Sqarim për opinionin publik

Sqarim për opinionin publik

Në lidhje me një artikull të publikuar së fundmi në media, në të cilin pretendohet se në Qendrën spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ekziston një “sallë transplanti” me vlerë 3 milionë euro, ndiejmë detyrimin të sqarojmë publikun dhe median si më poshtë:

Shërbimi i Urologjisë në QSUT nuk disponon sallë të dedikuar për transplant renal apo ndonjë sallë kirurgjikale me vlerë 3 milionë euro. Aktiviteti kirurgjikal i urologjisë zhvillohet ekskluzivisht në sallat standarde të kirurgjisë, të cilat janë pjesë e bllokut operator të përbashkët dhe përdoren edhe nga specialitete të tjera kirurgjikale, përfshirë kirurgjinë e përgjithshme.

Në këtë kontekst, pretendimi se në QSUT ekziston një sallë transplanti me vlerë 3 milionë euro është plotësisht i pavërtetë, i pabazuar dhe keqinformues.

Siç jeni ne dijeni, në kuadër të mbulimit të nevojave për pacientët e Republikës së Shqipërisë, transplanti i veshkave mbetet pjesë e paketave shëndetësore falas të financuara nga Buxheti i Shtetit dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, sipas akteve ligjore në fuqi. Konkretisht VKM 308. Datë 21.5.2014, i azhornuar mr vendim te fundit ne datën 1.8.2024 me nr.516.

Përhapja e lajmeve të tilla dëmton informimin korrekt të publikut dhe krijon perceptime të rreme mbi realitetin strukturor dhe funksional të shërbimeve spitalore.