Në Shërbimin Onkologjik në QSUT, në Njësinë e Radioterapisë është inaguruar akseleratori i dytë linear, një teknologji e standardeve më të larta sot, për trajtimin e pacientëve me sëmundje tumorale.
Gjatë inagurimit ishin të pranishëm kryeministri z. Edi Rama, ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale znj. Ogerta Manastirliu, drejtori i QSUT z. Enkelejdi Joti si edhe mjekë dhe staf infermieror të Shërbimit Onkologjik.
Ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Ogerta Manastirliu vuri në dukje se “tashmë do të ulen ndjeshëm radhët e pritjes, pasi me një akselerator, në momentin kur kishte mirëmbajtje, duhet të ndërpritej trajtimi”.
Nga 45 pacientë në ditë që trajtoheshin në këtë shërbim deri më sot, me instalimin e akseleratorit të dytë, do të trajtohen 90 pacientë në ditë apo rreth 1200 pacientë në vit.
Njësia e Radioterapisë tashmë ka potencialin për të bërë trajtime bashkëkohore me futjen e teknikave të reja, pasi arrihen standarde europiane dhe bëhet i mundur trajtimi me preçizion të lartë, gjë që më përpara nuk realizohej dot me aparaturat e vjetra.
Akseleratori i dytë linear vjen si një investim prej 1.2 milionë euro i qeverisë shqiptare dhe Agjencisë Atomike të Vjenës.