Dekorim i Prof. Dr. Pajtim Lutaj me titullin “Mjeshtër i Madh”

04/02/2016

Universiteti i Mjekësisë, Tiranë ka nderin të informojë se, më datë 04.02.2016, Presidenti i Republikës së Shqipërisë SHTZ. Bujar Nishani dekoroi me Titullin “Mjeshtër i Madh” Profesorin Pajtim Lutaj, me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të tij të shquar si mjek dhe profesor i njohur i oftalmologjisë, për përcjelljen e përvojës së pasur shkencore tek brezat e rinj, si dhe për humanizmin e spikatur në ushtrimin e detyrës së tij me pacientët”.

Prof. Dr. Pajtim Lutaj mban pozicionin e Përgjegjësit të Departamentit të ORL-Okulistikës dhe është Pedagog i nderuar i lëndës së Okulistikës në Fakultetin e Mjekësisë së Universitetit të Mjekësisë, Tiranë. Prof. Lutaj është, gjithashtu, edhe mjek okulist në klinikën universitare të Okulistikës të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë (QSUT).

Në ceremoninë e zhvilluar me rastin e dekorimit të Prof. Lutaj nderuan me praninë e tyre Ambasadori i Francës në vendin tonë SHTZ. Bernard Fitoussi, Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë Prof. Dr. Arben Gjata, Profesorë të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, mjekë të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë dhe akademikë nga Shqipëria dhe Kosova.

activity-2016-02-04_2

Dekorimi i Prof. Dr, Pajtim Lutaj është, jo vetëm një vlerësim për punën e tij të palodhur profesionale dhe ekspertizën e lartë në shërbim të pacientëve, por edhe një nder i madh për Universitetin e Mjekësisë, Tiranë për kontributin e tij të vyer në përgatitjen shkencore dhe didaktike të studentëve të Fakultetit të Mjekësisë.

Posted in Aktivitete by admin qsut