Rreth nesh

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë është institucioni shëndetësor më i madh në Shqipëri dhe si institucion shëndetësor akademik është i vetmi i këtij lloji, duke u klasifikuar si e vetmja qendër shëndetësore terciare shqiptare.

Aktualisht QSU “Nënë Tereza” ofron shërbim shëndetësor ambulator për rreth 300 000 persona/vit, shërbim spitalor për mbi 80 000 raste/vit dhe shërbim urgjencash me mbi 260 000 persona/vit.Spitali ka një kapacitet prej 1450 shtretërish dhe ofron ndihmë mjekësore për mesatarisht 400 pacientë ditorë e të shtruar.

Historia e Spitalit të Tiranës

Pas caktimit Kryeqytet nga Kongresi i Lushnjes më 1920-tën, qyteti i Tiranës u përball me një nga detyrat e para të caktuara prej Kongresit, krijimin e një Spitali Publik. Me ardhjen e Kryqit të Kuq Amerikan në vitin 1919 në Shqipëri dhe Tiranë, erdhi dhe hapja e një spitali me 20 shtretër në një shtëpi tiranase. Në atë qendër janë kryer operacione kirurgjikale nga amerikania Buck që ishte dhe drejtoreshë e spitalit, por aty punonte kryesisht si kirurg doktori Osman Jonuzi. Duke qenë se kushtet u përgatitën për formimin e një spitali publik në 1920 u themelua spitali i parë publik në kryeqytetin e ri, drejtor i të cilit u caktua Dr. Osman Jonuzi. Spital prej 50 shtretërish pranë Sahatit të Tiranës organizohej në disa reparte: kirurgjia, Dr. Osman Jonuzi, Patologjia, Dr. Syrja Pojani dhe Dr. Ruzhdi Bobrati (kirurg dhe patolog). Në këtë spital kryheshin rreth 300-400 vizita të ndryshme ambulatore dhe 100-200 operacione të ndryshme nga Dr. Jonuzi dhe Dr. Bobrati. Më tej qendra u pasurua me shërbimin e mjekëve të specializuar rishtazi jashtë vendit si Dr. Sabri Tefiku dhe Janko Theodhosi (patholog), Dr. Ismail Tartari si Radiolog (themelues i radiologjisë shqipëtare) gjithashtu edhe mjekët e specialiteteve të ndryshme si Kristo Kristidhi, okulist, Besim Zyma, otorino-laringolog, Jorgo Jorgoni, pediatër, Vasil Laboviti kirurg ndihmës, etj. Me këmbënguljen dhe kontributin e Dr. Jonuzit, të kryetarit të bashkisë Avokat Ali Begeja dhe të prefektit Abedin Nepravishta në 1928 nisi projekti i ndërtimit të Spitalit të Përgjithshëm Zogu 1, që sot njihet si Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Për realizimin e projektit ndihmuan gjithashtu Giulio Perte dhe pasi Qeveria e kohës (Zogut) bëri pagesën e të gjithë pronareve në vlerën 10.000$, firma Ragazzi nisi të ndërtojë. Punimet përfunduan në vitin 1932 dhe spitali i ri vlerësohej ndër spitalet më të mirë në Ballkan, me një sërë repartesh dhe kapacitet prej 200 shtretër. Përurimi i këtij spitali u bë më 1 shtator 1932 ku fjalën e rastit e mbajti Dr. Ismail Tartari, i cili u caktua njëkohësisht dhe Drejtor i Institutit të Radiologjisë Shqiptare. Drejtor i këtij spitali vazhdoi të ishte Dr. Osman Jonuzi i cili njëkohësisht u caktua dhe drejtor i përgjithshëm i shëndetësisë shqiptare.Në vitet 1932-1945 në Spitalin e Tiranës kishte reparte të shumta të disiplinave mjekësore, duke shtuar këtu edhe pavijonin antituberkular dhe repartin e lindjeve të ngritur prej Dr. Sabri Tefiku-t në 1937-tën me përgjegjës Kirurgun-Obstetër Spiro Treska. Më pas ekipi i mjekëve u rrit me ardhjen e mjekëve Dr. Frederik Shiroka, Dr. Mukini, Stefan Pano-dermatolog, Xhanfize Basha, Remzi Fico etj. Gjithashtu në spital kanë punuar përkohësisht edhe mjekë të huaj të ardhur nga Europa si Dr. Questler, Dr. Demner, Dr. Schlesinger, Dr. Lehman, Dr. Kalmar etj.Deri në 1945 ky spital kishte një organizim të përafërt me atë të këtyre ditëve, si një njësi që funksionon me reparte të veçanta. Pas vitit 1945 spitali u organizua dhe u nda në 5 spitale, përkatësisht me nr 1, 2, 3, 4 dhe 5 të cilat u njohën me këto emërtesa deri në ristrukturimin dhe grupimin e tyre në një kampus të vetëm me administrim të përbashkët; strukturë kjo që u njoh dhe funksionoi nën siglën e Qendrës Spitalore Universitare Tiranë ose si e njohim sot QSUT, e krijuar në vitin 1993. Më pas, me VKM Nr. 352, datë 09.09.1997 emërtesa e Qendrës Spitalore Universitare Tiranë u bë Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT).

QSU “Nënë Tereza” në shifra

Punonjësit tanë në shërbim të pacientëve

QSUNT ka në përbërje një numër total të punësuarish prej 2967, nga të cilët 1808 janë staf mjekësor, 308 janë specializantë të Fakultetit të Mjekësisë dhe 850 punonjës administrativë në sektorët e shërbimeve dhe Administratë.Në spital punojnë 66 mjekë me titull profesor, 176 mjekë me grada të ndryshme, prej të cilëve 130 janë mjekë pedagogë pranë Fakultetit të Mjekësisë Tiranë, infermierë 1215 dhe teknikë 50.

Përdorimi i strukturave dhe shërbimeve të QSUNT

Gjatë vitit 2016, fluksi i pacientëve të shtruar në QSU “Nënë Tereza” ishte mbi 80 000.Disa nga treguesit spitalorë:

  • Ditë qëndrim mesatar 5.6 ditë/pacientë;
  • Xhiro shtrati 56.93%;
  • Ditëshfrytëzimi i shtratit 86.65%.

Nga numri i përgjithshëm i pacientëve, nga spitali dalin të shëruar dhe në gjendje të përmirësuar mbi 80%.Vdekshmëria në QSU “Nënë Tereza” është 1.48%.

Ndërhyrjet Kirurgjikale

Numri i përgjithshëm i ndërhyrjeve kirurgjikale të kryera gjatë vitit 2016 është rreth 25 000, të kryera në këto specialitete:

  • Ndërhyrje neurokirurgjikale;
  • Ndërhyrje kardiokirurgjikale;
  • Ndërhyrje vaskulare;
  • Ndërhyrje kirurgjikale për fëmijë;
  • Ndërhyrje në kirurgjinë plastike;
  • Ndërhyrje në kirurgjine onkologjike;
  • Ndërhyrje në kirurgjinë e syrit;
  • Ndërhyrje në kirurgjinë e veshit, fytit, hundës, etj

Shërbimi i Urgjencës

Një aktivitet i rëndësishëm në QSU “Nënë Tereza” është ai i UrgjencësNumri i përgjithshëm i rasteve urgjente gjatë vitit 2016 ka qenë afërsisht 265 000; e ndarë si më poshtë:

  • Urgjenca pediatrike 45.4%;
  • Urgjenca të sëmundjeve të brendshme 27.1%;
  • Urgjenca kirurgjikale 13.4%;
  • Urgjenca të sëmundjeve infektive 11.5%,
  • Urgjenca të sëmundjeve mendore 2.6%