“Reflektim mbi vetëvrasjet”

"Reflektim mbi vetëvrasjet"

Spitalet e kohëve moderne e kanë me vete edhe këtë fenomen.Numrat nuk tregojnë zbutje a reduktim. Agjensitë e administrimit të Spitaleve në vendet e mbara ku bëhen kujdesshëm llogaritë, e mbajnë atë mirë në vëmendje. Mjafton një hedhje syri tek faqja e Joint Commission amerikane për ta marrë ndjesinë. Gjithkund i frikësohen, ndërmjet të tjerave, edhe Imitueshmërisë. Është faktor i rëndësishëm. Të diturit e rëndësisë është tashmë, pjesë e dijes së rëndomtë komunitare. Vështirë të mos jetë në veshin a mendjen e opinion-bërësve të zakonshëm. S’është çudi edhe të konsumatorëve të opinion-bërjes. Është dije e mbritur në vetëdije kolektive, pra pjesë e civilizimit. Në praktikë përkthehet në hetim të vetvetes në rradhë të parë, për të minimizuar kontributin e mundshëm në Imitueshmëri. Sepse nuk ka rregull se ku ndikon: tek të afërmit a të largtët, të njohurit a të panjohurit.

Duket shumë e vështirë për ta konsideruar diskutimin publik të këtyre muajve të fundit si të shëndetshëm. Duket shumë më racionale nëse atij,  pra llojit të diskutimit në Shqipërinë e 2020-tës, i bën akuzën e një faktori shumë të rëndësishëm. S’është çudi që sa më shumë heton nëpër studim-pas-studimi për këtë fenomen aq më shumë anon peshorja për nga lidhja shkak-pasojë. Detajet e studimeve edhe mund të jenë për profesionistët, kurse fabula e konkluzioneve është prej dekadash nëpër pafundësi manualesh e udhëzuesish për gazetarë, mësues, administratorë burimesh njerëzore a profesione të tjera ndërveprimesh njerëzore apo gatim informacionesh publike. S’është çudi të ketë të tillë edhe për profesionin e politikanit. Gjenden kollaj. Një rrugë e thjeshtë janë publikimet e OBSH-së.

Kujdesi dhe mos thellimi i dëmit nëpër raportime e diskutime publike mesa duket nuk është shumë i kollajtë. Por është emergjent tashmë për ambientin tonë.

Jo gjithmonë shpejtësia e lajmit, përshkrimet realiste dhe përplasjet e komenteve janë një e mirë publike. Edhe maturia, ndjeshmëria komunitare apo heshtja reflektive kur merr frymë thellë mund të jenë dobiplotë.