Konferenca e 62-të e Përgjithshme e Agjensisë Ndërkombëtare Atomike dhe Energjitike (IAEA)
25/09/2018
Si cdo vit, edhe këtë shtator në ambjentet e Agjensisë Ndërkombëtare Atomike dhe Energjitike (IAEA) në Vienë u mblodhën përfaqësues nga të gjitha vendet e botës në Konferencën e 62 të Përgjithshme. Shqipëria u përfaqësua në eventin me temë “Delivering Results Against Cancer — Together we can make a change in fighting cancer” nga Zv. Drejtoresha e Përgjithshme e QSUT, Dr. Daniela Nika.
Gjatë fjalës së saj ajo i vuri theksin ndryshimeve të mëdha pozitive të bëra në fushën e Radioterapisë dhe Mjeksisë Nukleare në QSUT. Ajo tha se “Ne bashkërenduam fondet e vëna në dispozicion nga Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me mbështetjen teknike dhe financiare të IAEA për të fuqizuar njësinë e radioterapisë pranë Spitalit Onkologjik. Pas instalimit të Linac-ut të ri, që është një standart i artë për Radioterapinë dhe trajnimit intensive të ekipit multidisiplinar të kësaj njësie (mjekë, fizikantë, teknikë dhe specialist të mbrojtjes nga rrezatimi) tashmë është e mundur që të trajtohen në mënyrë bashkëkohore, me më shumë saktësi dhe më pak efekte anësore mbi pacientin, më shumë se 1300 pacientë në vit duke mundësuar kështu reduktimin e rradhëve të pritjes.”
Në sajë të mbështetjes shumë vjecare të IAEA, tashmë QSUT ka një flotë të plotë për trajtimin me rrezatim në doza të larta për të “vrarë” tumorin tek pacientët me disa lloje kanceri: dy aparaturat e reja të akseleratorit linear në spitalin onkologjik, akseleratorin linear në spitalin e Neuro-Shkencës dhe aparaturën e Cobalto-terapisë. Kjo është një erë e re në trajtimin e pacientëve me kancer dhe priten rezultate shumë të kënaqshme për mbijetesën e pacientëve tanë.