Intervistë me Prof. Ariel Çomo

Masat e marra në Shërbimin Psikiatrik për parandalimin e Covid-19

Në Spitalin psikiatrik janë marrë masat e duhura për personat me aftësi të kufizuar, për të parandaluar infektimin dhe reduktuar dëmin që virusi COVID-19 mund të shkaktojë tek ata.
Personeli në spitalin psikiatrik “Xhavit Gjata”përdor masat mbrojtëse profesionale në çdo rast, sipas protokollit te miratuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Secilit pacient dhe familjar shoqërues që paraqitet fillimisht në Urgjencën Psikiatrike i kryhet matja e temperaturës dhe pyeten për kontakte apo ekspozime të mundshme me persona me COVID-19.
Ndërkohë janë minimizuar konsultat ambulatore, vendim i marrë edhe nga Drejtoria e QSUNT, me qëllim uljen e riskut për COVID-19. Gjithashtu është penguar hyrja e familjarëve në pavion dhe komunikimi me ta realizohet nga mjeku kurues.
Në rastet e nevojshme apo kur informacioni i dhënë nga pacienti është jo i plotë ose i dyshimtë, menjëherë njoftohet struktura përkatëse dhe realizohen testet për të përjashtuar infeksionin COVID-19. Kemi dakordësi të plotë me sektorin e infeksioneve spitalore për realizimin e menjëhershëm të testeve. Fatmirësisht, deri tani nga testet e kryera në Shërbimin e Psikiatrisë nuk kemi patur asnjë rast.
Pacientët tanë futen në pavion vetëm pasi janë siguruar të dhënat e nevojshme që pacienti nuk ka rrezik të jetë bartës i COVID-19, për të mos rrezikuar në këtë mënyrë pacientët e tjerë.
Urgjenca dhe pavionet janë pajisur me detergjentët dezinfektues dhe në çdo pavion janë vënë në dispozicion udhëzuesit e hartuar nga Drejtoria e Higjienës në lidhje me protokollin përkatës. Personeli mjekësor dhe ai mbështetës është trajnuar dhe instruktuar për mbrojtjen e vetes dhe pacientit, si dhe për nxitjen dhe asistimin në higjenizimin adekuat tek pacientët.
Përsa i përket pacientëve të shtruar, ata ndiqen me kujdes nga mjeku kurues dhe ekipi tjetër mjekësor. Në rastet e nevojshme kërkohen konsultat e specialistëve përkatës.
Në Shërbimin e Psikiatrisë i kushtohet rëndësi jo vetëm mjekimit të simptomatikës së sëmundjes por dhe riaftësimit të pacientit dhe psikoedukimit për tu përshtatur sa më mirë në jetën e përditshme.
Në kuadër të psikoedukimit janë përfshirë edhe këshillat specifike për parandalimin dhe uljen e riskut për ekspozim ndaj COVID-19 në jetën e përditshme edhe jashtë ambienteve spitalore. Gjithashtu punohet nga ekipi dhe për të minimizuar interpretimet, qëndrimet apo sjelljet që mund të çojnë në ekspozim ndaj COVD-19.

Me respekt,
Shef i Shërbimit të Psikiatrisë
Prof. Ariel ÇOMO