja e shikimit për diabetikët). Përmes një analize të syve mund të zbuloni ndryshimet që sjell retinopatia. Trajtoheni retinopatinë sa më shpejt për të mbrojtur shikimin.

5. Kujdesuni për këmbët çdo ditë për të parë nëse keni çarje, kallo ose çdo lloj ndryshimi tjetër. Nëse nuk mund ta bëni ju, kërkojini një tjetër personi ndihmë. Dëmtimi i nervave nga diabeti mund t’u pengojë të ndieni dhembje. Nëse nuk jepet trajtimi i duhur që në fillim, ka mundësi të krijohet një infeksion dhe të kaloni rrezikun e një amputimi. Në çdo konsultë me mjekun kërkojini atij t’u shohë këmbët për të evituar ndonjë problem të mundshëm.

6. Mos pini duhan. Një cigare dëmton organizmin dhe rrit rrezikun e një ataku kardiak, ose problemeve pulmonare.

7. Bëni sa më shumë ushtrime fizike. Ushtrimet fizike janë shumë të nevojshme për të kontrolluar peshën dhe sheqerin në gjak. Zvogëlojnë dhe rrezikun për sëmundje të zemrës.

8. Menaxhoni stresin. Mënyra efektive për të menaxhuar stresin janë: bërja e aktivitetit fizik, biseda me një shok, të lexuarit të një libri, meditimi etj.

Diabeti & Shtatzënia

Diabeti gestacional (i shtatëzanisë): është pjesë e një ndër tipave të sëmundjes së diabetit.

Diabeti nuk e kundërindikon shtatëzaninë.

Një grua diabetike:

1. Duhet që të ketë një ekuilibër sa më të mirë të diabetit para se të fillojë një shtatëzani (HbA1c < 6,5 %).

2. Duhet të ndjekë diabetin gjatë shtatëzanisë që ta mbajë gliceminë në shifrat e normës me qëllim që nëna dhe fëmija të mos kenë komplikacione.

3. Lindja duhet të kryhet nën përkujdesjen dhe të diabetologut.


Komplikimet gjatë shtatëzanisë

Përmes planifikimit, është e mundur të pasurit të një shtatëzanie normale, dhe një fëmije të shëndetshëm. Gjëja më e rëndësishme është mbajtja e një niveli të sheqerit në nivel të tillë që mjeku mendon se është i këshillueshëm, dhe një kontroll striktë I HbA1c për disa muaj përpara se të vendoset shtatëzania.


Rreziku për fetusin

Niveli i ulët i sheqerit nuk i shkakton probleme fëmijës. Por duhet pasur kujdes me episodet e hiperglicemisë pasi mund të ndikojnë në zhvillimin e shëndetit të fetusit.

Gjatë tre muajve të parë të shtatëzanisë, ka një rrezik më të lartë për të kaluar abort spontan. Nëse nëna ka nivele të larta të sheqerit në gjak, fetusi mund të zhvillojë problem frymëmarrje ose deformime të skeletit, veshkave, zemrës dhe sistemit tretës.

Nga muaji i katërt në të nëntin, rreziku kryesor është një fëmijë më i madh në peshë (makrozomi) ose një lindje e parakohshme.


Rreziku për nënën

Problemet në shikim dhe të veshkave janë më të shpeshtat gjatë shtatëzanisë. Disa gra ankojnë edhe për tension të lartë gjatë tre mujonit të tretë të shtatëzanisë.

Mbajtja e sheqerit nën kontroll mund të ndihmojë në parandalimin e kompikacioneve. Gjendja e hypoglicemisë nuk e dëmton fëmijën, veçse episode të përsëritura të saj mund të çojnë në komplikacione për shëndetin e nënës. Komplikacionet më të shpeshta tek nënat mund të jenë: Rëndim i retinopatisë. Shfaqje ose rëndim i nefropatisë diabetike (edema, proteinuri, dëmtim i funksionit renal, eklampsi, infeksione urinare), hipertension arterial


Këshilla gjatë shtatëzanisë

1. Mbajtja e një niveli normal të sheqerit gjatë shtatëzanisë mbron shëndetin dhe mirëqënien e saj dhe të fëmijës.

2. Glicemia (niveli i sheqerit në gjak) përpara ushqimit duhet të jetë 80-110 mg/dl

3. Dy orë pas bukës vlerat të jenë 155 mg/dl

4. Gjatë shtatëzanisë, mjeku duhet t’ju rekomandojë të bëni matje të HbA1c të shpeshta. Objektivi juaj është ta mbani atë në vlerat më të ulëta se 6%.

5. Duhet të bëni vizita dhe ekografi të shpeshta.

Trajtimi bëhet me insulinoterapi dhe dietë të përshtatshme.

Glicemia duhet të matet 6-7 herë në 24 h me qëllim që të ndryshohen dozat e insulinës, për të pasur një kontroll sa më të mirë të sëmundjes.

Prova për aplikimin e insulinës, përdorimin e glukometrit, si të masë gliceminë.

Mjekët rekomandojnë që injektimi i insulinës të bëhet në zonën subkutane, e cila është e vendosur nën lëkurë. Mënyra e aplikimit: së pari bëhet gradimi i dozës që mjeku ka vendosur për të marrë gjatë atij vakti. Gradimi është në varësi të insulinës, por e përbashkëta e tij është se pasi shigjeta e insulinës vendoset në numrin e caktuar bëhet tërheqja e pistonit dhe më pas zbulohet këllëfi i agës së insulinës. Pasi përcaktohet vendi se ku do të bëhet aplikimi, vendoset agia nën lëkurë dhe shtypet pistoni deri në fund. Lihet rreth 7 sek, në mënyrë që edhe pika e fundit e insulinës të mund të merret. Jo të gjitha injektimet duhet të jenë 90 gradë. Vendi i injektimit varet nga zona e trupit dhe nga gjatësia e agës.