Virozat Stinore, këshilla e mjekut infeksionist pranë Urgjencës së sëmundjeve të brenshme

Intervistë me Dr. Afrim Yzeiraj për virozat e stinës, simptomat dhe trajtimi i tyre

Me ndryshimin e temperaturave dhe stina e virozave shoqëruese sapo ka filluar. Si paraqitet në këto ditë situata, a kanë filluar rastet e gripit sezonal?

Unë mendoj se jemi pikërisht në fillimin e infeksioneve virale stinore. Ato paraqiten kryesisht me infeksione të traktit të sipërm respirator, me pak rrufë, dhimbje të fytit, teshtitje, kollë, dhimbje të përgjithshme trupore, temperatura që shkojnë nga subfebrile nën 37.8°C deri në temperatura 39°C-40°C.

Këto ditë ka patur raste por nuk mund të themi që janë shumë në numër. Në Urgjencën e Sëmundjeve të Brendshme në QSUNTparaqiten kryesisht raste me temperaturë, me klinikë të rënduar, pasi mund të kenë dështuar trajtimet ambulatore telefonikisht apo të ndjekur ambulatorisht nga mjekë të tjerë specialist.

Cilat janë kategoritë apo grupmoshat më të rrezikuar?

Më të rrezikuar ndaj çdo lloj infeksioni stinor janë moshat nën 5 vjeç, ose të sëmurët mbi 60 vjeç. Pacientë me sëmundje kronike, të sëmurët që marrin në mënyrë kronike kortizon apo të sëmurët e sëmundje tumorale. Në përgjithësi ata të sëmurë që kanë alternime të imunitetit, kanë probleme më të shtuara edhe me virozat. Nëse virozat e stinës bashkëshoqërohen me sëmundjet ekzistuese të pacientëve, atëherë rrezikshmëria për komplikacione të rënda është më e madhe.

Cili është ndryshimi i virozave sezonale nga Covid-19?

Në të shumtën e rasteve virozat stinore bëjnë një ecuri klinike të butë. Të paktën kështu paraqitet rrufa stinore që kemi për momentin. Përsa i përket dimrit, duhet të shikojmë më vonë se si do paraqitet. Sigurisht që duhet bërë trajtimi me antigripal, dhe vitaminoterapi, lëngje dhe përdorimi i ndonjë antistaminik.
Në javët në vijim besoj se situata do të jetë pak më ndryshe: situata të rënda do paraqiten, me temperatura më të larta, me prekje të gjithë traktit respirator, që do të na ngatërrojnë me Covidin dhe diagnoza diferenciale do të jetë më e vështirë. Pikërisht ky është ndryshimi nga vitet e tjera, që Covid-19 është shumë i ngjashëm dhe nuk do të arrihet të dallohet klinikisht me ankesa paraprake.

Fillimisht me paraqitjen e simptomave, sjella është ajo e trajtimit të një viroze, pastaj shihet ecuria. Në qoftë se do të kemi një rëndim klinik, prekje pulmonare, atehëre ndërhyet me terapi shtesë sipas protokolleve të vendosura për trajtimin e Sars-Cov-2.

Cilat janë këshillat tuaja për qytetarët?

Rekomandohen masa higjenike të forta mbrojtëse, si për frenimin e përhapjes së virozave apo për Covid-19. Nga ana tjeter këshillohet vitamino-terapi, konsumimi i lëngjeve, shmangia e ambienteve të mbyllura, ambienteve kolektive të mëdha, duhet të ruhet distanca fizike, duhet me patjetër të mbajmë maskë, të ruajmë higjenën vetjake, Pra, të gjitha ato masa që janë përsëritur kaq shpesh për t`u mbrojtur nga Covid-19, janë të vlefshme dhe për virozat e tjera stinore.

Të gjitha grupet e riskut duhet të vaksinohen ashtu si çdo vit, dhe përmend të sëmurët kronike, kardiakë, diabetikët, moshat e treta, të paktën për të evituar mbivendosjen e një infeksioni Covid me infeksione të tjera stinore sepse do e rëndonte klinikisht shumë situatën.

Dr. Afrim Yzeiraj, mjek infeksionist në Urgjencën e Sëmundjeve të Brendshme, QSUNT