MBI DIABETIN MELLITUS NË SHQIPËRI

14/11/2020

 

MBI DIABETIN MELLITUS NË SHQIPËRI

Diabeti Mellitus (DM) është sot një nga sëmundjet kronike më të përhapura në botë. Numri i personave me diabet është në rritje të vazhdueshme. Në vitin 1980 në botë kishte afërsisht 180 milionë persona me diabet, kurse sot numri i tyre i ka kaluar 450 milionë. Numri më i madh i personave me diabet dhe rritja më e madhe e prevalencës së DM është në vendet në zhvillim, ku bën pjesë edhe Shqipëria.

Çdo vit në 14 Nëntor IDF ( Federata Botërore e Diabetit ) organizon Ditën Botërore të Diabetit, tema kryesore e së cilës për vitin 2020 është: DIABETI – INFERMIERET BËJNË NDRYSHIMIN. 

Në 14 Nëntor në Ditën Botërore të Diabetit, të gjitha komunitetet mjekësore dhe shoqatat e diabetit kudo në botë, bashkohen në një zë të  fuqishëm për të parandaluar diabetin, këtë “pandemi”të re globale.

Diabeti është një sëmundje kronike  me kosto të lartë sociale,shëndetësore dhe ekonomike.

Diabeti ka kosto të lartë sociale, sepse diabeti nuk prek vetëm një njeri, nëse ka një person në familje me diabet e gjithë familja, komuniteti, preket dhe ndikohet në mënyra të ndryshme nga kjo sëmundje.

Diabeti  ka kosto të lartë shëndetësore, pasi është një sëmundje që po nuk u zbulua  dhe u mjekua në kohë  dhe në mënyrë të rregullt, ai shkakton ndërlikime serioze si,  sëmundje kardiovaskulare, verbim, sëmundje të veshkave, amputime  të këmbëve etj. 800 vdekje çdo vit në Shqipëri kanë si shkak Diabetin.

Diabeti ka edhe një kosto të lartë ekonomike, sepse personi me diabet ka nevojë për medikamente, trajtime dhe ekzaminime që shpesh janë të kushtueshme. Diabeti e rrit koston e jetës së diabetikut me 2-2.5 herë. Shpenzimet shëndetësore lidhur me diabetin konsumojnë nga 7-16% të buxhetit të shëndetësisë. Në Shqipëri, Diabeti në vitet 2015 dhe 2016, ka qenë sëmundja që ka kërkuar shifrën më të lartë të rimbursimit në medikamente, duke përbërë 20% të fondeve të përdorura për rimbursim medikamentesh, duke qenë sëmundja “më e shtrenjtë” në rimbursim .

Në një studim të vitit 2004 në Shqipëri (projekti ALBDIAB 2004), prevalenca e diabetit të diagnostikuar rezultoi afërsisht 1.5% e popullsisë adulte, që do të thotë se numri i diabetikëve ishte afërsisht 35 000. Të dhënat e FSDKSH në vitin 2019 flasin për afërsisht 75 000 persona të trajtuar me diabet, nga këta mbi 25 000 të trajtuar me insulinë. Çdo vit në Shqipëri diagnostikohen afërsisht 3-4 mijë raste të reja me diabet dhe 50-60 fëmijë me diabet tip1. Por ne kemi një numër të madh rastesh ende të padiagnostikuara dhe me prediabet. Edhe nga të dhënat paraprake të Check-up, prevalenca e Diabetit të padiagnostikuar rezultoi afërsisht 4% dhe rreth 6% e pjesëmarrësve ishin të diagnostikuar më parë për Diabet Mellitus.

Për fat të keq në Shqipëri ne ende nuk kemi një regjistër kombëtar të Diabetit për të ditur numrin e saktë dhë përbërjen moshore të personave me diabet, prevalencën dhe incidencën e Diabetit. Edhe projekti për rimbursimin e fishave për fëmijët dhe të rinjtë me diabet tregoi se sa të vështirë e kemi të nxjerrrim të dhëna reale për numrin e personave me diabet. Një mangësi tjetër e madhe është mos njohja e gjendjes së kontrollit metabolik të personave me diabet. Në një pyetësor të organizuar nga Shoqata e Diabetit me mbi 800 anëtarë në Tiranë dhe rrethe, afërsisht 30% e tyre nuk kishin bërë asnjë dozim të HbA1c gjatë një viti, kur udhëzuesit klinikë kërkojnë që ky dozim të bëhet 3-4 herë në vit. Edhe më problematike paraqitet situata për nivelin e komplikacioneve kronike të Diabetit, sidomos lidhur me këmbën diabetike dhe retinopatinë diabetike.

Shoqata e Diabetit në Shqipëri çdo vit organizon një numër të madh aktivitetesh gjatë gjithë muajit nëntor dhe sidomos në datën 14 nëntor.  Për dy vite rresht Shoqata, në bashkëpunim me Bashkinë “ngjyrosi” me ngjyrë blu – karakteristike e Ditës Botërore të Diabetit, instalacionin “Reja” në datat 13-14 nëntor, si dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, vendosi rrethin blu, në fasadën e Ministrisë dhe Hotel Tirana.

Duke parë edhe situatën e pazakontë të pandemisë botërore COVID-19, Shoqata krahas fushatave të depistimit dhe sensibilizimit të popullatës, sivjet do të ndërmarrë edhe një fushatë informimi mbi ndikimin e situatës të sivjetshme në kontrollin e diabetit dhe se çfarë mundet personeli mjekësor, por edhe vetë personat me diabet mund të bëjnë për ta patur diabetin sa më të ekuilibruar.

Të njohim diabetin

Si të mbajmë diabetin në kontroll

Posted in Për Shëndetin Tuaj by admin qsut