Njoftim për Media

04/02/2015

Dënojmë me forcë aktin e shëmtuar të dhunimit të mjekes B.H. në ambientet e QSUT-së

Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dënon me forcë aktin e shëmtuar të dhunimit të mjekes B.H. në ambientet e QSUT-së, nga shtetasi H.H. ndërkohë që po ushtronte detyrën e saj.

Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në vijim të denoncimit që vetë mjekja ka bërë në organet kompetente, u bën thirrje këtyre të fundit që t’i shkojnë deri në fund investigimit të ngjarjes si dhe të marrin të gjithë masat e parashikuara në ligj për ndëshkimin e autorit të dhunimit të mjekes B.H.

Duke u nisur dhe nga rasti i dhunimit të infermierit Gj.L. në ambientet e Urgjencës së QSUT një ditë më parë, QSUT dëshiron t’u rikujtojë të gjithë qytetarëve se mjekët, infermierët dhe i gjithë personeli i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është në dispozicion të tyre, për t’u ofruar një shërbim mjekësor sa më cilësor, si dhe të mos bien pre e një fryme dashakeqe ndaj këtij personeli, frymë e cila e gjen shprehjen edhe në aktet e dhunshme si ai i djeshmi ndaj infermierit apo i sotmi ndaj mjekes, të dy teksa ushtronin detyrën e tyre.

Rritja e presionit ndaj personelit mjekësor, ndërkohë që ky kryen detyrën në shërbim të pacientëve, nuk është as në interes të objektivit tonë për të ofruar një shërbim me cilësi, as edhe në interesin e pacientëve, të cilët vijnë për ta marrë këtë shërbim në spitalet tona.

Posted in Lajme by admin qsut