Kirurgjia miniinvazive e valvulës së aortës

Kirurgjia miniinvazive e valvulës së aortës
D.SH.M Selman Dumani, mjek kardiokirurg pranë Shërbimit të Kardiokirurgjisë, QSUNT

Kirurgjia e valvulës së aortës aktualisht në vendin tonë, ashtu si edhe në vendet e zhvilluara, përbën pjesën më të rëndësishme në kirurgjinë valvulare në të rritur dhe zë vendin e dytë në aspektin sasior në raport me të gjithë aktivitetin kardiokirurgjikal.

Teknika Miniinvazive ose me incizion të vogël në operacionet për valvulën e aortës, është përdorur prej vitesh në kardiokirugji në mbarë botën. Ajo aplikohet te pacientët me probleme të valvulës së aortës: stenoza e valvulës së aortës dhe regurgitimi i valvulës së aortës. Tashmë prej disa vitesh edhe në QSUNT është bërë pjesë e teknikës kirurgjikale me qëllimin e pandryshueshëm: të përfitojë maksimalisht pacienti.

Shkurtimisht, nga pikpamja e teknikës kirurgjikale, në vend të incizionit standard që shkon deri në 30 cm, me teknikën miniinvazive përdoret incizion shumë më i vogël që shkon deri në 8 cm.
Përshtypja e parë që krijon vetë termi “Kirurgji miniinvazive” apo “ministernotomi” është – teknikë operatore në të cilën trauma kirurgjikale është më e vogël në krahasim me sternotominë standarte. Pra, kjo teknikë presupozohet të shoqërohet me përfitime për pacientin si: rekuperim më të shkurtër pasoperacionit , incidence më e ulët e hemoragjisë postoperatore, probabilitet më të ulët të infeksionit të plagës, dhe më pak dhimbje postoperatore. I rëndësishëm për tu theksuar është efekti estetik pozitiv për pacientin.
Aktualisht klinika jonë universitare ka numrat më shumtë të aplikimit të kësaj teknike, dhe mund të aplikohet pothuaj nga i gjithë ekipi kardiokirurgjikal në QSUNT. Eksperienca jonë është referuar edhe në konferenca shumë të rëndësishme ndërkombëtare.