Autizmi flet. Është koha të dëgjosh. Mëso shenjat

04/02/2014

Në kuadër të ditës ndërkombëtare dhe muajit të ndërgjegjësimit mbi autizmin, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” u zhvillua një workshop nën drejtimin e Dr. Ariel Çomo, Shef  i Shërbimit të Psikiatrisë Infantile dhe Adulte, me personelin e Shërbimit Psiko-social të QSUT.

 

Në Shërbimin Psikiatrik Infantil dhe Adult të QSUT, numërohen rreth 150 raste të reja në vit të fëmijëve me autizëm, si dhe rreth 200 raste në ndjekje.  Shërbimi Psiko-Social në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, përbëhet nga psikolog dhe punonjës social. Ky shërbim trajton problematikat psikosociale të pacientëve të shtruar në shërbimet  mjekësore dhe familjarëve të tyre.

 

Roli i psikologut/punonjësit social në QSUT, është në mbështetje të stafit mjekësor dhe ka si qëllim primar shëndetin mendor të pacientit si pjesë e pandashme e mirëqenies së tij fizike.

 

Autizmi, identifikimi dhe diagnostikimi i hershëm  i tij, si dhe çështje të tjera të rëndësishme që lidhen me shëndetin mendor, u diskutuan gjatë zhvillimit të këtij takimi. Psikologë dhe punonjës social të shërbimeve të ndryshme mjekësore, shkëmbyen eksperienca profesionale dhe ngritën për diskutim çështje lidhur me shëndetin mendor.

 

Gjithashtu, në kuadër të Ditës Botërore të Ndërgjegjësimit ndaj Autizmit, u shpërndanë dhe fletëpalosje informative mbi çështjen e autizmit, familjarëve të shërbimit të Pediatrisë. Në vazhdimësi, në kuadër të objektivave institucionale për përmirësimin e cilësisë së shërbimit ndaj pacientëve/ qytetarëve,  duke u kujdesur për mirëqenien emocionale dhe mendore të tyre si pjesë e pandashme e mirëqënies fizike, cdo muaj do të zhvillohen të tilla takime, për të referuar dhe diskutuar çështje të ndryshme me natyrë profesionale.

Posted in Lajme by admin qsut