KONTROLLET E INFEKSIONEVE SPITALORE

Si realizohet parandalimi dhe kontrolli i infeksioneve spitalore, cila eshtë struktura përgjegjëse në QSUNT dhe roli i saj në këtë proçes?

Aktivitetet e parandalimit dhe kontrollit të infeksioneve spitalore përfshijnë shumë struktura administrative dhe mjekësore të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Koordinimi i këtyre aktiviteteve realizohet nga struktura përgjegjëse për këtë proçes, Sektori i Kontrollit të Infeksioneve Spitalore pranë Drejtorisë së Performancës Spitalore. Koordinimi përfshin komunikimin me të gjitha njësitë e spitalit për të siguruar që programi i parandalimit dhe kontrollit të infeksioneve spitalore të jetë i vazhdueshëm dhe në zhvillim.
Kjo strukturë e rëndësishme identifikon infeksionet epidemiologjike, proçedurat dhe praktikat, të cilat parandalojnë dhe zvogëlojnë rrezikun dhe incidencën e infeksioneve të lidhura me kujdesin shëndetësor.
Survejanca e infeksioneve spitalore është një komponent i rëndësishëm për grumbullimin dhe analizimin e të dhënave, si dhe të orienton politikat e Institucionit tonë drejt vlerësimit dhe kategorizimit të nivelit të riskut.
Sektori i Kontrollit të Infeksioneve Spitalore harton proçedura që ndiqen nga personeli shëndetësor. Këto proçedura përfshijnë kryesisht:
•Larjen e duarve
•Politika të izolimit, duke përfshirë menaxhimin dhe raportimin e pacientëve qe dyshohen per sëmundje infektive.
• Menaxhimin e pacientëve të imunokompromentuar.
• Parandalimin i përhapjes së infeksioneve te stafi shëndetësor dhe jo shëndetësor
• Parandalimin e infeksioneve te plageve kirurgjikale
• Përzgjedhja dhë përdorimi i antiseptikëve dhe dezinfektanteve.
• Survejimi i kontrollit të infeksionit si dhe mbledhja e të dhënave.

Proçesi i parandalimit dhe kontrollit të infeksionit synon të minimizoj rrezikun e infektimit për pacientët, personelin dhe të tjerët. Për të arritur këtë qëllim, Sektori i Kontrollit të Infeksioneve Spitalore është i angazhuar maksimalisht për të përmirësuar aktivitetet e parandalimit dhe kontrollit të infeksionit dhe për të zvogëluar normat e infektimit në kujdesin shëndetësor në nivelet më të ulëta të mundshme.

Cfarë masash janë marre për të zvogëluar rrezikun e transmetimit të Covid-19 midis pacientëve dhe personelit të kujdesit shëndetësor?

Sektori i Kontrollit të Infeksioneve Spitalore eshte angazhuar maksimalisht për të zvogëluar riskun e transmetimit të Covid-19 midis pacientëve, personelit mjekësor dhe stafit mbështetës. Gjatë gjithë vitit, sipas një kalendari të caktuar, ne kryejmë trajnime për parandalimin dhe kontrollin e infeksioneve spitalore për të gjithë personelin shëndetësor.
Për shkak të situatës së krijuar nga përhapja e Covid-19, që prej muajit Janar, SKIS ka nisur trajnimet me stafin shëndetësor për njohjen e Udhezimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Parandalimin dhe Kontrollin e SARS-CoV-2. Fokusi ynë ka qënë trajnimi i stafit në lidhje me instruksionet e perdorimit të pajisjeve personale mbrojtëse, instruksionet e higjenizimit dhe sjellja e tyre në zonat me risk të larë dhe të mesëm. Pjesë e trajnimit kanë qënë protokollet e zonës së izolimit dhe protokolli i marrjes së mostrave (tamponëve).Në vijim do të vazhdojmë me trajnime shtesë për personelin mjekësor me nivel të lartë ekspozimi ndaj Covid-19, si dhe me pjesën tjetër të stafit për ti përditësuar me udhëzimet e reja dhe për t’i rikujtuar masat parandaluese. Edukimi i pacientëve në lidhje me higjenën personale, higjenën e duarve, higjenën e frymëmarrjes dhe këshillimi se çfarë duhet të bëjnë nëse ato shfaqin simptoma ka qënë pjesë e punës tonë të vazhdueshme.

Pas ardhjes së rasteve të para në QSUNT, menjëherë nisëm hetimin epidemiologjik te personelit shëndetesor dhe jo-shëndetësor të ekspozuar ndaj COVID-19.
Në bashkëpunim me grupin teknik, të ngritur me Urdhër Titullari planifikuam sasi shtesë të pajisjeve personale mbrojtëse dhe sasi shtesë të materialeve higjenizuese dhe dezinfektuese.
Vlen të theksohet fakti se në këtë periudhë është rritur vigjilenca ndaj proçeseve të pastrimit dhe dezinfektimit.

Si realizohet hetimi epidemiologjik nga Sektori juaj?

Menjëherë pasi të jetë identifikuar një rast i konfirmuar me Covid-19, fillon hetimi epidemiologjik dhe gjurmimi i kontakteve duke ndjekur hapat si më poshtë:
• Intervistimi i personelit për të mbledhur informacion mbi kontaktet e mundshme dhe nivelin e ekspozimit.
• Gjurmimi i kontakteve dhe klasifikimi i tyre sipas nivelit të ekspozimit.
• Testimi i kontakteve simptomatike dhe kontakteve asimptomatike të ngushta.
• Komunikimi me kontaktet e identifikuara dhe dhënia e informacionit në lidhje me masat e përshtatshme të kontrollit të transmetimit të infeksionit, monitorimin e simptomave dhe masat e tjera parandaluese
Kontaktet e ekspozimit me rrezik të lartë monitorohen në mënyrë aktive dhe karantinohen, ndërsa kontaktet me ekspozim me rrezik të ulët vetë-monitorohen për simptoma dhe zbatojnë masat e distancimit fizik.
Të dhënat mbi hetimin epidemiologjik dhe gjurmimin e kontakteve mblidhen dhe analizohen për të kuptuar shkallën e transmetimit të infeksionit dhe të kuptojmë efektivitetin e zbatimit të masave parandaluese.

Higjenizimi dhe dezinfektimi është i rëndesishem ne parandalimin e perhapjes se virusit.
Si po kryhet ky proçes ne QSUNT?

Për sa i përket higjenizimit dhe administrimit të mbetjeve spitalore , personeli i dedikuar për pastrimin e mjedisit dhe administrimin e mbetjeve spitalore është trajnuar në lidhje me instruksionet e higjenizimit dhe menaxhimin e mbetjeve që gjenerohen nga pacientët Covid-19.
Gjatë monitorimeve të vazhdueshme të shërbimeve mjekësore, stafit i janë lënë rekomandimet përkatëse në lidhje me higjenizimin e ambjenteve të përbashkëta, dhomave të pacientëve dhe sipërfaqeve. Gjatë kësaj periudhe, shërbimet mjekësore janë furnizuar me sasi shtëse të hipokloritit të natriumit dhe dezinfektantëve të sipërfaqeve me përmbajtje alkooli.
Dezinfektimi kryhet nga specialistët e mesëm të Sektorit të Kontrollit të Infeksioneve Spitalore. Dezinfektimi i ambjenteve të jashtme realizohet me spërkatje me pompë me tretësirë hipoklorit natriumi 3% dhe i ambjenteve të brendshme me tretësire hipoklorit natriumi 0.5%. Gjatë kësaj periudhe, perveç dezinfektimit ka vijuar puna me deratizimin dhe dezinsektimin sipas planin vjetor të realizimit të proçeseve DDD.

Si kanë ndikuar masat e marra dhe puna e kryer nga Sektori i Kontrollit të Infeksioneve Spitalore, në parandalimin e përhapjes së virusit?

Trajnimi i stafit, zbatimi i masave parandaluese dhe të gjitha proçeset të realizuara në bashkëpunim me struktura të tjera të QSUNT-së dhe MSHMS , kanë minimizuar ndjeshëm përhapjen e infeksionit te personeli shëndetësor dhe ai mbështetës.
Për të ndërprerë zinxhirin e transmetimit të mëtejshëm të virusit janë identifikuar me shpejtësi kontaktet e një rasti suspekt ose të konfirmuar dhe janë testuar në kohë të gjithë personat.
E gjithë puna e bërë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe zbatimi rigoroz i masave parandaluese nga stafi, ka minimizuar riskun e transmetimit të mëtejshëm të infeksionit duke patur një ndikim të madh në përhapjen e epidemisë në vendin tonë.