Të drejtat dhe detyrimet e pacientit

Të gjithë pacientet kanë të drejtë të mjekohen. Ata kanë të drejtë për kujdesje për shëndetin e tyre; ta përfitojnë atë sipas nevojave, si në raste akute ashtu dhe në raste kronike, të shërbimit parësor dhe spitalor si edhe të kujdesit në bashkësi, pa marrë parasysh aftësinë e tyre për të paguar.

Çdo njeri ka të drejte të respektohet personi i tij si qenie njerëzore.

Çdo njeri ka të drejtën e vetëvendosjes.

Çdo njeri ka të drejtën e integritetit të tij fizik e mendor dhe të sigurimit të personit të tij.

Çdo njeri ka të drejtë t’i respektohet privatësia e tij.

Çdo njeri ka të drejtë të ketë vlerat e tij morale, kulturore dhe të respektohen bindjet e tij fetare e filozofike.

Çdo njeri ka të drejtë të kërkojë mbrojtjen e shëndetit të tij, marrjen e masave parandaluese ndaj sëmundjes, dhe kujdesin shëndetësor, si edhe për të mbajtur shëndetin e tij në nivel optimal të mundshëm.

Dhënia e informacionit për shërbimet shëndetësore duhet të vihet në dispozicion për publikun, në mënyrë që ai të përfitojë gjithçka që i intereson.

Pacientët kanë të drejtë të informohen plotësisht për gjendjen e tyre shëndetësore, përfshi “faktet” mjekësore për gjendjen e tyre, për procedurat mjekësore të propozuara, së bashku me rreziqet e mëdha për përfitimet nga çdo procedure, duke përfshirëpasojat e mostrajtimit dhe diagnozën, prognozën dhe progresin e kurimit (trajtimit).

Informimi mund t’i mbahet i fshehur pacientit vetëm nëse qëndrojnë arsye të forta për të besuar që ky informim, pa sjellë ndonjë efekt pozitiv të qartë, do të shkaktonte nga ana tjetër një dëm serioz të rëndë për pacientin. Ky informim mund t’i jepet njeriut më të besuar të tij.

Informacioni duhet t’i komunikohet pacientit në përshtatje me aftësinë dhe të kuptuarit e tij, duke hequr përdorimin e terminologjisë teknike të papërshtatshme. Nëse pacienti nuk e flet gjuhën e vendit, atëherë nevojitet pjesëmarrja e përkthyesit.

Pacientët duhet të kenë mundësinë të marrin një mendim (opinion) të dytë.

Kur pacientët pranohen në një institucion shëndetësor, ata duhet të informohen për identitetin dhe statusin profesional të personelit të shërbimit si edhe me çdo rregull, me të cilin do të kenë të bëjnë gjatë qëndrimit dhe kurimit të tyre.

Pacientët duhet të kërkojnë t’u jepet një përmbledhje e shkruar e diagnozave të tyre, trajtimit dhe kujdesit kur ata dalin nga institucioni shëndetësor.

Marrja e pëlqimit nga pacienti përpara çdo ndërhyrjeje shëndetësore është e domosdoshme.

Pacienti ka të drejtë të mos pranojë ose të ndërpresë çdo ndërhyrje mjekësore. Pasojat e mospranimit ose të ndërprerjes së ndërhyrjes duhet t’i shpjegohen me kujdes pacientit.

Kur një pacient është i paaftë të shprehë dëshirën e tij dhe kur nevojitet një ndërhyrje mjekësore, të respektohet pëlqimi i nënkuptuar i pacientit, me përjashtim të rasteve kur pacienti ka deklaruar që më parë me shkrim që ai do ta kundërshtojë një situatë të tillë.

Kur ky akt kërkon pëlqimin e përfaqësuesit ligjor, edhe ndërhyrja e propozuar duhet të kryhet urgjentisht.

Kur është kërkuar pëlqimi i përfaqësuesit, pacienti (minor ose madhor) megjithatë duhet të marrë pjesë në marrjen e vendimit, për aq sa e lejojnë mundësitë e tij.

Kur një përfaqësues ligjor nuk pranon të japë pëlqimin dhe mjeku ose një kujdestar tjetër mendon që ndërhyrja është në dobi të pacientit, atëherë vendimi duhet t’i drejtohet një trupi gjykues ose një forme tjetër arbitrariteti.

Marrja e pëlqimit të pacientit është e nevojshme për pjesëmarrjen e tij në mësime klinike dhe në kërkime shkencore.

Çdo informacion për gjendjen shëndetësore të pacientit, diagnozën, trajtimin apo çdo informacion tjetër i karakterit personal, duhet të mbahet i fshehtë edhe pas vdekjes.

Çdo e dhënë e pacientit duhet të mbrohet.

Pacientët kanë të drejtë të njihen me kartelat mjekësore dhe çdo dokument tjetër që ka të bëjë me diagnozën e tyre, duke pasur të drejtën për të marrë kopjen e tyre.

Ndërhyrjet mjekësore mund të kryhen vetëm nëse tregohet respekti i duhur për intimitetin e individit.

Pacientët e pranuar në institucionet shëndetësore kanë të drejtë të përfitojnë lehtësira fizike, të cilat u sigurojnë intimitet, veçanërisht gjatë nevojave personale ose kryerjes së ekzaminimit dhe kurimit.

Pacientët kanë të drejtën e përfaqësimit në çdo nivel të sistemit të shërbimit shëndetësor, për çështje që kanë të bëjnë me planifikimin dhe përmirësimin e shërbimeve.

Në rrethanat kur duhet të bëhet nga mjekët një zgjedhje për një trajtim të veçantë, i cili është mjaft i kufizuar, kjo zgjedhje duhet të bazohet mbi kritere mjekësore dhe të bëhet pa diskriminim.

Pacientet kanë të drejtë të zgjedhin e të ndryshojnë mjekun e tyre ose një person tjetër të shërbimit ose institucionin shëndetësor dhe kjo në përshtatje me funksionimin e sistemit shëndetësor.

Pacientët, të cilët nuk kanë arsye mjekësore për të qëndruar në një institucion shëndetësor, kanë të drejtë për një shpjegim të plotë, përpara se ata të transferohen në një institucion tjetër mjekësor ose të dërgohen në shtëpi. Ky transferim mund të kryhet vetëm kur institucioni tjetër mjekësor ka pranuar të presë pacientin.

Kur pacienti është nxjerrë për në shtëpi dhe gjendja e tij kërkon kujdes të mëtejshëm, shërbimet komunitare dhe ato në shtëpi duhet t’i vihen në dispozicion.

Pacientët kanë të drejtë të kenë mbështetjen e familjes, të afërmve dhe miqve gjatë trajtimit dhe kujdesit dhe të përfitojnë mbështetjen dhe udhëheqjen shpirtërore të tyre gjatë gjithë kohës.

Pacientët kanë të drejtë për kujdes human deri në fund dhe të vdesin me dinjitet.

Ushtrimi i të drejtave të paraqitura në këtë dokument nënkupton mënyrat përkatëse për këtë qëllim.

Përfitimi i këtyre të drejtave duhet të jetë i sigurt për të gjithë pa asnjë diskriminim.

Në ushtrimin e këtyre të drejtave, pacienti duhet t’u nënshtrohet vetëm atyre kufizimeve që janë në pajtim me dokumentet e të drejtave të njeriut dhe në përshtatje me procedurat e parashtruara në ligj.

Nëse pacienti është i paaftë të ushtrojë të drejtat e paraqitura në këtë dokument, këto të drejta do të ushtrohen nga përfaqësuesi i tij ligjor ose nga një person i caktuar nga pacienti për këtë qëllim. Nëse ata nuk janë caktuar, atëherë duhet të merren masa për përfaqësimin e këtyre pacientëve.

Pacientët duhet të informohen e këshillohen, në mënyrë që të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtat e përcaktuara në këtë dokument. Kur pacientët ndjejnë se të drejtat e tyre nuk janë respektuar, atyre duhet t’u krijohet mundësia të paraqesin një ankesë, veçanërisht për t’ju drejtuar gjykatës.