Sëmundjet Kardiovaskulare

Cilët janë faktorët e rrezikut

Faktorët e rrezikut Kardiovaskular lidhen me gjëndje të brendshme ose atë mjedisore. Disa prej tyre janë të modifikueshëm, të tjerët jo. Faktorët e pamodifikueshëm të rrezikut janë:

  1. Mosha
  2. Gjinia
  3. Trashëgimia
  4. Raca, etnia

Meshkujt janë më të prekshëm nga Semundjeve Kardiovaskulare rreth 1- dhjetëvjeçar para femrave. Sëmundja fillon të shfaqet klinikisht te meshkujt që në moshën 45 –vjeçare, ndërsa te fermrat nga mosha 55-vjeçare. Por bashkëshoqërimi me faktorë të tjerë rreziku, mund ta prishin këtë rregullsi. Trashëgimia edhe pse faktor rreziku i pamodifikueshëm, mund të zbutet në njëfarë mënyre. Zhdukja ose minimizimi i faktorëve mjedisorë të pranishëm edhe te paraardhësi trashëgues mund të dobësojnë fuqinë gjenotipike.

Faktorët klasikë të modifikueshëm të rrezikut janë:

  1. Duhanpirja
  2. Hipertensioni arterial
  3. Dislipidemia
  4. Diabeti
  5. Sindromi metabolik
  6. Sedentaria
  7. Faktorët psikosocialë
  8. Obeziteti

Dislipidemia, duhanpirja, sedentaria, hipertensioni, diabeti dhe sindromi metabolik e obeziteti, ndikohen përfillshëm nga stili i jetesës. Por dislipidemia, hipertensioni dhe diabeti mund të kërkojnë edhe mjekim me barna. Faktorët psiko-socialë mund të ndikohen pozitivisht nëpërmjet masave ekonomiko-sociale që kanë të bëjnë me gjithë popullsinë.

Faktorë të tjerë janë identifikuar gjithashtu si faktorë të mundshëm rreziku:

  • Niveli i lartë i homocisteinës në gjak:

a) Niveli i lartë i fibrinogjenit

b) Niveli i lartë i hsCRP (Proteina C reaktive e matur me metoda shumë të ndjeshme)

c) Mikroalbuminuria

d) Ntrashja e intimës, ose pllakat në arteriet karotike

e) Indeksi qafëz këmbe – krah

f) Kalcifikimet në arteriet koronare.

Një numër faktorësh të tjerë rreziku po studiohen. Shumë studime, rast-kontroll, RCT dhe rishikime kritike sistematike me meta-analiza siç është thënë më lart, kanë provuar se mënjanimi ose minimizimi i faktorëve të rrezikut, ul në mënyrë të përfillshme shfaqjen klinike të SKV dhe ripërsëritjen e ndërlikimeve të saj. Këto prova përbëjnë truallin mbi të cilin është ngritur parandalimi i SKV.

Karta Evropiane e Shëndetit të Zemrës (KESHZ) – e nënshkruar tashmë edhe nga Shqipëria – i klasifikon faktorët e rrezikut KV nga një këndvështrim më praktik, Tab 1. Nga ky klasifikim dalin në pah edhe përgjegjësitë për luftimin e tyre, përgjegjësitë e individit, të komunitetit, të qeverisë, të shtetit dhe të praktikës klinike.

Tab 1. Klasifikimi i faktorëve të rrezikut Kardio Vaskular

Biologjikë

Përcaktues të stilit të jetesës

Përcaktues më të gjerë

Të pamodifikueshëm

Të modifikueshëm

Niveli i lartë i presionit të gjakut

Duhanpirja

Mosha

Të ardhurat

Niveli i lartë i kolesterolit

Dieta e pashëndetshme

Gjinia

Arsimimi

Niveli i lartë i sheqerit

Abuzimi me alkoolin

Gjenetika

Kushtet e jetesës

Mbipesha/obeziteti

Inaktiviteti fizik

Etnia

Kushtet e punës

Siç vihet re nga kjo tabelë përcaktuesit biologjikë janë në radhë të parë problem dhe përgjegjësi e praktikës klinike, përcaktuesit e stilit të jetesës janë në radhë të parë problem dhe përgjegjësi e individit, kurse përcaktuesit më të gjerë, të modifikueshëm janë në radhë të parë problem dhe përgjegjësi e qeverisë dhe e shtetit. Kjo do të thotë se parandalimi i SKV është një problem që ndërthur përgjegjësitë e individit, komunitetit, qeverisë, shtetit dhe praktikës klinike.

Parandalimi

Pse është i nevojshëm parandalimi i sëmundjeve kardiovaskulare:

Eshtë dokumentuar në mënyrë të plotë se SKV është shkaku madhor i vdekjes së parakohshme në shumicën e popullsive të Evropës, se është një burim i madh ç’aftësimi dhe se kontribuon në një masë të madhe në rritjen e kostove të kujdesit shëndetësor. Arsyetimi i parandalimit të kësaj sëmundjeje bazohet në provat shkencore të sjella nga studimet e mëdha klinike të çerekut ë fundit të shekullit të kaluar dhe në vitet e deritanishme të këtij shekulli të cilat kanë treguar se:

  1. Patologjia që qëndron në bazë të SKV është ateroskleroza, e cila zhvillohet tinëzisht gjatë një harku kohor shumëvjeçar dhe në kohën kur shfaqen simptomat ajo është zakonisht e përparuar.
  2. Vdekja, infarkti i miokardit dhe insulti cerebral ndodhin shpesh herë në mënyrë të beftë, përpara se të jetë e mundshme ndihma mjekësore dhe për këtë arsye shumë nga ndërhyrjet terapike janë të pazbatueshme ose vetëm paliative.
  3. Në një masë të madhe ngjarja e SKV lidhet me stilin e jetesës dhe me faktorë fiziologjikë të modifikueshëm. Eshtë treguar në mënyrë të padyshimtë që modifikimi i faktorëve të rrezikut ul vdekshmërinë dhe sëmundshmërinë, sidomos në njerëz me SKV të njohur a të panjohur. Këto fakte përbëjnë një truall shumë të fortë në përpjekjen e përgjithshme për të mënjanuar efektet e rënda individuale dhe shoqërore të kësaj pandemie të pazhurmshme, truall i cili nuk mund të shpërfillet.

Baza shkencore (provat)

Eshtë dokumentuar se fuqia e faktorëve të rrezikut Kardiovaskular është aq më e madhe sa më i madh të jetë numri i faktorëve të pranishëm te një individ i caktuar. Një faktor i vetëm mund të mos përbëjë rrezik të madh po të mos jetë i një madhësie të caktuar, por, prania e shumë faktorëve së bashku përbën rrezik të madh qoftë edhe sikur ato të mos jenë në nivele kërcënuese. Në të njëjtën kohë është provuar tashmë se zhdukja ose minimizimi i faktorëve të rrezikut bën të mundur parandalimin e zhvillimit të SKV, frenimin e zhvillimit të saj kur ajo është shfaqur tashmë, parandalimin e ndërlikimeve si dhe të përsëritjes së tyre (161-169). Parandalimi në praktikën klinike synon identifikimin e rrezikut tërësor te pacienti i caktuar, icili paraqitet për vizitë te mjeku i familjes, apo mjeku specialist i praktikës klinike për një problem të caktuar si dhe marrjen e masave përkatëse për mënjanimin ose zvoglimin e këtij rreziku. Rreziku tërësor nënkupton rezikun që kanoset nga të gjithë faktorët e pranishëm të rrezikut së bashku dhe jo vetëm një faktor i vetmuar për të cilin ai mund të ketë ardhur për vizitë. Kjo kërkon që te pacienti i paraqitur për vizitë, si psh për tension të lartë arterial, të kërkohen edhe të tjerë faktorë rreziku të mundshëm si duhanpirja, inaktiviteti fizik, ushqyerja e pashëndetshme, abuzimi me alkoolin, herediteti, mbipesha ose obeziteti, stresi psiko-social, niveli i yndyrnave në gjak, niveli i glukozës, funksioni i veshkave si dhe ekzistenca e dëmtimeve të organeve në shënjestër të hipertensionit. Mbi bazën e faktorëve të pranishëm të rrezikut, duhet ndërtuar plani i trajtimit dhe i ndjekjes mjekësore të këtij pacienti. Në ndërtimin e këtij plani, në mënyrë të domosdoshme duhen marrë parasysh nevojat, gjykimet, opinionet, kërkesat, parapëlqimet dhe mundësitë e tij. Kjo është mënyra për të pasur sukses në parandalimin e zhvillimit të SKV, të përkeqësimit dhe të ndërlikimeve të saj kur ajo është tashmë e shfaqur klinikisht.

Qasja e modifikimit të përcaktuesve të stilit të jetesës

Baza shkencore (provat)

Gjatë 50 vjetëve të fundit studime të shumta kanë mundësuar jo vetëm identifikimin e faktorëve të rrezikut KV, por edhe vlerësimin e fuqisë së tyre brenda një periudhe kohore të caktuar ashtu si rrugët për mënjanimin dhe zbutjen e rrezikut. Gjatë këtyre 20 vjetëve të fundit kemi parë edhe intensifikimin e luftës kundër këtyre faktorëve të rrezikut dhe efektin e saj në përmirësimin e cilësisë dhe zgjatjen e jetës të pacientëve me SKV të shfaqur klinikisht. Kjo është dhe prova më e fortë e efektshmërisë së parandalimit në praktikën klinike (161-190).

Stili i jetesës: Është një kompleks sjelljesh individuale, familjare ose të bashkësisë që ka të bëjë me mënyrën e të ushqyerit, të ushtrimit fizik për punë, argëtim ose riaftësim, me tymosjen, pirjen e alkoolit dhe pijeve të tjera për kënaqësi.

Stili i pashëndetshëm i jetesës: Karakterizohet nga marrja e tepruar e kalorive që çon në dhjamosjen e trupit, nga marrja e tepruar e yndyrnave të pasaturuara dhe të acideve transyndyrore, marrja e tepruar e ëmbëlsirave me sheqer, nga mospërdorimi ose mospërdorimi sa duhet i zarzavateve dhe frutave, nga mospërdorimi i mjaftueshëm i drithërave, nga përdorimi i tepruar i alkoolit, nga pirja e duhanit dhe nga mos ushtrimi fizik (ndenjtaria ose sedentaria). Studime të shumëta kanë provuar se stili i pashëndetshëm i jetesës shoqërohet me rritjen e obezitetit, të diabetit, të sheqerit dhe të probabilitetit të zhvillimit të SAK e të ndërlikimeve të saj. Ndërkohë që kanë provuar gjithashtu se e kundërta ndodh me stilin e shëndetshëm të jetesës ose me shëndetësimin e stilit të pashëndetshëm të jetesës. Shembulli i uljes së vdekshmërisë koronare në SHBA është mjaft domethënës. Nga viti 1980 deri në vitin 2000 vdekshmëria nga sëmundja arteriore koronare e korrigjuar për moshën u ul për meshkujt nga 542.9 në 266.8 për 100 mijë vetë dhe për gratë nga 263.3 në 134.4 për 100 mijë vetë. Rreth 47% e kësaj uljeje i atribuohet mjekimeve përfshirë këtu terapinë parandaluese dytësore pas infarktit të miokardit, rivaskularizimit (11%), mjekimit fillestar të infarktit të miokardit, anginës së paqëndrueshme (10%), mjekimit të insuficiencës kardiake (9%), rivaskularizimit për shkak të anginës kronike (5%) dhe terapive të tjera (12%). Por rreth 44% e uljes së kësaj vdekshmërie i atribuohet shëndetësimit të stilit të jetesës dhe ndryshimit të faktorëve të rrezikut përfshirë uljen e kolesterolit total (24%), uljen e presionit të gjakut (20%), uljen e prevalencës së duhanpirjes (12%) dhe shtimit të aktivitetit fizik (5%), sado që kjo ulje është mjegulluar nga rritja e TMT (8%) dhe e diabetiti (10%).

Shëndetësimi i stilit të jetesës: Konsiston në heqjen dorë nga sjelljet e dëmshme për shëndetin siç janë: mosfillimi i pirjes së duhanit, heqja dorë nga duhanpirja, përdorimi i ushqimeve me përmbajtje të lartë yndyre të pasaturuar ose me acide trans – yndyrore, heqja dorë nga përdorimi i tepruar i kripës, nga marrja e tepruar e kalorive, nga teprimi me alkool, nga mosaktivizimi fizik etj. Ndërsa në dobi të shëndetësimit të stilit të jetesës janë përdorimi i mjaftueshëm i frutave dhe zarzavateve, përdorimi kryesisht i yndyrnave të shumë josaturuara dhe njësaturuara në sasi të arsyeshme, aktivizimi fizik i rregullt, mosteprimi në përdorimin e sheqerit etj. Në Shqipëri ne kemi pasur një njeri të shquar që e kishte kuptuar shumë herët rëndësinë e parandalimit të sëmundjeve joinfektive. Ai u përpoq t’ja transmetonin bashkatdhetarëve idetë e tij në një mënyrë lehtësisht të kuptueshme. Çuditërisht ai nuk ishte mjek por një shqiptar shumë i ditur. Në një kohë që mjekësia më e përparuar e kohës sapo kishte nisur të interesohej për parandalimin e sëmundjeve joinfektive, ai bënte thirrje fort të ngjashme për këto që ne përpiqemi të realizojmë sot. “Jeta e njeriut nga largimi në largim prej natyrës është bërë në çdo pikëpamje një gjë artificiale, një gjë e ujdisur dhe e lajthitur. E vetmja shpresë e shëmbëllimit tonë është jo në kthim të plotë e të pamundur të natyrës, por në një të ndrequr të ngadalshëm të lajthimeve të ngrënjes e të rrojtjes.” Kështu shkruante ai në vitet 20 të shekullit XX.

Shëndetësimi i stilit të jetesës është qasja bazë për mënjanimin ose minimizimin e faktorëve madhorë të rrezikut KV: duhanpirjes, pirjes së tepruar të alkoolit, obezitetit, hipertensionit, diabetit të sheqerit, dislipidemisë, sindromit metabolik dhe sedentarisë. Rrjedhimisht kjo është qasja bazë e parandalimit të SKV, e ndërlikimeve të saj dhe e përsëritjes së tyre. Mospërfillja e kësaj qasjeje është kryekëput e pajustifikueshme dhe me kosto të lartë si për individin ashtu edhe për komunitetin e qeverinë. Ndryshimet në përcaktuesit e stilit të jetesës nuk janë të lehta. Ato kërkojnë një informacion adeguat nga mjeku praktikues klinik në mënyrë që ai të jetë bindës dhe i pranueshëm për udhëzimet që i jep pacientit. Ato kërkojnë domosdoshmërisht edhe mirëkuptimin, vullnetin dhe mundësitë reale të pacientit për t’i zbatuar ato. Pikësynimi i kësaj qasjeje është që te pacienti nën kujdes të arrihet që:

  1. Të mos pijë duhan (të mos e fillojë atë, ose të heqë dorë nëse pi duhan)
  2. Të ushqehet shëndetshëm
  3. Të mos abuzojë me alkoolin
  4. Të mos jetë obez ose me mbipeshë
  5. Të jetë fizikisht aktiv

Në seksionet që vijojnë do të flitet për të gjitha këto.

Qasja e duhanpirjes

Baza shkencore (provat)

Duhani është një faktor madhor rreziku. Duhani me pak nikotinë ose duhani pa tym nuk i minimizojnë efektet e dëmshme të duhanit që ndikojnë në zhvillimin e aterosklerozës dhe hiperetensionit.

Lënia e duhanit është e vështirë, por këmbëngulja në:

  1. Sqarimin me durim për dëmet shëndetësore të tij në përshtatje me natyrën e pacientit
  2. Përsëritjen e këshllës për lënien e duhanit në çdo vizitë
  3. Udhëzimi për teknikat e suksesshme të lënies së duhanit dhe eventualisht
  4. Përdorimi i substancave kundër nikotinës mund të jenë të dobishme.

Qasja e ushqyerjes së shëndetshme

Baza shkencore (provat)

Ushqyerja e njerëzve është tejet e larmishme. Shumë njerëz në botë nuk kanë ç’të hanë dhe vuajnë nga sëmundjet me prejardhje nga kequshqyerja. Të tjerë ushqehen në mënyrë modeste dhe ushtrohen fizikisht dhe prapë rrezikohen nga mungesa e të gjithë elementeve të nevojshëm ushqyes. Të tjerë, ende kanë ç’të hanë me bollëk dhe nuk ushtrohen fizikisht. Këta rrezikojnë mbushjen e trupit të tyre me dhjamë dhe mundësojnë prishjen e elementeve të ndryshme të homeostazës si dhe ato që lidhen me metabolizmin e yndyrnave dhe të glukozës. Edhe këta rrezikojnë të vdesin para kohe. Por ka edhe një kategori tjetër njerëzish, të mirë informuar për rreziqet që vijnë nga ushqyerja e pashëndetshme dhe jeta sedentare, të cilët edhe pse kanë të hanë gjithçka dinë të zgjedhin ushqyerjen e shëndetshme, dinë të planifikojnë kohën për të vënë në punë muskujt dhe rrojnë më gjatë e më mirë. Statistikat dhe studime të shumta e kanë provuar këtë. Ushqyerja e shëndetshme është një nga mënyrat kryesore për minimizimin e faktorëve madhorë të rrezikut KV, dislipidemisë, HTA-së, diabetit, sindromit metabolik dhe obezitetit. Studime të shumta kanë provuar dobinë e ushqyerjes së shëndetshme në mënjanimin e këtyre faktorëve përcaktues biologjikë të rrezikut dhe parandalimin e SKV ose të ndërlikimeve të saj.

Pikësynimet e kësaj qasjeje janë që pacienti nën kujdes të arrijë:

  1. Të pakësojë marrjen e tepruar të kalorive në pajtim me masën e tij trupore që synohet dhe aktivitetin që kryen duke u përpjekur të mbajë një TMT midis 25 dhe 28;
  2. Të përpiqet të marrë gjatë ditës rreth 5 porcione zarzavatesh e frutash;
  3. Të përdorë mish jo të dhajmosur të alternuar me peshk dhe pulë;
  4. Të minimizojë marrjen e kripës së gjellës, (deri në 6 g/d,nëse është hipertonik);
  5. Të minimizojë marrjen e sheqerit nëse ka probleme me trigliceridet dhe ta eleminojë atë nëse ka probleme me çrregullimet e glukozës ose ta përfshijë atë në masën e kalorive ditore të përcaktuara për t’u marrë nga karbohidratet;
  6. Të kufizojë marrjen ditore të kalorive nga yndyrnat në masën më pak se 30% të tërë sasisë së kalorive prej të cilave jo më shumë se 10 % yndyrë (më pak se 7% yndyrë të saturuar nëse ka hiperkolesterolemi SKV ose diabet);
  7. Të shtojë përdorimin e drithërave;
  8. Të përdorë frutat e thata ( si arrat, lajthitë ose bajamet nëse kolesteroli HDL është i ulët).

Qasja e aktivitetit fizik

Baza shkencore (provat)

Njeriu është një qenie e strukturuar për veprimtari fizike intensive. Por evolucioni i shoqërisë njerëzore dhe zhvillimi i teknologjisë ka bërë që ai nga dita në ditë të shkëputet nga ajo për të cilën natyra e ka pajisur dhe t’i ngrysë ditët ndenjur në një rehati që sa vjen e rritet. Por ndenjtaria dhe rehatia fizike është një përcaktues madhor i faktorëve biologjikë të rrezikut KV duke favorizuar zhvillimin e dislipidemisë, hipertensionit, diabetit sindromit metabolik dhe obezitetit. Aktiviteti i rregullt fizik, përkundrazi, shoqërohet me ulje modeste të presionit të gjakut, ulje të rezistencës ndaj insulinës, ulje të kolesterolit LDL dhe rritje të kolesterolit HDL, zvogëlim të aktivitetit inflamator, përmirësim të funksionit endotelial, ulje në peshë dhe mbajtjen e saj si dhe një përmirësim të mirëqenies fizike dhe të asaj psikologjike. Qasja e aktivitetit fizik është një element madhor i strategjisë së parandalimit në praktikën klinike. Por edukimi i njerëzve për ta bërë aktivitetin fizik element të natyrshëm të ruajtjes dhe zhvillimit të shëndetit të tyre, është një punë shumë e vështirë pasi ajo kërkon edhe gjetjen e mënyrave më të pranueshme për tu ushtruar. Kjo ka bërë që rëndësia e aktivitetit fizik në praktikën klinike të minimizohet duke i dhënë përparësi qasjes farmakologjike e cila është më e thjeshtë për tu realizuar, por sigurisht jo më e mira. Njerëzit e kanë kuptuar që heret këtë nevojë, por nuk kanë qenë të zotët ta trupëzojnë atë në stilin e tyre të jetesës. Hipokrati thoshte para 2400 vjetësh se: “Nëse ne do t’i japim çdo individi sasinë e përpiktë të ushqyerjes dhe të ushtrimit, as shumë pak dhe as më shumë, ne do të gjenim rrugën më të sigurt për shëndetin dhe se të ecurit është “bari” (medikamenti) më i mirë për njeriun”. Nuk është vonë të luftohet për ti vënë në praktikë këto parime të njohura që në lashtësi. Qasja e aktivitetit fizik synon që nëpërmjet udhëzimeve bindëse të ndikohet te pacienti nën kujdes që ai të arrijë:

  1. Të ecë përditë ose të paktën rreth 5 ditë në javë për 30 deri 60 minuta me shpejtësinë më të madhe të mundshme prej tij. Nënkuptohet që kjo është një ecje shtesë mbi atë që përfshihet në jetën e tij të përditshme në mënyrë që të digjen të paktën 1000 Kalori shtesë.
  2. Të merret sipas dëshirës me aktivitete sportive argëtuese si: noti, tenisi, ping-pong, vallëzim, futboll, basketboll, voleyboll, vrapim etj, në përputhje me tolerancën e tij për aktivitet fizik të vlerësuar klinikisht dhe me provë ushtrimore.

Qasja e alkoolit

Baza shkencore (provat)

Alkooli në doza më të mëdha favorizon zhvillimin e SKV dhe të vdekshmërisë së përgjithshme në doza të moderuara 1 deri 3 njësi alkoolike në ditë dhe jo më shumë se 21 njësi alkoolike në javë për meshkujt dhe jo me shumë se 1 njësi në ditë ose 7 njësi alkoolike në javë për femrat. Marrja e alkoolit në këtë sasi është treguar se mund të rrisë nivelin e Kolesterolit HDL dhe mendohet se ka një efekt mbrojtës ndaj sëmundjes arteriore koronare. Njësia alkoolike për shumë vende është e barabartë me 10 g alkool të pastër. Për të gjetur se sa njësi alkoolike përmban një pije e caktuar mund të përdoret kjo formulë: sasia e pijes në ml x përqindjen e alkolit ABV(ABV- alkool me vëllime) : 1.25(1ml=1.25 g alkol). Psh një shishe birrë 333mL me 5% ABV alkol përmban 333 x 0.05 : 1.25 = 13.3 g alkol, ose 1.3 njësi alkoolike.

Qasja e alkoolit synon që nëpërmjet udhëzimeve bindëse të ndikohet që pacienti nën kujdes të arrijë:

  1. Të kufizojë përdorimin e alkoolit (në qoftë se nuk ka kundërindikacione të tjera) në jo më shumë se 1-3 njësi alkoolike në ditë po të jetë mashkull dhe jo më shumë se 1 njësi alkoolike po të jetë femër;
  2. Të mos dehet;
  3. Të mos fillojë pijen në qoftë se nuk e ka filluar ende.

Qasja e obezitetit dhe sindromit metabolik

Baza shkencore (provat)

Të gjithë përbërësit e stilit të jetesës të cilët u diskutuan më sipër lidhen edhe me dhjamosjen e trupit, obezitetin i cili është provuar se krijon kushte për rritjen e rezistencës ndaj insulinës, prishjen e metabolizmit të yndyrnave, prishjen e funksionit endothelial dhe zhvillimin e inflamacionit të heshtur. Dhjami abdominal në mënyrë të veçantë, është shumë aktiv metabolikisht. Efektet metabolike të djamosjes së trupit fillojnë të rriten kur TMT kalon 25cm/m2. Obeziteti (TMT baraz ose mbi 30 cm/m2) edhe i pashoqëruar me faktorë të tjerë përbën një faktor rreziku më vete për SKV. Ky rrezik bëhet më i madh, sa më i rëndë të jetë obeziteti në mënyrë të veçantë kur ai shoqërohet edhe me rritje të perimetrit të brezit në shoqërim me sëmundje ose faktorë të tjerë rreziku. Klasifikimi i mbipeshës dhe obezitetit paraqitet në tabelën më poshtë.

Tab 2. Klasifikimi i mbipeshës dhe obezitetit sipas TMT, perimetrit të brezit, dhe rrezikut shoqërues për sëmundje.

Rreziku për diabetin tip 2, HTA dhe SKV

BMI (kg/m2)

Klasa e obezitetit

Perimetri i brezit:

Meshkuj: baraz ose nën 102 cm

Femra: baraz ose nën 88 cm

Perimetri i brezit:

Meshkuj: Mbi 102 cm

Femra: Mbi 88 cm

Nënpeshë

nën 18.5

Normal

18.5–24.9

Mbipeshë

25.0–29.9

i rritur

i madh

Obezitet

30.0–34.9

I

i madh

Shumë i madh

Obezitet i tejskajshëm

35.0–39.9

II

Shumë i madh

Shumë i madh

Baraz ose mbi 40

III

Jashtëzakonisht i madh

Jashtëzakonisht i madh

Përshtatur nga: National Institutes of Health, National Heart, Lung and Blood Institute, NHLBI Obesity Education Initiative, North American Association for the Study of Obesity. Practical Guide to the Identification, Evaluation, and Treatment of Overweight and Obesity in Adults NIH Publication Number 00-4084, October 2000.

Qasja farmakologjike e obezitetit shqyrtohet vetëm kur për 6 muaj qasja e shëndetësimit të stilit të jetesës përfshin terapinë e kombinuar: dietë me pakësim kalorish, rritje të aktivitetit fizik dhe terapi sjelljeje dhe kur nuk ka dhënë efektin e pritshëm. Shoqërimi i dhjamosjes abdominale që matet me perimetrin e brezit dhe me dy nga faktorë të tjerë si TA normal i lartë, prishja e glicemisë esëll ose e tolerances së glukozës, rritjes së triglicerideve dhe uljes së kolesterolit HDL, përfshihet në atë konstelacion faktorësh që përbëjnë sindromin metabolik. Në ndryshim nga obeziteti kur ai paraqitet i vetmuar, sindromi metabolik i cili përbën një konstelacion faktorësh rreziku paraqet një kërcënim shumë më të madh si për SKV ashtu dhe për diabetin. (37). Përkufizimet e mëparshme të sindromit metabolik nga IDF-ja dhe AHA/NHLBI-ja që janë përdorur deri sot sipas pëlqimit së fundmi janë unifikuar. Kjo është shpallur në Deklaratën shkencore të përbashkët për harmonizimin e sindromit metabolik të FDI, NHLBI, AHA, WHF, IAS dhe SO.

Tab 3. Klasifikimi i harmonizuar i sindromit metabolik (213)

Matja

Pikëprerjet e kategorive

Rritja e perimetrit të brezit

Sipas përcaktimit të popullsisë dhe vendeve specifike

(deri në daljen e të dhënave më përcaktuese, mund të përdoret kriteri i IDF-së ose ai i AHA/NHLBI:

Meshkujt baraz e mbi 102 cm dhe

Femrat baraz e mbi 88 cm.)

Rritja e triglicerideve

(tregues alternativ është marrja e barnave për uljen e Triglicerideve dhe rritjen e kolesterolit HDL: Acid nikotinik, fibrate dhe omega 3 në doze të madhe, për trigliceridet)

Baraz ose mbi 150 mg/dL

Ulja e kolesterolit HDL

(tregues alternativ është marrja e barnave për uljen e Triglicerideve dhe rritjen e kolesterolit HDL: Acid nikotinik, fibrate dhe omega 3 në doze të madhe, për trigliceridet)

Më pak se 40 mg/dL për meshkujt dhe

Më pak se 50 mg/dL për femrat

Rritja e presionit të gjakut

(tregues alternativ është marrja e barnave kundërhipertensore në persona me histori HTA)

Sistoliku: baraz ose mbi 130 mmHg

Diastolik: baraz ose mbi 85 mmHg

Rritja e glicemisë esëll

(tregues alternative është marrja e barnave për uljen e glukozës)

Baraz ose më shumë se 100 mg/dL

Diagnozimi i sindromit metabolik në njerëzit pa diabet është shumë i rëndësishëm pasi ai përbën një rrezik për shfaqjen e diabetit. Por sindromi metabolik nuk është vetëm faktor rreziku për diabetin pasi rreziku kardiometabolik është gjithashtu kërcënues edhe për SKV. Tashmë është provuar nga një numër i madh studimesh, se trajtimi i tij kryesisht me qasjen e faktorëve përcaktues të stilit të jetesës mund të jetë i mjaftueshëm në një masë të konsiderueshme. Megjithatë, prania e HTA, e dislipidemisë dhe e diabetit mund të kërkojë edhe kombinimin me qasjen përkatëse farmakologjike.

Në Fig 1 paraqitet në mënyrë skematike sindromi metabolik dhe faktorët tjerë të rrezikut që ndërveprojnë për zhvillimin e rrezikut kardiometabolik. Në këtë figurë paraqitet një rreth i madh me 5 rrathë më të vegjël brënda tij dhe 5 të tjerë jashtë tij. Brënda rrethit të madh përfshihen katër faktorët madhorë përbërës të tij, në qendër është rrethi që përmban çrregullimet e brendshme që përbëjnë thelbin e sindromit metabolik ose rrezikun kardiometabolik. Rreziku kardiometabolik kërcënon shpërthimin e diabetit dhe/ose të SKV. Tre rrathët e tjerë anësorë jashtë atij të madhit përmbajnë faktorët që ndikojnë në zhvillimin e sindromit metabolik. Shigjetat e zeza, përfshirë atë me vijë të ndërprerë tregojnë se ku veprojnë faktorët përcaktues të stilit të jetesës dhe faktorët e pamodifikueshëm të rrezikut. Rrethi eliptik i zi poshtë rrethit të madh, tregon efektet përfundimtare të rrezikut kardiometabolik. Rrethi anësor i jashtëm me yll, me shigjetën e madhe që del prej tij tregon se duke vepruar mbi ato faktorë siç tregohet nga vijat e bardha brenda rrethit të madh të cilat presin shigjetat e zeza me qasjen e modifikimt të faktorëve përcaktues të stilit të jetesës dhe atë farmakologjike, SKV dhe diabeti mund të parandalohen. Skema vlen jo vetëm për të kuptuar parandalimin dhe qasjen e sindromit metabolik, por në njëfarë mënyre edhe të gjithë idenë e parandalimin KV dhe të diabetit, duke vepruar mbi cilindo faktor madhor të rrezikut, si kur ai është i vetmuar ashtu edhe kur shoqërohet me të tjerë.

-SKV: Sëmundja aterosklerotike kardiovaskulare

-IM: Infarkt miokardi

-SVP: Sëmundje vaskulare periferike

– VB: Vdekje e beftë.

Fig 4. Skema e sindromit metabolik dhe e mënyrës së parandalimit të SKV dhe diabetit. Vijat e bardha brënda rrethit të madh që presin shigjetat e zeza tregojnë se ku mund të veprohet për mënjanimin ose minimizimin e rrezikut kardiometabolik.

Ushqyerja e shëndetshme karakterizohet nga marrja e ekuilibruar të energjisë me shpenzimin e saj në mënyrë që të mbahet pesha e dëshiruar dhe të pengohet rritja e peshës së trupit. Është krejt e kuptueshme se nevoja energjike për njerëz me trupa të ndryshëm dhe me aktivitet ditor të ndryshëm nuk mund të jetë e njejtë, prandaj nuk mund të ketë receta standard. Tabela paraqet shëmbëlltyrën e një ushqyerjeje të shëndetshme e cila në tavolinën e ngrënies mund të materializohej në një pafundësi larmie pjatash.

Tab 4. Përmbajtja e një ushqyerjeje të shëndetshme (modifikuar, sipas ref. 240)

Lënda ushqyese

Sasia ditore e rekomanduar e marrjes

Yndyrë e saturuar

Më pak se 7% e gjithë kalorive

Yndyrë e shumëpasaturuar

Deri në 10% të të gjithë kalorive

Yndyrë e njësaturuar

Deri 20% e gjithë kalorive

Tërë sasia e yndyrës

25-35% e të gjithë kalorive

Karbohidrate

50-60% të të gjithë kalorive

Fibra

20-30 g

Proteina

Afërsisht 15% të të gjithë kalorive

Kolesterol

Më pak se 300 g

Për uljen e peshës në pacientët me mbipeshë dhe obezitet, ADA (shoqata Amerikane e Diabetit) rekomandon cilindo nga këto regjime dietetike (47):

  • Dietën me kufizim kalorish nga karbohidratet
  • Dietën me kufizim kalorish nga yndyrnat
  • Në rastin e dietës me pak karbohidrate duhet monitoruar profilii i yndyrnave, funksioni renal, marrja e proteinave (për ata me nefropati) si dhe korrigjimin e mjekimit hipoglicemik.
  • Për uljen e kolesterolit LDL ajo rekomandon:
  • Uljen e marrjes së yndyrnave të pasaturuara dhe acideve transyndyrore në më pak se 7% të kaloriveditore
  • Uljen e marrjes ditore të kolesterolit në 200mg
  • Rritjen e marrjes së steroleve dhe stanoleve bimore
  • Rritjen e marrjes ditore të fibrave
  • Të gjitha këto shoqëruar me balancimin e kalorive për uljen e peshës dhe ushtrimin fizik.
  • Përsa i përket veçanësive të dietës për diabetin ajo rekomandon:
  • Një dietë që përfshin karbohidratet nga frutat, zarzavateve, drithit të plotë, legumeve dhe qumshtit me përmbajtje të ulët yndyre.
  • Monitorimin e karbohidrateve qoftë duke i matur ato qoftë nga përllogaritja sipas eksperiencës mbetet strategjia kyç në arritjen e zotërimit të glicemisë.
  • Përdorimi i indeksit dhe ngarkesës glicemike mund të sjellë një përfitim të vogël në krahasim me vetëm matjen e karbohidrateve tërësisht.
  • Ndërsa veçanësia për HTA-në është:
  • Kufizimi i marrjes ditore të natriumit në 2,400 mg, është baraz me 6 g kripë gjelle.
  • Për nefropatinë ADA rekomandon:
  • Kufizimin e marrjes ditore të proteinave në 0.8 deri 1.0 g/kg peshë trupore te pacientët me MIKROALBUMINURI
  • Kufizimin e marrjes ditore të proteinave deri në 0.8 g/kg peshë trupore, e cila mund të frenojë përparimin e nefropatisë.

E përmbledhur qasja e modifikimit të faktorëve përcaktues të stilit të jetesës ose shëndetësimin e stilit të jetesës nënkupton kombinimin e terapisë:

  1. Dietë me përfshirjen e ekuilibruar të të gjitha ushqimeve në sasi të mjaftueshme për ruajten e peshës optimal dhe moslejimin e rritjes së mëtejshme në peshë
  2. Dietë me kufizim kalorish për uljen në peshë
  3. Aktivizim fizik ose shtim të aktivitetit fizik kur duhet ulja në peshë këto të kombinuara
  4. Terapinë e sjelljes e cila është një teknikë për kapërcimin e vështirësisë së kompliancës ndaj terapisë me dietë dhe aktivitet fizik të shtuar.

Në jo pak raste udhëzimet për shëndetësimin e stilit të jetesës nga mjeku praktikues klinik janë të pamjaftueshme për arritjen e këtij qëllimi. Shumë vetë kanë nevojë edhe për terapinë e sjelljes (atë që quhet behaviour therapy) si dhe riaftësim fizik infrastruktura këto, të cilat ende mungojnë në vendin tonë. Mungesa e kësaj infrastrukture kompensohet me përdorimin më të madh se ç’mund të ishte e nevojshme të qasjes farmakologjike. Ndërkohë nga studimet më të fundit është provuar se terapia e sjelljes, e kombinuar me dietën ushqimore të shëndetshme dhe trajnim fizik është e vlefshme për parandalimin e rrezikut kardiometabolik, jo vetëm në njerëzit me mbipeshë dhe obezitet të grades I, por edhe në njerëzit më të pamotivuar siç janë ata me obezitet të grades II e III.