Udhëzim i MSh për Sistemin e Referimit, Nr.558

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
MINISTRIA E SHËNDETËSISË
MINISTRI

Bulevardi ”Bajram Curri”, Tiranë, Albania. Tel/Fax: 003554362937www.moh.gov.al
Nr.3715/1 Prot.Datë 26/10/2009

U D H Ë Z I M
Nr.558, Datë 26/10/2009

PËR REGJISTRIMIN, IDENTIFIKIMIN DHE LËVIZJEN E PACIENTIT
BRENDA INSTITUCIONEVE SHËNDETËSORE
NË ZBATIM TË SISTEMIT TË REFERIMIT

Në zbatim të nenit 28, të ligjit nr.10108, datë 30.03.2009 “Për shërbimin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë” si dhe Urdhërit të Ministrit të Shëndetësisë Nr.526, datë 12.10.2009, “Për zbatimin e sistemit të referimit në shërbimin shëndetësor”, për një organizim dhe disiplinim të ofrimit të shërbimeve shëndetësore ndaj pacientit, në sistemin parësor, dytësor dhe atë terciar:

U D H Ë Z O J

Në cdo institucion shëndetësor publik që kryen vizita, ekzaminime dhe konsulta mjekësore, të vendoset zyra e recepsionit dhe arkëtimit.
Pika e parë e kontaktit e pacientit në një institucion shëndetësor do të jetë recepsioni
Recepsioni bën planifikimin e vizitave dhe konsultave sipas shërbimit ku përcakton mjekun, ditën dhe orën. Planifikimi i vizitave bëhet nëpërmjet telefonit ose duke shkuar pranë institucionit që ofron shërbimin. Punonjësi i recepsionit cdo ditë printon dhe shpërndan pranë mjekëve përkatës grafikun e vizitave të planifikuara.
Pacienti kur paraqitet tek mjeku i familjes do të identifikohet pranë recepsionit me librezën e shëndetit dhe mjetin e identifikimit. Kur pacienti është referuar për konsultë të specializuar ose ekzaminime të ndryshme duhet të paraqesë edhe rekomandimin përkatës.
Recepsioni duhet të jetë i pajisur me telefon, kompjuter, regjistër për vizitat (të printuar ose elektronik).
Recepsioni duhet të regjistrojë gjeneralitetet e pacientit, kodin e mjekut dhe të qendrës shëndetësore nga rekomandohet, arsyeja pse është rekomanduar, i siguruar/i pasiguruar, numrin e librezës së shëndetit, kodin e pacientit.
Drejtoria e institucionit pajis recepsionin me grafikët e shërbimeve për vizitat, ekzaminimet, konsultat duke përcaktuar datat, orarin dhe emrat e dhënësve të shërbimit.
Recepsioni pajis pacientin me mandat-arkëtimin përkatës.
Kur pacienti paraqitet në qendrën shëndetësore për të marrë shërbim:

Për pacientët e siguruar do të lëshohet një mandat-arkëtimi ku shënohet shërbimi që kërkon si dhe “i siguruar” që tregon se nuk është nevoja të paraqitet pranë arkës për të kryer pagesë.
Pacientët e pasiguruar do të pajisen me mandat-arkëtimi ku shënohet shërbimi që do të marrin si dhe vlera e shërbimit dhe pasi të kryejnë pagesën, me mandatin e vulosur “U pagua” do të shkojë në shërbimin e kërkuar.
Kur pacienti paraqitet për konsultë të specializuar ose ekzaminime të ndryshme në institucionet e specializuara:

Për pacientet e siguruar dhe të rekomanduar do të lëshohet nga recepsioni një mandat-arkëtimi ku shënohet shërbimi që kërkon si dhe “i siguruar dhe i rekomanduar”, i cili tregon se nuk është nevoja të paraqitet pranë arkës për të kryer pagesën.
Pacientët e pasiguruar si edhe pacientët e siguruar, por që nuk janë rekomanduar, do të pajisen me mandat-arkëtimi ku shënohet shërbimi që do të marrë si dhe vlera e shërbimit dhe pasi të kryejë pagesën në arkën e institucionit, me mandat-arkëtimin e vulosur “U pagua” do të shkojë në shërbimin e kërkuar.
Mandat-arkëtimi duhet të përmbajë këto të dhëna: Emrin e institucionit, numrin serial, numrin rendor, datën, emrin, mbiemrin, atësinë e pacientit, ku referohet për konsulte apo ekzaminim, shumën e lekeve, firmën e pacientit, firmën e arkëtarit. Mandat-arketimi lëshohet në 3 (tre) kopje: një e mban pacienti, një qendron tek arka dhe një tek mjeku që kryen shërbimin.
Nëse mjeku ku është referuar pacienti, pasi kryen vizitën e shikon të arsyeshme që pacienti duhet të konsultohet edhe me një mjek specialist tjetër brenda institucionit, i lëshon pacientit një rekomandim të brendshëm, ku shënohet arsyeja e rekomandimit dhe mjeku tek i cili rekomandohet.
Nëse mjeku specialist e shikon të arsyeshme për vendosjen e diagnozës që pacienti duhet të kryejë ekzaminime laboratorike apo imazherike, e referon pacientin me rekomandimin e brendshëm. Pacienti me rekomandimin duhet të kthehet tek recepsioni , i cili e pajis me mandat-arkëtimi.
Për pacientët e siguruar, të cilët janë rekomanduar, do të leshohet mandat-arketimi ku të shënohet ekzaminimi që rekomandohet si dhe “i siguruar dhe i rekomanduar”, gjë që tregon se nuk është nevoja të paraqitet pranë arkës për të kryer pagesën.
Pacientët e pasiguruar, si dhe pacientët e siguruar, por që nuk janë rekomanduar, do të pajisen me mandat-arkëtimi ku shënohet ekzaminimi që do të kryejë si dhe vlera përkatëse sipas tarifave të miratuara duke vazhduar më tej procedurën e përcaktuar në pikën 8 të këtij udhëzimi.
Pacientët e pasiguruar do të paguajnë sipas tarifave të miratuara për cdo shërbim që do të marrin edhe nëse janë të rekomanduar.
Mjeku që bën vizitën duhet të shënojë në regjistër: kodin e pacientit, numrin e mandatit si edhe diagnozën me të cilën evidentohet pacienti
Cdo kabinet i konsultës apo ekzaminimit duhet të ketë regjistrin e vet të konsultave dhe ekzaminimeve.
Mjeku specialist plotëson përgjigjen e rekomandimit ku shënon diagnozën si dhe përshkruan trajtimin përkatës bazuar në udhëzimet e ISKSH-së.
Në pranim-urgjencën e institucioneve me shtretër duhet të funksionojë rregullisht filtri i shërbimeve dhe argumentimi i karakterit urgjent/i zakonshëm sipas protokollit përkatës të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë.
Institucionet shëndetësore publike janë të detyruara të publikojnë për publikun shërbimet shëndetësore të ofruara prej tyre si dhe tarifat përkatëse.
Institucionet shëndetësore janë të detyruar që të publikojnë në vende të dukshme rregullat e funksionimit të sistemit të referimit, numrat telefonike të kontaktit, oraret e vizitave ambulatore sipas specialiteteve, mjekun përkatës, komisionet e specialiteteve si edhe ato mjeko-ligjore, vendin ku ofrohen vizitat, tarifat e shërbimit për personat e pasiguruar apo të parekomanduar. Me qëllim mirë-orientimin e pacientëve brenda institucionit shëndetësor, duhen të vendoset sistemi i tabelave orientuese.
Ngarkohen drejtoritë e institucioneve shëndetësore (qendra shëndetësore, spitale, poliklinika të specialiteteve) për zbatimin e këtij udhëzimi.
Ngarkohen Drejtoria e Shëndetit Publik, Drejtoria e Planifikimit Spitalor dhe Drejtoria e Auditit në Ministrinë e Shëndetësisë si dhe ISKSh për monitorimin e zbatimit të këtij udhëzimi.
Cdo akt-urdhëresë e mëparshme e dalë nga Ministria e Shëndetësisë apo Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor në zbatim të sistemit të referimit dhe që bien ndesh me këtë udhëzim, shfuqizohet.
Ky udhëzim hyn në fuqi menjëherë.

M I N I S T R I

PETRIT VASILI