Telefon : 00355 4 2349233

Urgjenca (për Tiranën) : 00355 4 2222235

Rruga e Dibrës, Nr. 372, Tiranë (Shiko ku gjendet në hartë)

Rezervimet e Konsultave Ambulatore (e hënë - e premte) : 0800 28 28 (vetëm nga numër fiks) 00355 4 2349217

Kreu > Lajme > Analiza vjetore e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”

Analiza vjetore e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”

QSUT në shifra 2013

 

Sfidat: Transparencë, komunikim, llogaridhënie.

 

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” zhvilloi sot në ambientet e hotel “Tirana International” analizën e punës vjetore ku merrnin pjesë Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, Drejtoresha e QSUT-së Ogerta Manastirliu, Drejtori i ISKSH Astrit Beci, Rektorja e Universitetit të Mjekësisë Jera Kruja, Dekani i Fakultetit të Mjekësisë Bajram Hysa, shefat e shërbimeve dhe pavijoneve, kryeinfermierë, infermierë dhe punonjës të administratës. Analiza vjetore u zhvillua në formë bashkëbisedimi mes drejtuesve të shëndetësisë dhe personelit mjekësor, ku të gjitha palët parashtruan kërkesat, vërejtjet, sugjerimet, alternativat për zgjidhjen e problemeve vitin në vazhdim si dhe falenderimet për punën e kryer gjatë vitit që lamë pas.

 

“Nuk është asnjëherë e tepërt të theksojmë atë që është misioni parësor i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”: Një shërbim mjekësor profesional dhe cilësor që në fokus ka vetëm përmbushjen e nevojave të pacientit”, – tha në fjalën e saj Drejtoresha Manastirliu.

 

Sipas saj, gjatë kësaj periudhe është punuar që të identifikohen e më tej të vihen në rrugën e zgjidhjes, ato probleme që prej kohësh kanë qenë të pranishme në punën e përditshme të QSUT.

 

Manastirliu u shpreh se “Ajo që kemi konstatuar gjatë kësaj kohe, është se të gjitha kërkesat dhe ankesat, të gjitha sugjerimet dhe propozimet e ardhura si nga pacientët, mjekët, infermierët apo nga qytetarë dashamirës vijnë e bashkohen në tre elementë thelbësorë:

 

  • Nevojë për më shumë transparencë!
  • Nevojë për më shumë komunikim!
  • Nevojë për më shumë llogaridhënie ndaj pacientëve dhe familjarëve!

 

Prandaj përpara se të bëj prezantimin e punës, pikërisht këto do të doja të theksoja edhe një herë sot, në emër të administratës së QSUT si dhe atyre qindra sanitarëve, infermiereve, mjekëve e profesorëve të nderuar: Transparencë, Komunikim, Llogaridhënie”.

 

Më tej Drejtoresha e QSUT parashtroi objektivat e punës për këtë vit e në vazhdim, “Me buxhetin e këtij viti (2014) kemi në dispozicion më shumë fonde për barnat e materialet mjekësore, kemi dyfishim të fondeve për citostatikët dhe për analizat laboratorike, kemi përmirësim të infrastrukturës spitalore për sallën e operacioneve për kardiokirurgjinë dhe fillimin e përgatitjes së projekteve për ndërtimin e 7 sallave të operacionit në Spitalin e ri si dhe rehabilitimin e plotë të spitalit të Sëmundjeve të Brendshme nëpërmjet kredisë që pritet nga Banka e Këshillit të Europës”, u shpreh ajo.

 

Manastirliu u ndal tek një prej hapave të ndërmarrë që në fillim të marrjes së detyrës në krye të QSUT, atë të nisjes së procesit të hapur e transparent të bashkëpunimit ndërmjet shërbimeve mjekësore, për planifikimin spitalor për barnat dhe materialet mjekësore. “Qëllimi ishte ndërtimi i një mënyre të re komunikimi që në themel kishte pjesëmarrjen dhe vendim-marrjen në grup. Dhe arritëm të bëjmë një parashikim të nevojave spitalore falë kontributit të çdo shërbimi. Ishte një proces gjatë të cilit arritëm të identifikojmë pikat e dobëta siç ishin sasitë e stoqeve të mbetura apo barnave të skaduara e të mbetura për vite me radhë në depot e spitalit, por edhe rrugët për të mundësuar shmangien e këtyre problemeve në të ardhmen”, u shpreh Manastirliu duke falënderuar stafin e Ministrisë së Shëndetësisë për bashkëpunimin dhe mbështetjen dhe në mënyrë të veçantë, Ministrin Beqaj.

 

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, gjatë fjalës së tij, theksoi se “QSUT është ndërmarrja më e madhe ekonomike publike në Shqipëri, ka rreth 2700 të punësuar, ka një buxhet prej rreth 45 milion $ dhe është ndoshta organizmi më i madh social në vend  për nga numri i njerëzve që hyjnë në të brenda vitit, si të sëmurë, familjarë apo dhe si profesionistë. Me atë çfarë arritëm të realizojmë, me miratimin e buxhetit 2014 jemi të fokusuar të kemi furnizim shumë të mirë  me barna dhe materiale mjekësore, të kemi një funksionim të mirë të dy shërbimeve që mund t’i quajmë horizontale që u shërbejnë specialistëve të laboratorëve dhe pajisjeve biomjekësore, të mund të mbyllim disa investime të nisura vitin e kaluar apo investime të vogla dhe të punojmë fort që deri në shtator të kemi të garantuara për vitin e ardhshëm të paktën 40 milionë euro në QSUT”.

 

Sipas Ministrit Beqaj, do të përfundojnë brenda këtij viti pagesat për spitalin e Neurologjisë dhe po garantohen pajisjet me mjetet e duhura për këtë spital dhe në buxhet janë fondet për të ndërtuar bunkerin e Akseleratorit Linear të Onkologjisë dhe më pas me kredinë austriake që miratohet nesër në seancën plenare do të mundësohet në fillim të vitit 2015 përmirësimi i kushteve të sallës së operacioneve në Kardiokirurgji  dhe vënia në funksionim e saj. Ministri Beqaj në fund të fjalës së tij kërkoi nga shefat e shërbimeve dhe mjekët e QSUT-së që të reduktojnë kërkesat për shtyrjen e moshës së pensionit .



Rezervo Konsultën Ambulatore Rezervo
Konsultën
Ambulatore
Na ndiqni në Facebook