QSUT mbledh Takimin e parë të Komisionit Mjekësor Spitalor (KMS) për vitin 2015

10/02/2015

Komisioni Mjekësor Spitalor (KMS) i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” u mblodh ditën e martë 10 Shkurt 2015 nën kujdesin e Drejtores së Përgjithshme znj. Ogerta Manastirliu dhe Kryetarit të Komisionit Prof. Mustafa Xhani.

Në këtë takim të parë për vitin 2015 Komisioni analizoi disa nga çështjet me rëndësi të vitit të kaluar 2014 me theks të veçantë në mirëadministrimin e barnave dhe materialeve të mjekimit si dhe problematikat e hasura në lidhje me konsumin e tyre në shërbimet mjekësore. Diskutimet u ndalën në disa pika sipas axhendës së përcaktuar siç ishin marrëdhëniet e Shërbimit të Urgjencës së Sëmundjeve të Brendshme me shërbimet e tjera si Neurologji, Kardiologji, Mjekësi Interne, ku kryesisht u diskutua mbi koordinimin në kohë të konsultave mes tyre, administrimin e rasteve nga urgjenca në shërbime, si dhe protokollet e administrimit të pacientëve në këtë Shërbim.

Një çështje tjetër me rëndësi ishte dhe mbulimi me shërbimin e rojeve në disa prej shërbimeve si Kardiologji, Nefrologji, Alergologji etj, organizimi më i mirë i punës për shërbimin primar në turnet e treta apo përgjigjet on call. QSUT po përgatit Transparencën e shifrave për vitin 2015 dhe kjo ishte edhe një ndër pikat e diskutimeve në KMS. Shërbimet mjekësore po përpunojnë dhe analizojnë treguesit spitalorë të vitit 2014 për t’i paraqitur në aktivitetin vjetor të Qendrës tonë Spitalore që do të jetë në ditët e para të muajit Mars.

Posted in Lajme by admin qsut