Telefon : 00355 4 2349233

Urgjenca (për Tiranën) : 00355 4 2222235

Rruga e Dibrës, Nr. 372, Tiranë (Shiko ku gjendet në hartë)

Rezervimet e Konsultave Ambulatore (e hënë - e premte) : 0800 28 28 (vetëm nga numër fiks) 00355 4 2349217

Statuti

 

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

MINISTRIA E SHËNDETËSISËMINISTRIA E ARSIMIT DHE SHKENCËS

Bulevardi «Bajram Curri» Tirana
Tel Fax +3554 362937
www.moh.gov.al
Rruga e Durresit, Nr. 23, Al-1001 Tiranë
Tel +355 4 240-468



Tiranë, më, 25/06/2007
Nr. 2360 Prot.
Tiranë, më, 26/06/2007
Nr. 4564/1 Prot.



STATUTI

I

QENDRËS SPITALORE UNIVERSITARE

«NËNË TEREZA» TIRANË


Kreu I

Të Përgjithshme

1. Emri, Tipi dhe Lloji i QSUT

1.1 QSUT është Institucion Shëndetësor Publik Kombëtar mjekimi, mësimdhënieje dhe kërkimi shkencor. Drejtimi administrativ i Spitaleve Universitare është në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë ndërsa drejtimi institucional është në varësi të dyfishtë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (VKM Nr. 70 date 15.02.2001)

1.2 Qendra Spitalore Universitare, sipas VKM Nr. 352, datë 09/09/1997, pika 5 është emëruar “Nënë Tereza”

1.3 QSUT është person juridik me zotësi të plotë për të vepruar.

1.4 Vendndodhja e QSUT-së është në Tiranë me adresë: Rruga e Dibres Nr. 372.

2. Përkufizimi i termave

2.1 QSUT: është Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë.

2.2 Terciar: do të thotë shërbim mjekësor i specializuar dhe që nuk mund të ofrohen nga spitale të një niveli tjetër

2.3 Specializantë: mjeku/ja i/e diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë, që ka fituar të drejtën e specializimit, sipas rregullave në fuqi. Ai/ajo është i/e punësuar në QSUT, sipas rregullave të përcaktuara nga Ministri i Shëndetësisë.

2.4 Shërbim Mjeksor Dytësor: është shërbimi mjeksor i përgjithshëm që QSUT ofron për shtetasit brenda qarkut të Tiranës.

2.5 Këshilli: është Këshilli Administrativ i QSUT

2.6 KMS:Komisioni Mjeksor Spitalor, i cili është organ konsultativ i Drejtorit të përgjithshëm.

2.7 KVPEM: është Komiteti i Vlerësimit Profesional dhe Etikës së Mjekut

3. Qëllimi dhe Objekti i QSUT

3.1 Qendra Spitalore Universitare e Tiranës «Nënë Tereza» është Institucion Shëndetësor Publik Kombëtar në shërbim të shëndetit të popullit, të cilit i siguron shërbim shëndetësor parandalues, diagnostikues dhe kurues sipas Kushtetutës së Shqipërisë dhe ligjeve të shëndetit publik.

3.2 Qendra Spitalore Universitare e Tiranës ka për mision:

· Të japë ndihmë mjekësore të specializuar (terciar) për gjithë territorin e vendit dhe shërbim mjekësor dytësor për Tiranën, të shërbejë me profesionalizëm duke respektuar rregullat e deontologjisë dhe të etikës mjekësore si dhe duke ruajtur sekretin profesional dhe informacionin e pacientëve;

· Të respektojë dinjitetin dhe personalitetin e të sëmurëve duke patur parasysh gjendjen psikologjike dhe dhimbjen fizike të tyre por edhe detyrimin që ka për t’i shërbyer të sëmurit;

· Të shërbejë si bazë pedagogjike për formimin e studentëve të Fakultetit të Mjekësisë, formimin e vazhdueshem te mjekëve dhe specializantëve si edhe personelit të mesëm e të ulët mjekësor;

· Të shërbejë si bazë kërkimore – shkencore në fushën e shëndetësisë, në bashkëpunim me Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës.

4. Parime të Përgjithshme të Funksionimit të QSUT

4.1 Shërbimi mjeksor në QSUT ushtrohet në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, ligjet në fuqi, veçanërisht të Ligjit Nr. 9106, datë 17.07.2003 “Për shërbimin Spitalor në Republikën e Shqipërisë”, Ligjit nr. 7870, datë 21.07.1993 “Për Sigurimet Shëndetësore”, Ligjit Nr. 8615, datë 01.06.2000 “Për Urdhërin e Mjekut”, si dhe akte të tjera nënligjore që lidhen me veprimtarinë e saj.

4.2 Personeli mjekësor në QSUT, është i detyruar t`i shërbejë publikut me përkushtim, humanizëm, korrektësi dhe përgjegjësi profesionale.

4.3 Në QSUT ndalohet çdo formë e shpërblimit të personelit nga ana e pacientit apo e të afërmve të tij.

4.4 QSUT financohet nga buxheti i shtetit. QSUT siguron të ardhura nga çdo shërbim mjeksor, sipas tarifave të shërbimit të përcaktuara nga Ministri i Shëndetësisë dhe Ministri i Financave.

4.5 QSUT lidh kontratë me institutet e sigurimeve shëndetësore për shërbimet e ofruara. QSUT mund të pranojë mbështetje financiare edhe nga donatorë të ndryshëm, vendas apo të huaj.

4.6 Të ardhurat e siguruara janë pjesë e buxhetit të shtetit. QSUT-së i lihet për përdorim një sasi të ardhurash në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi.

4.7 Adminsitrta e QSUT i ndërton marrëdhëniet me pacientin mbi bazën e transparencës dhe korrektësisë në shërbim.

4.8 Asnjë shërbim mjekësor në QSUT nuk mund të ofrohet pa u bërë e qartë më parë burimi i mbulimit të kostos së shërbimit mjeksor.

4.9 Asnjë shërbim mjeksor i QSUT nuk mund të ofrohet jashtë rregullave të parashikuara në kreun IV të këtij statuti.

4.10 Kosto e shërbimit për një pacient llogaritet jo më vonë se një muaj nga dita e mbarimit të trajtimit të tij në spital.

4.11 Në QSUT duhet të ketë punonjës të pranimit, të cilët plotësojnë kartën e pranimit të pacientit sipas rregullave të parashikuara në këtë statut. Karta e pranimit është pjesë e fashikullit të pacientit. Në të shënohen të gjitha shërbimet mjeksore të kryera ndaj pacientit. Drejtoria merr masa për përcaktimin e procedurave më të drejta për llogaritjen e kostos së pacientit. Punonjësi i pranimit kujdeset të mbajë një kopje të policës së sigurimit në dosjen e pacientit, në rastet kur shpenzimet përballohen nga sigurimet, në rastet e tjera kopje të dokumebntave që justifikojnë përballimin e shpenzimeve nga QSUT ose nga të tretët. Ai është personi përgjegjës që përcakton se çfare lloj shpenzimesh mbulon polica përkatëse e sigurimit. Për pjesën tjetër ai njofton pacientin së bashku me listën e çmimeve të miratuara për shërbimin përkatës.

4.12 Kur pacienti nuk është i siguruar, ose sipas ligjit nuk i përballohet falas nga QSUT, atij i merret adresa e saktë si dhe duhet të deklarojë për mundësitë e tij financiare. Kur ai e merr vetë përsipër mbulimin e shpenzimeve mjeksore, atëhere i llogariten shpenzimet paraprakisht, sipas rregullave të paracaktuara. Faturën e shpenzimeve duhet ta paguaj me para në dorë ose me forma të tjera pagese që i bëhet e ditur paraprakisht

4.13 Për shtetasit që gëzojnë statuse ligjore, të cilat parashikojnë shërbim mjeksor falas, në kartelë shënohet fjala FALAS. Edhe në këtë rast do të llogaritet kostoja si dhe pritet fatura e shpenzimeve për efekt të kalkulimeve të QSUT

4.14 Në të gjitha rastet e tjera, faturat i kalojnë shoqërive apo instituteve përkatëse të sigurimeve, mbi bazën e deklarimeve të bëra nga ana e pacientit si, kopjes së policës së sigurimit apo kartelës së sigurimit.

Kreu II

Drejtimi i QSUT

Organet drejtuese të autoritetit spitalor te QSUT

  • Këshilli administrativ
  • Drejtoria

2.1 Këshilli Administrativ ështe organi më i lartë i drejtimit të QSUT

Mbledhjet e tij drejtohen nga Kryetari i Këshillit Adminsitrativ.

Anëtari perfaqësues i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës ka detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit administrativ. Sekretari i Përgjithshëm është bashkënënshkrues i axhendës së mbledhjeve të Këshillit.

Këshilli administrativ i QSUT përbëhet nga:

a) Ministri i Shëndetësisë

b) Përfaqësuesi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës

c) Drejtori i Përgjithshëm i QSUT

d) Dekani i Fakultetit të Mjeksisë të Universitetit të Tiranës

e) Përfaqësuesi i Prefekturës Tiranë

f) Një anëtar i caktuar nga Këshilli i Qarkut

g) Një anëtar i caktuar nga Bashkia e Tiranës

h) President i Urdhërit të Mjekut të Qarkut

i) Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor

j) Kryeinfermieri i Përgjithshëm i QSUT

k) Kryetari i KMS

l) Një përfaqësues nga Shoqata e Pacientëve

m) Një përfaqësues i Sindikatës më të madhe të QSUT Keshilli administrativ zgjidhet për një periudhe 3-vjecare. Anëtarët e keshillit administrativ kanë të drejtë rizgjedhje. Nuk mund të jenë anetarë të këshillit administrativ personat që janë aksionere të spitaleve ose të institucioneve shëndetësore të tjera jo publike.

2.2 Funksionet e Këshillit Administrativ

a) Miraton politikat, harton programet tekniko-financiare per konkretizimin e planeve afatshkurtra dhe afatgjata per QSUT ne perputhje me politikat shteterore shendetesore te vendosura nga Ministria e Shendetesise.

b) Programon dhe i propozon Ministrit te Shendetesise ndryshimet strukturore te QSUT

c) Këshilli mblidhet jo me pak se 6 here ne vit.

d) Mbledhjet e jashtezakonshme zhvillohen me kerkesen e Ministrit te Shendetesise ne çdo kohe, si dhe me kerkesen e gjysmes se anetareve.

e) Këshilli Administrativ siguron zbatimin nga QSUT të politikës së përgjithëshme shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë.

f) Miraton politikat dhe strategjitë e QSUT

g) Propozon strukturën e organizimit të përgjithshëm të shërbimeve.

h) Miraton rregulloret e brëndshme të QSUT si dhe projekt-aktet ligjore e nënligjore.

i) Miraton projekt-buxhetin, bilancin, veprimtarinë financiare dhe programin e veprimtarive mjekësore.

2.3 DREJTORIA E PËRGJITHËSHME

2.3.1 Drejtoria e Përgjithëshme e QSUT bën drejtimin administrativ, për të cilin varet nga Ministria e Shëndetësisë dhe drejtimin institucional, për të cilin ka vartësi të dyfishtë nga Ministria e Shëndetësisë dhe nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës.

2.3.2 Drejtoria e Përgjitheshme është organ i vetëm ekzekutiv. Ajo, nën mbikqyrjen e Këshillit Administrativ drejton dhe organizon veprimtarinë mjekësore, administrative, financiare dhe teknike të QSUT

2.3.3 Përbërja e Drejtorisë së QSUT.

· Drejtori i Përgjithshëm

· Zv/ Drejtorë të Përgjithshëm (2)

2.3.4 Detyrat e Drejtorisë së QSUT.

a) Drejtoria e Përgjithëshme siguron drejtimin administrativ dhe institucional të QSUT Drejtoria e QSUT drejtohet nga Drejtori i Përgjithshëm. Ajo menaxhon aktivitetin e përgjithshëm të Spitaleve, programon orientimet strategjike dhe siguron zbatimin e tyre.

b) Harton Projekt-Statutin dhe rregulloret e brendëshme të QSUT në përputhje me ligjet në fuqi.

c) Në bashkëpunim me shërbimet e QSUT harton strukturën e shërbimeve të QSUT

d) Propozon strukturat dhe normativat e personelit të lartë, të mesëm, dhe jo mjekësor.

e) I paraqet Këshillit Administrativ të QSUT problemet e shërbimit shëndetësor dhe tekniko-administrativ.

f) Drejton formimin tekniko-profesional të personelit të lartë dhe të mesëm të institucionit.

g) Miraton projektet që u propozohen Spitaleve Universitare nga OJQ-të.

h) Analizon treguesit tekniko-financiarë të çdo tremujori.

i) Informon KA, mbi aktivitetin mjekësor dhe tekniko financiar të spitalit.

2.3.5 Drejtori i Përgjithshëm i QSUT

Emërohet nga Këshilli i Ministrave, bazuar në Vendimin e Qeverisë Nr. 70, datë 15.02.2001. Drejtori i Përgjithshëm i QSUT është titullari më i lartë ekzekutiv, drejtues, organizues dhe kontrollues i të gjithë veprimtarisë së kësaj qendre, dhe ka këto kompetenca:

a) Drejtori i Përgjithshëm i Institucionit përfaqëson QSUT në të gjitha nivelet: me eprorët, me të barabartët dhe me të tretët.

b) Drejtori i Përgjithshëm është Kryetar i Entit Prokurues të QSUT si dhe Kryetar i Komisionit Kombëtar Ndërspitalor për trajtimin e shtetasve shqipëtare të sëmurë, që kanë nevojë për trajtim jashtë vendit.

c) Siguron zbatimin e statutit dhe rregulloreve të brendëshme të QSUT dhe ka autoritet administrativ dhe institucional mbi të gjithë personelin.

d) Drejtori i Përgjithshëm emëron shefat e shërbimeve, propozimet për shefa shërbimesh, Drejtori i Përgjithshëm i merr nga Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, i cili propozon të paktën dy emra për të njëjtin vend.

e) Nënshkruan kontratën e punësimit në QSUT për të gjithë personelin e lartë dhe të ulët, mjekësor dhe jo mjekësor si dhe personelit pedagogjik të Fakultetit të Mjekësisë për shërbimin që kryen në Spitalet Universitare sipas nevojave të QSUT në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 70, datë 15.02.2001.

f) Miraton dhënien me qera të ambjenteve, truallit apo aparaturave të institucionit.

g) Ka të drejtë të punësojë personelin e lartë, të mesëm e të ulët mjekësor si dhe atë jo mjekësor ne perputhje me rregulloret dhe udhezimet perkatese .

h) Në bazë të statutit të QSUT dhe të Fakultetit të Mjekësisë ka të drejtën e pezullimit dhe komandimit të shefave të shërbimeve deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes.

i) Emëron dhe shkarkon Drejtuesit dhe Shefat e Degëve të Administratës së QSUT

j) Koordinon lidhjen ndërmjet QSUT dhe pushtetit vendor si dhe homologëve të tij brënda dhe jashtë vendit.

k) Organizon, drejton dhe analizon gjithë veprimtarinë ekonomike-financiare të spitalit.

l) Ndjek realizimin e treguesve të efektivitetit të punës në QSUT

m) Merr vendime për largim nga puna në rast shkeljesh të Kodit të Punës, kontratës dhe rregullores së shërbimit nga ana e personelit të lartë, të mesëm dhe të ulët mjekësor dhe jo mjekësor të QSUT

n) Drejtori i QSUT firmos të gjitha aktet që e angazhojnë spitalin ndaj subjekteve ose personave juridikë.

o) Drejtori ka të drejtë që një pjesë të kompetencave të tij tia delegojë sipas rastit, Drejtorëve të drejtorisë.

p) Në rast shkeljeje të etikës, deontologjisë dhe rregullores së spitaleve universitare nga studentët e Fakultetit të Mjekësisë, i propozon Dekanit masa disiplinore.

2.3.6 Zv/Drejtorët e Pergjithshem:

Emërimi dhe lirimi i tyre bëhet nga Ministri i Shëndetësisë, me propozim të Drejtorit të Përgjithshëm të QSUT Drejtori i Përgjithshëm në mënyrë tëdrejtë ndanë aktivitetet që do të mbuloje sejcili prej tyre, i cili konsiston në:

a) Oganizimin e aktivitetit profesional dhe tekniko-shkencor të spitalit

b) Në bashkëveprim me Shefat e shërbimeve, përgjigjen për kualifikimin profesional e shkencor të mjekëve dhe personelit të mesëm mjekësor.

c) Organizojnë dhe drejtojnë punën e qendrës së Statistikës Mjekësore në QSUT

d) Organizojnë dhe ndjekin veprimtarinë mjekësore të sektorit farmaceutik të QSUT në fushën e furnizimit, shpërndarjes dhe konsumit të barnave dhe materialeve mjekësore.

e) Organizon dhe drejton punën për hartimin, miratimin dhe zbatimin e protokolleve të diagnostikimit dhe të mjekimit për çdo shërbim.

f) Organizon dhe drejton punën në sektorët e laboratorëve, imazherisë mjekësore, biomedikalit dhe në ata të mirëmbajtjes teknike.

g) Organizon dhe drejton punën e sektorit të higjenës dhe të infeksioneve nozokomiale.

h) Organizon studime mbi sëmundshmërinë e vdekshmërinë dhe përcakton masat për uljen e tyre në QSUT

2.3.7 Drejtoritë dhe Sektorët

Për efekt të drejtimit dhe menaxhimit te QSUT krijohen dhe funksionojne:

Drejtoria Ekonomike dhe Planifikimit Financiar;

Drejtoria Sherbimeve Mbeshtetese;

Drejtoria Juridike dhe Marredhenive me Jashte;

Drejtoria e Burimeve Njerezore dhe Edukimit ne Vazhdim;

Drejtuesit e këtyre drejtorive dhe të sektorëve ne varesi emërohen nga Drejtori i Përgjithshëm;

Detyrat përcaktohen me rregullore të brendshme të QSUT

Kreu III

Organe ndihmëse

3.1 Komisioni Mjekësor Spitalor (KMS)

a) Komisioni Mjekësor Spitalor është organ konsultativ i Drejtorit të Përgjithshëm. KMS përbëhet nga përfaqësues të përzgjedhur prej të gjitha shërbimeve kryesore të QSUT, përzgjedhja bëhet: gjysmën e tyre Drejtori i Përgjithshëm, i zgjedh nga radhët e shefave të shërbimeve, ndërsa gjysma tjetër, zgjidhen me votim nga radhët e shërbimeve të tjera që përfaqësohen prej jo shefa shërbimesh. Kryetari zgjidhet nga vetë anëtarët. KMS funksionon sipas rregullores së brendshme që miratohet nga Drejtori i Përgjithshëm;

b) KMS konsulton lidhur me aspektet mjekesore të punës;

c) KMS konsulton lidhur me përshkrimin e detyrave sipas funksioneve, dhe organizimin e shërbimeve mjekesore;

d) KMS konsulton mbydhjen, modifikimin apo krijimin e shërbimeve të reja, dhe konsulton për vendosjen e tarifave mjeksore;

e) Konsulton lidhur me projektet për politikat e zhvillimit të QSUT

3.3 Komiteti i Vlerësimit Profesional dhe Etikës së Mjekut (KVPEM)

3.3.1 KVPEM përbëhet nga:

a) Dy profesore, me eksperiencë të gjatë profesionale;

b) Dy profesore të përzgjedhur nga pleada e profesorëve të rinj;

c) Një përfaqësues i Urdhërit të Mjekut;

Statuti i QSUT 7

KREU IV

Rregulla dhe Proçedura të Punësimit dhe të Vlerësimit në Punë.

1. Kontrata e Punës

Të gjithë punonjësit në QSUT janë të punësuar me kontratë pune individuale sipas rregullave të Kodit të Punës.

Kontrata individuale e punës lidhet në pajtim të plotë me ligjin dhe kontratën kolektive të punës, që lidhet ndërmjet Drejtorit dhe Sindikatës apo Sindikatave më të përfaqësuara.

Kontrata e punës së punonjësit të QSUT-së përmban detyrimisht këto elementë:

a. Objektin e Kontratës;

b. Kohëzgjatjen, pavarësisht nga afati;

c. Kohën e proves, kur kërkohet;

d. Zgjidhja e kontratës së punës;

e. Kohën e punës në QSUT;

f. Përshkrimin e vendit të punës dhe detyrat specifike (aneksi i kontratës së punës);

g. Detyrimet e punëmarrësit dhe punëdhenësit;

h. Pagesa dhe shpërblimet në punë;

i. Procedura e zgjidhjes së mosmarrëveshjes.

2. Dosja e Personelit

Për çdo punonjës në QSUT, detyrimisht, krijohet një dosje personeli. Pedagogët duhet të dërgojnë në QSUT, një dosje e cila të përmbajë aktivitetin e tyre pedagogjiko-shkencor. Mospërgatitja e dosjes për çfarëdo arsye do të konsiderohet shkelje e rëndë e disiplinës në punë dhe shkakton zgjidhjen e menjëhershme të kontratës së punës, ose kur ajo nuk është lidhur ende, moslidhjen e saj.

Sektori i Personelit është njësia përgjegjëse në QSUT për mbajtjen e këtyre dosjeve me korrektësi, profesionalizëm dhe duke respektuar parimet e konfidencialitetit.

Dosja e të punësuarit në QSUT duhet të përmbajë detyrimisht:

a. Një kopje të kontratës së punës, së bashku me aktin e emërimit në rastin e drejtuesve;

b. Kopje e diplomës për personelin mjekësor si dhe kopje të dëftesave shkollore për personelin e ulët mjëkësor;

c. Librezën e punës (origjinale);

d. Librezën shëndetësore;

e. Dokumentin e gradës shkencore e pedagogjike;

f. Vlerësimin e punës që bëhet në fund të çdo viti;

g. Aktet e masave disiplinore;

h. Çdo dokument tjetër që lidhet me marrëdhëniet e punës dhe që kërkohet nga punëdhënësi.

3. Procedurat e marrjes në Punë në QSUT

. Në QSUT si rregull, personeli punësohet nëpërmjet konkursit. Vlerësimi për personelin e lartë mjekësor bëhet prej një komisioni të përbërë nga Drejtori i Pergjithshem (kryetari), Zv/Drejtorët e Pergjithshem, Shefi i Sherbimit përkatës, dhe nje perfqesues nga Drejtoria e Burimeve Njerezore dhe Edukimit ne Vazhdim, ndërsa për personelin e administratës dhe personelin tjetër ndihmës respektohen dispozitat e Kodit te Punes.

Përzgjedhja mund të bëhet edhe kur paraqitet një kërkesë e vetme, vetëm në rastet kur provohet se është bërë njoftim publik për tre ditë rresht në një prej gazetave me tirazh më të madh. Në këto raste, në dosjen e praktikës përkatëse duhet të gjendet në çdo kohë një kopje e gazetës që ka shpallur njoftimin. Nëse kjo nuk gjendet, personi përgjegjes mban pergjegjesi sipas ligjeve ne fuqi.

Drejtori i Pergjithshem, nëpërmjet Drejtorisë së Burimeve Njerezore dhe Edukimit ne Vazhdim, pas kërkesës së argumentuar të Shefit të Shërbimit, harton kërkesat specifike të çdo vendi pune në QSUT, para se të bëhet deklarimi i vendeve të punës.

Nga rregulli i mësipërm përjashtohen rastet kur merret në punë personel mjekësor me gradën profesor ose personel me kohë të pjeseshme.

Pedagogët ushtrojnë aktivitetin e tyre në bazë të një kontrate me QSUT

4. Konflikti i Interesave

Mjeku i QSUT-së ndalohet të përdorë mjetet e saj për qëllime private apo përfitim vetijak, jashtë rregullave të parashikuara në këtë statut dhe në akte të tjera. Nesë kjo ndodh, atëherë ai/ajo largohet menjëherë nga puna.

Për të evituar konflikt të mundshëm interesash, shefat e shërbimit në QSUT, nuk mund të jenë pjesë e oganeve drejtuese në institucione shëndetësore private. Para emërimit të tyre, ata duhet të bëjnë në Drejtorinë e Burimeve Njerzore dhe te Edukimit ne Vazhdim deklaratën përkatëse të shoqëruar me vërtetimin respektiv nga M.SH.

Për kategoritë e tjera të punonjësve, ku mund të lindë konflikt interesash, Drejtoria e QSUT harton një rregullore të posaçme.

Mjeku që punon në QSUT me kohë të plotë mund të angazhohet me mësimdhënie në institucionet e arsimit shëndetësor publik pas miratimit nga Drejtoria.

Mjeku në QSUT dhe familjarët e tij në gjini apo lidhje gjaku te afërt, bashkëshorti/ja dhe fëmijët nuk mund të konkurojnë dhe as të përzgjidhen në prokurime që organizon administrata e QSUT

5. Kushtet për Ushtrimet e Karrierës Profesionale në QSUT

QSUT siguron të gjitha lehtësirat dhe mbrojtjen e nevojshme, sipas legjislacionit përkatës për çdo mjek, punonjës që dëshiron të rrisë gradën e tij/sajshkencore.

Në fillim të çdo viti Drejtori i Pergjithshem, në bashkëpunim me Dekanin e Fakultetit të Mjekësisë, përcaktojnë me marrëveshje të shkruar numrin e mjekëve që do të fillojnë procedurat për specializantë dhe për gradë shkencore. Të dy autoritetet miratojnë dhe nënshkruajnë këtë marrëveshje bashkëpunimi, pasi Ministri i Arsimit dhe ai i Shëndetësisë, të kenë nënshkruar më parë marrëveshjen për përdorimin e fondeve buxhetore për këtë qëllim. Të dy ministrat duhet të përcaktojnë procedurat e detajuara për SHPU si dhe detajimin e mëtejshëm të buxhetit për këtë qëllim, duke përcaktuar autoritetin publik kompetent për ta përdorur këtë buxhet.

Kreu V

Struktura e Shërbimit Mjekësor në QSUT

1. Sektorët e aktivitetit

QSUT është e ndarë në 5 (pesë) sektorë të mëdhenj aktiviteti (SA), të cilët përfaqësojnë grupimin e specialiteteve të përafërta. Këto SA janë: SA e Pediatrisë, SA e Kirurgjisë, SA e Neuropsikiatrisë,

SA e Sëmundjeve të Brendshme dhe SA e Diagnostikës. SA drejtohen nga Përgjegjësi i SA, funksionimi dhe drejtimi i SA bëhet në bazë të njërregulloreje të posaçme.

2. Shërbimet Mjekësore Universitare

QSUT ofron shërbime mjekësore diagnostikimi e kurimi në njësi të specializuara.

Shërbimet janë njësi diagnostikuese trajtuese dhe shkencore themelore të QSUT

Sherbimi mjekësor ka personelin e vet me kohë të plotë e atë me kohë të

pjesëshme.

Në personelin me kohë të plotë bëjnë pjesë:

a) Shefi i sherbimit – me funksione spitalore dhe universitare;

b) Profesor, Prof/Asc. me fuksione spitalore, universitare, me shtreter;

c) Dr. shkencash me funksione spitalore universitare, me shtreter;

d) Mjeke praktike me shtreter ;

e) Specializante ;

f) Kryeinfermiere ;

g) Infermiere ;

h) Ndihmes infermiere-kujdestare ;

i) Sanitare;

j) Personel tjeter sipas specifikave te sherbimit (sociolog, teknik, laborant etj).

Ne personelin me kohë pjesëshme hyjnë:

a) Prof, Prof/Asc., Dr. Shk, konsulente pa shtreter, qe rekrutohen me propozim te shefit te sherbimit dhe me miratim te Drejtorit te Pergjithshem.

b) Personel teknik qe rekrutohet me propozim te shefit dhe miratim te Drejtorit te Pergjithshem.

2.1.3 Nën varesine direkte funksionale të Shefit të Sherbimit janë të gjithë punonjësit e Sherbimit Mjekesor dhe, kur ka, edhe te atij mbështetës. Çdo Shërbim ka një Kryeinfermier, i cili / e cila përzgjidhet nga rradhet e infermierëve të QSUT me pervoje së paku 3- vjeçare pune dhe kualifikimin më të lartë. Kryeinfermieri emërohet nga Drejtori i Përgjithshëm. Numri i infermiereve, laboranteve apo i punonjësve të tjere të Sherbimit caktohet sipas strukturës së miratuar nga Ministri i Shëndetësise. Në çdo sherbim atashohen edhe specializante që janë efektiv i QSUT në shërbim. Ata punojnë me kohë të plotë dhe me të njëjtën ngarkesë pune si mjekët e pavionit. Drejtori merr masa per organizimin e shërbimeve mbështetese për të gjitha shërbimet në QSUT sipas përcaktimeve te bëra në legjislacionin në fuqi. Funksionimi i tyre realizohet mbi bazën e një rregulloreje të veçantë të miratuar nga Drejtori i Përgjithshhëm.

3. Trajtimi i Urgjencave dhe Sherbimi Mjekesor i Pandërprere

3.1 Në QSUT funksionojnë mjedise të pritjes së Urgjencave Klinike.

3.2 Shërbimi Mjekësor, në shërbimet dhe repartet e urgjencave ne QSUT është i pandërprerë. Ky shërbim garantohet me mjekë e infermierë, në bazë të grafikut të shërbimit.

3.3 Shërbimet e Urgjencës funksionojne më vete dhe, njëkohësisht sherbejne si mjedis pranimi të të gjithe të sëmurëve që vijne në spital.

3.4 Funksionimi i tyre realizohet mbi bazën e një rregulloreje të veçantë të miratuar nga Drejtori i

Përgjithshhëm

Kreu VI

Rregulla të Shërbimit Mjekësor në QSUT

1. Pranimi i pacientit

Çdo pacient që paraqitet ne QSUT, nëse nuk vjen si rast urgjent, duhet te identifikohet në sherbimin e pranimit të pacientëve.

Pacienti që paraqitet në pranim duhet të jetë i shoqëruar me letër konsulte nga spitali nga i cili vjen.

Për banorët e qarkut te Tiranes mjafton vetëm rekomandimi i mjekut të njësisë administrative

përkatëse, ose mjekut të familjes.

1.3. Sherbimi i pranimit eshte i përbëre nga mjeku pranues, infermieri si dhe punonjësi i pranimit.

1.4. Kartela e sherbimit mjekesor është dokument i QSUT, që përmban të dhënat e përgjithëshme të pacientit, gjendjen sociale të tij, adresen dhe vendbanimin, spitalin apo kliniken nga rekomandohet, numrin e sigurimit shendetesor si dhe arsyet klinike te paraqitjes së pacientit në QSUT

1.5. Në rastet e paraqitjes së pacientit në gjendje konfuzionale ose komatoze, kjo kartelë plotësohet në prani te personave të afërm të familjes, ose pasi pacienti të kalojë fazën akute.

1.6. Kartela eshte dokument mjekesor vetëm në duart e personelit mjekësor të institucionit dhe përbën sekret mjekësor. Kjo ruhet si e tille dhe mund te vihet në dispozicion të të interesuarve vetëm me urdher te Drejtorit te Pergjithshem.

2. Kontrolli i Pergjithshem

2.1. Pas plotesimit te kartelës së shërbimit mjekësor, pacienti i nënshtrohet kontrollit të përgjithshem mjekësor nën drejtimin e mjekut të pranimit. Në rastin e pacienteve në gjendje urgjente, mjeku i pranimit është mjeku roje i shërbimit të urgjencës.

2.2. Kartela përmban rubrikën ekonomike e cila kontrollohet nga K/infermierët, mjekët, shefat e shërbimit për aktet mjekësore të aplikuara në bazë të protokolleve të miratuara dhe në fund nën përgjegjesi e të treve firmoset. Në rast se shpenzimet e akteve të përshkruara kalojnë protokollin për semundjen, shefi i shërbimit dhe k/infermieri duhet të justifikojnë tejkalimin e të sinjalizojnë Përgjegjësin e SA.

Kreu VI

Dispozita Tranzitore dhe te Fundit

1. Ky statut i fillon efektet e tij menjëherë pas miratimit.

2. Ngarkohet Drejtori i Pergjithshem i QSUT per fillimin e procedurave të zgjedhjes së organeve drejtuese te QSUT, në përputhje me këtë satut.

3. Ministria merr masa për percaktimin e detajuar të procedurave që kerkon ky statut.

4. Deri në miratimin përfundimtar të rregullave për mbulimin e kostos së pacientit nga Sigurimet Shendetesore, administrata e QSUT detyrohet të pergatisë strukturën përkatëse, formularët dhe dokumentacionin e duhur, si dhe të trajnojë personelin për llogaritjen e kostos së pacientit, ndërkohë, shërbimet mjekësore do të vazhdojnë të ofrohen si deri tani.

5. Drejtori i Pergjithshem merr masa per detajimin e procedurave të mëtejshme për vënien në funksionim të këtij statuti.

MINISTRI I SHËNDETËSISË

Nard NDOKA
MINISTRI I ARSIMIT DHE SHKENCËS

Genc POLLO