Edukimi përmes praktikës / Cikël tre ditor trajnimi për stafin infermieror të QSUT në kuadër të Programit të QSUT për fuqizimin e Sektorit të Kontrollit të Infeksioneve Spitalore

22/02/2016

Në zbatim të politikave spitalore për parandalimin dhe kontrollin e infeksioneve spitalore në shërbimet e QSUT, Drejtoria e QSUT ka prej mëse një viti që po bashkëpunon me Spitalin Mater Dei në Maltë për fuqizimin e Njësisë së Kontrollit të Infeksioneve Spitalore.

Në vijim të këtij bashkëpunimi, gjatë periudhës 16-18 shkurt 2016 janë kryer disa aktivitete ndërgjegjësuese dhe edukuese mbi mënyrat e kontrollit dhe parandalimit të infeksioneve nozokomiale. Ekipi i përbërë nga 3 specialistë me eksperiencë në fushën e parandalimit dhe kontrollit të infeksioneve, në bashkëpunim me Njësinë e Kontrollit të Infeksioneve Spitalore në QSUT, arriti të kryejë disa seanca trajnuese në shërbime të ndryshme të QSUT.

Konkretisht u trajnuan:

  • ekipi i Njësisë së Kontrollit të Infeksioneve Spitalore mbi praktikat më të rekomanduara të punës në këtë njësi. Ekipet shkëmbyen eksperiencën e tyre dhe diskutuan mbi protokollet e punës;
  • ekipi i Reanimacionit Qendror mbi mënyrën e parandalimit të infeksioneve spitalore gjatë aplikimit të kateterëve venozë qendrorë;
  • ekipi i Njësisë së Dializës në QSUT mbi parandalimin e infeksioneve spitalore tek pacientët dializantë në përgjithësi dhe veçanërisht gjatë aplikimit të kateterëve venozë qendrorë dhe periferikë tek këta pacientë.

Një trajnim mjaft interesant ishte edhe ai i kryer në sallën e Telemjekësisë me temë “Rëndësia dhe bazat e higjienës së duarve në shërbimin e ofruar ndaj pacientit” ku morën pjesë mbi 80 pjesëmarrës.

Në bashkëpunim me Njësinë e Kontrollit të Infeksioneve Spitalore, në ditët në vijim, trajnimet u përsëritën edhe në Urgjencën Polivalente në QSUT, në spitalin Infektiv dhe atë Onkologjik. Më tej në hollet e këtyre spitaleve u zhvillua një fushatë sensibilizuese mbi teknikat e higjienës së duarve dhe 5 momentet kur ajo duhet të kryhet. Fushata bazohej në këshillimin e personelit, monitorimin e kryerjes korrekte të teknikave, si dhe shpërndarjen e materialeve sensibilizuese dhe edukuese.

Posted in Lajme by admin qsut