04/12/2017

Një pajisje unikale diagnostikuese e teknologjisë së re, e vetmja e këtij lloji në Shqipëri, është instaluar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Pajisja SPECT CT do të ndryshojë tërësisht mënyrën e egzaminimit të tumoreve që në stade të hershme, duke rritur maksimalisht saktësinë e diagnozës për pacientët që vuajnë nga sëmundjet tumorale. Kjo pajisje do të përdoret edhe për diagnostikimin e një grup sëmundjesh në shërbimin e Urologjisë, Neurologjisë, Kardiologjisë, Endokrinologjisë etj.

Znj. Ogerta Manastirliu, ministër i Shëndetësisë, pa nga afër investimin e ri në këtë Qendër, e shoqëruar nga drejtori i Përgjithshëm i QSUT-së z. Enkelejdi Joti si dhe profesorët, shefat e shërbimeve të Neurologjisë, Urologjisë, Kardiologjisë, Nefrologjisë, Interne, etj.

“Mbetet një ndër prioritetet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë shqiptare fuqizimi i spitaleve tona me pajisje të teknologjisë së lartë, të cilat ndihmojnë në përmirësimin e cilësisë të shërbimeve mjekësore. Në fakt, vetëm për QSUT-në në këto katër vite janë investuar rreth 2.5 milionë euro në pajisje mjekësore dhe sot i shtohet gjithë flotës së pajisjeve bio-mjekësore kjo aparaturë e re.

Aparatura e Spect-CT, e cila është një aparaturë unikale, e teknologjisë së lartë, jo vetëm në spitalet tona publike, por dhe në ato private. Pra është e vetmja aparaturë sot në Shqipëri e cila, ndihmon në diagnostikimin e hershëm por gjithashtu dhe në ndjekjen e pacientëve mbas diagnostikimit”- u shpreh znj. Manastirliu, ministër i Shëndetësisë.

 

Posted in Lajme by admin qsut
14/11/2017

Këshilla nga Prof. Florian Toti, mjek endokrinolog në QSU “Nënë Tereza”

Diabeti është një sëmundje kronike, e cila ka lidhje me mungesën e funksionit të pankreasit. Pankreasi ose nuk e prodhon fare insulinën ose e prodhon më pak se ç’duhet ose jo në momentin e duhur, apo nuk arrin ta bëjë prodhimin tamam dhe quhet insulino-rezistenca.

Kemi dy tipe diabeti diabeti Tip 1 dhe diabeti Tip 2. Diabeti Tip 1 zakonisht shfaqet në moshat e reja madje edhe tek fëmijët prandaj është cilësuar edhe si diabeti i të rinjve. Në këtë tip diabeti ndodh një shkatërrim i qelizave beta të pankreasit, të cilat prodhojnë insulinën dhe këto persona kanë nevojë për gjithë jetën për trajtim me insulinë.

Diabeti Tip 2 që shpesh quhet diabeti i të rriturëve por që ka filluar të prekë edhe moshat e reja dhe fëmijët, ndodh atëherë kur ka një mungesë relative të insulinës, ku insulina më tepër nuk arrit të bëjë siç duhet punën e saj dhe që mund të trajtohet me dietë, aktivitet fizik si dhe me medikamente të ndryshme.

Nisur nga këto tipe diabeti dhe grupmoshat që ato kapim, në diabetin Tip 1 nuk kemi shumë në dorë për ta parandaluar dhe nuk mund të përcaktohet një kategori e caktuar njerëzish si më të riskuar. Më të rrezikuar këtu janë ata që kanë familjarët me diabet, pra faktori trashëgimi. Ndërkohë diabeti Tip 2 përbën edhe pjesën më të madhe, me gati 90% të rasteve me diabet. Ky tip diabeti fillon zakonisht pas moshës 40 vjeçare, por sot po e hasim edhe në moshat 20 vjeçare apo pediatrike. Faktorët që ndikojnë në këtë tip diabeti janë anamneza pra histori familjare me diabet, njerëzit që bëjnë jetë sedentare pa aktivitet fizik, njerëzit që vuajnë nga obeziteti, gratë të cilat kanë lindur fëmijë më peshën mbi 4 kg ose që kanë pasur diabet gjatë shtatëzënisë, njerëzit që kanë hipertension, dislipidemi etj. Ky është një grup shumë i madh njerëzish të rrezikuar, të cilët duhet të bëjnë kujdes dhe duhet të kontrollohen herë pas here, për të ditur se në çfarë nivelesh e kanë sheqerin.

Rëndësia e diagnostikimit

Diabeti përveçse është sëmundje kronike, hyn tek ato sëmundje që quhen sëmundje të heshtura dhe është shumë i rëndësishëm ekzaminimi i vazhdueshëm për ta parandaluar apo kapur sëmundjen në fazat e hershme të saj, pra kur sëmundja është në stadet e prediabetit. Në këto faza të para mjekimi është shumë më i thjeshtë dhe mund të parandalohen ndërlikimet kronike të diabetit. Diabeti është sëmundje pa shenja të dallueshme.

Në kushte normale, një njeri që nuk ushqehet shëndetshëm; që nuk kryen aktivitet fizik; është mbipeshë apo ka hipertension, duke filluar nga mosha 30-35 duhet të bëjë matje të sheqerit esëll në mëngjes, të paktën 1 herë në vit.

Sot kemi më shumë njerëz të sëmurë me diabet sesa disa vite më parë dhe këtu ndikojnë shumë faktori siç janë: plakja e popullatës dhe këtë e tregon % shumë e lartë e të sëmurëve me diabetin tip 2 që fillon zakonisht në moshat mbi 40 vjeç; stili i jetesës ku njerëzit bëjnë më pak punë/aktivitet fizike; mënyra jo e shëndetshme e ushqyerjes dhe sigurisht një jetë më stresante. Të gjithë këta faktor nuk ndikojnë vetëm në shfaqjen e diabetit por edhe në sëmundjet e tjera kronike si dislipidemitë, hipertensioni, obeziteti, të cilat marrin shpesh emrin Sindroma Metabolike, ku këto sëmundje shfaqen në grup.

Simptomat

Diabeti nuk ka dhimbje, por në mënyrë të heshtur mund të shkaktojë shumë dëmitime në organizëm. Gjithsesi ka disa shenja të cilat nëse shfaqen duhet të na lajmërojnë për nevojën për kontroll, siç janë:

  • etja e shtuar (pa shkak)
  • urinimi i shpeshtë
  • rënie graduale në peshë
  • infeksionet e shpeshta tek femrat etj

Diabeti është një sëmundje me kosto të madhe ekonomike, ku jeta e një personi me diabet është 30% më e shtrenjtë sesa një njeri i shëndetshëm. Diabeti ka gjithashtu një kosto të madhe sociale pasi, sidomos në rastin e fëmijëve, ata me diabet kanë nevojë për një kujdes të vazhdueshëm. Gjithashtu diabeti ka edhe një kosto shumë të lartë shëndetësore pasi përveç problemeve të tij, diabeti ka edhe ndërlikime të tjera kronike. Ai mund të prekë shumë organe. Mund të prekë sytë, duke çuar në dëmtim të shikimit deri në humbje të plotë të tij nga retinopatia diabetike; mund të preki veshkën ku një pjesë e mirë e të sëmurëve me dializë janë edhe si pasojë e diabetit, nga nefropatia diabetike; mund të prekë enët e gjakur duke shkaktuar sëmundje ishemike të zemrës, infarkt miokardi, aksidente cerebrovaskulare, dëmtime të qarkullimit të gjakut, plagë diabetike. Të gjitha këto komplikacione mund të vijnë nga një diabet i padiagnostikuar në kohë, i patrajtuar në kohë, i pandjekur rregullisht dhe i pa mbajtur nën kontroll.

Këshilla për pacientët

Si njerëzit që vuajnë nga sëmundja e diabetit ashtu edhe ata që janë të shëndetshëm duhet t’i ndjekin këshillat në mënyrë që të parandalojnë këtë sëmundje. Këshillat janë shumë të thjeshta dhe kanë të bëjnë me bërjen e një stili të shëndetshëm jetese:

  • Të konsumohet ushqimi në sasi të vogla, ku të konsumohen më pak karbohidrate (buka apo drithrat) dhe mishi, ndërkohë të konsumohen më tepër perime dhe zarzavate.
  • Duhen konsumuar të tre vaktet kryesore dhe dy vakte të ndërmjetëm të vegjël. Duhet theksuar këtu se nuk duhet hequr asnjë vakt.
  • Shtim i aktivitetit fizik. Nëqoftëse ecim të paktën 45 min çdo ditë mund të paradalojmë të paktën 30% të rasteve me diabet.
  • Kontroll i peshës trupore, mos të kalohet në mbipeshë.

Ndërkohë për personat me diabet, përveç këshillave të mësipërme të cilat vlejnë për të gjithë, janë edhe këshillat e mëposhtme:

  • Të evitojnë sa më shumë të jetë e mundur sheqernat e thjeshta si ëmbëlsirat, pijet e ëmbla, sheqeri dhe në çdo vakt duhet që gjysmën e volumit të ushqimit ta përbëjnë zarzavatet jeshile. Zarzavatet jeshile kanë dy funksione: e para mbushin volumin e stomakut pra pakësojnë ushqimin e vërtetë që ne marrim dhe e dyta duke krijuar një veshje të stomakut bëjnë që edhe ushqimet e tjera si buka, orizi, makaronat të cilat rrisin sheqerin të treten më ngadalë dhe si pasojë ndjenja e urisë vjen më vonë dhe niveli sheqerit ngrihet më pak.
  • Pakësim i yndyrnave të ngopura me origjinë shtazore, duke qenë se diabeti predispozon për artereoskleroz, pra bllokim të enëve të gjakut.
  • Konsumi i 2-3 kokrra frutave në ditë, duke pasur parasysh edhe sasinë e tyre që kokrrat e frutave mos të jenë më të mëdha se 100-150 gr deri në 200gr/secila.
  • Ndërkohë frutat që quhen shumë të ëmbla siç janë banania, fiku, rrushi, hurma, dardha është mirë të përdoren sa më rrallë që të jetë e mundur. Më të këshillueshme janë mollët, portokallet, mandarinat, kivi dhe frutat e tjera të stinës.
Posted in Lajme by admin qsut
10/11/2017

Në Shërbimin e Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, janë kryer dy intervente shumë të vështira, të realizuara me sukses nga mjekët e këtij shërbimi. Falë këtyre ndërhyrjeve të kryera me emergjencë, u arrit shpëtimi i jetës së dy pacientëve të mbërritur në gjende shumë të rëndë të diagnostikuar, njëri me disekim aorte dhe pacienti tjetër me defekt interventrikular si pasojë e infarktit akut të miokardit.

Disekimi i aortës, i njohur ndryshe edhe si çarje e aortës së zemrës, është një diagnozë shumë e rrallë, por me vdekshmëri shumë të lartë. Ajo prek afërsisht 3 në 100 mijë njerëz dhe gjysma e pacientëve humbin jetën brenda 3 ditëve, nëse nuk ndërhyet. Defekti interventrikular është çarje e septumit (shtresës muskulare) që ndan dy ventikujt. Ai është një komplikacion mekanik i infarktit të miokardit, gjithashtu me vdekshmëri shumë të lartë.

Simptomat e këtyre diagnozave, kryesisht në disekimin e aortës janë dhembja në gjoks, e cila është e fortë dhe e menjëhershme. Dhembja mund të shoqërohet me vështirësi në frymëmarrje dhe mund të përhapet në shpatulla e shpinë, si pasojë e shtrirjes së disekimit.

Në Shërbimin e Kardiokirurgjisë në QSU “Nënë Tereza” raste të tilla janë të rralla. Gjatë një viti mund të paraqiten rreth 10-15 raste me disekim aorte. Ndërkohë rastet me defekt intraventrikular janë edhe më të rralla, me 2-3 raste në vit, pasi pjesa më e madhe si pasojë e rëndesës së sëmundjes, nuk arrijnë në spital ose në sallë të operacionit.

Të dyja këto ndërhyrje shumë të vështira, u realizuan në emergjencë dhe me shumë sukses nga D.SH.M Andi Kacani, mjek kardiokirurg dhe stafi i mjekëve anestezistë dhe reanimatorë të Shërbimit të Kardiokirurgjisë. Ndërhyrjet konsistuan në zëvendësimin e pjesës së çarë të aortës, në rastin me disekim aorte dhe në riparimin e septumit të zemrës me protezë dhe realizimin e by-pass për furnizimin e zemrës me gjak, në rastin e defektit ventrikular.

Për të gjithë pacientët që kalojnë ndërhyrje kaq të vështira, mjekët tanë rekomandojnë që pas operacionit, të mbahet një regjimi i shëndetshëm ushqimor dhe të ushtrohet aktivitet fizik i kujdesshëm i cili është i domosdoshëm. Më i rëndësishëm është gjithsesi parandalimi, jo vetëm i këtyre sëmundjeve por dhe i sëmundjeve bazë të tyre, të cilat janë shkaktarët kryesorë. Të sëmurët kronikë kardiakë dhe jo vetëm ata, por të gjithë njerëzit duhet të jenë të kujdesshëm me regjimin ushqimor; të jenë të kujdesshëm në trajtimin e tensionit të gjakut, diabetit dhe sigurisht duhet shmangur alkooli dhe duhani.

Posted in Lajme by admin qsut
30/10/2017

 

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është një partnere e denjë e spitaleve universitare më të mira të botës, si ato të niveleve të Universitetit të Oxfordit. Së fundmi Shërbimi i Sëmundjeve Infektive në QSUT, është duke marrë pjesë në një studim shumë të rëndësishëm të Univerisitetit të Oxfordit, ku edhe u çertifikua me sukses për rezultatet e arritura gjatë fazës së parë të këtij studimi. Ky studim ka katër faza dhe kjo fazë e parë është shumë e rëndësishme, pasi ishte një testim për Shërbimin e Infektivit, nëse do të mund të ishte partner i denjë i Universitetit të Oxfordit, për të vazhduar edhe me fazat e tjera të këtij studimi.

Ky studim ka si objektiv sëmundjet infektive virale akute, të shkaktuara nga një sër virusesh që janë prezentë në Shqipëri. Gjatë fazës së parë, duhet të plotësoheshin disa kritere që ishin të lidhura kryesisht me kapacitet për ta zhvilluar këtë studim. Një pjesë e mirë e mjekëve të këtij shërbimi i janë nënshtruar trajnimeve në disa vende partnere të të njëjtit universitet dhe në fund të monitorimit të vitit të parë të studimit u përfitua çertifikata, e cila dëshmon se Shërbimi i Sëmundjeve Infektive në QSUT i ka të gjitha kapacitetet për të realizuar studime klinike apo edhe të thelluara shkencore në fushën e evidentimit të sëmundjeve infektive apo efikasitetit të antimikrobikëve mbi sëmundjet infektive etj.

Çertifikata e sapomarrë ishte një sfidë që ekipi i mjekëve të Shërbimit Infektiv në QSUT mundi ta kalonte me shumë sukses. Studimi është ndërmarrë në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik. Në vazhdim, po nga Universiteti i Oxfordit, pritet një tjetër ofertë për të qenë partnerë të një studimi shumë të rëndësishëm europian për çertifikimin e disa medikamenteve të reja, të cilat priten të futen në praktikën e përditshme klinike, për të qenë në shërbim të pacientëve.

Posted in Lajme by admin qsut
27/10/2017

Këshilla për pacientet

Nga Prof.Ass. Dhurata Tarifa, mjeke onkologe
Në repartin e Kemioterapisë në spitalin Onkologjik në QSUT, pacientja vjen pasi rasti është analizuar në stafin multidisiplinar të këtij shërbimi dhe i është vendosur diagnoza. Sa më herët të kapet sëmundja aq më herët fillon edhe kurimi. Pas ciklit të tretë të trajtimit me kemioterapi, bëhet edhe rivlerësimi i gjendjes shëndetësore të pacientes me qëllim për të vendosur nëse do të vazhdohet më tej me këtë skemë mjekimi apo duhet ndryshuar. Nga eksperienca jonë, të dhënat për ecurinë e sëmundjes së kancerit të gjirit tek gratë e diagnostikuara në faza të hershme, janë më pozitive.

Për pacientet e prekura nga kanceri i gjirit ka një optimizëm vitet e fundit në drejtim të mbijetesës, kjo si rezultat i dy faktorëve më të rëndësishëm që janë: së pari, diagnoza në stade më të hershme të paraqitjes së pacienteve. Së dyti, zhvillimet e trajtimeve të personalizuara. Diagnoza më e hershme është si pasojë e dy faktorëve: rritjes së ndërgjegjësimit të grave dhe zhvillimet e imazherive që diktojnë tumoret në stade shumë të hershme. Në mbijetesën e rritur të pacienteve me kancer të gjirit, ndikon edhe zhvillimi i trajtimeve të personalizuara, të cilat përcaktohen nga të dhënat e laboratorëve morfologjikë, imunohistokimikë dhe ato molekulare, të cilat japin të dhëna prognostike mbi natyrën e tumorit dhe shkallën e agresivitetit të tij. Të gjitha këto kanë rezultuar në një ulje të vdekshmërisë me 40% krahasuar me vitet 80-90.

Çfarë është Kemioterapia?
Kemioterapia është trajtim medikamentoz sistemik i kancerit që ka për qëllim:

  • të eleminojë qelizat kanceroze që qarkullojnë me anë të gjakut
  • të reduktojë dimensionin e tumorit para interventit kirurgjikal
  • të mjekojë një kancer të avancuar
  • të qetësojë simptomat e një kanceri të caktuar.

Përpara fillimit të trajtimit me kemioterapi, pacientja, sipas diagnozës që ka, merr një informacion të detajuar rreth trajtimit të cilit do t’i nënshtrohet. Theksohet këtu, se trajtimi i specializuar kërkon një bashkëpunim shumë të ngushtë me pacienten, pasi ai ndryshon sipas rastit. Mjeku i bën të qartë pacientes efektet anësore të mundshme të terapisë të cilat mund të evidentohen ose jo, gjatë trajtimit por pacientja duhet t’i dijë. Gjithashtu sipas rastit të pacientes, mjeku rekomandon edhe dietat që duhet të ndjekë pacientja, kryesisht pas marrjes së trajtimit. Përpara marrjes së trajtimit të çdo forme, pacienti pajiset me ekzaminimet e gjakut dhe ato imazherike (mamografi, rezonancë magnetike etj) të nevojshme sipas këshillimit të mjekut specialist.

Kohëzgjatja e Kemioterapisë
Koha e marrjes së një seance kemioterapie është e ndryshme, në varësi të skemave dhe varion nga 1 orë deri 48 orë. Ndërkohë edhe intervali i marrjes së terapisë varion nga 1 javë në 28 ditë edhe kjo në varësi të skemave të ndryshme në tumorë të ndryshëm. Kohëzgjatja e këtij trajtimi mund të jetë përgjithësisht nga 4 deri në 6 muaj, periudhë gjatë të cilës kryhen nga 3-4 deri në 6-8 cikle trajtimi. Gjithsesi, trajtimi mund të ndryshojë në varësi të diagnozës, pacientit dhe llojit të mjekimit individual.

Si kryhet Kemioterapia dhe efektet anësore të saj
Kemioterapia merret me rrugë të ndryshme si: rruga orale, intramuskulare, intravenoze apo intrakavitare në hapësirat e trupit siç është ajo e barkut.

Efektet anësore të saj grupohen në efekte anësore të përgjithshme dhe specifike. Ndër efektet anësore të përgjitshme, të cilat ndodhin pothuajse në të gjithë pacientet janë: të përzierat, të vjellat, rënia e flokëve, dëmtimi i palcës së kuqe të kockave etj. Ndërkohë efektet anësore janë specifike, në varësi të organeve dhe sistemeve që ato kanë topizëm të dëmtojnë. Përpara fillimit të trajtimit, pacientja informohet nga mjeku specialist kemioterapeut për efektet e mundshme të pritshme ose jo, që mund të ndodhin pas marrjes së trajtimit, në të gjitha format e aplikimit.

Këshillat për pacientet
Këshillat pacientes i rekomandohen nga mjeku specialist dhe duhet të themi se ato janë specifike në paciente të ndryshëm dhe varen nga dy faktorë shumë të rëndësishëm që janë: lloji i skemës së mjekimit e cila mund të jetë e thjeshtë e moderuar apo e vështirë si dhe performanca e pacientes gjatë dhe pas mjekimit, pra si reagon pacientja ndaj terapisë. Konkretisht mjeku e udhëzon pacienten për kujdesin në dietë që ajo duhet të ketë apo aktivitetin fizike që duhet të kryejë gjatë ditëve të pushimit, si edhe gjatë ditëve të terapisë dhe më pas. Këto këshilla janë të ndryshme në pacientë të ndryshëm. Pacientet që kanë performacë shumë të mira mund të vazhdojnë të bëjnë një jetë normale, të ushqehen dhe të kryejnë aktivitet fizik si çdo njeri tjetër. Ndërkohë gjatë ditëve të terapisë pacientet këshillohen të konsumojnë sa më shumë lëngje, të ushqehen me një dietë me sa më pak apo pa yndyrna shtazore, por të pasur me perime dhe frutat e stinës si dhe të kryejnë një aktivitet normal. Pacientet me një performancë jo të mirë duhet të këshillohen vazhdimisht me doktorin e tyre pasi këshillat janë shumë specifike dhe të ndikuara nga shumë faktorë, psh në varësi të mjekimit që marrin një pjesë e pacienteve këshillohen mos të ekspozohen ndaj të ftohtit apo diellit pasi ky i fundit mund të krijohen komplikacione në lëkurë. Pacientet që shfaqin probleme me veshkat, gjatë terapisë, këshillohen të konsumojnë sa më shumë lëngje. Pacientet me performancë jo të mirë nuk duhet të sforcohen fizikisht si dhe të duhet të ndjekin një dietë të shëndetshme, siç u fol më sipër.

Ecuria e kontrolleve
Edhe gjatë kryerjes së kemioterapisë është e nevojshme bërja e ekzaminimeve laboratorike dhe imazherike. Konkretisht midis dy cikleve kemioterapi bëhen ekzaminimet laboratorike pra një analizë gjaku e thjeshtë, pasi ndodh një ulje e rruazave të bardha të gjakut. Ndërkohë pasi disa ciklesh, në varësi të skemës së mjekimit të pacientes, bëhen ekzaminimet vlerësuese të sëmundjes që janë markusët tumoral dhe ekzaminimet imazherike, sipas rastit. Ndërkohë pasi përfundon gjithë protokolli i terapisë, pacientja kontrollohet gjatë vitit të parë dhe të dytë pas terapisë, çdo 3-4 muaj. Gjatë vitit të tretë dhe të katërt kontorollet bëhen çdo 6 muaj dhe pas vitit të pestë, një herë në vit. Gjatë kontrolleve pacientja duhet të bëjë analiza gjaku, eko, mamografi apo rezonancë, sipas protokollit mjekësor që i kërkon mjeku kurues.

Posted in Lajme by admin qsut
24/10/2017

Dr.Adrian Hoti, Shërbimi i Imazherisë në QSUT

Pjesë e rëndësishme e Fushatës Sensibilizuese në Luftën kundër Kancerit të Gjirit është diagnostimit i tij në fazat fillestare. Për këtë një rëndësi të veçantë merr njohja e metodave diagnostikuese, duke filluar nga ekzaminimi fizik e deri te ato imazherike. Dr. Adrian Hoti, mjek në Shërbimin e Imazherisë në QSUT, jep informacionin e nevojshëm dhe mesazhin e tij në kuadër të Tetorit Rozë.

Ekzaminimi fizik

Ekzaminimi i gjirit fillon me një ekzaminim fizik, nëpërmjet shikimit dhe prekjes së gjirit, me anë të cilave synohet të identifikohen gjendra apo struktura të tjera të mundshme asimetrike. Pas kësaj, nëse dalin dyshime apo shihet e nevojshme, pacienti dërgohet në repartin e imazherisë ku fillojnë ekzaminimet imazherike. Këto ekzaminime kryhen sipas moshës së pacientit. Për pacientet para moshës 35-40 vjeç është e përshtatshme kryerja e ekografisë, ndërkohë për pacientet mbi këtë moshë fillohet direkt me ekzaminimin e mamografisë. Eko dhe mamografia janë ekzaminime bazike standarde për gjirin, më pas sipas rastit vazhdohet me ekzaminimet e tjera shtesë, si citologjia nën eko apo rezonanca magnetike.

Eko dhe Mamografia

Aplikimi te një pacient i eko-s apo i mamografisë është i lidhur me strukturën e gjirit. Gjiri duke qenë një organ në ndryshim të vazhdueshëm gjatë gjithë jetës së femrës, sipas strukturës së tij përcaktohet se cili ekzaminim do të përdoret. Ndryshimi i strukturës së gjirit fillon nga 35 vjeç për femrat që kanë lindur dhe nga 40-45 vjeç për femrat që nuk kanë kryer lindje, deri në këtë moshë. Ekografia është një ekzaminim bazë që kryet nga vet mjeku dhe interpretohet në kohë reale në prani të pacientit. Ajo është e pazëvendësueshme si ekzaminim te moshat e reja, por mund të kryet në çdo moshë. Te femrat në moshë të re, gjiri ka një strukturë gjendërore dhe me një ekzaminim mamografik nuk është e mundur të dallohet patologjia. Ndërkohë tek femrat mbi 40 vjeç apo tek femrat mbi 35 që kanë kryer lindje, struktura e gjirit ndryshon duke ulur volumin e strukturës gjendërore dhe duke shtuar indin dhjamor. Prezenca e indit dhjamor, nëpërmjet mamografisë lejon identifikimin e patologjive. Mamografia është medotë diagnostikimi që realizohet nga makineria dhe tekniku dhe më pas interpretohet nga mjeku. Faza e interpretimit mund të kryhet edhe pa prezencën e pacientit, ndryshe nga eko.

MRI (rezonanca magnetike)

Rezonanca magnetike është një ekzaminim shumë i rëndësishëm por specifik, pra nuk kryhet si ekzaminim rutinë te të gjitha femrat, por vetëm në ato raste ku me ekzaminimet e para që përmendëm nuk është arritur në një konkluzion të përshtatshëm. Përshembull, rezonanca kryhet nëse shikojmë një paketë gjendrash tumorale nën sqetull dhe dyshimi është që mund të vijë nga gjiri, por nëpërmjet ekografisë dhe mamografisë nuk kemi konstatuar masë. Rezonaca magentike kryhet edhe në rastet kur në gjirin e gruas është gjetur një vatër fillestare e tumorit dhe do kryhet një ndërhyrje kirurgjikale. Në këtë rast kirurgut i duhet të përjashtojë mundësinë e ekzistencës së ndonjë mase të dytë në atë gji apo në gjirin tjetër. Rasti tjetër për kryerjen e rezonancës magnetike është kur kemi paciente të reja në moshë, te të cilat dyshojmë për kancer gjiri apo që kanë histori familjare të kancerit të gjirit. Në këto raste, te femrat e reja në moshë, ku mamografia nuk na jep të dhëna, duhet të përdorim rezonancën magnetike.

Tek ekzaminimet e tjera imazherike përfshihen edhe ato që quhen intervencionuese dhe që janë citologjia dhe biopsia e kryer në rrugë imazherike. Citologjia është marrja e disa qelizave të shkëputura nga indi tumoral por që kryhet nën ekografi. Kurse biopsia është marrja e copave të indeve nën ekografi, mamografi apo rezonancë. Në rastet kur masa tumorale është shumë e vogël, realizohet edhe heqja e masës njëkohësisht në rrugë imazherike si edhe bipsia e saj. Gjatë ekografisë apo mamografisë, futet një fill metalik në mesin e masës, të cilën kirurgu e përdor për të ndjekur drejtimin për heqjen e masës.

Ekzaminimet post kirurgjikale

Ekzaminimi kryesor postkirurgjikal, te një femër që ka pasur kancer të gjirit është sërisht ekografia, sepse shikon çdo pikë të gjirit, studion mire aksilën (gropën e sqetullës), studion mirë të gjitha vendet e mundshme apo të pritshme të rikthimit të sëmundjes. Duke iu referuar moshës së femrës, për moshat e reja sërisht është eko ekzaminimi bazë, ndërkohë mamografia kthehet në një ekzaminim standard në moshat më të mëdha ashtu sikundër përmendëm më lart. Mamografia në këtë fazë postkirurgjikale kryhet një herë në vit dhe ndërmjet mamografive kryhen ekografi me shpeshtësi çdo 3 muaj vitin e parë dhe çdo 6 muaj vitin e dytë kur ecuria e pacientit është e mirë. Lidhur me aplikimin e rezonancës magnetike pas kryerjes së kirurgjisë, mund të themi se ajo aplikohet më tepër për të monitoruar mundësinë e rikthimit të sëmundjes, në një kohë kur me anë të eko-s apo mamografisë nuk arrijmë ta verifikojmë, por kemi të shfaqur një zonë inflamatore. Nga ana tjetër rezonanca është një anë shumë e rëndësishme për të parë sesi i përgjigjet pacienti terapisë, në rastet kur nuk është kryer ndërhyrje kirurgjikale për të hequr tumorin, por është kryer kimioterapi apo/dhe radioterapi. Zona që pëson rrezatimin mund të kthehet në një zonë fibroze dhe në këtë rast rezonanca na tregon ndryshimet që shfaqen nga kimioterapia apo radioterapia.

Femrat janë të gatshme të kujdesen për shëndetin e tyre dhe nuk duhet t’i drejtohemi më femrave, por atyre që kanë në dorë për të bërë diçka për t’u kujdesur për jetën e këtyre femrave, që do të thotë se personeli shëndetësor në çdo qendër shëndetësore, poliklinikë, apo spital edhe në skajet më të largëta të vendit, duhet të informojnë femrat për rrezikun që iu kanoset nga diagnostikimi i vonshëm i kësaj sëmundje. Jo vetëm personeli shëndetësor, por edhe mediat, organizatat që mbrojnë të drejtat e grave duhet të kenë në fokusin e tyre të përditshëm dhënien e informacionit për vetkontroll dhe kontrolle të herëpashershme tek mjeku. Këto mesazhe duhet të përcillen në vazhdimësi gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm gjatë muajit tetor. Femrat duhet të kenë informacion dhe spitalet në rrethe duhet të kenë mjetet e nevojshme për t’u diagnostikuar dhe për t’u kuruar. Duhet krijuar një rrjet informativ dhe ekzekutiv i këtij proçesi, në mënyrë që të kemi një diagnostikim sa më të shpejtë të kësaj sëmundjeje.

Posted in Lajme by admin qsut
12/10/2017

Rëndësia e njohjes dhe diagnostikimit të hershëm të artritit

Prof. Argjend Tafaj, mjek reumatolog, QSUT

Artriti paraqet një gjendje shëndetësore që karakterizohet nga dhimbja, në të cilën preken artikulacionet, kockat, ligamentet, tendinat dhe muskujt. Sëmundjet reumatizmale quhen gjithashtu sëmundje muskulo-skeletike. Shumë njerëz përdorin termin artritis, duke iu referuar të gjithë sëmundjeve reumatizmale. Artritis në të vërtetë do të thotë inflamacion i artikulacioneve e cila është simptomë e këtyre sëmundjeve. Artriti në kuptimin e thjeshtë të tij duhet kuptuar si dhimbje, inflamacion dhe dëmtim i artikulacioneve. Në sëmundjet reumatizmale përfshihen rreth 200 patologji të ndryshme, që varijojnë nga llojet e ndryshme të artriteve, te osteoporoza dhe deri te sëmundjet sistemike të indit lidhor.

Fushata Botërore për Artritin

Dita 12 Tetor është Dita Boterore e Artritit, e cila është vendosur që në vitin 1996 dhe mbështetet nga EULAR, i cili është organizmi më i lartë shëndetësor për sëmundjet e reumatizmës. Dita Botërore e Artritit është një iniciativë globale për të ndihmuar të gjithë njerëzit që vuajnë nga këto patologji dhe për t’i sensibiluar ato për t’u përkujdesur për shëndetin e tyre.

Sëmundjet reumatizmale në përgjithësi klasifikohen në inflamatore dhe jo inflamatore.

  • Sëmundjet reumatizmale inflamatore më të shpeshta janë: artriti reumatoid, spondiliti ankilozant, sëmundjet sistemike autoimune të indit lidhor, artriti reaktiv, artriti psoriatik, polimialgjia reumatika.
  • Sëmundjet reumatizmale joinflamatore më të shpeshta janë: sëmundjet degjenerative të kolonës vertebrale, osteoartrit, osteoporoza dhe fibromialgjia.

Sëmundjet reumatizmale prekin ¼ e popullsisë të Europës, rreth 120 milion njerëz. Mund të themi se pothuajse çdo familje në Europë ka një anëtar të saj me sëmundje reumatizmale. Këto sëmundje prekin si meshkuj ashtu edhe femra, të të gjitha moshave përfshirë edhe fëmijët. Megjithatë disa sëmundje reumatizmale janë më të shpeshta në disa grupe të caktuara njerëzish. Femrat janë më të prekura nga sëmundjet e artritit reumatoid, fibromialgjisë, lupusit, ndërkohë që meshkujt janë më të prekur nga spondiloartropatit dhe guta. Sëmundjet reumatizmale janë shkak i parë i paaftësisë së përkohshme për punë dhe invaliditetit të parakohshëm, në mbarë botën. Këto sëmundje kanë koston më të lartë në sistemin socio-ekonomik europian. Këto shpenzime bëhen për diagnozën, mjekimin, barnat, kujdesin, mjetet për invalidët, modifikimet e banesave, për studime shkencore etj. Ulja e aftësisë për punë dhe mungesat në punë, kontribojnë gjithashtu në këto shpenzime. Nëqoftëse nuk mjekohen sëmundjet reumatizmale bëhen shkak për vdekje të parakohshme.

Diagnostikimi

Personat me sëmundje reumatizmale shpeshherë diagnostikohen me vonesë, psh fibromialgjia nuk diagnostikohet në 3 nga 4 të sëmurë dhe diagnoza përfundimtare vendoset mesatarisht pas 5 vitesh të shfaqjes së sëmundjes. Diagnostikimi i hershëm është çelsi i parandalimit të dëmtimeve, por vonesa apo mosdiagnostikimi ndodh shpesh te këta të sëmurë. Nëse këta pacientë nuk mjekohen si duhet aftësitë fizike, cilësia e jetës dhe aktiviteti ditor reduktohen. Për një diagnozë të hershme është e rëndësishme të njihen simptomat e këtyre patologjive. Në shumë raste, sëmundjet reumatizmale mund të jenë të trashëguara, gjithsesi një histori familjare me këtë sëmundje nuk domethënë që patjetër do trashëgohet nga familjarët e tjerë. Këto patologji mund të influencohen nga faktorë që lidhen me stilin e jetesës si psh duhanpirja, mbipesha, jeta sedentare, mosha e rritur, punë të rënda fizike që çojnë në dëmtime të muskujve dhe artikulacioneve. Në mjaft raste shkaqet e këtyre patologjive mbeten të panjohura.

Simptomat dhe mjekimi

Faza e parë në menaxhimin e çdo sëmundjeje është njohja me simptomat dhe ndihma nga mjeku specialist. Inflamacioni në artikulacione karakterizohet nga edema, ngurtësimi, skuqja dhe nxehtësia. Përjetohen dhimbje të vazhdueshme artikulare dhe muskulare, dhimbje që shtohen në prekje apo gjatë lëvizjeve të artikulacioneve, dobësi të theksuar trupore, lodhje të shpejtë, ngurtësim dhe kufizim të lëvizjeve, deformim të artikulacioneve si edhe simptoma të tjera që lidhen me dëmtime të organeve. Ka edhe simptoma të cilat mund të mos vihen re si depresioni dhe ankthi. Në disa raste mund të shfaqet edhe temperaturë. Pas shfaqjes së shenjave të sëmundjeve reumatizmale duhet vlerësimi nga mjeku reumatolog, sa më shpejt për të filluar mjekimin e duhur. Fillimi i hershëm i mjekimit, përkatësisht në 12 javët e para mund të parandalojë dëmtime të organeve dhe të sistemit muskulo-skeletik, të përmirësojë funksionin për kohë të gjatë dhe të arrijë remision të sëmundjes. Mjekimi kërkon një bashkëpunim shumë të ngushtë mjek-pacient, duke u konsultuar me protokollet mjekuese të hartuara për këto patologji, por duke i adaptuar rast pas rasti pacientëve të veçantë. Nuk ekziston një mjekim ose bar i vetëm që të jetë optimal për çdo të sëmurë. Mjaft sëmundje reumatizmale mjekohen me barna të quajtura modifikues të sëmundjes, të cilët veprojnë direkt mbi mekanizmat patogjenetik të këtyre patologjive. Ndryshe nga barnat antiinflamatore, të cilët vetëm reduktojnë simptomat, barnat biologjike janë ato më rezultative midis mjaft alternativave mjekuese. Injeksionet intraartikulare ose në indet e buta, mjekësia alternative, mjekimi me barna natyrale bimore dhe kirurgjia janë opsione të tjera të trajtimit. Rezultatet e mjekimit nuk janë të njëjta por varijonë nga njëri pacient te tjetri.

Këshilla për pacientët

Shumë nga këto sëmundje kanë prejardhje trashëgimie të cilën nuk e ndryshojmë dot, por mund të ndryshojmë stilin e jetesës. Duhet shmangur duhanpirja, duhet kontrolluar pesha fizike e trupit mos të kalohet në mbipeshë, duhet konsumuar një dietë e ekuilibruar, duhet kryer aktivitet fizik. Gjithmonë pacienti paralelisht duhet të jetë edhe nën trajtimin e mjekut specialist.

Posted in Lajme by admin qsut
10/10/2017

Si çdo vit, OBSH dhe Federata Botërore e Shëndetit Mendor organizojnë fushatën sensibilizuese në funksion të një shëndeti mendor sa më të mirë. Këtë vit tema e kësaj fushate është “Shëndeti mendor në ambientin e punës”. Depresioni dhe çrregullimet e ankthit janë çrregullime mendore të zakonshme, që kanë një impakt shumë të rëndësishëm në aftësimin për punë. Sipas OBSH-së, në botë ka më shumë se 300 milion njerëz që vuajnë nga depresioni dhe që njihet si shkaku kryesor i paaftësisë për punë. Më shumë se 260 milion njerëz janë duke jetuar më çrregullime të ankthit, madje shumë prej këtyre njerëzve vuajnë nga të dyja.

Sipas Prof.Ass. Valbona Alikaj, mjeke psikiatre në QSUT, problemi kryesor që po haset sot në të gjithë botën është pikërisht sindromi i burnout-it (ezaurimit). “Është një reagim i zgjatur ndaj stresorëve kronikë emocionalë në punë dhe përcaktohet nga 3 dimensione: të ezaurimit emocional, depersonalizimit (cinizmit) dhe vetpërmbushjes personale të reduktuar (ndjesi jo efikasiteti). Ezaurimi emocional i referohet ndjesisë së të qënurit tepër i shteruar dhe boshatisur emocionalisht. Depersonalizimi karakterizohet nga një reagim negativ, cinik dhe veçues i personave të tjerë, duke përfshirë kolegët dhe pacientët. Mungesa e përmbushjes profesionale shfaqet kur një person ndihet më pak kompetent në punë. Burnout mund të zhvillohet kur kërkesat në punë janë të larta dhe burimet në punë janë të pakta, duke qenë se kushte të tilla negative në punë mund të çojnë në shterim të energjive dhe dëmton potencialin motivacional të punonjësit. Kërkesat e punës iu referohen aspekteve fizike, sociale, psikologjike apo organizative të punës, të cilat kërkojnë përpjekje të mëdha, nga të cilat punonjësi mund të mos jetë i aftë të rikuperohet. Shembuj të tillë përfshijnë ngarkesën e madhe në punë, presionin e kohës, ngarkesën emocionale, ndërveprimin midis problemeve shtëpi-punë. Burimet në punë i referohen aspekteve të punës që janë instrumentale për të arritur synimet e punës, mund të reduktojnë kërkesat e punës dhe të promovojnë rritjen profesionale, të mësuarin dhe zhvillimin.”

Posted in Lajme by admin qsut
06/10/2017

Prof.Ass.Helidon Nina, Shef i Shërbimit të Kirurgjisë në Spitalin Onkologjik në QSUT

Kanceri i gjirit është një tumor malinj i përbërë nga qeliza onkologjike-neoplazike, të cilat kanë tendencën për t’u shumuar në mënyrë të pakontrolluar lokalisht dhe në distancë. Duhet patur shumë kujdes që në diagnostikimin e parë, për të parë drejtimin e tyre. Tumori malinj i gjirit është ndër tumorët më të studiuar dhe më të trajtuar. Gjiri është organ që ndryshon gjatë gjithë jetës së femrës, duke qenë në ndikim të drejtpërdrejtë nga hormonet. Një femër nuk duhet të ketë frikë të përballet me këtë sëmundje, sidomos nëse është në fazat fillestare. Kjo femër ka shumë mundësi të vazhdojë jetën normale, duke u ndjekur nga mjeku. Femrat nuk duhet të stepen për t’u konsultuar me mjekun dhe të shkojnë tek ai në grada të avancuara të sëmundjes. Tumori malinj i gjirit është një ndër patologjitë kryesore që trajtohen në Spitalin Onkologjik në QSUT. Në ditët në vijim do të keni mundësi të lexoni materiale të tjera, që ndihmojnë në diagnostikim e hershëm dhe kurimin e plotë të kësaj sëmundje, ekzaminimet imazherike, eko, mamografi, skaner, radioterapi dhe kimioterapi.

Faktorët që ndikojnë në shfaqjen e tumorit malinj të gjirit
Gjatë viteve të fundit është parë një trend rritës i pacientëve të diagnostikuar me këtë sëmundje, me rreth 550 raste të reja në vit. Statistikat nuk janë të sakta, pasi pacientët nuk vijnë vetëm në spitalin tonë për trajtim, por kurohen edhe në klinika private apo jashtë vendit.

Gjithashtu gjatë viteve të fundit, vihet re tendenca në rritje e moshave të reja të diagnostikuara me tumor malinj të gjirit, përshembull femra të moshës 22 vjeç. Një nga shkaktarët e kësaj sëmundjeje është ndryshimi i stilit të jetesës. Sot jemi më të ekspozuar ndaj rrezatimeve, ndotjes. Gjithashtu femrat lindin fëmijë në mosha më të mëdha; mund të kenë ndryshime në ciklin menstrual, pra shfaqje të vonshme të tij; ka ndryshim të ushqimeve që konsumojmë etj. Njerëzit sot bëjnë një jetë më shumë sedentare, me pak aktivitet fizik. Është rritur konsumimi i alkoolit dhe duhanit. Të gjithë këta janë faktorë që ndikojnë në mënyrë indirekte në shfaqjen e tumorit malinj të gjirit. Ka dhe faktorë të tjerë, siç është të qenit femër, pasi tumori malinj i gjirit kap kryesisht femrat, një përqindje shumë e ulët janë meshkuj, rreth 2% e rasteve. Faktor të tjerë që ndikojnë në shfaqjen e kësaj sëmundjeje janë; një shtatëzani e vonshme, marrja e kontraceptivëve oral. Vlerë të veçantë në faktorët që ndikojnë shfaqjen e kësaj sëmundjeje është edhe trashëgimia. Të gjitha qendrat mjekësore duhet të kenë gjenetistët e tyre, që të bëjnë analizë të rasteve kur një femër ka një histori familjare të tumorit malinj të gjirit, pra duhet parë nëse është nevoja për bërjen e testeve genetike BRCA1 dhe BRCA2. Nëse këto teste dalin pozitiv, kjo femër ka një risk të lartë që gjatë jetës së vet të zhvillojë një tumor malinj gjiri. Aktualisht në vendin tonë bëhen konsultat me mjekët gjenetist, për zhvillimin e testeve gjenetike por testet bëhen jashtë. Testet gjenetike janë të nevojshme, por nuk duhet të abuzohet me to. Ato duhen patjetër të rekomandohen nga mjeku specialist gjenetist.

Aktualisht ka shumë njerëz që bëjnë markusët tumoralë, duke mos pasur probleme, konkretisht në rastin tonë Ca15-3 që është markusi për tumorin malinj të gjirit. Rezultati i këtyre markusëve nuk është i barazvlefshëm me mundësinë e shfaqjes së tumorit malinjt të gjirit. Markuesi mund të dalë negative dhe përsëri mund të shfaqet apo të jetë shfaqur tumori malinj i gjirit. Markusi tumoral nevojiten në stadin e parë të diagnostikimit dhe më pas gjatë fazës që pacienti është nën kontroll, për të mos u shfaqur sërisht sëmundja (pra metastazat) pasi tumorët malinj të gjirit mund të përhapen në distancë në mëlci, mushkëri, kocka e deri në tru.

Parandalimi- Çfarë ekzaminimesh duhet të kryeni
Një femër që është në moshën 20 vjeç duhet të fillojë kryerjen e një konsulte dhe një eko gjiri te mjeku specialist. Nga 20 – 35 vjeç mund të jetë e nevojshme edhe kryerja e një eko-je vjetore në gji. Nëse ky gji nuk shfaq problem, mund të realizohet eko edhe një herë në dy vjet. Kontakti i parë me mjekun nuk është i rëndësishëm vetëm për të bërë eko-n por edhe për të marrë një anamnezë pacienti, pra informacion rreth pacientit rreth historive të mundshme familjare, për të vlerësuar mundësinë e bërjes së testeve gjenetike apo mamografisë për pacientë që kanë histori familjare më tumor malinj të gjirit dhe që janë nën moshën 35 vjeç. Për pjesën tjetër të popullatës që nuk kanë histori familjare, mamografia mund të fillojë të kryhet nga mosha 39-40 vjeç. Tek një femër e shëndetshme, eko dhe mamografi janë ekzaminime që bëhen në mënyrë periodike. Tek një femër nga 40-50 mamografia mund të bëhet çdo 1 vit e gjysmë apo 2 vjet, e shoqëruar me eko të ndërmjetme. Mbi moshën 50 vjeç kontrollet duhet të jenë vjetore, pasi kjo periudhë është piku i shfaqjes së kësaj patologjie dhe duhet treguar shumë kujdes.

Si të vetkontrolloni gjirin tuaj dhe shenjat e tij
Vetkontrolli i gjirit bëhet një herë në muaj, gjatë ditëve 2-6 pas mbarimit të ciklit menstrual, me lëvizje rrotulluese të dorës nga qendra për në periferi të gjirit, për të parë nëse ndihet prania e ndonjë forme në brendësi të gjirit. Lëvizja tjetër, është ngritja e krahëve lart dhe shikohet nëse ka ndonjë tërheqje të lëkurës, gjatë ndryshimit të pozicionit të duarëve. Mund të kontrollohet pjesa e nën sqetullës nëse preket ndonjë kokërr, apo të shikohet thithi nëse nxjerr ndonje likid (sekrecion pavarësisht ngjyrës së tij) gjatë kohës që e prekim. Mund të përjetohet edhe dhimbje, por jo detyrimisht. Vetkontrolli i gjirit është i nevojshëm por jo i mjaftueshëm, pra duhet të shoqërohet patjetër edhe me vizitë të mjekut specialist.

Rrugëtimi i pacientit me tumor malinj të gjirit
Si fillim, merret informacion nga pacienti rreth historive të mundshme familjare, ecurisë së cilkit menstrual, marrjes apo jo të kontraceptivëve, lindjeve, aborteve dhe laktacionit. Të gjitha këto japin informacion rreth problemit që mund të ketë pacienti.

Pas vizitës klinike vazhdohet me vizitat diagnostike-imazherike. Ekzaminimi i parë është eko e gjirit, kryesisht për moshat para 35 vjeç apo 40 vjeç nëse nuk ka pasur histori familjare dhe më pas vazhdohet me mamografinë. Si eko e gjirit ashtu edhe mamografia janë komplementare për të diagnostikuar një tumor malinj të gjirit. Përveç këtyre kemi edhe ekzaminime të tjera shtesë, si Elastografia, e cila është një eko më e avancuar, ku sonda ka sensor për të lokalizuar vaskularizimin e zonës apo ngurtësimin dhe për të përcaktuar nëse jemi brenda parametra normal apo jo.

Përveç Elastografisë është edhe Rezonanca Magnetike e gjirit (MRI), e cila aplikohet kryesisht tek personat në gjirin e të cilëve dominon indi granular dhe mamografia nuk është shumë sensitive ndaj tij, pra nevojitet realizimi i rezonancës. Gjithashtu rezonanca përdoret edhe në rastet e pacientëve që kanë bërë kirurgji të mëparshme të gjirit, duke dhënë më shumë informacion.

Me realizimin e pjesës imazherike, pacienti kthehet te mjeku kirurg që e ndjek, që quhet mastolog apo senolog dhe mjeku sipas informacioneve imazherike vendos për vazhdimësinë e pacientit.

Në vazhdim mund të bëhet citologjia nën eko, marrje e materialit me procedurë jokirurgjikale që realizohet në kabinetin e imazherisë, nëpërmjet marrjes së qelizave me anën e një ageje të vogël ose me age pistolet, e cila nuk merr qeliza por merr inde. Citologjia është shumë e nevojshme për të bërë një diagnozë përpara sesa të bëhet një trajtim i mëtejshëm i pacientit.

Së bashku me këto të dhëna kemi dhe informacionin mbi markusit tumoral dhe stadifikimin e pacientit pra plotësohet informacioni me eko aksilare (që është bërë që në fillim) eko qafe, barku; grafi mushkërish. Në rastet kur markusit tumoral Ca15-3 dhe CEA dalin të lartë, mund të jetë e nevojshme edhe bërja e shintigrafisë kockore apo skaner i të gjithë trupit. Me marrjen e gjithë këtij informacioni stafi kirurgjikal vlerëson rastin dhe nëse ai ka ndonjë veçori, shfaqet si rast para një stafi më të përgjithshëm ku vendimmarrja duhet të jetë multidisiplinare. Kjo do të thotë që në prezencën e këtij stafi është i nevoshëm jo vetëm kirurgu por edhe imazheristi, kimioterapeuti, radioterapeuti, infermieri, psikologu. Stafi multidisiplinar i ka të gjithë aktorët e nevojshëm. Ky staf i bashkohet kirurgjisë, ku në varësi të përmasave të tumorit mund të kryhet kirurgji radikale (heqje totale e gjirit) ose kirurgji konservative (heqje vetëm e masës tumorale). Pas mbarimit të kirurgjisë dhe realizimit të biopsisë definitive përcaktohet saktësisht informacioni rreth tipit, gradës së tumorit, sasisë së limfonodujve të prekur, indeksit të shumimit të qelizave tumorale malinje etj. Pasi kemi marrë të gjithë këtë informacion, organizohet sërish stafi multidisiplinar dhe vendoset mjekimi që do ndjekë ky pacient; me kimioterapi, radioterapi të cilat mund të realizohen të dyja në të njëjtin moment; në momente të ndryshme, apo mund të jetë nevoja vetëm për realizimin e njërës, në varësi të rastit.

Aktualisht vlen të përmendet akseleratori linear (radioterapi), me të cilin është rritur mundësia për të realizuar më shumë kirurgji konservative, në mënyrë që një femër mos të humbasë të gjithë gjirin e saj, kjo pasi të gjithë kirurgjitë konservative duhet të shoqërohen me radioterapia. Është parë edhe një rritje e citostatikëve, me bërjen e kimioterapisë ditore, në repartin e saj dhe që futet në trajtimet bashkëkohore. Pra aktualisht në Spitalin Onkologjik ka pasur një hov cilësor në trajtimin e e pacientëve me sa u përmend më sipër.

Ndjekja dhe këshilla për pacientët, pas kirurgjisë
Pas këtij trajtimi fillestar të pacientit, ku kalohet faza e diagnostikimit, kirurgjisë dhe procedura e mjekimit, pacienti rikthehet të mjeku për t’u ndjekur në vazhdim dhe që është çdo 3-4 muaj për dy vitet e para; çdo 6 muaj për vitin e tretë dhe të katërt dhe një herë në vit për vitin e pestë.

Të gjithë pacientët që janë në fazën e kurimit duhet të vazhdojnë një jetë normale, sa më aktive, si të gjithë njerëzit e tjerë. Duhet patur kujdes që nëse kirurgjia ka qenë aksilare, pra janë hequr gjëndrat limfatike, pacienti duhet të kryej ushtrime për krahun përkatës dhe të shmang ngritjen e peshave si dhe punët sforcuese. Ushqimi duhet të jetë sa më i shëndetshëm, për t’i shërbyer të gjithë organizimit.

Posted in Lajme by admin qsut
27/09/2017
Intervistë me Dr. Taulant Gishto, mjek në Shërbimin e Kardiologjisë

Shërbimi i Hemodinamikës në QSUT është një shërbim i përbërë nga dy salla, në të cilat kryhen procedurat e koronarografisë diagnostike, procedurat intervencionuese të shoqëruara me implantim stentesh dhe procedurat e kateterizimit.

Hemodinamika, prej nëntorit 2015 është organizuar me shërbim 24-orësh, në funksion të trajtimit në kohë të infarktit akut të miokardit, me ngritje të segmentit ST.

Aktualisht ky shërbim ka një organizim hierarkik me në krye shefin e shërbimit Prof.Artan Goda dhe mjekët hemodinamistë primarë dhe sekondarë.

Çfarë është koronarografia dhe cilat janë rreziqet nga kryerja e saj?

Koronarografia është një procedurë diagnostikuese dhe intervencionuese apo ndërhyrëse (PCI).

Në fazën e parë, bëhet diagnostikimi i problemeve koronare (bllokimi e enëve të gjakut që ushqejnë zemrën) dhe nëse problemet mund të trajtohen sipas kritereve përcaktuara, kalohet në fazën ndërhyrëse.

Rreziqet e koronarografisë, janë nga risqet që mund të lidhen me komplikacionet lokale si hematoma apo disekimi i arteries femorale (çarje e murit të aortës), komplikacionet që mund të lidhen me lëndën e kontrastit që përdoret në egzaminim, deri tek komplikacionet më problematike si disekimi i arterieve koronare, tromboza brenda stentit deri në humbjen e jetës.

Në cilat raste rekomandohet të kryhet ky ekzaminim?
Ky ekzaminim rekomandohet në pacientët ku dyshohet ngushtimi i arterieve koronare nëpërmjet informacioneve që vijnë nga ankesat e pacientit; nga ndryshimet në elektrokardiogramë; në ekokardiogramë; nga të dhënat indirekte që marrim nga prova ushtrimore apo të dhënat imazherike që vijnë nga angio-CT koronar.

Pavarësisht dyshimeve që vijnë nga ekzaminimet e mësipërme, për përcaktimin e saktë të problemeve koronare shërben koronarografia.

Ndërsa rastet kur koronarografia është fortësisht e indikuar, janë rastet me infarkt akut miokardi të 12 orëve të para nga fillimi i dhimbjes, ku revaskularizimi i enës së mbyllur nëpërmjet procedurës së PCI është jetëshpëtues në shumicën e rasteve.

Çfarë përfiton pacienti, nga kryerja në kohë e këtij ekzaminimi?
Përfitimi i pacientëve me anginë të paqëndrueshme lidhet me faktin që këtyre pacientëve nëpërmjet PCI apo ndëryrjes me stente mund t’u parandalohet një infarkt i mundshëm nga ngushtimi kritik i enëve koronare. Përfitim i drejtpërdrejtë lidhet dhe me cilësinë e jetës, ku largimi i dhimbjes së gjoksit si rrjedhojë e hapjes së ngushtimit, i rikthen këta pacientë në një përditshmëri të pakufizuar.

Përfitimi i pacientëve që janë duke kaluar nje infarkt akut miokardi është i jashtëzakonshëm, pasi sa më shpejt të futet pacienti në sallën e hemodinamikës dhe sa më shpejt të hapet ena përgjegjëse për infarktin aq më shumë ind muskulor ruhet pa u dëmtuar dhe aq më pak ivalidizohet pacienti, pasi ka kaluar fazën akute të infarktit. Duhet përmendur këtu dhe rëndësia e pazëvendësueshme e kësaj procedure në uljen drastike të humbjes së jetës së pacientit në fazën akute.

Në varësi të rezultatit të koronarografisë, cilat janë hapat e mëpasshëm që duhet të ndjekë mjeku dhe pacienti
Në rast se pacienti stentohet (zgjerohet ena e gjakut) me sukses, ndiqet si protokoll vlerësimi i pacientit 4 herë brenda vitit të parë pas procedurës, që përkthehet në muajin e parë, të tretë, të gjashtë dhe të dymbëdhjetë pas procedurës. Nëse pacienti shfaq shqetësime, ai duhet t’i paraqesë ato në çdo moment te mjeku kurues. Pacientët që kryejnë koronarografinë, kontrolle të herëpashershme duhet të kryejnë edhe pranë mjekut të familjës e më pas bazuar në sistemin e referimit, tek kardiologu i poliklinikës apo rrethit ku banojnë.

Në punën tuaj të përditshme, cilat janë rastet më të ndërlikuara?
Rastet më të vështira, në punën tonë të përditshme janë ato që lidhen me ndihmën e pacientëve që janë në fazën e infarkit akut të miokardit. Kjo pasi shpeshherë këta pacientë shfaqen në gjendje të dekopesuar e shoqëruar me gjendje shoku kardiogjen, një situatë jete kërcënuese, ku zemra ka humbur funksionin pompë si rrjedhojë e infarktit.

Disa këshilla për pacientët, para dhe pas kryerjes së koronarografisë.
Këshillat rutinë të pacientëve, përpara procedurës së koronarografisë, lidhen me holluesit (medikamentet) që përdoren përpara proceduës. Pacientit i rekomandohet të jetë i pangrënë atë ditë që kryen procedurën.

Ne si staf, nga ana jonë e përgatisim pacientin me të gjitha ekzaminimet përpara procedurës, ku standardet përfshijnë gjak komplet, bilanc biokimik, EKG, eko kardiake, grafi pulmoni.

Pas procedurës pacientëve u rekomandohet marrja e 1.5 deri ne 2 litra ujë të mara në 2 orët e para, në mënyrë që të kemi sa më pak komplikacione nga lënda e kontrastit që përdoret gjatë procedurës.

Nëse procedura është e suksesshme dhe pacienti nuk ka kaluar një infarkt akut miokardi mund të dalë nga spitali pas 48 orëve. Në të kundërt nëse është stentuar një pacient që ka kaluar infarkt, duhet të presim ditëqëndrimin sipas protokollit në këta pacientë. Më pas, pas daljes nga spitali me mjekimet që u shënohen në fletëdalje, pacientët duhet të drejtohen pranë mjekut të familjes për të kryer procedurat e marrjes së medikamenteve me rimbursim në rastet kur kanë nevojë.

Posted in Lajme by admin qsut