QSUT: Takimet me Stafet Mjekësore, Shërbimi ORL

09/09/2014

Drejtoresha e QSUT-së, znj.Ogerta Manastirliu, çdo mëngjes është pjesë e stafeve mjekësore të shërbimeve. Kjo përqasje e re, sjell një vision tjetër të ri QSUT-së për të qenë më pranë shërbimeve mjekësore dhe stafeve të tyre me qëllim ofrimin e një shërbimi cilësor ku në zemër të tij duhet të jetë pacienti.

Ky takim është një ndër takimet që Drejtoresha e Përgjithshme ka nisur të kryejë me stafet mjekësore të QSUT-së.

Komunikimi i politikave të qarta mbi menaxhimin e resurseve, motivimi i stafit dhe nxjerrja në pah e kapaciteteve të shumta të QSUT-së, si dhe konsultimi i përbashkët rreth aspekteve të punës së përditshme, ishin pjesë e diskutimeve që u zhvilluan në takimin me Shërbimin e ORL-së.

Në takim, theksi u vu në nevojën për rezultate të dukshme në drejtim të ofrimit të një shërbimi sa më cilësor, të besueshëm dhe të orientuar drejt pacientit. Ndër  çështjet kryesore ishin ato të komunikimit dhe etikës me pacientin, si një përgjegjësi e vazhdueshme e të gjithë stafit dhe personelit mjekësor. “Pacientët duhet të trajtohet me dinjitet, me respekt dhe të informohen për të gjithë hapat që do të ndjekin gjatë rrugëtimit të tyre në spital.”, theksoi znj. Manastirliu.

Ndër të tjera, sistemi i konsultave dhe mirëfunksionimi i tij, kërkesat për respektimin rigoroz të sistemit të referimit dhe  çdo akti administrative që rregullon aspekte të ndryshme të punës, për të mos lejuar krijimin e hapësirave që çojnë në abuzime dhe cënojnë mbarëvajtjen e punës dhe cilësinë e shërbimit ndaj pacientëve.

Çdo punonjës në spital ka detyrat dhe përgjegjësitë e tij, për të cilat duhet të jetë i mirëorientuar, ndaj është e rëndësishme organizimi i kujdesshëm i roleve të gjithsecilit si dhe mbikqyrje e vazhdueshme, për të siguruar efikasitetin dhe lehtësuar aksesueshmërinë e pacientëve në shërbimet e ofruara.

Në vijim të komunikimeve për zbatimin e Ligjit Antiduhan, stafi i shërbimit u informua më konkretisht mbi planin e përgjithshëm të masave dhe strukturat mbi të cilat do të rëndojë përgjegjësia në rast se konstatohen shkelje.

Takimet do të vijojnë në ditët në vazhdim dhe do të shtrihen në të gjitha shërbimet e QSUT.

Posted in Lajme by admin qsut