Telefon : 00355 4 2349233

Urgjenca (për Tiranën) : 00355 4 2222235

Rruga e Dibrës, Nr. 372, Tiranë (Shiko ku gjendet në hartë)

Rezervimet e Konsultave Ambulatore (e hënë - e premte) : 0800 28 28 (vetëm nga numër fiks) 00355 4 2349217

Kreu > Lajme > Pajisje të reja në QSUT

Pajisje të reja në QSUT

Manastirliu: Futja e kabineteve Kapa, ngre në nivel më të lartë shërbimet përkatëse mjekësore.

 

Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj dhe drejtoresha e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, znj.Ogerta Manastirliu, morën pjesë ditën e shtunë, datë 29/03/2014, në ceremoninë e organizuar me rastin e përurimit të kabinetit të kapave në Shërbimin e Onkologjisë në QSUT. Këto pajisje mjekësore, të cilat instalohen për herë të pare në QSUT, shërbejnë për përpunimin dhe dozimin e barnave specifikisht për çdo pacient, më saktësisht të citostatikëve, me qëllim krijimin e paketave të gatshme të kemioterapisë që shërbejnë për mjekimin e saktë dhe kosto-efiçent të sëmundjeve tumorale, duke ofruar siguri të një shkalle më të lartë si për pacientin, ashtu edhe për punonjësit e shërbimit, me shmangien tërësore të toksicitetit që vjen si pasojë e përgatitjes së këtyre barnave kemioterapeutike përpara se të shkojnë tek pacienti.

 

“Ne kemi deklaruar që dy janë grupet e sëmundjeve, me të cilat do të duhet të merremi në mënyrë themelore, sëmundjet tumorale dhe sëmundjet kardio-vaskulare. Dhe në fakt, për të gjitha sëmundjet, por edhe për këto, kemi bërë besoj që në këto gjashtë muaj të parë, hapa konkretë të rëndësishëm, qoftë me rritjen e ndjeshme të fondeve në dispozicion të listës së barnave për shërbimin onkologjik, madje me përfshirjen e disa barnave edhe në listën e rimbursimit,” – tha midis të tjerash Ministri Beqaj për mediat e pranishme.

 

Një risi tjetër që sjell përdorimi i këtyre pajisjeve, të cilat u mundësuan nga një program bashkëpunimi të ndërmarrë nga Ministria e Shëndetësisë për përmirësimin e kujdesit spitalor shëndetësor për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve tumorale, është edhe planifikimi dhe organizimi më i saktë i cikleve të trajtimit të pacientëve me sëmundje tumorale, duke shmangur rradhët e pritjes së pacientëve.

 

“Në analizën e punës,” – tha më tej z. Beqaj, “konstatuam që teknikat që përdornim për të hartuar dozat e mjekimeve, ishin teknika që kishin shumë hapësirë për mospërdorim efiçent të barnave. Siç ju e patë sot, ne montuam një instrument që quhet Kapë, i cili arrin të bëjë përzierjen e duhur të çdo doze mjekimi, duke pasur në rradhë të parë, siguri në dozen që përcaktojmë, duke patur mundësi që shfrytëzimi i barnave të jetë maksimal, por duke u ofruar padyshim profesionistëve të shëndetësisë që punojnë aty më shumë siguri në kushtet e tyre të punës. Një gjë të ngjashme, jemi duke bërë bashkë me drejtorinë edhe në dy shërbime të tjera po në QSUT, që lidhen po me sëmundjet tumorale, por që janë tek Hematologjia dhe tek Pediatria. Me të tre këto investime, në pamje të pare janë të vogla, unë besoj se efiçenca e shfrytëzimit me efikasitet të barnave disponibël është e rendit të paktën 1 milion dollarë.”

 

Pyetjes së një prej gazetarëve të pranishëm se kur do pajisen spitalet me ilaçe, Ministri Beqaj iu përgjigj duke thënë se “ky spital ka vijuar të pajiset me barna, në radhë të parë në dhjetor kur ne plotësuam nevojat. Pastaj, Drejtoria ka bërë në muajt e parë të vitit shtesat e kontratave, siç publiku është i njohur, sidomos për më të interesuarit, tenderat në dhjetor janë hapur dhe më datën 7, në mos gaboj, fillon dorëzimi i tyre dhe nevojat e këtyre dy muajve, Drejtoria po i plotëson me procedurat e negocijimit. Sigurisht që me datën 1 Prill, procedurat bëhen dhe më të lehta, sepse hiqet edhe TVSH-ja e barnave, dhe procedurat qoftë të importimit, qoftë të furnizimit janë shumë më të lehta.”

 

Ndërkohë, në fjalën e saj për mediat, znj.Ogerta Manastirliu tha se “në planin tonë të përmirësimit të shërbimeve ndaj pacientit, por kryesisht edhe të shërbimevemjekësore, kemi filluar ose kemi vazhduar punën me ndryshime të dukshme të shërbimit farmaceutik: në shërbimin e Onkologjisë, Hematologjisë dhe Onkopediatrisë. Futja ose vendosja e infrastrukturës së përshtatshme, është edhe pajisja e Kapës në këto 3 farmaci, sjell më shumë siguri për sa i përket trajtimit të pacientëve, sjell më shumë efikasitet në përdorimin e barnave për kimioterapi, dhe sigurisht sjell më shumë pacientë të trajtuar me sasitë e citostatikëve të cilët ne kemi planifikuar të trajtojmë këtë vit, pra për  2014. Është e rëndësishme të kuptojmë se futja e këtyre pajisjeve të reja, sjell dhe ngre në një nivel më të lartë shërbimet përkatëse, dhe për sa i përket Qendrës Spitalore Universitare “NënëTereza” dhe sjell dhe rrit më shumë cilësine e ofrimit të shërbimeve ndaj pacientëve.”

 

Së fundi, fjalën e mori Prof. Ass. Agim Sallaku, Shef i Shërbimit të Onkologjisë, i cili tha se “ky është një përmirësim mjaft i ndjeshëm për kualitetin e shërbimit për pacientët tanë, për përfitimet që ka ky sistem, gjithçka lidhet me furnizimin sa më të mire të barnave për të cilat Ministri u shpreh qartë dhe shpresojmë që ne të punojmë në kushte ashtu siç duhet, në mënyrë që të kënaqim pacientët në radhë të parë, të kënaqim dhe veten tonë.”



Rezervo Konsultën Ambulatore Rezervo
Konsultën
Ambulatore
Na ndiqni në Facebook