Sigurimet Shëndetësore dhe Përfitimet për Pacientin

Nëpërmjet sigurimit shëndetësor përfitohet:

  1. Shërbimi shëndetësor falas tek mjeku i përgjithshëm dhe ai i familjes;
  2. Shërbim shëndetësor falas tek mjeku specialist;
  3. Shërbim shëndetësor falas në shtëpi, poliklinikë dhe spital;
  4. Ekzaminime laboratorike dhe radiologjike falas;
  5. Ekzaminime unikale terciare me rimbursim në masën 90% dhe bashkëpagesë nga personat e siguruar 10%;
  6. Barnat e listës së rimbursuar falas për fëmijë 0-12 muajsh, invalidët e plotë, pensionistët, të verbërit dhe jetimët;
  7. Të gjitha barnat falas për veteranët me sëmundje kronike dhe invalidët e luftës;
  8. Barnat falas për të sëmurët me tumore, transplant të veshkës, sklerozë multiple, talasemia major;
  9. Barna me rimbursim të pjesshëm për të gjitha kategoritë e tjera të popullësisë, në përqindje të ndryshme, jo më pak se 50% barnat e listës, kundrejt recetës me rimbursim, të lëshuar nga mjeku i përgjithshëm në të gjitha farmacitë që kanë kontratë me ISKSH. Lista e barnave, e cila përmban dhe çmimin e pacientit, disponohet nga të gjitha farmacitë dhe vihet në dispozicion të çdo personi të interesuar.

Me çfarë duhet të jeni të pajisur që të përfitoni:

Përfitoni kur jeni të pajisur me:

  • Librezën e Shëndetit, pajiset çdo i siguruar pranë DRSSH-ve, pasi paraqet Librezën e Kontributeve të Sigurimit Shoqëror dhe Shëndetësor, ose Librezë të Kontributeve vetëm të Sigurimit Shëndetësor (për sigurimin vullnetar), për të punësuarit dhe personat mbi 16 vjeç që punojnë, me të vetëpunësuarit dokumentin përkatës.

Për kategoritë joaktive:

  • Pensionistët, librezë pensioni;
  • Të papunët, personat që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe personat në asistencë, vërtetim nga zyra e punës dhe përkrahjes sociale të rrethit;
  • Invalidët e plotë, jo të plotë, invalidët e luftës, të paaftët (mendorë e fizikë), vërtetimi KMCAP;
  • Për fëmijët, nxënësit dhe studentët me shkëputje nga puna, çertifikate lindjeje dhe vërtetimi i shkollës;
  • Veteranët, jetimët dhe të verbërit, statusi përkatës.

Sigurimi shëndetësor jep të drejtën e zgjedhjes së mjekut të përgjithshëm dhe të familjes, në cilësinë e mjekut personal dhe mundësinë e ndryshimit të tij një herë në vit.