Dita Ndërkombëtare e Infermierit në QSUT

12/05/2014

Nga fjala e Drejtoreshës së QSUT-së, znj.Manastirliu në aktivitetin e ditës botërore të infermierëve, drejtuar personelit infermieror të QSUT-së.

Dita ndërkombëtare e infermierit është një ditë që vendos “në qendër të skenës” atë që në fakt është boshti i të gjithë sistemit tonë shëndetësor.

Duke qenë një profesion me standarte të lartë dhe një sens të fortë të shërbimit publik, profesioni i infermierit ka qenë dhe mbetet një ndër më të respektuarit. Një profesion që kërkon përkushtim në çdo orë të ditës dhe në çdo ditë të vitit.

Në qendrën tonë spitalore punojnë 1 187 infermierë me përkujdesjet e të cilëve kurohen rreth 65 000 mijë pacientë në vit.

Në përpjekjen tonë, për përmbushjen e premtimeve që kemi dhënë për një shërbim shëndetësor më të mirë, më të shpejtë dhe më të volitshëm, padyshim që ju, infermierët keni një rol të pazëvendësueshëm, rëndësia e të cilit ju siguroj që do të vijë duke u shtuar.

Dhe ne, jemi të vetëdijshëm që një shërbim shëndetësor më i mirë do të kërkojë njerëz që janë të gatshëm të shkojnë edhe përtej kornizave të detyrës që do të punojnë – siç kanë bërë deri sot – deri në kufijtë e sakrificës.

Përmirësimet që kemi bërë së bashku gjatë këtyre tetë muajve janë të dukshëm dhe në të njëjtën kohë shpresëdhënës për atë që do të mundemi të vazhdojmë të bëjmë së bashku në të ardhmen, për të ofruar më shumë shërbime për pacientët, duke e vënë gjithnjë e më shumë theksin tek përmirësimi i cilësisë dhe kohës së kontakteve me pacientin.

Plani ynë i Rimëkëmbjes së QSUT-së, mbështetet në ndryshimin e imazhit dhe krijimin e kulturës së shërbimit në shëndetësi.

Sot, dita ndërkombëtare e infermierit përkoi dhe me realizimin e një prej projekteve tona, atë të standartit të uniformave të personelit infermieror dhe atij ndihmës.

Standarti i uniformave sjell një imazh ndryshe, por ju siguroj që në QSUT ndryshimi nuk do të jetë vetëm në imazh, e si pasojë vetëm sipërfaqësor. Ne jemi duke punuar për një ndryshim radikal për të përmirësuar etikën, komunikimin me pacientin dhe shërbimin cilësor, kohën e shpenzuar për kujdesin ndaj pacientit.

Ndryshimi që ne duam kërkon pa dyshim bashkëpunimin tuaj aktiv dhe përpjekje të përbashkëta. Ne jemi të vendosur të mos e humbim shansin për të ndryshuar QSUT-në.

 

Posted in Lajme by admin qsut