19/12/2013

Në sektorin më të ri të shërbimit të Neurokirurgjisë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, ka nisur trajtimi i të sëmurëve me radiokirurgji. Në sektorin X-Knife Akseleratori Linear filloi trajtimi i të sëmurëve me radiokirurgji, që bëhet për herë të parë në Shqipëri dhe rajon duke përdorur akseleratorin linear, maja e teknologjisë së rrezatimit, prodhuar në vitin 2012.

Ky projekt synon të sjellë një nivel të ri trajtimi të sëmundjeve tumorale duke sjellë përfshirjen e shërbimit në sistemet shëndetësore moderne bashkëkohore.

Radiokirurgjia do të zëvendësojë operacionet për shumë pacientë. Me precision submilimetrik, ajo bën të mundur koncentrimin e rrezatimit në thellësi të trurit duke shëruar sëmundjet e trurit pa nevojën e thikës. Pacienti qëndron vetëm një ditë në spital dhe komplikacionet janë të papërfillshme. Radiokirurgjia u zhvillua nga neurokirurgu suedez Leksel. Sot përdoret për të trajtuar sëmundje të ndryshme të trurit e të trupit. X-Knife Akseleratori ka një kapacitet trajtimi radiokirurgjikal deri në 5 pacientë në javë dhe pas janarit 2014, 20 pacientë në ditë për trajtim me radioterapi konformale.

Posted in Lajme by admin qsut
22/11/2013

Nismës “Ta pastrojmë Shqipërinë në një ditë” i është bashkuar edhe Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në bashkëpunim me kompaninë telefonike AMC dhe Fakultetin e Infermierisë.

 

Sot në mëngjes dhjetra punonjës të AMC-së dhe qindra studentë të Infermierisë, ju bashkuan punonjësve të spitalit për të pastruar dhe higjienizuar ambientet e brendshme spitalore.

 

Drejtoresha e QSUT, Ogerta Manastirliu, duke falënderuar për bashkëpunimin kompaninë telefonike AMC, u shpreh: “Aksioni për pastrimin e territorit të spitaleve ka rreth dy muaj që ka filluar që me gjelbërimin e hapësirave publike dhe sot starton aksioni për higjienizimin e çdo ambienti spitalor duke filluar që nga sallat e operacioneve, të reanimacionit, çdo dhomë pacienti, çdo shtrat, çdo dritare, çdo hapësirë spitalore në ambientet e brendshme”.

 

Më tej znj. Manastirliu bëri apel për qytetarët që vijnë për të vizituar të afërmit e tyre në spital që të respektojnë oraret e vizitave dhe të ndërgjegjësohen për të mbajtur pastër ambientin.

Posted in Lajme by admin qsut
03/11/2013

Kryeministri Edi Rama inspektoi të dielën punimet në mjediset e jashtme të Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza, në Tiranë, ku pas shembjes së objekteve pa leje ka nisur mbjellja e pemëve, ripërtëritja dhe mirëmbajtja e hapësirave publike.

 

Sipas Kryeministrit, mjediset e jashtme të kësaj qendre spitalore, më e madhja dhe më e rëndësishmja në Shqipëri ku trajtohen me mijëra vetë në ditë, do të shndërrohen në një hapësirë publike të standardeve europiane. “Do të jetë një hapësirë publike spitalore, ku gjithkush që duhet të kalojë këtu duhet të ndihet në territorin e një spitali në Europë dhe jo siç ishte para 40 ditëve”, tha Rama.

 

Në prononcimin e tij për mediat, kreu i qeverisë vlerësoi punën e bërë nga drejtoresha dhe stafi i QSUT, ndërsa nënvizoi se “është një punë e jashtëzakonshme për t`u bërë, por ne nuk na tremb as puna, as volumi i madh dhe as sfidat e panumërta që janë brenda spitalit, për të garantuar një shërbim të standardeve europiane”.

 

Kryeministri falenderoi edhe ministrin e Mjedisit për angazhimin e tij lidhur me krijimin dhe mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra. “Ky është një angazhim që do të shtrihet dalngadalë, por jo ngadalë në të gjithë territorin e Shqipërisë”, u shpreh kreu i qeverisë.

Posted in Lajme by admin qsut