Telefon : 00355 4 2349233

Urgjenca (për Tiranën) : 00355 4 2222235

Rruga e Dibrës, Nr. 372, Tiranë (Shiko ku gjendet në hartë)

Rezervimet e Konsultave Ambulatore (e hënë - e premte) : 0800 28 28 (vetëm nga numër fiks) 00355 4 2349217

Kodi i Etikës dhe Deontologjisë për Infermieret


Kreu > Rreth nesh > Kuadri Ligjor > Kodi i Etikës dhe Deontologjisë për Infermieret

Kodi i Etikës dhe Deontologjisë për Infermieret

 

Miratuar në Këshillin Kombëtar

 Me Vendim Nr. 4, Datë 8/11/2008

Ndryshuar me Ligjin Nr. 10 462, Dt. 13/09/2011

Miratuar me Vendimin Nr. 43 Datë 15/02/2012

 

 

 

 

KODI ETIK-DEONTOLOGJIK

I PROFESIONEVE INFERMIER/E, MAMI, FIZIOTERAPEFT/E, TEKNIK/E LABORATORI, TEKNKIK/E IMAZHERIE, LOGOPEDIST/E

 

 

Dispozita të Përgjithëshme

 

Kodi Etik-Deontologjik përmban vlerat dhe parimet e sjelljes së drejtë, që lidhen me detyrimet dhe të drejtat e profesioneve: infermier/e, mami, fizioterapeft/e, teknik/e laboratori, teknik/e imazherie, logopedist/e në veprimtarinë e tyre të përditëshme për kujdesin ndaj jetës, shëndetit, lirisë dhe dinjitetit të njeriut.

Kodi Etik-Deontologjik i profesioneve infermier/e, mami, fizioterapeft/e, teknik/e laboratori, teknik/e imazherie, logopedist/e (Në vijim: profesionet e UISh) mbështetet në Ligjin nr.9718, datë 19.4.2007 “Për Urdhrin e Infermierit në Republikën e Shqipërisë”,(i ndryshuar) [1] , në aktet nënligjore të Ministrisë të Shëndteësisë , në Statutin e UISh si dhe në aktet e miratuara nga Këshilli Kombëtar i UISh.

 

Neni 1

 

  1. Profesionet e UISh janë profesionistë të kujdesit shëndetësor, të pajisur me diplomë, të njohur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, dhe të regjistruar në Urdhrin e Infermierit në Republikën e Shqipërisë.
  2. Profesionet e UISh realizojnë kujdesin shëndetësor përmes ndërhyrjeve specifike, të pavarura dhe plotësuese, nëpërmjet bashkëpunimit infermier/e, mami, fizioterapeft/e, teknik/e laboratori, teknik/e imazherie, logopedist/e dhe mjek, pacient, familje.
  3. Përgjegjësia e profesioneve të UISh qëndron në parandalimin, lehtësimin e dhimbjeve, në aspektin kurativ, në edukimin shëndetesor ndaj personit, në respektin për jetën, shëndetin, lirinë dhe dinjitetin e individit.
  4. Profesionet e UISh për të kryer në mënyrë të ligjshme profesionin duhet të zbatojë me korrektësi kërkesat e Nenit 5 të ligjit të sipërpërmëndur për tu regjistruar në UISh dhe për të zbatuar me korrektësi kërkesat e Statutit dhe Kodit Etik-Deontologjik.
  5. Kodi Etik-Deontologjik i profesioneve të UISh i udhëheq ata në zhvillimin e identitetit profesional dhe në angazhimin për një sjellje të përgjegjëshme nga ana etike dhe përbën një mjet komunikimi që informon pacientin mbi sjelljet që mund të priten prej tyre.
  6. Profesionet e UISh, me pjesmarrjen në këtë grupim profesional pranojnë vlerat dhe parimet që përmban Kodi Etik-Deontologjik si dhe angazhohen për t’i zbatuar ato në sjelljen e përditëshme.

 

Neni 2

Detyrimet e Etikës profesionale

 

  1. Profesionet e UISh e konsiderojnë shëndetin si një të mirë themelore për individin dhe për interesat e kolektivit.
  2. Profesionet e UISh angazhohen për kujdesin, për shëndetin me anë të parandalimit, kurimit, reabilitimit dhe lehtësimit të vuajtjeve.
  3. Profesionet e UISh kujdesen në mënyrë të njëjtë për të gjithë pacientët, pavarësisht nga mosha, kushtet sociale ekonomike dhe nga lloji i sëmundjes.
  4. Profesionet e UISh ushtrojnë detyrën e tyre pa bërë dallim për bindjet fetare dhe ideore, për kulturën, etninë, ngjyrën apo gjininë e pacientit.
  5. Respekti ndaj të drejtave themelore të njeriut dhe parimeve të etikës profesionale, njohja dhe ushtrimi i “Betimit të Infermierit”, janë kushti themelor për marrjen përsipër të kujdesjeve infermierore.
  6. Profesionet e UISh duhet të rrezatojnë kulturë dhe besim tek pacienti me paraqitjen dhe me veshjen e tyrej. Ata janë të detyruar që në vendin e punës të paraqiten me uniformën e caktuar nga institucioni, e cila duhet të jetë e pastër dhe e rregullt, pa bizhuteri penguese për kryerjen e detyrës (varëse, vathë, unaza, etj) me tualet të lehtë, thonj të prera dhe këpucë të sheshta dhe kartën me identitetin profesional gjithnjë të dukëshme.
  7. Dalja jashtë institucionit me uniformën e punës është e dënueshme. Profesionistët e sallave të operacionit, reanimacionit dhe të gjithë kabineteve ku kërkohet sterilitet i veçantë duhet të përdorin uniforma përkatëse. Dalja jashtë ambientit të punës ul dinjitetin e tyre dhe rrit rreziqet për pacientin, dhe përbën një veprim të dënueshëm.
  8. Sjellja korrekte brenda normave dhe rregullave të detyrës, komunikimi me qetësi, me siguri dhe brenda kompetencave të caktuara me pacientin dhe familjarët përbën një aspekt tjetër etik të profesioneve të UISh. Shkelja apo tejkalim i këtyre normave është i dënueshëm.
  9. Profesionet e UISh nuk duhet kërkojnë, të pranojnë, nxisin apo ndërmjetojnë në asnjë formë ryshfet për punën e kryer. Në të kundërtën ata mbajnë përgjegjësi ligjore.
  10. Në rastet e konfliktit të shkaktuara nga ndryshimet e thella etike, profesionet e UISh angazhohen për të gjetur zgjidhjen e duhur, përmes dialogut, vullnetit të mirë me parimet etike dhe me ndërgjegjen profesionale.
  11. Profesionet e UISh aktivizohen për të gjetur rrugëzgjidhje dhe në rastet e konfliktit venë në plan të parë interesat e të asistuarit (pacientit).
  12. Profesionet e UISh ruajnë emrin dhe figurën morale, duke qëndruar larg veseve që i dëmtojnë si: alkoli, droga, imoraliteti. Rastet e shthurjes morale, paraqitjes në punë në gjendje të dehur apo nën efektin e substancave të jashtëligjshme, ndëshkohen.
  13. Profesionet e UISh mund të zhvillojnë forma vullnetare për kujdesjet ndaj pacientit, por me përgjegjësi profesionale dhe konform ligjeve në fuqi dhe zbatimit të këtij Kodi.
  14. Profesionet e UISh në situata urgjence apo fatkeqësi natyrore duhet të japin ndihmën në kohën e duhur për të garantuar asistencën e nevojshme dhe mbajnë përgjegjësi në rast të mosdhënies së saj.
  15. Profesionet e UISh, në raste ngjarjesh madhore, fatkeqësish, vihen në dispozicion të autoriteteve kompetente për të dhënë kontributin e tyre sipas rastit.
  16. Veprimi profesional nuk duhet të jetë kushtëzuar nga presionet ose interesat personale që rrjedhin nga personat e asistuar (pacientët), nga operatorët, e tjerë, nga shoqata, apo organizma të ndryshme.
  17. Profesionet e UISh mbajnë përgjegjësi gjatë ushtrimit të detyrës në bazë të kompetencave të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë. Në rast të shkeljes apo tejkalimit të tyre, mund të shkaktojnë dëmtime në shëndetin e pacientit, dhe të ndëshkohen. Në çdo rast, kur e shikojnë të arsyeshme, kërkojnë ndihmë tek eprorët, apo profesionistët e tjerë.

 

Neni 3

 Formimi i vazhdueshëm profesional i profesioneve të UISh

 

  1. Profesionet e UISh e kanë të drejtë dhe detyrim formimin e vazhdueshëm profesional, me qëllim që të njohin praktikat e reja në profesionet përkatëse për të rritur cilësinë e shërbimit në dobi të pacientit.
  2. Profesionet e UISh duhet të përgatiten sistematikisht për të dhënë provimet periodike sipas ligjit Nr.10 171, datë 22.10.2009 “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë” , dhe akteve nënligjore të MASH dhe Ministrisë të Shëndetësisë.
  3. Profesionet e UISh marrin pjesë në formimin e vazhdueshëm profesional, nxisin kërkimin, informimin dhe komunikimin me qëllim që t’i përhapin dhe zbatojnë përvojat e reja, brenda dhe jashtë vendit.
  4. Profesionet e UISh mbajnë përgjegjësi në bazë të kompetencave të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë. Në qoftëse e shikon të nevojshme për ndërhyrje ose për konsulencë të mëtejshme u drejtohet profesionistëve ose eprorëve të tij.
  5. Profesionet e UISh duhet të njohin dhe zbatojnë me siguri profesionale dokumentet e miratuara nga Ministri i Shëndetësisë si : Kujdesjet Infermierore (2004); Protokollet e kujdesjeve infermierore në shërbimin spitalor (2005); Rregullat tekniko-administrative për kujdesjet infermierore në shërbimin spitalor (2006), dhe legjislacioni përkatës në vijim.
  6. Profesionet e UISh nuk duhet të shpërdorojnë mundësitë që u krijon profesioni dhe nuk duhet të bëjë eksperimente pa baza ligjore të cilat rrezikojnë të asistuarin (pacientin) dhe kolektivin.

 

Neni 4

Marrëdhëniet e profesioneve të UISh me pacientët

 

  1. Profesionet e UISh nxitin përmes promovimit dhe edukimit, mënyrat dhe format e përhapjes të një kulture shëndetësore me qëllim sigurimin e raporteve të drejta ndërmjet shërbimeve shëndetësore mjekësore, operatorëve të tjerë dhe personit të asistuar (pacientit).
  2. Profesionet e UISh dëgjojnë dhe informojnë personin e asistuar (pacientin), duke vlerësuar nevojat e kujdesjeve infermierore për të, dhe i mundëson të pacientit të shprehë zgjidhjet e tij personale.
  3. Profesionet e UISh respektojnë mendimin e pacientit, dhe lehtësojnë raportet me profesionet më të rëndësishme, që përfshihen në planin e kurimit.
  4. Profesionet e UISh e kanë për detyrë të jenë të informuar për planin diagnostikues e terapeutik, për ndikimin dhe lidhjen që këto kanë mbi programin e kujdesjeve shëndetësore në lidhje me personin e asistuar (pacientin).
  5. Profesionet e UISh në ndihmë të pacientit në zgjedhjet terapeutike, garantojnë informacione lidhur me planin e kujdesjeve infermierore. Informimi vazhdon deri kur pacienti përvetëson një informacion jo vetëm klinik por tërësor dhe është i ndërgjegjshëm për zgjedhjen e të drejtës së tij për të qenë i informuar.
  6. Profesionet e UISh sigurojnë informacione dhe kujdesen për ruajtjen e tyre për çështje që lidhen me të asistuarin (pacientin). Në mbledhjen dhe përcjelljen e këtyre të dhënave ata respektojnë kompetencat që u takojnë.
  7. Profesionet e UISh garantojnë vazhdueshmërinë e kujdeseve infermierore edhe nëpërmjet drejtimit efikas të mjeteve informative dhe dorëzimit korrekt të shërbimit.
  8. Profesionet e UISh respektojnë sekretin profesional, jo vetëm si detyrim ligjor, por edhe për bindje vetjake dhe si një përgjigje konkrete ndaj besimit, që pacienti krijon tek ta.
  9. Profesionet e UISh nxitin kushte sa më të mira të mundshme në përshtatje me gjëndjen psiko-fizike të të asistuarit (pacientit) dhe të familjarëve të tij.
  10. Profesionet e UISh e konsiderojnë ndihmën si një zgjidhje të bashkërenduar, duke marrë parasysh interesin e pacientit.
  11. Profesionet e UISh veprojnë duke pasur në konsideratë opinionin e familjarëve për të vegjëlit në përputhje me moshën dhe shkallën e pjekurisë së gjykimit të tyre lidhur me kujdesjet infermierore.
  12. Profesionet e UISh angazhohen dhe nxitin kujdesjen ndaj pacientëve, kur familja dhe kushtet nuk janë të përshtatshme ndaj nevojave të tyre.
  13. Profesionet e UISh, duhet të verë në përdorim të gjitha mjetet e ligjëshme, duke njoftuar edhe autoritetet kompetente, kur vëren keqtrajtime ose mangësi në të drejtën e pacienti dhe që i sjellim dëm atij.
  14. Profesionet e UISh veprojnë për të lehtësuar simptomat, në veçanti në rastet kur janë të parandalueshme dhe mund të shfrytëzojnë përdorimin e iluzionit vetëm në rastet e vlerësuara me kujdes dhe mbi treguesit konkretë shëndetësorë.
  15. Profesionet e UISh kujdesen për pacientin, cilado qofshin kushtet e tij klinike, edhe në fund të jetës, duke njohur rëndësinë e inkurajimit ambjental, fizik, ekologjik, shpirtëror.
  16. Profesionet e UISh mbikqyrin të drejtën e mbajtjes së kufijve të tejkalimeve diagnostikuese dhe terapeutike, të cilat janë jo të përshtatshme me konceptin e rëndësisë së jetës të të asistuarit (pacientit).
  17. Profesionet e UISh mbështesin familjarët e pacientit në veçanti, në momentin e humbjes së jetës dhe më pas. Në mungesë të tyre, ata janë të detyruar të zhveshin, shtrijnë, rregullojnë fytyrën dhe shoqërojnë në trupin në morg.
  18. Profesionet e UISh nuk marrin pjesë në trajtimet e fundit për shpejtimin e vdekjes të të asistuarit (pacientit) edhe në rastet kur kërkesa vjen nga i interesuari apo nga familjarët.
  19. Profesionet e UISh e konsiderojnë dhurimin e gjakut dhe të organeve një shprehje e solidaritetit njerëzor.Ata vihen në shërbim të mbështetjes të informacioneve dhe personave të përfshirë në dhurimin dhe në marrjen e organeve, konform legjislacionit shqiptar.

 

Neni 5

Pakti infermier-pacient

 

Unë, si infermier, angazhohem në marrëdhëniet e mia me të asistuarin (pacientin) në :

 

  • T’i paraqitem që në takimin e parë, t’i shpjegoj kush jam unë dhe çfarë mund do të bëjë për të.
  • Të di kush është i pacienti, ta njoh, ta thërras në emër dhe mbiemër.
  • T’i bëj njohjen nëpërmjet kartelës së identifikimit personal.
  • Të jap përgjigje të qartë dhe saktë për adresën e pacientit në organet kompetente.
  • T’i formuloj informacionin që do të ndikojë në njohjen pacientit me personat e shërbimit shëndetësor.
  • T’i garantoj kushtet më të mira higjenike të ambientit.
  • Ta ndihmoj në mbajtjen e marrëdhënieve sociale dhe familjare.
  • Të respektoj rregullat dhe zakonet e tij sipas etnisë dhe besimit fetar.
  • Të ndihmoj pacientët në përballjet në mënyrë të ekuilibruar dhe dinjitoze, gjatë ditës (turnit) për të kapërcyer veprimet e zakonshme të tij : të hajë, të lahet, të lëvizë, të flejë kur nuk është në gjendje t’i kryej vetë.
  • Të asistoj individualisht në nevojat e tij, të jetoj me problematikën e pacientit, të gjej mundësinë e zgjidhjes dhe të veprojmë sëbashku në zgjidhjen e problemit.
  • T’i mësoj cilat janë faktorët favorizues dhe kundër të shëndetit, në respekt të zgjedhjes së mënyrës të jetës.
  • T’i garantoj kompetencat etiko-profesionale dhe njerëzore për mënyrën më të favorshme të paraqitjes së tij në vendin ku do të kryhet asistenca.
  • Të respektoj dinjitetin e tij, t’i jap siguri dhe t’i garantoj shpëtimin e jetës.
  • Ta dëgjoj me vëmëndje dhe ta këshilloj kur ka nevojë.
  • T’i qëndroj pranë kur vuan, ka frikë, kur medikamentet dhe teknikat nuk mjaftojnë.
  • Të mos nxit, ndërmjetësoj, kërkoj dhe pranoj asnjë lloj ryshfeti, në asnjë lloj forme për shërbimin e kryer ose për diferencim të tij.

 

Neni 6

Raportet profesionale me kolegët dhe operatorët e tjerë

 

  1. Profesionet e UISh bashkëpunojnë me kolegët dhe me operatorët e tjerë, të cilët i njohin dhe respektojnë mbështetjen e ndërsjellë.
  2. Profesionet e UISh kujdesen për dinjitetin e tyre dhe të kolegëve nëpërmjet sjelljeve, të cilat shprehin respekt dhe solidaritet, në procesin e kurimit dhe kujdesjeve infermierore.
  3. Profesionet e UISh kanë detyrë të vetvlerësojnë, të parashtrojnë veprimet e tyre dhe të verifikojnë kujdesjet infermierore, në vijimësi.
  4. Profesionet e UISh në ushtrimin e autonomisë i përmbahen normave dhe sjelljeve që përmban Kodi Etik-Deontologjik.
  5. Profesionet e UISh kujdesen për kualifikimin e tyre profesional dhe nëpërmjet respektimit të normave, që rregullojnë reklamën shëndetësore për kujdesjet infermierore.
  6. Profesionet e UISh janë të detyruar të shënojnë në Kartën e Regjistrimit Profesional pranë UISh, çdo vendim apo sjellje që bie në kundërshtim me Kodin Etik-Deontologjik.

 

Neni 7

Raportet me institucionet

 

  1. Profesionet e UISh në nivele të ndryshme përgjegjësie duhet kontribuojnë në orientimin e politikave dhe në zhvillimin e kujdesjeve infermierore në Sistemin Shëndetësor, për garantimin dhe respektimin e të drejtave të pacientit.
  2. Profesionet e UISh duhet sigurojnë dhënien e informacionit dhe të komunikimit të shpejtë dhe të qartë në nivelet përkatëse të përgjegjësisë me qëllim që të shmangen në kohë mungesat apo çrregullimet dhe të rikrijohet një situatë të favorshme për pacientin.
  3. Profesionet e UISh u drejtohen autoriteteve profesionalë kompetentë të cilët janë të aftë të gjykojnë për kujdesjet infermierore, si dhe për cilësinë dhe efektet mbi pacientin.
  4. Profesionet e UISh e kanë detyrë dhe të drejtë të informojnë UISh për kushtet që dëmtojnë cilësinë e kujdesjeve infermierore ose punën e ushtrimit të profesionit dhe të kërkojnë mbështetjen e organeve të tij.
  5. Profesionet e UISh duhet të kërkojnë nga instuticioni krijimin e kushteve për kryerjen me cilësi të kujdesjeve dhe për mbrojtjen e jetës dhe të shëndetit të tyre .

 

 

Neni 8

Rregullorja e gjykimit profesional

 

Kjo rregullore ka për qëllim të përcaktojë mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të komisioneve të gjykimit profesional në nivel rajonal dhe në qendër për zbatimin e akteve ligjore, të Statutit dhe Kodit Etik-Deontologjik nga të gjithë profesionet e UISh.

Pranë këshillave rajonale krijohet Komisioni i Gjykimi Profesional, i përbërë nga 5 profesionistë të zgjedhur midis më të përgatiturve dhe korrektë nga Institucionet Shëndetësore të Qarkut, të miratuara në këshillin rajonal.

Në qendër krijohet një Komision Kombëtar i përbërë nga 7 persona, 5 persona të zgjedhur dhe të miratuar në Këshillin Kombëtar,njëri prej të cilëve -jurist, 1 anëtar që është kryetari i Këshillit Rajonal të Qarkut ku ka ndodhur problemi dhe 1 anëtar përfaqësues i UISh nga institucionet e qarkut.

Komisionet vihen në lëvizje me urdhër me shkrim të presidentit rajonal ose Kombëtar, kur ka ankimim nga pacientët apo familjarët e tyre, kur ka një raport nga inspektorët përkatës apo nga grupet e kontrollit të organizuar nga UISh ose në bashkëpunim me institucionet e Ministrisë së Shëndetësisë .

 

Funksionimi i komisionit të gjykimit profesional :

 

Komisioni në mbledhjen e parë zgjedh Kryetarin dhe Sekretarin e tij.

Kryetari drejton seancën dhe firmos vendimet përfundimtare.

Sekretari mban protokollin dhe gjithë dokumentacionin e duhur, përgatit dhe firmos vendimet përfundimtare.

Fillimisht, njihet me problemin që do të gjykohet : ankesë, raport apo evidentime të ndryshme që paraqiten.

Për çdo rast gjykohet dhe vendoset në veçanti me shumicë votash.

Në fund hartohet vendimi përfundimtar i cili firmoset nga të gjithë antarët.

Vendimi hartohet në 3 kopje : (1 kopje një i jepet personit të interesuar, 1 i dërgohet Këshillit Kombëtar dhe 1 arshivohet,).

Ky vendim ka të drejtë të apelohet në Këshillin Kombëtar brenda 30 ditësh mbas së cilës merr formën e prerë.

 

Neni 9

Sanksionet për shkelje të neneve të Kodit Etik-Deontologjik

 

  1. Mosdhënia e kujdesit të duhur dhe mos respektimi i pacientit pavarësisht nga mosha, ngjyra apo nga bindjet e tij përbën shkelje të Nenit 2, pika 4 dhe dënohet me gjobë nga 3 000-30 000 lekë, ulje në detyrë ose përjashtim nga UISh nga 1-6 muaj.
  2. Mosparaqitja me uniformën e caktuar dhe mosmbajtja e kartës së identitetit profesional ose dalja me uniformë jashtë vendit të caktuar, përbëjnë shkelje të Nenit 2, pika 6 dhe 7, dënohet me vërejtje, ose gjobë nga 2 000 deri 20 0000 lekë.
  3.  Pritja dhe komunikimi jo i mirë i pacientëve, familjarëve dhe kolegëve, përbën shkelje të Nenit 2, pika 8 dhe dënohet me gjobë, 2 000- 20 000 lekë dhe me ulje në detyrë nga 6 muaj deri në një vit.
  4. Kërkimi, stimulimi, ndërmjetësimi, për marrjen e ryshfetit në çfarëdolloj forme, përbën shkelje të Nenit 2, pika 9 dhe dënohet nga 5 000 deri në 100 000 lekë gjobë, me ulje në detyrë, dhe me përjashtim nga UISh 6-12 muaj.
  5.  Ulja e emrit dhe figurës morale nëpërmjet provokimit apo të përdorimit të drogës, alkolit apo imoralitetit”, përbën shkelje të Nenit 2, pika 12 dhe dënohet me gjobë 10 000-100 000 lekë ose përjashtim nga UISh për një periudhë 1-3 vjeçare.
  6. Mos dhënia e ndihmës së parë në raste urgjente apo fatkeqësish natyrore në kushte të pa justifikueshme, përbën shkelje të Nenit 2, pika 15 dhe dënohet me përjashtim nga UISh për 6-12 muaj.
  7. Pakujdesia në kryerjen e detyrës, tejkalimi i kompetencave që kanë sjellë dëme serioze në shëndetin e pacientit”, përbën shkelje të Nenit 2, pika 17 dhe dënohen me përjashtim nga UISh dhe ndjekje penale.
  8.  Mos trajtimi i trupit të pajetë dhe mos dërgimi në morg, në mungesë të familjarëve, përbën shkelje të Nenit 4, pika 17 dhe dënohet me gjobë nga 5 000 deri në 100 000 lekë dhe me përjashtim nga UISh për 3-6 muaj.
  9. Shkeljet e Kodit Etik-Deonologjik dhe të Statutit të UISh, mosmarrja në kohë e lejes për ushtrimin e profesionit, ose mos pagimi i kuotës së caktuar, për më shumë se 6 muaj, përbëjnë shkelje të Nenit 1, pika 4 dhe dënohen me gjobë nga 5 000 deri në 100 000 lekë ose me përjashtim nga UISh për 6-12 muaj.
  10.  Ushtrimi i profesionit pa u anëtarësuar në UISh përbën shkelje të Ligjit Nr. 9718, datë 29.4.2007 (Neni 5) dhe dënohet me gjobë 100 000 lekë, ose procedohet për ndjekje penale.

 

Neni 10

Apelimi i masave ndëshkimore

 

Për të gjitha rastet e dënimit, anëtarët e UISh kanë të drejtë apelimi në Komisionin Qëndror të Gjykimit Profesional brenda 30 ditëve.

Në të kundërt vendimi merr formë të prerë, me përjashtim të vendimeve për përjashtim nga UISh, të cilat marin formën e prerë mbas gjykimit në Komisionin Qëndror të gjykimit profesional dhe mbas firmosjes nga Presidenti i UISh, ndaj të cilit anëtari ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës brenda 15 ditëve nga marrja e njoftimit mbas të cilit vendimi merr formë të prerë.

 

Neni 11

Dispozita përfundimtare

 

Kodi Etik-Deontologjik u miratua në mbledhjen e Këshillit Kombëtar Nr.43, datë 08/02/2012 dhe hyn në fuqi menjëherë.

 


[1] Ligj nr.10 462, datë 13.9.2011 Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr.9718, datë 19.4.2007 “Për Urdhrin e Infermierit në Republikën e Shqipërisë”.

Rezervo Konsultën Ambulatore Rezervo
Konsultën
Ambulatore
Na ndiqni në Facebook