Ndërhyrja, suksesi i së cilës përcaktoi mbijetesën e foshnjes; Programi i bashkëpunimit QSUT & QKUK, si po i ndihmon ai fëmijët.

10/07/2014

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”Tiranë dhe Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) Prishtinë kanë ndërtuar prej 6 vitesh një bashkëpunim të suksesshëm në fushën e kardiokirurgjisë pediatrike nën mesazhin frymëzues “Një komb, një shërbim i kardiokirurgjisë pediatrike”.

 

Në vijim të këtij bashkëpunimi, Shërbimi i Kardiokirurgjisë Pediatrike në QSUT ka ndarë me ne historinë e një foshnje 3 ditëshe diagnostikuar në QKUK-në e Prishtinës me “Koarktacion Aorte Kritik” dhe transferuar në kushte kritike me urgjencë në QSUT.

 

Gjendja e bebes, në kushtet e dekompesimit kardiak akut, ka kërkuar ndërhyrje të menjëherëshme, operacion i realizuar nga kardiokirurgët e Shërbimit Altin Veshti, Arben Baboci dhe Kardio-Anestezistët Saimir Kuci, Alfred Ibrahimi dhe Merita Zeka. “Operacioni kaloi me sukses të plotë, bebja bëri dekurs të mirë post operator dhe aktualisht është trasferuar në Shërbimin e Pediatrisë në gjendje të mirë shëndetësore” – shprehen të kënaqur mjekët e Shërbimit.

 

Suksesi i këtij operacioni ka përcaktuar mbijetesën e foshnjes. Bashkëpunimi që QSUT ka me QKUK Prishtinë, falë përkushtimit dhe profesionalizmit të të gjithë ekipit mjekësor ka sjellë ndërvite trajtimin dhe kurimin e suksesshëm të mbi 100 fëmijëve të diagnostikuar me probleme kardiake.

Posted in Lajme by admin qsut