10/07/2014

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”Tiranë dhe Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) Prishtinë kanë ndërtuar prej 6 vitesh një bashkëpunim të suksesshëm në fushën e kardiokirurgjisë pediatrike nën mesazhin frymëzues “Një komb, një shërbim i kardiokirurgjisë pediatrike”.

 

Në vijim të këtij bashkëpunimi, Shërbimi i Kardiokirurgjisë Pediatrike në QSUT ka ndarë me ne historinë e një foshnje 3 ditëshe diagnostikuar në QKUK-në e Prishtinës me “Koarktacion Aorte Kritik” dhe transferuar në kushte kritike me urgjencë në QSUT.

 

Gjendja e bebes, në kushtet e dekompesimit kardiak akut, ka kërkuar ndërhyrje të menjëherëshme, operacion i realizuar nga kardiokirurgët e Shërbimit Altin Veshti, Arben Baboci dhe Kardio-Anestezistët Saimir Kuci, Alfred Ibrahimi dhe Merita Zeka. “Operacioni kaloi me sukses të plotë, bebja bëri dekurs të mirë post operator dhe aktualisht është trasferuar në Shërbimin e Pediatrisë në gjendje të mirë shëndetësore” – shprehen të kënaqur mjekët e Shërbimit.

 

Suksesi i këtij operacioni ka përcaktuar mbijetesën e foshnjes. Bashkëpunimi që QSUT ka me QKUK Prishtinë, falë përkushtimit dhe profesionalizmit të të gjithë ekipit mjekësor ka sjellë ndërvite trajtimin dhe kurimin e suksesshëm të mbi 100 fëmijëve të diagnostikuar me probleme kardiake.

Posted in Lajme by admin qsut
30/06/2014

Në pritje të fillimit të projekteve të mëdha për rehabilitimin e Spitalit të Sëmundjeve të Brendshme dhe Bllokut Operator për Kirurgjitë në Spitalin e ri, puna vazhdon me mirëmbajtjen sistematike dhe përmirësimin e pandalshëm të kushteve në të cilat ofrohet shërbimi mjekësor në QSUT.

 

Kemi shumë për të bërë dhe kemi plane të qarta se ku duam të arrijmë! Së bashku me stafin mjekësor, infermieror, me ekipin e mirëmbajtjes, por dhe me ndihmën e pacientëve dhe familjarëve po ndryshojmë çdo ditë kulturën e shërbimit në Qendrën Spitalore më të madhe në vend.

Posted in Lajme by admin qsut
27/06/2014

Në datat 27 dhe 28 Qershor 2014 u zhvillua Konferenca e 7-të Kombëtare e Shoqatës Shqiptare të Psikiatrisë (SHSHP) në bashkëpunim me Shërbimin e Psikiatrisë, QSU “Nënë Tereza”, Tiranë.

Në këtë konferencë u sigurua një përditësim i përgjithshëm mbi të rejat më të fundit në Psikiatri dhe Shkencat e tjera mjekësore në lidhje me çrregullimet e shëndetit mendor.

I ftuar nderi dhe ‘key note speaker’ ishte Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Botërore të Psikiatrisë (anëtare e së cilës është dhe SHSHP), Levent Küey, me ekspertizë të gjerë si klinicist, lektor dhe studiues. Interesat e tij studimore dhe ekspertiza e tij shtrihet tek çrregullimet depresive dhe të ankthit, tek epidemiologjia psikiatrike, si dhe sistemet e klasifikimit.

Boshti qendror i konferencës ishte bashkë ekzistenca (komorbiditeti) e dy ose më shumë sëmundjeve psikiatrike, apo atyre psikiatrike dhe sëmundjeve të përgjithshme, shkak i të cilit është marrja me vonesë ose jo e saktë e shërbimit të specializuar mjekësor dhe psikiatrik.Tematika ishte e shumëllojshme dhe me prezantime të studimeve më të fundit të literaturës shkencore apo punimeve studimore origjinale të prezantuesve.

Ekspertë të fushave të ndryshme mjekësore ishin të ftuar në konferencë për të ndarë së bashku njohuritë dhe përvojën e tyre, si dhe për të kuptuar më mirë fushat e bashkëpunimit me psikiatrinë jo më si një nevojë por si një domosdoshmëri.

Kjo konferencë është fillimi i një bashkëpunimi të suksesshëm dhe sfidues në rrugën e gjatë dhe të vështirë të çrrënjosjes së një mentaliteti stigmatizues dhe aspak ndihmues për individët që vuajnë nga problemet e shëndetit mendor.

Posted in Lajme by admin qsut
21/06/2014

Në Shërbimin e Neurokirurgjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë u organizua sot (21/06/2014) një ceremoni përurimi me rastin e fillimit të trajtimit të të sëmurëve nëpërmjet pajisjes radioterapeutike Uniteti X-Knife Akselerator Linear, ku mori pjesë edhe Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, Drejtorja e QSUT, znj. Ogerta Manastirliu, Prof. Mentor Petrela, Shef i Shërbimit të Neurokirurgjisë, Dr. Kita Sallabanda, Neurokirurg, Unidad Funcional de Neuro-Oncología Grupo IMO, Madrid, si dhe mjekë e punonjës të tjerë të këtij shërbimi.

Duke përshëndetur punën e mjekëve dhe punonjësve të shëndetit të Shërbimit të Neurokirurgjisë, Ministri Beqaj tha midis të tjerash në takim se “qëllimi ynë është të zgjerojmë shërbimet që ofrohen në spitalet tona publike.” Sot është kurorëzimi i një përpjekjeje afatgjatë, – vazhdoi më tej ai, – duke shtuar se, praktikisht nga sot e në vijim për sëmundje të rënda tumorale ne kemi edhe përdorimin e teknikave bashkëkohore dhe moderne”.

Z. Beqaj tha gjithashtu se ky është një bashkëpunim i mirë midis shërbimeve të ndryshme të Qendrës Spitalore Universitare dhe praktikisht sot trajtimi i sëmundjeve është multidisiplinar. “Ne si ministri duam të garantojmë vijimësinë e këtij shërbimi, që do të thotë jo vetëm vijimësinë e trajtimit, por edhe funksionimin e pajisjeve, furnizimin në vijimësi me materiale mjeksore”, – tha ai. Në kuadër të teknologjisë së re të përdorur për trajtimin e sëmundjeve, Ministri foli edhe për shtimin e burimeve njerëzore nëpër spitale.

Në këtë këndvështrim, ky është një tjetër investim që na ndihmon së tepërmi në përmbushjen e angazhimit tonë programor për të ofruar më tepër siguri për pacientët, pasi Akseleratori Linear mbulon nevojat me radioterapi në fusha të mëdha rrezatimi në sektorin publik, ndërsa X-Knife në fusha të vogla rrezatimi (radiokirurgji) në gjithë territorin e Shqipërisë dhe atë të Kosovës.

“Kjo është një tjetër dëshmi e qartë se kemi hedhur një hap të sigurtë e cilësor drejt përmirësimit të ndjeshëm të kapaciteteve kuruese të trajtimit të të sëmurëve me radioterapi konvencionale të trurit dhe të trupit, krahas radiokirurgjisë”, – tha më tej Ministri Beqaj. Me një pajisje të tillë, Shërbimi i Neurokirurgjisë mundëson realizimin e radioterapisë për çdo pacient me kancer dhe sëmundje tumorale të të gjithë trupit. Është kjo një tjetër risi, që shënon progres të qartë në mënyrën e trajtimit dhe kurimit të pacientëve të kësaj kategorie. Në këtë mënyrë, Radiokirurgjia do të zëvendësojë operacionet për shumë pacientë. Me precizionin submilimetrik, ajo bën të mundur përqëndrimin e rrezatimit në thellësi të trurit duke shëruar sëmundje të ndryshme të trupit.

Kështu, cilësia e trajtimit të pacientëve do të ndryshojë në mënyrë rrënjësore duke u përmirësuar ndjeshëm. X-Knife ka një kapacitet trajtimi radiokirurgjikal 5-10 pacientë në javë dhe Akseleratori rreth 100 pacientë me tumore e kancere të të gjithë trupit në jave me radioterapi konformale 3D. Fillimisht, në listë pritjeje, janë 28 pacientë për Radioterapinë 3D dhe 18 pacientë për Radiokirurgji.

(Marrë nga “Ministria e Shëndetësisë”)

Një pacient i sëmurë me adenomë hipofize, apo ndryshe tumor në tru, pasi ka kryer ndërhyrje krirurgjikale dhe trajtim të shumëllojshëm disa herë dhe nuk është shëruar, i është nënshtruar radiokirurgjisë, trajtim i cili ofrohet për herë të parë në qendrën më të madhe spitalore në vend, QSUT-ja.

Nëpërmjet akseleratorit është goditur tumori në tru, goditje e cila përllogaritet të mos dëmtojë pjesë të tjera të trurit. Nevojat për këtë trajtim janë mbi 100 në muaj, por për momentin do të mbulohen 30 raste në muaj.

“Një rast në ditë sepse janë procese që kalojnë gjithë ditën për ekipin. Ekipi është i impenjuar gjatë gjithë ditës për të arritur atë goditje. Aparati është i hapur edhe për trajtime konvencionale për raste në të gjithë trupin”, ka sqaruar Prof.Dr. Mentor Petrela.

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, i cili ishte i pranishëm gjatë trajtimit të pacientit të parë, tha se së shpejti do të ketë dhe një akselerator të dytë në QSUT, por ndërkohë u angazhua për të siguruar mirëmbajtjen dhe vijimësinë e furnizimit me materiale mjekësore të nevojshme.

“Praktikisht drejtoria dhe ne si ministri duhet të garantojmë vijimin e shërbimit, me kontrata afatgjata mirëmbajtjeje, furnizimin në vijimësi të materialeve mjekësore dhe sidomos punimet e domosdoshme. Gjithashtu, në QSUT do punësojmë fizikantë dhe onkologë të rinj”, ka deklaruar Beqja.

Përveç tumorëve në kokë, ky akselerator do të trajtojë të gjitha sëmundjet onkologjike deri në mbërritjen e akseleratorit tjetër, për të cilin po investohet. Shefi i sëmundjeve onkologjike vlerësoi futjen e një pajisje të tillë, e cila është shpresa e fundit për pacientët me sëmundje onkologjike.

“Ne jemi shumë më të sigurtë, fondi është rritur pesë herë më tepër. E rëndësishme është që po bëhet një investim madhor”, deklaroi Agim Sallaku.

Një trajtim me radiokirurgji në vende të tjera të Europës kushton rreth 15 mijë euro. Pacientëve shqiptarë tashmë nuk do t’u duhet të marrin rrugët jashtë Shqipërisë dhe të paguajnë kosto të tilla.

(Marrë nga “Top Channel”)

Posted in Lajme by admin qsut
16/06/2014

Pas një krize të thellë të ilaçeve në QSUT, ku çdo pacienti i duhej të blinte medikamente në farmacitë private përreth, pasi në spitale nuk gjendeshin, prindër që prej ditësh kanë fëmijët shtruar në pavionin e Pediatrisë dëshmojnë të kundërtën.

“Pesë ditë sot, s’kam blerë as ilaçe, asgjë. E kam me ftohje, pneumoni, në krahun e djathtë. I pyeta mjekët nëse ka nevojë të blej ndonjë ilaç jashtë, më thanë absolutisht jo. Të gjithë ilaçet ndodhen në spital”, tha një prind.

Një tjetër prind, i pyetur nëse ka ilaçe spitali, u shpreh: “Po, ka. Për fëmijën tim nuk ka munguar asnjë lloj ilaçi”.

Shefja e Shërbimit të Onko-Hematologjisë, ku trajtohen fëmijë me probleme në gjak dhe medikamentet janë të kushtueshme, thotë se nuk mungojnë as citostatikët, ndërkohë që disa muaj më parë, në këtë shërbim mungonin deri dhe pambuku, alkooli dhe dorezat për bluzat e bardha.

“Ndoshta prej 2-3 javësh kemi një furnizim shumë të mirë me medikamentet, thuajse janë të gjitha. Madje citostatikët, ato që kushtojnë më shumë e që janë preokupimi ynë i vazhdueshëm, tashmë i kemi. Faktikisht kam parë shumë angazhim nga ana e drejtuesve të QSUT-së, qoftë për të bërë blerje direkte deri në furnizimin e tenderave, qoftë duke u konsultuar vazhdimisht me ne mbi medikamentet që janë prioritare, që s’duhet të mungojnë kurrë. Ajo që më intereson është që në pavion i kam thuajse të gjitha medikamentet e nevojshme. Shpresojmë të vazhdojë kështu”, u shpreh Anila Godo, shefe e Shërbimit të Onko-Hematologjisë.

Pacientë me probleme të zemrës, të shtruar në spital prej 3 javësh, pohojnë se nuk u është dashur të blejnë vetë asnjë medikament.

Në Drejtorinë e QSUT thonë se janë duke u mbyllur kontratat e fundit për furnizmin e spitaleve me mediakamente, sipas listës së miratuar nga Ministria e Shëndetësisë.

“Momentalisht nuk kemi mungesa serioze sa i përket medikamenteve të shportës bazë dhe materialeve mjekësore që deri dikur kanë munguar në QSUT, siç janë pambuku, alkooli, dorezat etj. Absolutisht nuk bëhet fjalë që të mungojnë këto materiale mjekësore, qoftë edhe për sa i përket barnave të shportës bazë, si ato të Urgjencës, Reanimacionit apo ato të pavioneve. Jemi në fazën e firmosjes së kontratave të fundit, për sa i përket mbulimit tërësor të medikamenteve me listën e barnave për përdorim spitalor”, thotë Ogerta Manastiliu, drejtore e QSUT.

Drejtorja Manastirliu u kërkon mjekëve të respektojnë listën e medikamenteve për përdorim spitalor dhe mos të orientojnë pacientët drejt farmacive private, duke i kërkuar të blejnë ilaçe në emër të kompanive të ndryshme prodhuese.

Posted in Lajme by admin qsut
13/06/2014

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” mblodhi në datën 12 Qershor 2014, “Komisionin Mjekësor Spitalor” (KMS) dhe miratoi në parim Rregulloren e funksionimit të këtij Komisioni.

KMS, si një organ funksional këshillimor pranë Drejtorit të Përgjithshëm përbëhet nga 23 anëtarë të zgjedhur, ku çdo shërbim ka përfaqësuesin e vet në raport me numrin e mjekëve që ka. Anëtarët, 50% e tyre janë Shefa Shërbimesh të propozuar nga Drejtori i Përgjithshëm dhe 50% të zgjedhur nga Shërbimet dhe Administrata.

Ndër funksionet këshillimore të këtij komisioni janë ndjekja e strategjisë dhe objektivave mjekësore të Shërbimeve dhe asistenca në përgatitjen e projektit mjekësor të spitalit. Në raport me projektin mjekësor sugjeron prioritetet eventuale që do t’u jepen Shërbimeve, këshillon për programin e investimeve, punimeve dhe pajisjeve të rënda në përputhje me buxhetin e QSUT, politikën e përgjithshme shëndetësore dhe vendimet e Këshillit Administrativ. KMS këshillon për shpërndarjen e shtretërve, krijimin e njësive të reja funksionale, dokumentacionet e rëndësishme të institucionit dhe sugjeron për problemet etike.

Rimbledhja e KMS nga Drejtori i Përgjithshëm erdhi pas shumë vitesh mungesë dhe mosfunksionimi.

Çështje për diskutim në axhendë ishin edhe:

  • Prezantimi i shpenzimeve plan-fakt të burimeve financiare për shërbimet mjekësore QSUT për periudhën Janar-Maj 2014.
  • Ngritja e grupit të punës për planifikimin e nevojave të QSUT-së për vitin 2015 dhe përcaktimin e objektivave afatmesëm për planin buxhetor 3-vjeçar.

Gjatë takimit, Drejtori i Drejtorisë Ekonomike dhe Planifikimit Financiar prezantoi QSUT në shifra, realizimin e buxhetit në 5-muajt e parë sipas objektivave dhe prioriteteve të përcaktuara.

“Kërkojmë mbështetjen tuaj gjatë gjithë proçesit të planifikimit të nevojave spitalore. Sot do të vendosim mbi ekipin që do të punojë jo vetëm për Projekt-Buxhetin e vitit 2015, por edhe përcaktimin e objektivave strategjik në plan afatmesëm” – tha znj. Manastirliu. “Po përpiqemi të mendojmë për përmirësimin e cilësisë së mjekimit në tërësi dhe ofrimit të shërbimeve tona duke mbajtur parasysh nevojat. Qasja jonë është jo vetëm menaxheriale, por edhe klinike me një përkushtim të plotë nga Zv/Drejtorët e Përgjithshëm Mjekësorë”.

KMS vijoi diskutimet mbi rëndësinë e planifikimit në kohë nga Shefat e Shërbimeve me asistencën dhe gjithë mbështetjen e nevojshme të administratës spitalore. Rëndësinë e të parit të Shërbimit të Onkologjisë dhe nevojave të këtij Shërbimi në tërësi, duke përfshirë të gjitha proçeset, si ato laboratorike, imazherike e kirurgjikale dhe jo vetëm në drejtimin e citostatikëve.

Të tjera çështje diskutuar nga Anëtarët e KMS për t’u konsideruar dhe ndjekur në vijim ishin realizimi i ekzaminimeve imunohistokimike dhe imunopatologjike në kohën e duhur nëpërmjet edhe një shërbimi 24-orësh, si dhe përdorimi i domosdoshëm i ekzaminimit skaner me kontrast për disa lloje të caktuara ndërhyrjesh kirurgjikale.

Në këtë kuadër, u komunikua mbi mbulimin deri në 100% të kërkesave të Shërbimit të Laboratorit të Anatomisë Patologjike, proçes që po ndiqet aktualisht në bashkëpunim të ngushtë me Shefin e këtij Shërbimi. Çështja e mirëmbajtjes së aparaturave spitalore zuri një vend të rëndësishëm në takim, mirëplanifikimi në periudhë afatgjatë dhe përdorimi i një sistemi pikëzimi që e klasifikon ndër të tjera edhe sipas rëndësisë mirëmbajtjen e pajisjeve biomjekësore.

Në këtë mbledhje u caktua dhe takimi i radhës i Komisionit Mjekësor Spitalor (KMS).

Posted in Lajme by admin qsut
05/06/2014

Në kuadër të procesit të edukimit në vazhdim nën kujdesin e shefit të Shërbimit të Psikiatrisë QSUT, D.Sh.M. Ariel ÇOMO është zhvilluar në ambjentet e këtij Shërbimi seminari me temë “Çështje të praktikave më të mira të shëndetit mendor”.

Lektorë në seminar Prof. Judith HAFFMANS, Shefe e Departamentit të Kërkimeve dhe Farmakologjisë Klinike pranë Bavo Group Parnassia, Instituti i Psikiatrisë, Hagë, Hollandë dhe Anëtare e Bordit të Etikës Mjekësore të MEETING, Ultrecht, Hollandë, trajtoi aspekte të shëndetit mendor tek gratë dhe Prof. Erik HOENCAMP, Profesor pranë Departamentit Psikologjisë Klinike në Universitetin e Leiden, Hollandë, i cili referoi mbi rëndësinë e diagnostikimit dhe trajtimit të hershëm të problematikave të shëndetit mendor.

Çështje të tjera në seminar ishin ato të rëndësisë së protokolleve klinike në praktikat shëndetësore trajtuar nga Dr. Mirela Çela, Qendra e Kombëtare e Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit Tiranë.

Të pranishëm ishin mjekë psikiatër, mjekë specializantë, psikologë klinik dhe punonjës social të QSUT.

Posted in Lajme by admin qsut
04/06/2014

Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunimin me shoqatën humanitare “ALSAR” dhe Organizatën Ndërkombëtare të Ndihmave Humanitare  (IHRO) me qendër në Hollandë kanë finalizuar ditën e sotme projektin “Dhurimi i pajisjeve spitalore”. Në sajë të këtij projekti, spitalit të Neurologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” i janë dhuruar shtretër elektrikë të kompletuar me dyshekë e komodina. Këta shtretër janë specifikë për pacientët që kurohen në Neurologji dhe Neurokirurgji, pasi mund të komandohen në mënyrë elektromekanike për të ndryshuar pozicionin e qëndrimit të pacientit. Secili shtrat është i pajisur me dyshekun përkatës, i veshur me një shtresë mbrojtëse ndaj lagështisë dhe papastërtive që mund të lahet, duke siguruar higjienë maksimale të dyshekëve.

Zv. Ministrja e Shëndetësisë, znj. Milva Ikonomi, e cila ishte e pranishme gjatë dhurimit të këtyre pajisjeve spitalore në QSUT, shprehu falenderimin e saj për këto donacione dhe theksoi se “struktura e re spitalore e Neurologjisë ka nevojë të fuqizohet dhe për këtë ka kontribuar më së miri humanizmi i këtyre organizatave bamirëse.”

Drejtori i IHRO, z. Murat Kurt theksoi se në qendër të punës së organizatës që ai drejton është mobilimi i spitaleve me pajisje mjekësore dhe ky nuk është projekti i vetëm që po zbatohet në vendin tonë. Nga këto donacione nuk ka përfituar vetëm QSUT, por edhe spitalet rajonale. Z. Kurt u shpreh se “donacionet dhe bashkëpunimi me Ministrinë e Shëndetësisë dhe QSUT do të vazhdojnë dhe këto pajisje janë vetëm fillimi i një pune të mbarë.”

Pas dhurimit të shtretërve, punonjësit e organizatës “ALSAR” udhëzuan personelin mjekësor për përdorimin e tyre si dhe u shpërndanë manualet e montimit dhe të mirëmbajtjes.

Posted in Lajme by admin qsut
01/06/2014

Për fëmijët e hospitalizuar pranë Shërbimit të Onko-Hematologjisë Pediatrike në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” festimet për Ditën e Fëmijëve nisën më herët këtë vit. Në datën 30 Maj ata u takuan dhe festuan me animatorët e Shoqatës së Animatorëve Shqiptarë, të cilët nën petkun e personazheve të dashur të fëmijëve në një mini-teatër të improvizuar realizuan shfaqje teatrale dhe animacion duke krijuar një ambient të gëzueshëm festiv dhe falur buzëqeshje.

Atmosfera ka vijuar të jetë festive edhe në ditët në vazhdim mirëpritur kjo edhe dhe nga stafi i Shërbimit.

“Po festohet mjaft gëzueshëm. Këta fëmijë nuk kanë mundësi si të tjerë të festojnë në institucione apo familjet e tyre. Por sot një grup vajzash dhe djemsh ua sollën në pavijon 1 qershorin. Ndaj dua t’i falenderoj. Kjo është një organizatë, e drejtuar nga dy motra binjake, Alesia dhe Vasja Barkaj. “Fëmijët për fëmijët”, organizata, ku të rejat adoleshente kanë marrë përsipër një nismë të veçantë, duke rritur flokët dhe më pas prerë ato për t’i dhuruar të bëhen paruke për këta fëmijë. Kjo pasi këtyre fëmijëve u bien flokët për shkak të mjekimit të tyre. Janë fëmijët tanë që transmetojnë ndonjëherë tek ne vlerat, siç bënë sot tek këta fëmijë.”- u shpreh Prof. Anila Godo. Fëmijët janë argëtuar duke ndjekur shfaqjen e trupës së cirkut dhe dhuratat e ofruara me shumë dashuri.

Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka uruar në rrjetet sociale fëmijët në ditën e tyre të veçantë dhe është angazhuar për përmirësimin e të gjitha kushteve spitalore me qëllim ofrimin e një shërbimi profesional e të sigurt në frymën e një përkujdesje delikate aq të nevojshme për këta fëmijë. Në përpjekje të vazhdueshme për të krijuar një ambient mikpritës spitalor për çdo fëmijë është ndërtuar edhe një kënd i ri lojërash pranë Shërbimeve të Pediatrisë.

Posted in Lajme by admin qsut
12/05/2014

Nga fjala e Drejtoreshës së QSUT-së, znj.Manastirliu në aktivitetin e ditës botërore të infermierëve, drejtuar personelit infermieror të QSUT-së.

Dita ndërkombëtare e infermierit është një ditë që vendos “në qendër të skenës” atë që në fakt është boshti i të gjithë sistemit tonë shëndetësor.

Duke qenë një profesion me standarte të lartë dhe një sens të fortë të shërbimit publik, profesioni i infermierit ka qenë dhe mbetet një ndër më të respektuarit. Një profesion që kërkon përkushtim në çdo orë të ditës dhe në çdo ditë të vitit.

Në qendrën tonë spitalore punojnë 1 187 infermierë me përkujdesjet e të cilëve kurohen rreth 65 000 mijë pacientë në vit.

Në përpjekjen tonë, për përmbushjen e premtimeve që kemi dhënë për një shërbim shëndetësor më të mirë, më të shpejtë dhe më të volitshëm, padyshim që ju, infermierët keni një rol të pazëvendësueshëm, rëndësia e të cilit ju siguroj që do të vijë duke u shtuar.

Dhe ne, jemi të vetëdijshëm që një shërbim shëndetësor më i mirë do të kërkojë njerëz që janë të gatshëm të shkojnë edhe përtej kornizave të detyrës që do të punojnë – siç kanë bërë deri sot – deri në kufijtë e sakrificës.

Përmirësimet që kemi bërë së bashku gjatë këtyre tetë muajve janë të dukshëm dhe në të njëjtën kohë shpresëdhënës për atë që do të mundemi të vazhdojmë të bëjmë së bashku në të ardhmen, për të ofruar më shumë shërbime për pacientët, duke e vënë gjithnjë e më shumë theksin tek përmirësimi i cilësisë dhe kohës së kontakteve me pacientin.

Plani ynë i Rimëkëmbjes së QSUT-së, mbështetet në ndryshimin e imazhit dhe krijimin e kulturës së shërbimit në shëndetësi.

Sot, dita ndërkombëtare e infermierit përkoi dhe me realizimin e një prej projekteve tona, atë të standartit të uniformave të personelit infermieror dhe atij ndihmës.

Standarti i uniformave sjell një imazh ndryshe, por ju siguroj që në QSUT ndryshimi nuk do të jetë vetëm në imazh, e si pasojë vetëm sipërfaqësor. Ne jemi duke punuar për një ndryshim radikal për të përmirësuar etikën, komunikimin me pacientin dhe shërbimin cilësor, kohën e shpenzuar për kujdesin ndaj pacientit.

Ndryshimi që ne duam kërkon pa dyshim bashkëpunimin tuaj aktiv dhe përpjekje të përbashkëta. Ne jemi të vendosur të mos e humbim shansin për të ndryshuar QSUT-në.

 

Posted in Lajme by admin qsut