QSUT, hapet shërbimi i ri Neurovaskular

13/01/2017

Për herë të parë në vendin tonë aplikohet proçedura për shpëtimin e jetës së pacientëve

Njësia e Shërbimit Neurovaskular (stroke dhe post-stroke) është shërbimi më i ri i krijuar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, si pjesë e Polit të Integruar të Neuroshkencës, i cili brenda një periudhe kohe të shkurtër në sajë të investimeve është shndërruar në një pavijon modern, i pajisur me teknologjinë më të lartë mjekësore të standardeve europiane. Për herë të parë, në këtë njësi bëhet aplikimi i proçedurës së trombolizës intravenoze për sëmundjet ishemike të trurit, i cili ofrohet vetëm në QSUT.

Kryeministri i vendit z. Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj ishin të pranishëm për të parë nga afër investimet më të reja në këtë pavion.

Kryeministri Rama u shpreh se “tashmë gjendja në spitalet publike është krejtësisht ndryshe, dhe shërbimet që ofrohen për pacientët janë të kënaqshme. Tani jemi në një fazë tjetër dhe realisht që të gjithë ata që marrin shërbim se kanë hall në QSUT, por edhe në spitalet e tjera, pavarësisht se në spitalet e tjera kemi ende shumë probleme, – janë të kënaqur. Ata që nuk kanë qenë në spital dhe nuk e dinë se çfarë ka ndodhur vazhdojnë shajnë e shajnë se s’kanë faj se kanë pasur situata të ndërlikuara në të kaluarën.”

Shërbimi Neurovaskular ka në përbërjen e tij një personel të specializuar prej 8 mjekësh neurologë dhe neuroreanimatorë dhe 31 infermierë të dedikuar për këtë shërbim. Ai ka një kapacitet 29 shtretër dhe gjatë vitit 2016 ka trajtuar 1180 pacientë me probleme neurologjike akute. Në këtë shërbim gjatë vitit 2015/2016 janë investuar pajisje biomjekësore të cilat janë një kusht i domosdoshëm për realizimin e shërbimit si pajisje të monitorimit kardiak të pacientëve në kushte observimi reanimator, pompat e infuzionit, respiratorë, panelet e gazrave mjekësore, eko Doppler dhe transkraniale, pajisje të matjes së vlerave të gazeve jetësore në gjak, shtretër reanimacioni në vlerën 20 milionë lekë.

Shërbimi Neurovaskular organizon punën e tij së bashku me Shërbimin e Urgjencës, e cila pret dhe identifikon pacientët, përcakton problematikën vaskulare cerebrale për shqetësimin që paraqitet duke ja përcjellë në kohë reale mjekëve në këtë shërbim. Ndër zhvillimet më të fundit është aplikimi për herë të parë i proçedurës së trombolizës intravenoze për sëmundjet ishemike të trurit. Kur pacienti paraqitet në orët e para të shfaqjes së sëmundjes dhe kur plotëson disa kritere mjekësore, ai përfiton nga kjo procedurë, e cila aplikohet në këtë shërbim nga mjekëst neurologë.

Vetëm gjatë kësaj jave janë zhvilluar dy procedura në dy pacientë përkatësisht 67 dhe 54 vjeç, të cilët janë paraqitur në pamundësi për të folur, komanduar anësitë e trupit, dhe me humbje të ndërgjegjjes. Prej 12 orësh nga aplikimi i alteplazës venoze pacientët gëzojnë shëndet të plotë dhe janë pa asnjë deficit neurologjik.

Kjo procedurë e kryer për herë të parë në Shqipëri bëhet e mundur në sajë të ambicies, përkushtimit dhe profesionalizmit të mjekëve të shërbimit neurovaskular, mjekëve radiologë dhe urgjentistë si dhe mbështetjes dhe buxhetimit për herë të parë të një medikamenti të ri, aplikimi i të cilit është jetëshpëtues për pacientët me diagnozë sëmundje ishemike akute të trurit.

Posted in Lajme by admin qsut