Stafi infermieror në QSUT, para standardeve të reja për kujdes të sigurt dhe efektiv ndaj pacientit.

27/05/2015

“Etika dhe komunikimi me pacientin, nevojë e domosdoshme për të përmbushur pritshmëritë reciproke Infermier-Pacient”.

 

Kujdesi ndaj pacientit dhe kërkesat gjithmonë në rritje për përmirësim në këtë drejtim vendosin stafin infermieror të QSUT para nevojës dhe përgjegjësisë për plotësim të vazhdueshëm të njohurive të tyre, njohuri që nuk mund të merren thjesht përmes përvojës ose punës pranë shtratit të pacientit.

 

“Pritja dhe informimi i pacientëve në Shërbimet e QSUT” (në proces akreditimi) ka qenë tema e radhës në kuadër të edukimit në vazhdim të stafit infermieror, zhvilluar në ambjentet e Qendrës së Telemjekësisë në datat 18 dhe 25 Maj me lektore znj. Eliana Basha, Përgjegjëse e Sektorit të Kujdesjeve Infermierore në QSUT. Pjesëmarrësit ishin infermierë/e nga konsultat, urgjencat, pavionet me shtretër dhe sallat e operacionit, si dhe ndjekësit përmes gjithë rrjetit të Telemjekësisë së Shqipërisë dhe Kosovës.

 

Objektivat e trajnimit të lidhura ngushtë me krijimin e “klimës së besueshmërisë” infermier-pacient ishin informimi i pacientit për kujdesjet infermierore dhe mjekësore që do të marrin gjatë trajtimit dhe hospitalizimit në shërbimet e QSUT si dhe roli ndihmues në përshtatjen e pacientëve dhe pranimin nga ana e familjarëve të tyre të rregulloreve të funksionimit të brendshëm të QSUT.

Posted in Lajme by admin qsut