Rreth Nesh
Vizioni i punës sonë është sigurimi i një shërbimi shëndetësor me cilësi të lartë dhe të orientuar tek pacienti. Për këtë jemi në përpjekje të vazhdueshme për të përmirësuar të gjithë elementet e kujdesit shëndetësor duke mundësuar arritjen e rezultateve më të mira dhe rritje të justifikuar të besimit të pacientëve tek ne. Përvetësimi dhe aplikimi në praktikën e përditshme të analizës së kërkimit shkencor, inovacioneve dhe teknikave me të reja në fushën e kirurgjisë dhe përfshirjen në këtë proces formimi të vazhdueshëm të studentëve dhe mjekëve specializantë është një objektiv real i punës sonë. Në klinikën tonë me një kapacitet prej 30 shtretërish i nënshtrohen kujdesit mjekësor mesatarisht 2800 pacientë në vit. Trajtohet gjithë spektri i patologjive hepatobiliare, kirurgjisë onkologjike, i patologjive të pjesës së sipërme të traktit tretës, kolorektale, endokrine, paretit abdominal si dhe të kirurgjisë së përgjithshme. Një vend të rëndësishëm në këtë volum zë mbulimi i shërbimit të Urgjencës Kirurgjikale në të cilën ekipe mjekësh të dedikuar dhe të afirmuar profesionalisht ofrojnë një shërbim të standardeve më të larta në vlerësimin, diagnostikimin dhe trajtimin e emergjencave dhe urgjencave kirurgjikale.
Stafi i klinikës punon ngushtë me specialitetet e tjera për të mundësuar kujdesin më të mirë për pacientët. Bashkëpunimi me mjekët referues është mjaft i rëndësishëm në punën tonë. Mjekët e klinikës sonë bëjnë të mundur realizimin e teknikave më të reja dhe të përparuara për të mundësuar një trajtim sa më të mirë, më të sigurt, me një kohë rikuperimi më të shkurtër dhe me rezultate të mira. Shumë prej tyre janë specializuar në fusha të veçanta si kirurgji onkologjike, kolorektale, laparoskopike, endoskopike.