Shërbimi i Kirurgjisë Vaskulare

Rreth Nesh


Shërbimi i Kirurgjisë Vaskulare është një ndër shërbimet terciare në QSUT, unikal për gjithë vendin.  

Fillimet e këtij specialiteti janë në vitet ’70 në Klinikën e Parë Kirurgjikale, kur ekipi i drejtuar nga Prof. Petrit Gaçja eksperimentoi dhe më pas praktikoi operacionet e para në Shqipëri për patologjitë kardio – vaskulare.

Nga ky ekip, në vitet ’80, u krijua njësia e parë e kirurgjisë vaskulare e përbërë nga Dr. Abdi Bala dhe Dr. Edmond Kapedani, të cilët kryen me kurajë dhe sukses një gamë të gjerë të operacioneve vaskulare.

Në vitet ’90 ekipi u rrit në numër dhe në vitin 1996 krijohet Klinika, e më pas Shërbimi i Kirurgjisë Vaskulare, me shef  Prof. Edmond Kapedani, i cili me  drejtimin profesional dhe pedagogjik  rinovoi gradualisht stafin e kirurgëve duke bërë të mundur ndryshimin pozitiv të gamës, sasisë dhe cilësisë së trajtimeve dhe operacioneve vaskulare.

Shërbimet e Ofruara

Aktiviteti kirurgjikal i planifikuar është përqendruar tek patologjitë arteriale duke pasur përparësi aneurizmat e aortës abdominale dhe ato periferike, stenozat kritike të arterieve karotide, si dhe suklavia dhe arteriopatitë okluzive të aortës abdominale dhe të arterieve periferike.

Urgjencat vaskulare trajtohen 24 orë në 7 ditë, sepse patologji të tilla si aneurizmat e aortës abdominale të rupturuara me shok hemorragjik, ishemia akute e anësive, rupturat dhe trombozat e fistulave arterio-venoze dhe trombozat akute masive të venave të thella kanë prioritet absolut për shkak të përqindjeve të larta të ndërlikimeve dhe të vdekshmërisë.

Njëkohësisht vazhdon praktikimi i fistulave arterio-venoze primare ose me graft për hemodializë te pacientët me insuficiencë renale kronike dhe trajtimi i venave varikoze primare të ndërlikuara me tromboflebit dhe me ndryshime trofike deri në ulcera venoze.

Stafi i shërbimit është përgatitur për trajtimin endovaskular të disa patologjive arteriale, ku me përparësi janë diseksioni akut tip B i aortës torakale, këmba diabetike dhe okluzionet e shkurtra të anësive inferiore.

Oraret e vizitave nga kirurgët janë si më poshtë:

Mjeku Ditët Orari
 
Dr. Petrika Gjergo E Hënë 10:00-13:00
Dr. Denis Kosovrasti E Martë 10:00-13:00
Prof. Asc. Edmond Nuellari E Mërkurë 11:00-13:00
Dr. Marsela Sopiqoti E Enjte 10:00-13:00
Prof. Sokol Xhepa E Enjte 10:00-13:00
Dr. Albana Kenga E Premte 10:00-13:00

Gjej shërbimin në hartë: