Çfarë duhet të dimë për Hepatitin?

Çfarë duhet të dimë për Hepatitin?

Prof.Ass Adriana Babameto, Shef Shërbimi i Gastrohepatologjisë

 

Dita Ndërkombëtare e Hepatitit, çdo vit në 28 korrik është një ditë e veçante që synon rritjen e ndërgjegjësimit mbarë botëror për hepatitet, një grup i sëmundjeve infeksioze që prekin mëlçinë të njohura si Hepatiti A, B,C, D dhe E dhe inkurajimin e parandalimit , diagnozës dhe trajtimit. Dita Botërore e Hepatitit është një nga 8 ditët zyrtare  të fushatave globale të Shëndetit Publik e caktuar dhe e mbështetur nga Asambleja e 63 e Organizatës Botorore të Shëndetësisë në Maj 2010, caktuar në 28 korrik për nder të Prof. Blumberg, cmimi Nobel për zbulimin e virusit të Hepatit B, ditëlindja e të cilit është në këtë datë.

Kjo ditë është një mundësi për edukimin dhe kuptimin më të gjerë e më të mirë të hepatiteve virale, sëmundje me impakt të gjerë global për Shëndetin Publik, në planin social dhe ekonomik. Tashmë  duke qenë e njohur në mbi 100 vende cdo vit përkujtohet përmes eventeve të ndryshme si testime falas, postera, manifestime, koncerte, emisione televizive mesazhe në medja sociale e publike etj. Dita Botërore e Hepatitit krijon një mundësi për tu fokusuar në veprime të tilla si:

Rritja e Ndergjegjesimit për format e ndryshme të hepatitit  dhe rrugët e tyre të transmetimit.

Fuqizimi i parandalimit, testimit dhe kontrollit të hepatitit viral dhe sëmundjeve e komplikacioneve  të lidhura me të.

Zgjerimi dhe rritja e mbulesës vaksinale dhe integrimi në programet nacionale të imunizimit.

Koordinimi i një përgjigje globale ndaj hepatitit.

Çdo vit kjo ditë ka në fokus një temë specifike .

Në 28 korrik 2020 apeli që i drejtohet të gjithë njerëzve në mbarë botën është të veprohet dhe të rritet ndërgjegjësimi për të gjetur *milionat që mungojnë*. Logo e kësaj dite është e ardhmja pa hepatit. Kjo është një ditë  për të festuar progresin e realizuar dhe për të përcaktuar sfidat e ardhmshme, për të bashkuar forcat, një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin dhe për tu dëgjuar zëri i komunitetit botëror në luftën kundër hepatitit tek politikbërësit  dhe të gjitha  palët e interesuara për të lehtësuar parandalimin, diagnozën dhe trajtimin.

Kjo është e një rëndësie të veçantë në një kohë kur 325 milionë njerëz janë duke jetuar me hepatitin viral B dhe C, kur këto viruse duke shkaktuar sëmundje akute dhe kronike të mëlçisë marrin jetën e 1.34 milione njerëzve çdo vit, kur 900 mijë vdekje çdo vit shkaktohen nga infeksioni i virusit të hepatit B, ku 10 % e njerëzve që jetojnë me hapatitin B dhe 19 % e atyre që jetojnë me Hepatitin C  e dinë gjendjen e tyre, kur 9 në 10 njerëz që jetojnë me hepatitin nuk e dinë, ku 42 % e fëmijëve në plan boteror kanë akses në lindje për vaksinën e Hepatit B.

Këtë vit tema *e ardhmja pa hepatit* është në një fokus të fortë në prevenimin e hepatitit B nga nëna tek foshnja.

Një e ardhme pa hepatit mund të arrihet me përpjekje të bashkuara të komunitetit mbarë botëror. Organizata Boterore e Shëndetësisë  apelon në të gjithe vendet per të punuar të gjithë së bashku për të eleminuar Hepatitin Viral si kërcenim për Shëndetin Publik në 2030, duke pasur si synim reduktimin e infeksioneve të reja virale në 90 % dhe reduktimin e vdekjeve për shkak të hepatitit viral ne 65 % në 2030.

Për këtë :

Parandalimi i infeksionit tek të posalindurit. Të gjithë të porsalindurit duhet të vaksinohen kundër hepatitit B në lindje e ndjekur nga të paktën dy doza shtesë

Ndalimi i transmetimit nga nëna tek femija, Të gjitha gratë shtatzëna duhet të testohen në mënyrë rutinë për hepatitin B , HIV dhe sifilizin dhe të marrin trajtimin nëse nevojitet.

Të mos lësh asnjë mbrapa. Çdo njeri duhet të ketë akses ndaj parandalimit të hepatitit, testimit dhe shërbimeve të trajtimit, duke përfshirë njerëzit që përdorin droga intravenoze, njerëzit në burgje, emigrantët dhe grupe të tjera të popullatës me shkallë të lartë infeksioni.

Zgjerimi i aksesit ndaj testimit dhe trajtimit. Testimi në kohë dhe trajtimi i hepatitit viral mund të parandalojë kancerin e mëlçisë dhe sëmundje të tjera të rënda të mëlçisë.

Të ruhen shërbimet primare për pacientet me hepatit gjatë COVID 19.

Parandalimi dhe shërbimet për kujdesin ndaj hepatiteve të tilla si, imunizimi i të porsalindurve, shërbime për reduktimin e dëmtimit dhe trajtimin e vazhdueshëm të hepatitit kronik B janë parësore edhe gjatë periudhës së pandemisë.

Në këtë Ditë Botërore të Hepatitit duhet të jemi të ndërgjegjësuar që hepatiti kronik C është i kurueshëm, ndërsa hepatiti B është i menaxhueshëm por akoma jo i kurueshëm.