QSUT, goditja e tumorit me rreze

21/06/2014

Në Shërbimin e Neurokirurgjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë u organizua sot (21/06/2014) një ceremoni përurimi me rastin e fillimit të trajtimit të të sëmurëve nëpërmjet pajisjes radioterapeutike Uniteti X-Knife Akselerator Linear, ku mori pjesë edhe Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, Drejtorja e QSUT, znj. Ogerta Manastirliu, Prof. Mentor Petrela, Shef i Shërbimit të Neurokirurgjisë, Dr. Kita Sallabanda, Neurokirurg, Unidad Funcional de Neuro-Oncología Grupo IMO, Madrid, si dhe mjekë e punonjës të tjerë të këtij shërbimi.

Duke përshëndetur punën e mjekëve dhe punonjësve të shëndetit të Shërbimit të Neurokirurgjisë, Ministri Beqaj tha midis të tjerash në takim se “qëllimi ynë është të zgjerojmë shërbimet që ofrohen në spitalet tona publike.” Sot është kurorëzimi i një përpjekjeje afatgjatë, – vazhdoi më tej ai, – duke shtuar se, praktikisht nga sot e në vijim për sëmundje të rënda tumorale ne kemi edhe përdorimin e teknikave bashkëkohore dhe moderne”.

Z. Beqaj tha gjithashtu se ky është një bashkëpunim i mirë midis shërbimeve të ndryshme të Qendrës Spitalore Universitare dhe praktikisht sot trajtimi i sëmundjeve është multidisiplinar. “Ne si ministri duam të garantojmë vijimësinë e këtij shërbimi, që do të thotë jo vetëm vijimësinë e trajtimit, por edhe funksionimin e pajisjeve, furnizimin në vijimësi me materiale mjeksore”, – tha ai. Në kuadër të teknologjisë së re të përdorur për trajtimin e sëmundjeve, Ministri foli edhe për shtimin e burimeve njerëzore nëpër spitale.

Në këtë këndvështrim, ky është një tjetër investim që na ndihmon së tepërmi në përmbushjen e angazhimit tonë programor për të ofruar më tepër siguri për pacientët, pasi Akseleratori Linear mbulon nevojat me radioterapi në fusha të mëdha rrezatimi në sektorin publik, ndërsa X-Knife në fusha të vogla rrezatimi (radiokirurgji) në gjithë territorin e Shqipërisë dhe atë të Kosovës.

“Kjo është një tjetër dëshmi e qartë se kemi hedhur një hap të sigurtë e cilësor drejt përmirësimit të ndjeshëm të kapaciteteve kuruese të trajtimit të të sëmurëve me radioterapi konvencionale të trurit dhe të trupit, krahas radiokirurgjisë”, – tha më tej Ministri Beqaj. Me një pajisje të tillë, Shërbimi i Neurokirurgjisë mundëson realizimin e radioterapisë për çdo pacient me kancer dhe sëmundje tumorale të të gjithë trupit. Është kjo një tjetër risi, që shënon progres të qartë në mënyrën e trajtimit dhe kurimit të pacientëve të kësaj kategorie. Në këtë mënyrë, Radiokirurgjia do të zëvendësojë operacionet për shumë pacientë. Me precizionin submilimetrik, ajo bën të mundur përqëndrimin e rrezatimit në thellësi të trurit duke shëruar sëmundje të ndryshme të trupit.

Kështu, cilësia e trajtimit të pacientëve do të ndryshojë në mënyrë rrënjësore duke u përmirësuar ndjeshëm. X-Knife ka një kapacitet trajtimi radiokirurgjikal 5-10 pacientë në javë dhe Akseleratori rreth 100 pacientë me tumore e kancere të të gjithë trupit në jave me radioterapi konformale 3D. Fillimisht, në listë pritjeje, janë 28 pacientë për Radioterapinë 3D dhe 18 pacientë për Radiokirurgji.

(Marrë nga “Ministria e Shëndetësisë”)

Një pacient i sëmurë me adenomë hipofize, apo ndryshe tumor në tru, pasi ka kryer ndërhyrje krirurgjikale dhe trajtim të shumëllojshëm disa herë dhe nuk është shëruar, i është nënshtruar radiokirurgjisë, trajtim i cili ofrohet për herë të parë në qendrën më të madhe spitalore në vend, QSUT-ja.

Nëpërmjet akseleratorit është goditur tumori në tru, goditje e cila përllogaritet të mos dëmtojë pjesë të tjera të trurit. Nevojat për këtë trajtim janë mbi 100 në muaj, por për momentin do të mbulohen 30 raste në muaj.

“Një rast në ditë sepse janë procese që kalojnë gjithë ditën për ekipin. Ekipi është i impenjuar gjatë gjithë ditës për të arritur atë goditje. Aparati është i hapur edhe për trajtime konvencionale për raste në të gjithë trupin”, ka sqaruar Prof.Dr. Mentor Petrela.

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, i cili ishte i pranishëm gjatë trajtimit të pacientit të parë, tha se së shpejti do të ketë dhe një akselerator të dytë në QSUT, por ndërkohë u angazhua për të siguruar mirëmbajtjen dhe vijimësinë e furnizimit me materiale mjekësore të nevojshme.

“Praktikisht drejtoria dhe ne si ministri duhet të garantojmë vijimin e shërbimit, me kontrata afatgjata mirëmbajtjeje, furnizimin në vijimësi të materialeve mjekësore dhe sidomos punimet e domosdoshme. Gjithashtu, në QSUT do punësojmë fizikantë dhe onkologë të rinj”, ka deklaruar Beqja.

Përveç tumorëve në kokë, ky akselerator do të trajtojë të gjitha sëmundjet onkologjike deri në mbërritjen e akseleratorit tjetër, për të cilin po investohet. Shefi i sëmundjeve onkologjike vlerësoi futjen e një pajisje të tillë, e cila është shpresa e fundit për pacientët me sëmundje onkologjike.

“Ne jemi shumë më të sigurtë, fondi është rritur pesë herë më tepër. E rëndësishme është që po bëhet një investim madhor”, deklaroi Agim Sallaku.

Një trajtim me radiokirurgji në vende të tjera të Europës kushton rreth 15 mijë euro. Pacientëve shqiptarë tashmë nuk do t’u duhet të marrin rrugët jashtë Shqipërisë dhe të paguajnë kosto të tilla.

(Marrë nga “Top Channel”)

Posted in Lajme by admin qsut