Bashkëpunimi i frytshëm mes QSUT “Nënë Tereza” dhe fondacionit “The Heart of Children”

01/11/2015

Kanë kaluar tashmë dhjetë vite nga vizitat dhe ndërhyrjet e para të planifikuara në shërbimin e Kardiokirurgjisë së QSUT “Nënë Tereza” të ekipit të mirënjohur drejtuar nga Prof. Vittorio Vanini, një kardiokiurg pediatër i shquar në fushën e tij, ç’ka është mundësuar nga fondacioni “The Heart of Children”. Ky ekip i mbështetur edhe nga kardiokirurget e subspecializuar te QSUT ka operuar dhjetëra raste tejet të vështira duke shpëtuar jetë fëmijësh të cilët janë dëshmija e gjallë e profesionalizmit dhe mundit të këtij ekipi të përbashkët.

Në kuadrin e një bashkëpunimi mes QSUT dhe fondacionit “The Heart of Children” me qendër në Milano, Prof. Vanini me ekipin e tij, përgjatë gjithë kësaj periudhe ka asistuar mjekët kardiologë, kardiokirurgë dhe kardiopediatër së bashku me stafin infermieror, për të kryer vizita mjekësore, intervente, kateterizime për fëmijët shqiptarë me probleme të lindura të zemrës. Ky bashkëpunim prej një dekade ka çuar në zhvillimin e mëtejshëm të kardiokirurgjisë pediatrike në vendin tonë duke mundësuar që pacientët e vegjël të mos shkojnë për tu kuruar jashtë vendit.

Sot kardiokirurgjia pediatrike shqiptare është në gjendje të zgjidhë shumicën e problemeve të lindura të zemrës në mosha të vogla, kjo falë dhe investimeve të rëndësishme (aparatura dhe materiale të nevojshme mjekësore) të bëra këto dy vitet e fundit në shërbimin e Kardiokirurgjisë nga Ministria e Shëndetësisë në kuadër të përmirësimit të mëtejshëm të cilësisë së shërbimit mjekësor edhe në këtë fushë.

Dhjetë fëmijë me probleme të lindura të zemrës (anomali kongenitale) si: Koartacion aorte, Defekt interventrikular, Tetralogji Fallot, Ventrikul i djathtë me dalje të dyfishtë, Kanal Atrio-ventrikular komplet, janë operuar gjatë kësaj jave në shërbimin e Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, nga mjekë të këtij shërbimi nën asistencën e kardiokirurgëve italianë të shoqatës “The Heart of Children” të kryesuar nga Prof. Vittorio Vanini.

Për herë të parë, një mjek shqiptar hemodinamist pediatër i QSUT ka realizuar katër ndërhyrje tek fëmijët me patologji kardiake të lindura në sallat e Hemodinamikës, ku është kryer me sukses dilatacioni me ballon i stenozës së arteries pulmonare.

Gjithashtu ekipi i përbashkët i Prof. Vaninit dhe kardiokirurgëve shqiptarë kanë kryer 50 vizita ambulatore në QSUT të fëmijëve neonatë me probleme të lindura të zemrës, të cilët janë operuar apo do të operohen nga stafi mjekësor.

Posted in Lajme by admin qsut