Konferenca e 7-të Kombëtare e Shoqatës Shqiptare të Psikiatrisë

27/06/2014

Në datat 27 dhe 28 Qershor 2014 u zhvillua Konferenca e 7-të Kombëtare e Shoqatës Shqiptare të Psikiatrisë (SHSHP) në bashkëpunim me Shërbimin e Psikiatrisë, QSU “Nënë Tereza”, Tiranë.

Në këtë konferencë u sigurua një përditësim i përgjithshëm mbi të rejat më të fundit në Psikiatri dhe Shkencat e tjera mjekësore në lidhje me çrregullimet e shëndetit mendor.

I ftuar nderi dhe ‘key note speaker’ ishte Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Botërore të Psikiatrisë (anëtare e së cilës është dhe SHSHP), Levent Küey, me ekspertizë të gjerë si klinicist, lektor dhe studiues. Interesat e tij studimore dhe ekspertiza e tij shtrihet tek çrregullimet depresive dhe të ankthit, tek epidemiologjia psikiatrike, si dhe sistemet e klasifikimit.

Boshti qendror i konferencës ishte bashkë ekzistenca (komorbiditeti) e dy ose më shumë sëmundjeve psikiatrike, apo atyre psikiatrike dhe sëmundjeve të përgjithshme, shkak i të cilit është marrja me vonesë ose jo e saktë e shërbimit të specializuar mjekësor dhe psikiatrik.Tematika ishte e shumëllojshme dhe me prezantime të studimeve më të fundit të literaturës shkencore apo punimeve studimore origjinale të prezantuesve.

Ekspertë të fushave të ndryshme mjekësore ishin të ftuar në konferencë për të ndarë së bashku njohuritë dhe përvojën e tyre, si dhe për të kuptuar më mirë fushat e bashkëpunimit me psikiatrinë jo më si një nevojë por si një domosdoshmëri.

Kjo konferencë është fillimi i një bashkëpunimi të suksesshëm dhe sfidues në rrugën e gjatë dhe të vështirë të çrrënjosjes së një mentaliteti stigmatizues dhe aspak ndihmues për individët që vuajnë nga problemet e shëndetit mendor.

Posted in Lajme by admin qsut