Intervistë me DSHM. Silvana Çeliku

Gjatë periudhës së izolimit përgjatë dy muajve, pothuajse në çdo shërbim tjetër të QSUNT-së u pezulluan konsultat dhe shtrimet, ndërsa Spitali Onkologjik vazhdoi të ofrojë shërbimin për pacientët. Si u menaxhua situata dhe cilat ishin vështirësitë që hasët?

Momenti i parë ishte i vështirë, kishte tension psikologjik, duke ditur që pacientët e shërbimit tonë janë më delikatët dhe nëse infektoheshin, pasojat do të ishin jashtëzakonisht të rënda, duke iu rrezikuar dhe jeta. Pacientët onkologjik, sidomos ata që trajtohen me kimioterapi, janë të rrezikuar edhe nga një grip i zakonshëm, jo më nga një virus që ende nuk është i njohur plotësisht. Sigurisht që ishim para një sfide shumë të madhe, pasi njëkohësisht duhet të ruanim edhe personelin shëndetësor i cili nuk duhej në asnjë mënyrë të infektohej sepse kjo do të ndërlikohente më tej situatën. Për specifikën e vet, në Spitalin Onkologjik puna nuk është ndaluar në asnjë moment, sidomos në repartet e kimioterapisë dhe radioterapisë ku pacientët kanë marrë shërbimin e plotë çdo ditë, edhe në fundjavë. Natyrisht që ulëm numrin e kontrolleve periodike për pacientët që nuk e kishin të domosdoshëm për t`u kryer në një moment më të përshtatshëm. Ndërsa pacientët të cilët e kishin të domosdoshëm shërbimin, kanë ardhur dhe pa asnjë lloj pengese. Gjithashtu u munduam të ulnim numrin e shtrimeve në spital dhe ndoshta edhe të ndërhyrjeve kirurgjikale, të cilat nuk ishin ekstremisht urgjente, ndërsa e gjithë pjesa tjetër ka funksionuar në mënyrë periodike dhe jashtëzakonisht të mirë. Në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dhe Drejtorinë e QSUNT-së, u arrit që një pjesë e pacientëve të cilët e kishin mundësinë, ta kryejnë kimioterapinë pranë qëndrave të tyre të banimit, pra në rrethet ku ne ofrojmë trajtimin dhe kemi qëndrat onkologjike tonat me mjek të specializuar dhe infermierë, duke ia dërguar medikamentet edhe nga QSUNT-ja kur ato nuk kishin. Një pjesë e këtyre pacientëve e kanë realizuar kimioterapinë në spitalin e Korçës, të Shkodrës, të Lezhës, të Fierit, të Vlorës dhe të Durrësit ku ne patëm mundësi, dhe  kështu shmangëm ardhjen e  këtyre pacientëve edhe pranë spitalit tonë. Shumë i rëndësishëm ka qënë respektimi i udhëzimeve të specialistëve përkatës, si distancimi fizik, mbajtja veshjeve mbrojtëse personale, maska e doreza nga stafi mjësor dhe ai mbështetës. Këto masa mbrojtëse do të vazhdojnë të respektohen edhe për një periudhë kohë të gjatë, derisa të arrijmë të kalojë periudha e emergjencës.

Si ka qënë fluksi i pacientëve që paraqiteshin pranë shërbimit?

Siç edhe citova më lart në vizitat periodike, në kontrolle kemi patur një ulje të fluksit. Nëse në situatë normale në kabinetin që drejtoj vijnë të paktën 12 – 13 vizita në ditë, në periudhën e izolimit kanë qënë 4 – 5 vizita në ditë, pra nuk është se është ndërprerë e gjithë puna.  Për më tepër, pacientët që e kanë pasur të domosdoshëm, e kanë marrë shërbimin dhe mund të përmendim trajtime të ndryshme që ata kanë realizuar, marrjen e biopsive, përgjigjet e biopsive, fillimin e kimioterapive apo edhe radioterapisë. Nuk ka patur asnjë ndërperje të shërbimit për pacientët që trajtohen me kimioterapi dhe radioterapi, madje ka patur ditë të caktuara kur bëhët gama më e madhe e kimioterapive, numri i pacientëve ka arritur edhe 70 – 80 kimioterapi. Pra fluksi ka qënë goxha i lartë dhe mjekët kanë punuar me kohë të plotë, të gjithë mjeket si të kimioterapisë ashtu edhe ata të radiologjisë pa e ndërprerë punën që të gjithë , as edhe një ditë.

Në këto dy javët e fundit ka rifiulluar lëvizja ndërqytetase, a ka patur rritje të numrit të pacientëve? Cfarë masash janë marrë për përballimin e kësaj situate?

Ne jemi munduar që pacientët që e kanë filluar kimioterapinë në rrethet përkatëse ta vazhdojnë atje deri në fund, ndoshta me një konsultë ndërmjet kimiove, për shembull nëse janë 6 cikle të parashikuara, mbas 3 kimiove vijnë në QSUNT për një konsultë tek mjeku kurues. Këto dy javë fluksi është shtuar  në krahasim me javët e kaluara, shkaktuar kjo dhe nga frika e njerëzve për të ardhur nëpër spitale. Por pikërisht këtij momenti duhet ti ruhemi shumë më tepër sepse është ky moment kur virusi dhe mund të riaktivizohet dhe të bëjë dëme, kështu që vigjilenca nuk duhet ulur absolutisht në asnjë moment.

Shërbimi është totalisht i plotë si në imazheri, kirurgji, kimioterapi dhe radioterapi. Pra, ne iu ofrojmë pacientëve të njëjtin shërbim, por unë do të thoja që Shërbimi Onkologjik është munduar që ta mbajë jashtëzakonisht shumë lart vigjilencën dhe të respektojë masat e vendosura tashmë jo vetëm nga qeveria jonë por nga dhe nga organizma shëndetësore ndërkombëtare. Për parandalimin e Covid -19, ndër masat e marra janë: matja e temperaturës për pacientët dhe familjarët që hyjnë në ambientet e brendshme të spitalit, mbajtja e maskave dhe dorezave, distancimi fizik, hyrja e pacientëve mundësisht të pashoqëruar përveç rasteve specifike. Pra arrijmë të kemi sa më pak njerëz nëpër koridoret tona në mënyrë që të ruajmë në rradhë të parë pacientin onkologjik i cili është shumë i predispozuar për ta marë virusin dhe pastaj për të manifestuar komplikacione shumë të rënda deri në humbjen e jetës së tyre. Por njëkohësisht duke ruajtur shumë edhe personelin shëndetësor, për të cilin kemi dëgjuar fatkeqësisht, që pikërisht për shkak të neglizhencës së këtyre masave, janë infektuar në një numër jo të pakët.

A kanë qënë bashkëpunues pacientët dhe familjarët e tyre me stafin e Spitalit Onkologjik ndaj masave dhe rregullave shtrënguese që janë vendosur për parandalimin e përhapjes së Covid -19?

Do të thoja që shumica prej tyre na ka mirëkuptuar duke ia sqaruar arsyen, duke iu thënë që për aq kohë sa pacienti merr një trajtim dhe nuk e ka të domosdoshme praninë e një familjari, ne ia kemi ofruar atë nëpërmjet personelit tonë. Sigurisht në rastet kur kemi patur pacientë shumë rëndë, ata me aftësi ndryshe, ose të moshuar me alzaimer dhe me probleme të tjera shëndetësore, ne jemi munduar që t`i krijojmë mundësinë edhe një familjari për t`i qëndruar pranë, por gjithmonë të pajisur me mjetet mbrojtëse. Kështu jemi munduar të reduktojmë në maksimum praninë e familjarëve në ambientet e brendshme të spitalit. Natyrisht që ka patur raste në të cilat kemi hasur vështirësi, kokëfortësi, por këto janë raste shumë të rralla. Në përgjithësi njerëzit kanë qënë shumë mirëkuptues në këtë periudhë dhe unë i falenderoj shumë për këtë gjë.

Çfarë mesazhi doni të përcillni për pacientët?

Unë si drejtuese e Spitalit Onkologjik si dhe i gjithë stafi, jemi angazhuar maksimalisht për organizimin dhe mbarvajtjen sa më të mire të punës për të ofruar një shërbim të sigurt, si për  pacientët dhe për stafin, që të dalim nga kjo gjëndje me sa më pak humbje dhe me sa më pak infektime.

Kam një mesazh për të gjithë ata të cilët janë të detyruar që ti drejtohen spitaleve dhe sidomos QSUNT – së e cila është unike në Shqipëri dhe ku vijnë pacientë nga i gjithë vendi:

Pacientët dhe familjarët duhet të vijnë të pajisur me masat mbrojtëse, maska dhe doreza, me sa më pak shoqërues, të respektojnë orarin e planifikuar në mënyrë që të shmangim grumbullimet dhe pritjet e panevojshme. Jemi përballë një armiku të padukshëm dhe kurrësesi nuk duhen neglizhuar rekomandimet dhe masat mbrojtëse, vetëm kështu mund ta mposhtim dhe të dalim fitimtarë.

Intervistë me DSHM. Silvana Çeliku, Shef i Shërbimit Onkologjik