Telefon : 00355 4 2349233

Urgjenca (për Tiranën) : 00355 4 2222235

Rruga e Dibrës, Nr. 372, Tiranë (Shiko ku gjendet në hartë)

Rezervimet e Konsultave Ambulatore (e hënë - e premte) : 0800 28 28 (vetëm nga numër fiks) 00355 4 2349217

Kreu > Lajme > QSUT – Punë e pandërprerë për Rilindjen e Shëndetësisë

QSUT – Punë e pandërprerë për Rilindjen e Shëndetësisë

Kantieri i Shëndetësisë ka nisur punën nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, me tre investime shumë të rëndësishme, për t’u shtrirë në mbarë vendin. Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe Drejtore e QSUT-së Ogerta Manastirliu, ishte sot për të inspektuar investimet në QSUT.

 

20 autoambulanca të reja do të vihen në dispozicion të spitaleve në të gjithë vendin për të përmirësuar shërbimin e urgjencës. Ky investim bëhet në kuadër të angazhimit për ngritjen e Shërbimit Kombëtar të Urgjencës. Drejtori i shërbimit të urgjencës Dritan Pasku e njohu Kryeministrin me pajisjet dhe shërbimin bashkëkohor që ofrojnë mjetet e reja të transportit spitalor.

 

Ministri i Shëndetësisë Beqaj u shpreh se këto kapacitete diagnostike ishin të domosdoshme për spitalet e vendit dhe se po studiohet mundësia që ato të jenë të pranishme edhe pranë vendeve më problematike, përsa i përket aksidenteve në disa rrugë kombëtare të vendit, në mënyrë që t’u vihet sa më parë në ndihmë qytetarëve në nevojë. “Po punojmë gjatë gjithë vitit për të ngritur modelin sidomos të vendosjes në territor sepse në qoftë se sot i kemi pranë spitaleve, është e domosdoshme që të krijojmë edhe njësi të ndërmjetme. Për shembull Tirana nuk mund të rrijë vetëm me një qendër urgjence. Në 2 apo 3 hot-spote nacionale ku ka më shumë aksidente mendojmë t’i afrohemi me një njësi të përhershme me dy ambulanca që të jetë më i shpejtë transporti,” – u shpreh Beqaj.

 

Një investim tjetër shumë i rëndësishëm, është edhe ngritja e Qendrës së Konsultave Ambulatore në QSUT, e cila do të lehtësojë ndjeshëm shërbimin ambulator brenda kësaj qendre, duke shmangur kështu kaosin dhe amullinë që krijohet shpeshherë në pavionet e spitalit. Qendra do të presë rreth 300 pacientë në ditë.

 

Drejtorja e QSUT, Ogerta Manastirliu bëri të ditur se ky projekt bashkohor, i cili vjen si një risi për QSUT, do të zbatohet brenda këtij viti e më pas do të aplikohet edhe në spitale të tjera rajonale. “Jemi munduar që të krijojmë të gjitha facilitetet e domosdoshme, gjithmonë për t’u ofruar qytetarëve më shumë shpejtësi, akses, ose për të ofruar të gjithë diagnostikën e nevojshme për t’u bërë në një godinë. Qytetarët hynë në një derë dhe dalin në derën tjetër, ndërkohë që mjekët kanë hyrje të personalizuara dhe një farmaci rimbursimi, pasi sot janë më shumë se 100 qytetarë të cilët vijnë të marrin ilaçet e rimbursimit dhe ndërkohë janë të paorientuar në ambientet e QSUT,” – u shpreh ajo.

 

Një tjetër projekt në zhvillim e sipër, i cili përfaqëson njëkohësisht një ndër prioritet në programin e shëndetësisë, është ai për përmirësimin e shërbimit onkologjik. Kryeministri Rama pa nga afër ecurinë e punës për ndërtimin e bunkerit për akselerator linear, i cili do t’u mundësojë pacientëve që trajtohen me radioterapi, një shërbim modern, në kushte optimale, si dhe teknologji të avancuar.

 

Shefi i Shërbimit të Onkologjisë pranë QSUT, Prof. As. Dr. Agim Sallaku, shpjegoi për kryeministrin projektin, i cili ka specifika të veçanta në ndërtimin e më pas në funksionimin e tij. “ Kjo është zona e gjithë sistemit të ri të aparaturave të radioterapisë, pra akseleratorëve linearë dhe disa pajisjeve të aksesorëve të tjerë. Janë konstruksione shumë të veçantë për shkak të problematikës, mure me betonarme me densitete specifike, sipas agjencisë atomike, rreth dy metra të trasha, që të ketë sigurinë si për ambientin ashtu dhe për punonjësit. Është teknologjia më e avancuar që bëhet. Besoj që me instalimin e akseleratorëve, pak a shumë shkojmë në ato parametra të trajtimit të kancerit normal si në çdo vend tjetër të botës.” – u shpreh Dr. Sallaku.

 

Kryeministri Rama u shpreh se beteja për shëndetësinë është një betejë themelore e qeverisë, si dhe prioritet i Programit të Rilindjes Shqiptare.

 

Pronocim i Kryeministri Rama, pas inspektimit në QSUT:

 

“Duke ndarë me të gjithë qytetarët vetëdijen se kantieri i shëndetësisë ka domosdoshmërinë të jetë një kantier i suksesshëm, dua gjithashtu të shpreh gjithë vlerësimin tim për punën e jashtëzakonshme të Ministrit, ministrisë së shëndetësisë dhe drejtuesve të spitaleve tona, duke filluar nga ky spital që është themelor për shërbimin shëndetësor në vend dhe që ka një mbingarkesë të jashtëzakonshme dhe që lidhet me faktin se sistemi është rrënuar me vite të tëra, deri në pikën ku këtu ka mbetur e vetmja shpresë dhe shpeshherë një shpresë e zhgënjyer e njerëzve për vite të tëra. Sot ne jemi këtu për të dëshmuar se kantieri jo vetëm që është ngritur mbi piketat e duhura, por hap pas hapi po fillon të japë edhe rezultatet që ne presim.

 

Beteja për shëndetësinë është një betejë themelore e qeverisë sonë, është një prioritet i programit tonë të Rilindjes Shqiptare. Është një përpjekje qe ne do ta bëjmë parreshtur për ditë, për natë, pavarësisht cinikëve dhe pavarësisht të gjithë atyre që ngrenë gishtin për të akuzuar për gjëra të cilat janë qartësisht trashëgimi e rëndë e një të shkuare që Shqipëria po e lë pas ditë pas dite.

 

Nga ana tjetër, në ditët në vijim do të shpaloset siç e kemi paralajmëruar edhe beteja e madhe kombëtare, beteja e përbashkët e qeverisë me qytetarët kundër korrupsionit. Një pjesë e kësaj platforme do t’i kushtohet betejës së përbashkët kundër korrupsionit në sistemin shëndetësor. Besoj që kjo do të na japë një fuqi të shtuar në këtë betejë, pasi sa më shumë qytetarë të bëhen pjesë e kësaj beteje, aq më shpejt ne mund të nxjerrim shëndetësinë në dritën e plotë të rilindjes që duam dhe që do ta bëjmë të mundur së bashku.

 

Së fundi, dua të nënvizoj se 16 muaj janë shumë pak për të shndërruar në një histori të plotë suksesi një platformë të plotë rrënimi si ajo që trashëguam, por në 16 muaj ndryshimet në shëndetësi janë reale. Ndryshimet në këtë spital janë të prekshme, ashtu siç janë të prekshme dhe në spitale të tjera të Shqipërisë. E këto janë ndryshime që mjaftojnë për të kuptuar një gjë që në 23 qershorin e viti 2013 fitoi ambicia për Shqipërinë moderne, ambicia për të parë më në fund një shtet që funksionon dhe që është në krye të detyrës ndaj qytetarëve, përkundër ambicies për pushtet në funksion të grabitjes dhe të rrënimit të vendit tonë të përbashkët. Ne jemi këtu për të vazhduar së bashku me qytetarët këtë betejë dhe pa as më të voglin dyshim, siç po dëshmojmë në të gjitha fushat se, jo vetëm nuk zmbrapsemi, por përkundrazi bëjmë çdo ditë nga një hap përpara dhe sfidat tona i njohim, i përballim dhe i fitojmë, do ta fitojmë këtë sfidë.

 

Nuk e kam harruar atë që kam thënë, që në fund të këtij mandati, debatin për shëndetësinë, si ishte dhe si u bë, do ta bëjmë këtu në këtë spital. Në këtë spital do të flasim përsëri me të gjithë ata që sot kanë kurajën që të ngrenë dhe gishtin e akuzës në vend se të heshtin dhe të përpiqen të kuptojnë se ajo çfarë i bënë Shqipërisë ishte një tradhti e madhe, që nuk mund të kapërcehet duke bërë sikur nuk ishin këtu.

 

Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj:

 

Disa përpjekje të rëndësishme janë kurorëzuar dhe po vazhdojnë për të fuqizuar sistemin shëndetësor në Shqipëri dhe praktikisht edhe sistemin spitalor dhe atë parësor. Jemi angazhuar për të ngritur një shërbim kombëtar të urgjencës i cili ka filluar bazën ligjore dhe po punohet për ta krijuar të gjithë sistemin në vend, por padyshim është e domosdoshme që të fuqizojmë kapacitet tona me autoambulanca. Këtu kemi 20 autoambulanca të reja, të cilat do të jenë në dispozicion të spitaleve të vendit për të përmirësuar shërbimin e urgjencës.

 

Është e domosdoshme që ne të arrijmë në kohë optimale tek kërkesat për urgjencë dhe po ashtu është e domosdoshme që të reduktojmë maksimalisht numrin e të sëmurëve që vijnë në urgjencë me mjetet e tyre dhe nuk vijnë të asistuar që në fillim nga personel mjekësor.

 

Po vazhdojmë një investim shumë të rëndësishëm për të përmirësuar kapacitet tona terapeutike për sëmundjet tumorale. Po ndërtojmë bunkerin për akseleratorin linear, i cili besojmë se deri në fillim të vjeshtës do të jetë operativ, sepse përveç ndërtimit edhe pajisja është e kontraktuar, si dhe për të bërë një trajtim jo vetëm efektiv, por edhe bashkëkohor për sëmundjet tumorale.

 

Shumë i rëndësishëm është gjithashtu edhe përmirësimi i shërbimit të drejtpërdrejtë ndaj pacientëve, të cilin besojmë do ta arrijmë me ndërtimin e Qendrës së Konsultave, e cila do të presë çdo ditë rreth 300 pacientë për të pakësuar shumë ecejaket brenda territorit të QSUT. Në mënyrë që, i gjithë shërbimi ambulator që do të merret nga ata që vijnë këtu të merret brenda kësaj qëndre. Ne do të hapim kantierin e Shëndetësisë me investime shumë të rëndësishme që fillojnë këtë vit në këtë spital, por dhe në qëndra të tjera spitalore dhe parësore të vendit.

 

Drejtorja e QSUT Ogerta Manastirliu:

 

Dihet që QSUT pret fluksin më të madh të pacientëve në të gjithë Shqipërinë dhe ofron shërbime të specializuara. Është shumë e rëndësishme që sot ne kemi filluar të mendojmë përtej vetëshërbimeve spitalore, për të hospitalizuar pacientë në pavione, por edhe për ata të cilët janë nevojë të marrin një shërbim direkt brenda një kohe të caktuar për ata të cilët vijnë dhe aksesojnë qendrën spitalore nga jashtë Tiranës, duke dashur që t’i afrojnë një ambient pritës, bashkëkohor dhe pa vonesa për të gjetur aty të gjitha llojet e shërbimeve.

 

Një ndër prioritetet e qeverisë dhe prioritet tona të spitalit është shërbimi i onkologjisë. Në këtë kuadër investimi tjetër që ka filluar pasi dy janë investimet themelore, është dhe investimi për bunkerin, për akselerator linear, një hop cilësor për shërbimin onkologjik për të ofruar një shërbim më të mirë për ata pacientë që trajtohen me radioterapi dhe pikërisht nëpërmjet akserelatorit linear.

 




(Materiali video marrë nga TVSh)

 
 




(Materiali video marrë nga “Top Channel”)



Rezervo Konsultën Ambulatore Rezervo
Konsultën
Ambulatore
Na ndiqni në Facebook