Telefon : 00355 4 2349233

Urgjenca (për Tiranën) : 00355 4 2222235

Rruga e Dibrës, Nr. 372, Tiranë (Shiko ku gjendet në hartë)

Rezervimet e Konsultave Ambulatore (e hënë - e premte) : 0800 28 28 (vetëm nga numër fiks) 00355 4 2349217

Kreu > Lajme > QSUT, Manastirliu: Shërbimi i Hemodinamikës 24 orë!

QSUT, Manastirliu: Shërbimi i Hemodinamikës 24 orë!

Pacientët, që kanë nevojë urgjente për koronarografi, vendosje “pace-maker”-i, “stent”-i, apo sëmundje të tjera të zemrës, nuk do të radhiten më nëpër listëpritjeje të gjata, por do t’i kryejnë ato më shpejt.

 

Në kuadër të aktiviteteve që po organizohen në Ditën Botërore të Sëmundjeve të Zemrës, Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, organizoi një konferencë për shtyp së bashku me Ministrin e Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, shefin e Repartit të Hemodinamikës, prof. Artan Goda dhe me mjekë të këtij reparti ku u deklarua mbulimi 24 orë i shërbimit të Hemodinamikës, pranë shërbimit të kardiologjisë në QSUT.

 

“Sot, unë kam kënaqësinë të deklaroj përmbushjen e një angazhimi të ndërmarrë në fillim të vitit, për të dyfishuar kohëzgjatjen e punës në repartin e Hemodinamikës, shërbimin e kardiologjisë në QSUT. Prej datës 1 Tetor, ky shërbim do të ofrohet nga ora 8 e mëngjesit e deri në orët e mbrëmjes, duke lehtësuar të gjithë pritjet e pacientëve të rasteve të emergjencës, por sigurisht edhe duke e shtuar numrin e rasteve që trajtohen dhe diagnostikohen sa i përket sëmundjeve koronare në Shqipëri”, u shpreh drejtorja e QSUT-së, Manastirliu.

 

Aktualisht proçedurat invasive në repartin e Hemodinamikës kryhen nga mëngjesi deri në orët e drekës, por duke filluar nga 1 tetori, ky shërbim do të dyfishojë kohëzgjatjen deri në orët e mbrëmbjes, në finalizimin e objektivit mbi mbulimin 24 orë të këtij shërbimi.

 

“Ky angazhim bëhet i mundur në sajë të implementimit të buxhetit për vitin 2014, i cili është rritur me 40% për materiale mjekimi, si dhe përforcimit të këtij shërbimi me mjekë të rinj. Nga ky ndryshim përfitojnë pacientët, të cilët do të marrin më shumë shërbime në kohë reale, gjithashtu përmirësohen proçeset e punës dhe kosto efektiviteti në aktivitetin spitalor”, theksoi znj.Manastirliu.

 

Ndërkohë pritet që këtë vit, numri i ndërhyrjeve mbi arteriet koronare të shkojë në 3 mijë, i mbështetur nga shërbimi i Kardiokirurgjisë, i cili pritet që të kryejë rreth 750 operacione për këtë vit, si dhe i organizimit të punës në laboratorët e QSUT-së.

 

Deri më sot, në repartin e Hemodinamikës janë kryer 1860 ndërhyrje, nga të cilat 940 janë rastet me rrezik për jetën, të paraqitura në urgjencë.

 

Ndërkohë, Ministri Beqaj theksoi se “në programin e qeverisë, jemi angazhuar që, sëmundjet kardiovaskulare, bashkë me sëmundjet tumorale, janë dy grup sëmundje që do të kenë prioritet në vëmendjen tonë dhe tashmë që kemi hyrë në ditët e para të vitit të dytë të qeverisë, produktet po bëhen konkrete. Unë dua ta filloj me një falenderim për drejtuesit e shërbimit, por edhe të gjithë mjekët, infermierët që morën përsipër të realizojnë, shtyrjen e kohës të ofrimit të këtij shërbimi në QSUT, nga deri pasdite deri në orët e mbrëmjes vonë.”

 

Gjithashtu, ministri shtoi se “publiku është njohur, që me rialokimet e buxhetit, janë dhënë fondet për 2 (dy) angiografë të rinj,” duke shpjeguar se “proçedurat e prokurimit kanë filluar dhe do të mbyllen brenda vitit, me zëvendësimin e një angiografi që është në QSUT, që besoj prej 18 vitesh, praktikisht është në fundin e jetës së tij teknologjike; me blerjen e një angiografi që do të fillojmë ta vemë në punë vitin e ardhshëm, edhe nën udhëheqjen profesionale të shërbimit përkatës në QSUT, në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Kemi filluar proçedurat e punësimit, për të vënë në punë deri në fund të nëntorit një angiograf, i cili është prej 3 vitesh i paketuar, në Spitalin “Shefqet Ndroqi”, – tha më tej ai.

 

Prof. Goda tha se, “ky është një hap i një vazhdimësie, sepse kardiologjia intervencionuese në 10 vitet e fundit ka patur një rritje eksponenciale, me dhjetëra herë, e cila edhe falë përkushtimit të një ekipi të talentuar, ambicioz, të sakrificës, të cilët bënë të mundur që këtë vit të realizohet një numër prej 3 mijë proçedurash intervencionuese, diagnostike dhe terapeutike, vetëm në QSUT, e cila e rendit qendrën tonë për nga volumi që ka, në një ndër qendrat më të mëdha që ka rajoni dhe ku bën pjesë edhe vendi jonë, – tha ai.

 

###

 

Në vijim, fjala e plotë e Drejtorit të QSUT-së, znj.Manastirliu, Ministrit Beqaj dhe Prof.Godës:

 

Znj.Ogerta Manastirliu, Drejtor i QSUT-së:

 

Ju falenderoj për prezencën. Në fakt kjo është salla e re e konferencave për shtyp dhe e gjithë takimeve dhe mbledhjeve që do të zhvillohen në QSUT, që sot e tutje.

 

Por sot, jemi mbledhur në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Zemrës. Ju e dini që sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekjeve në të gjithë botën. Edhe në Shqipëri këto lloj sëmundjesh, zënë vendin e parë edhe në QSUT, duke u listuar në radhët para, të sëmundshmërisë së regjistruar.

 

Në këtë ditë, unë kam kënaqësinë të deklaroj përmbushjen e një angazhimi të ndërmarrë në fillim viti, për të dyfishuar kohëzgjatjen e punës në repartin e hemodinamikës, shërbimin e kardiologjisë së QSUT-së.

 

Aktualisht, ky shërbim ofron një shërbim të reduktuar le të themi, nga ora 8 e mëngjesit deri në orët e drekës. Ndërkohë që, prej datës 1 Tetor, ky shërbim do të ofrohet nga ora 8 e mëngjesit deri në orët e mbrëmjes, duke lehtësuar shumë të gjithë pritjet e pacientëve të rasteve të urgjencës, por sigurisht edhe duke shtuar numrin e rasteve që trajtohen dhe diagnostikohen për sa i përket sëmundjeve koronare në Shqipëri. Sigurisht, ky angazhim bëhet i mundur në sajë të zbatimit të buxhetit për vitin 2014 dhe të rritjes së këtij buxheti me 40% për shërbimin e hemodinamikës, lidhur me materialet e mjekimit që sot janë në këtë shërbim. Por, edhe me përforcimin e stafit që do t’i bëhet këtij shërbimi në lidhje me përmirësimin e cilësisë së shërbimit të kërkuar.

 

Pritet që për këtë vit, numri i proçedurave invazive për sa i përket sëmundjeve koronare të jetë rreth 3 mijë, kjo duke u krahasuar me vitet e tjera, ka një rritje të ndjeshme, mund të themi një hop cilësor në këtë shërbim. Për këtë arsye, me objektivin final, 24 orë hemodinamikë në ciklin e ditës, ne jemi duke filluar për të dyfishuar punën që bëhet në këtë shërbim.

 

Unë gjej rastin këtu të falenderoj padyshim stafin e repartit të hemodinamikës/ shërbimi i kardiologjisë, që janë ata, me iniciativën e tyre, do të bëjnë të mundur ofrimin e këtij shërbimi cilësor, por edhe dublikimin e rasteve, por edhe kohëzgjatjen e punës që sigurisht, të gjithë e dimë, të punosh në një shërbim, ku trajtohen rastet me një rrezikshmëri të lartë për jetën, është e vështirë, kërkon impenjim, ka kosto për spitalin, pasi proçedurat e koronarografive, apo sëmundjeve koronare në përgjithësi, ndërhyrjet invazive kanë kosto për spitalin.

 

Ne kemi filluar të mbështesim dhe të rrisim shifrat për sa i përket buxhetit. Ne thamë, është rritur me 40% buxheti për ndërhyrjet invazive dhe ne do të vazhdojmë të mbështesim, pasi një ndër prioritetet e punës tonë, që kemi deklaruar, janë sëmundjet koronare, kardiovaskulare dhe sëmundjet tumorale, që nga radha e sëmundshmërisë, qëndrojnë të dytat. Unë i lë fjalën Ministrit të Shëndetësisë, në kuadër të zhvillimeve që ndodhin në Ditën Botërore të Zemrës.

 

Faleminderit!

 

Z. Ilir Beqaj, Ministër i Shëndetësisë:

 

Mirëdita!

 

Gerta e prezantoi, në fakt nesër është data 29, që është Dita Botërore e Sëmundjeve të Zemrës. Janë, jo vetëm në tërë botën, por edhe në Shqipëri, sëmundjet me prevalencën më të lartë. Janë shkaku kryesor i shkurtimit të jetës së njerëzve dhe shkaku kryesor i shkurtimit të jetës së shëndetshme, për pasojë e rritjes së periudhës së viteve me invaliditet. Në programin e qeverisë, jemi angazhuar që, sëmundjet kardiovaskulare, bashkë me sëmundjet tumorale, janë dy grup sëmundje që do të kenë prioritet në vëmendjen tonë dhe tashmë që kemi hyrë në ditët e para të vitit të dytë të qeverisë, produktet po bëhen konkrete. Unë dua ta filloj me një falenderim për drejtuesit e shërbimit, por edhe të gjithë mjekët, infermierët që morën përsipër të realizojnë, shtyrjen e kohës të ofrimit të këtij shërbimi në QSUT, nga deri pasdite deri në orët e mbrëmjes vonë.

 

Por, në funksion të përforcimit të kapaciteteve tona të këtij shërbimi në QSUT , por edhe në të gjithë vendin, kemi edhe disa lajme të tjera të mira, që tashmë janë bërë publike.

 

Publiku është njohur, që me rialokimet e buxhetit, janë dhënë fondet për 2 (dy) angiografë të rinj. Proçedurat e prokurimit kanë filluar dhe do të mbyllen brenda vitit, me zëvendësimin e një angiografi që është në QSUT, që besoj prej 18 vitesh, praktikisht është në fundin e jetës së tij teknologjike; me blerjen e një angiografi që do të fillojmë ta vemë në punë vitin e ardhshëm, edhe nën udhëheqjen profesionale të shërbimit përkatës në QSUT, në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Kemi filluar proçedurat e punësimit, për të vënë në punë deri në fund të nëntorit një angiograf, i cili është prej 3 vitesh i paketuar, në Spitalin “Shefqet Ndroqi”.

 

Gjithashtu, këto ngjarje të mira, që zgjerojnë shërbimin që ofrohet në strukturat tona publike, për këto ndërhyrje, për të trajtuar shumë më mirë sëmundjet kardiovaskulare, lajm tjetër i mirë është, që 3 (tre) spitale jo publike, i kanë pranuar paketat bazë që ne do të kontraktojmë në spitalet jo publike, praktikisht bëhet fjalë për ato kardiologjike dhe kardiokirurgjike. Kanë pranuar protokollet, kanë pranuar çmimet, dhe me Fondin po mbyllin pjesën juridike dhe administrative të kontraktimit. Unë besoj edhe këtu në QSUT do të vazhdojmë të zhvillojmë programet e tjera. Në ditët e para të nëntorit, besoj se investimi prej 400 mijë dollarësh në kardiokirurgji duhet të bëhet efektiv.

 

Publiku është njohur, që kanë filluar proçedurat e prokurimit për ndërtimin e bunkerit të dytë të spitalit onkologjik, por ndoshta për këto do të flasim më specifikisht gjatë tetorit dhe me 21 Tetor, që janë përkatësisht muaji dhe dita e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.

 

Megjithatë, unë dua t’i kthehem asaj që thashë në fillim, falenderimi kryesor shkon për mjekët, personelin që merret me këtë punë, dhe patjetër do të ftoja dhe profesor Godon për të thënë diçka. Aktivitetet për këtë vijojnë edhe në lulishten në parkun “Rinia”, ku shoqata e kardiologëve, si vitet e tjera, ka disa çadra/tenda ku bën edhe depistime dhe këshillime falas për qytetarët dhe ndoshta media mund të vazhdojë ta ndjekë edhe atje këtë aktivitet.

 

Prof. Artan Goda, Shef i Shërbimit të Kardiologjisë, QSUT:

 

Mua më vjen shumë mirë, që në Ditën Botërore të Zemrës ne jemi këtu së bashku për të demonstruar një hap të mëtejshëm, të implementimit më gjerësisht të proçedurave të kardiologjisë intervencionuese.

 

Për hir të vërtetës, është një hap i një vazhdimësie, sepse kardiologjia intervencionuese në 10 vitet e fundit ka patur një rritje eksponenciale, me dhjetëra herë, e cila edhe falë përkushtimit të një ekipi të talentuar, ambicioz, të sakrificës, të cilët bënë të mundur që këtë vit të realizohet një numër prej 3 mijë proçedurash intervencionuese, diagnostike dhe terapeutike, vetëm në Qendrën Spitalore Universitare, që e rendit qendrën tonë për nga volumi që ka, në një ndër më të mëdhatë që ka rajoni, ku bën pjesë edhe vendi jonë.

 

Z. Ilir Beqaj, Ministër i Shëndetësisë:

 

Një gjë të fundit, tani, ju e dini që e kam pak merak, edhe njëherë thirrje kujtdo që komunikojmë tani: Shqipëria Jo duhanit. Besoj se duhanpirja është një nga shkaktarët kryesor të sëmundjeve që po flasim sot, edhe njëherë faleminderit!

 




(Materiali video marrë nga “Top Channel”)

 

29 Shtator 2014

 

Dita Botërore e Sëmundjeve të Zemrës

 

“Zgjedhje për Zemrën, Jo Zgjedhje të Vështira”

 

#WorldHeartDay

 

Dita Botërore e Sëmundjeve të Zemrës i kushtohet ndikimit të mjediseve tona në rritjen e faktorëve të rrezikut për Sëmundjet Kardiovaskulare (SKV), dhe bashkimit të të gjitha forcave në botë për të krijuar një lëvizje globale për zgjedhje më të mira, për një zemër të shëndetshme kudo ku jetojmë, punojmë dhe luajmë.

 

Shumë shpesh, shoqëria “fajëson” zgjedhjet e mënyrës së jetesës së individit për SKV. Por mjediset në të cilat ne jetojmë, punojmë dhe luajmë mund të kenë një efekt të madh në aftësinë tonë për të bërë zgjedhje të drejta për një zemër të shëndetshme.

 

A e dini se në botë SKV shkaktojnë vdekje të parakohshme?

 

Është një mit se SKV prekin më shumë burrat, apo të moshuarit por, SKV mund të prekin të gjitha moshat dhe të gjitha grupet e popullsisë, përfshirë gratë dhe fëmijët.

 

A e dini se edhe në vendin tonë SKV janë shkaktari kryesor i vdekjeve?

 

Nga SKV sëmuren të gjitha moshat, si fëmijët ashtu edhe të moshuarit, si meshkujt edhe femrat, me banim në zonat urbane apo rurale.

 

Risku i vdekjeve nga sëmundjet kardiovaskulare rritet me rritjen e moshës, dhe arrin kulmin rreth moshës 65 vjeç.



Rezervo Konsultën Ambulatore Rezervo
Konsultën
Ambulatore
Na ndiqni në Facebook