Telefon : 00355 4 2349233

Urgjenca (për Tiranën) : 00355 4 2222235

Rruga e Dibrës, Nr. 372, Tiranë (Shiko ku gjendet në hartë)

Rezervimet e Konsultave Ambulatore (e hënë - e premte) : 0800 28 28 (vetëm nga numër fiks) 00355 4 2349217

Kreu > Lajme > Drejtoria e QSUT mbledh së bashku mjeket që u shërbyen pacientëve ndër vite

Drejtoria e QSUT mbledh së bashku mjeket që u shërbyen pacientëve ndër vite

Heroinat e heshtura të shëndetësisë.

 

Nuk do t’i quaja specialiste, por misionare sepse mjeku ruan jetën e njeriut dhe është mrekulli të kesh misionare një femër. Kështu u shpreh kirurgia e parë shqiptare, Dr. Rushen Golemi.  Kirurgia e parë, znj. Golemi, onkologia Dr. Adelina Mazreku dhe shumë mjeke e pedagoge, në pension apo që ushtrojnë profesionin e tyre, u mblodhën në një aktivitet organizuar nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, për 7 Marsin, Ditën e Mësuesit dhe 8 Marsin, Ditën e Gruas.

 

“Raca më e bukur është ajo shqiptare dhe sot, me gjithë punën e vështirë që kanë, veshur me bluzat e bardha duken të gjitha Miss-e”, iu drejtua mjekeve të pranishme kirurgia Golemi.

 

Ajo solli në vëmendje hapat e parë në kirurgji duke kujtuar me nderim dy mjeshtrat, Prof. Llambi Ziçishti dhe Prof. Petrit Gaçe, të cilët siç u shpreh “pranuan një vajzë 22 vjeçare të rreshtohet krahas tyre dhe më dhanë të gjitha mundësitë që unë të zhvilloja atë specialitet që e desha aq shumë”. “Dhe rruga është e hapur për ne sepse femrat janë të zonjat. Femra është nënë, është familjare dhe bën specialitetin e vet”, tha ajo, ndërsa shtoi se femrat punojnë shumë mirë, por akoma nuk është arritur të vlerësohen aq sa duhen. “Por do të vlerësohen femrat sepse janë shumë të zonjat”, theksoi Golemi.

 

Adelina Mazreku, mjeke onkologe, krahasoi hapat e para në profesionin e saj si hapat e një fëmije dhe prindërit me profesorët e parë. “Në fakultet, në fakt, ne femrat nuk formonin një minoritet të dukshëm në krahasim me djemtë, por kur erdhi puna në profesionin e mjekut dihej ‘një diskriminim’ për femrat për të qenë në specialitet që ishin ‘pronë’ e burrave sikurse kirurgjia apo poste drejtuese”, tha dr. Mazreku. “Me këmbënguljen tonë kemi arritur ato maja që nderojnë femrën shqiptare duke qenë profesioniste shumë të nderuara dhe të devotshme dhe duke arritur në poste drejtuese, organizuese, shkencore, akademike, duke nisur nga shefat e klinikave e katedrave, tek lektorja e duke arritur tek zëvendësministrja dhe drejtoresha. Kështu, ne jemi një forcë e madhe”, shtoi ajo.

 

“Çdo ditë e natë ju jeni në detyrë për të kuruar të sëmurët, shpëtuar jetë plot humanizëm dhe sakrificë jeni përballë pacientit. Ju po sfidoni paragjykimet. Ne ju jemi mirënjohës për punën dhe sakrificën”, iu drejtua mjekeve të pranishme drejtoresha e QSUT-së, znj. Ogerta Manastirliu.  “Me një nderim të thellë para jush, nuk është e tepërt të them se çdonjëra prej jush ka sjellë një ndryshim në këtë vend, në këtë qendër spitalore, çdo ditë nga pak, ashtu si jeni ju fjalëpak e punëshumë. Jam e nderuar të them se këtu punon gama më e gjerë e specialiteteve, 13 shërbime drejtohen nga gra dhe ne kemi një udhëheqëse të madhe, ashtu siç është dhe emri  i qendrës sonë, Nënë Terezës”, shtoi Manastirliu.

 

Duke u ndalur në rolin e rëndësishëm të grave dhe mjekeve, zv.ministrja e Shëndetësisë, Milva Ekonomi, tha se “na takon ne të çojmë mesazhin shëndetësor pak më thellë, më afër familjeve, sidomos atyre që drejtohen nga gra për gjëra që janë të rëndësishme për shëndetin dhe jetëgjatësinë”.
Dhe ndërsa çastet u fiksuan në një foto të përbashkët, mjeket mbanin në duar karafila të bardhë. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, u dërgoi mjekeve dhe pedagogeve të pranishme në aktivitet një tufë me karafila të bardhë, në shenjë mirënjohje dhe nderimi për rolin e tyre kaq të rëndësishëm dhe punën e palodhur në shërbim të pacientëve.

 

“Kur kam filluar punë më binte të bëja një herë në 4 netë roje, pra 3 netë unë flija në shtëpi dhe një natë në spital pa futur ndonjëherë dhe dezhurnet suplementare dhe tani që zemra ime ka filluar të punojë me aritmi respekton këtë ritëm, tre rrahje dhe një pushim”, – tha jo me pak humor mjekja onkologe Mazreku.



Rezervo Konsultën Ambulatore Rezervo
Konsultën
Ambulatore
Na ndiqni në Facebook