Qëndrimi juaj në QSUT

Vizita në spital mund të jetë e vështirë për ju dhe të dashurit tuaj.

Stafi i kujdesit shëndetësor në QSUT dhe të gjithë punonjësit e tjerë punojnë bashkarisht për të lehtësuar qëndrimin tuaj në spital.

Ku të drejtoheni!

Kur mbërrini në QSUT shkoni pranë recepsionit të spitalit ku jeni të interesuar apo rekomanduar të paraqiteni, i cili është në katin e parë të çdo ndërtese.

Pasi të keni kryer procedurat e nevojshme, operatori do t’ju udhëzojë për më tej.

Ju do të takoni mjekun apo infermierin i cili do t’ju kërkojë t’i tregoni historinë tuaj shëndetësore apo të dhëna të tjera duke plotësuar kartelën tuaj klinike.

Duhet të informoni mjekun në lidhje me çdo medikament që jeni duke marrë, dozën e tyre, apo alergji të njohura nga medikamente që keni përdorur.

Gjatë qëndrimit në spital, mjeku juaj dhe ekipi përkujdesës do të monitorojnë qëndrimin dhe progresin tuaj shëndetësor, do bëjnë planet për ditën e daljes nga spitali dhe do t’ju mësojnë si të kujdeseni për veten tuaj në shtëpi.

Mos hezitoni të bëni pyetje.

Para se të largoheni do të plotësohet fletë – dalja juaj të cilën duhet ta çoni tek mjeku i familjes. Ai bën ndjekjen tuaj mjekësore pas largimit nga spitali.Vizita para daljes nga spitali është e rëndësishme pasi mjeku cakton kalimin tuaj nga spitali në shtëpi, duke vlerësuar gjendjen, medikamentet, trajtimet dhe përditësimin e tyre sipas nevojës.

Trajtimi i urgjencave dhe shërbimi mjekësor i pandërprerë

Në QSUT funksionojnë mjedise të pritjes së urgjencave klinike.

Shërbimi mjekësor në shërbimet dhe repartet e urgjencave në QSUT është i pandërprërë. Ky shërbim garantohet me mjekë e infermierë, në bazë të grafikut të shërbimit.

Shërbimet e urgjencës funksionojnë më vete dhe shërbejnë njëkohësisht si mjedis pranimi të të gjithë të sëmurëve që vijnë në spital.