Telefon : 00355 4 2349233

Urgjenca (për Tiranën) : 00355 4 2222235

Rruga e Dibrës, Nr. 372, Tiranë (Shiko ku gjendet në hartë)

Rezervimet e Konsultave Ambulatore (e hënë - e premte) : 0800 28 28 (vetëm nga numër fiks) 00355 4 2349217

Kreu > Lajme > QSUT, njësia moderne e radioterapisë në shërbim të pacientëve

QSUT, njësia moderne e radioterapisë në shërbim të pacientëve

Në Shërbimin Onkologjik është instaluar, akseleratori i parë linear si aparaturë e teknologjisë së fundit bashkëkohore për trajtimin multidisiplinar me preçizion të lartë të tumoreve. Me këtë investim të rëndësishëm, QSUT do të përmirësojë ndjeshëm trajtimin me radioterapi të pacientëve me sëmundje tumorale, nga ku do të përfitojnë rreth 60 pacientë në ditë dhe rreth 640 pacientë në vit.

 

Sot, në ditën botërore të parandalimit të kancerit, e cila këtë vit vjen me mesazhin kuptimplotë “Unë mundem, ju mundeni”, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, ofron për pacientët e Onkologjisë, njësinë e radioterapisë, tërësisht të rikonstruktuar.

 

Akseleratori i parë Linear është instaluar, si aparaturë e teknologjisë së fundit bashkëkohore për trajtimin multidisiplinar me preçizion të lartë të tumoreve. Ai është investim me vlerë 315 milion lekë, i mundësuar nga kredia austriake.

 

Akseleratori është i vendosur në godinën e re (bunkerin me kapacitet dy njësi) investim i qeverisë  me vlerë rreth 260 milion lekë, në të cilën vitin e ardhshëm pritet të vendoset një tjetër akselerator.

 

Me këtë investim të rëndësishëm, QSUT do të përmirësojë ndjeshëm trajtimin me radioterapi të pacientëve me sëmundje tumorale, nga ku do të përfitojnë rreth 60 pacientë në ditë dhe rreth 640 pacientë në vit.

 

Në dy vitet e fundit, një vëmendje e veçantë i është kushtuar masave parandaluese dhe zbulimit të hershëm të sëmundjeve tumorale. Kështu, gjatë vitit 2015, dy njësi lëvizëse të mamografisë realizuan falas 4800 ekzaminime parandaluese për gratë që jetojnë në zona ku pranë vendbanimit nuk ka mamografi stacionare. Ndërsa, në të gjitha pikat ku ka mamografi stacionare, për vitin 2014 u kryen 3317 ekzaminime parandaluese. Po kështu mjekë të rinj, të specializuar në këtë fushë, po iu shtohen stafeve mjekësore të spitaleve në të gjithë vendin.

 

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, ishte sot në QSUT. Ai u takua me drejtues të Qendrës, si dhe me grupin e mjekëve onkologë dhe fizikantëve mjekësorë, të cilët mundësuan vënien në funksionim të Akseleratorit Linear.

 

Drejtoresha e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Ogerta Manastirliu, theksoi se kabineti i ri i radioterapisë është investimi më i rëndësishëm për QSUT dhe bëri të ditur se në fillim të marsit do të nisë trajtimi i parë me radioterapi. “Është investimi më i rëndësishëm për shërbimin onkologjik, një investim i financuar nga qeveria shqiptare në vlerën 260 milion lekë, sa i përket ndërtimit të hapësirave për pritjen e akseleratorit linear. Gjithashtu falë kredisë austriake, qeveria shqiptare ka financuar akseleratorin linear, një pajisje e teknologjisë së fjalës së fundit, e cila trajton me radioterapi gjithë pacientët, të cilët janë të disgnostifikuar me tumore malinje.  Në këtë njësi radioterapie, ne mund të trajtojmë rreth 640 pacientë në vit dhe mund të bëhen rreth 60 procedura terapeutike në ditë. Është një qendër, e cila do të funksionojë falë edhe një ekipi multidisiplinar, falë fizikantëve mjekësor të cilët aktualisht po kolaudojnë këtë pajisje dhe besojmë që në fillim të marsit do të kemi trajtimin e parë me radioterapi.”

 

Shefi i Shërbimit të Onkologjisë u shpreh se struktura e rinovuar e radioterapisë, do të përmirësojë ndjeshëm shërbimin ndaj këtyre pacientëve. “E shikoni që është një infrastrukturë goxha e përmirësuar. Një aparaturë dhe një strukturë, tërësisht e rinovuar që do çojë përpara standardet  e mjekimit të pacientëve tanë në onkologji. Ky është  një lajm i  mirë për të gjithë ne, pacientët dhe familjarët e tyre.”

 

Duke theksuar angazhimin e qeverisë, në parandalimin e sëmundjeve tumorale, Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj u shpreh se qendra moderne e radioterapisë është në vijim të përmbushjes së këtyre angazhimeve. “Jemi angazhuar që sëmundjet tumorale do të kenë fokus të veçantë dhe sigurisht kjo qendër e re e radioterapisë moderne, është në vijim të përmbushjes së këtyre angazhimeve. Sot, simbolikisht, zgjodhëm këtë ditë, pasi 4 shkurti është dita botërore në luftën kundër kancerit. Në këto dy vjet e gjysmë, ne kemi bërë përpjekje jo të pakta, pavarësisht se jemi të vetëdijshëm që duhet edhe më shumë, për të rritur ndjeshëm shërbimin për këto sëmundje. Nga data 1 shkurt, mamografia është falas për këdo, në çdo lloj rrethane dhe nuk ka qenë kështu më parë. Ky investim prej 600 milion është në ndihmë  të qytetarëve shqiptarë.” – u shpreh ministri Beqaj.

 

Duke falënderuar për punën e bërë, Kryeministri Edi Rama, u shpreh se standardet moderne bashkëkohore  do të synohen në të gjithë institucionet shëndetësore në vend, jo vetëm për të përmirësuar shërbimin ndaj pacientëve, por dhe për të krijuar kushte optimale që mjekët të ushtrojnë profesionin e tyre human.

 

“Po tentohen standardet më të mira dhe më bashkëkohore, për ti dhënë mundësi mjekëve që të zhvillojnë vetveten si profesionistë, në kushte sa më të përafërta me kushtet që kanë kolegët e tyre jashtë Shqipërisë. Kjo qendër, për vite të tëra nuk ka qenë fare një qendër spitalore universitare, por ka qenë në të njëjtën kohë dhe spitali i gjithë Shqipërisë. Synimi është që të shpërndahet barra dhe të kemi disa nivele. Mendoj që check up-i do të vazhdojë të japë të dhëna dhe të ndihmojë që të krijojmë një bazë të parë. Mendoj që shërbimi tanimë këtë vit falas, tek mjeku i familjes është një tjetër kusht i mirë, por që ka ende nevojë të përforcohet, duke ndihmuar edukimin në vazhdim të mjekëve të familjes, duke stimuluar sistemin e mjekut të familjes, përmes investimeve edhe aty. Sigurisht, pastaj përtej spitaleve rajonaleve, kjo qendër nuk ka pse të mos jetë një qendër ekselence.  Ky është edhe synimi për disa pjesë të tjera të QSUT-së, që janë ende aty ku ishte ky repart përpara këtij transformimi. Do t’ia dalim. Plani është i qartë, hapat dihet se cilat janë. Nuk na mungon as dëshira dhe as kuraja. Por mbi të gjitha, përsëri e them këtë gjë, me bindje, jo formalisht, keni një bazë të mirë ku të mbështeteni, tek burimet njerëzore.” – tha Kryeministri.



(Materiali Video marrë nga “Top Channel”)



Rezervo Konsultën Ambulatore Rezervo
Konsultën
Ambulatore
Na ndiqni në Facebook