26/09/2017

Dita Botërore e Zemrës mbahet në nivel global çdo vit, në datën 29 shtator, për të informuar njerëzit në lidhje me sëmundjet kardiovaskulare, të cilat janë shkaku më i madh i vdekjeve në të gjithë botën. Dita Botërore e Zemrës gjithashtu synon të promovojë masat parandaluese që zvogëlojnë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare.

Çfarë janë sëmundjet kardiovaskulare dhe si t’i parandalojmë ato
Sëmundje kardiovaskulare quhen sëmundjet që prekin zemrën dhe enët e gjakut. Diagnoza që zë peshën kryesore përsa i përket sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë është sëmundja artereosklerotike. Kjo sëmundje prek enët e gjakut që ushqejnë zemrën të cilat quhen arterie koronare; enët e gjakut që ushqejnë trurin dhe enët e gjakut periferike  që ndodhen kudo në trup.

Sëmundje të tjera që bëjnë pjesë në këtë grup janë:

    1. Sëmundjet që prekin muskulin e zemrës dhe që çojnë në dobësim të forcës së tij, pra në insufiçencën kardiake apo thënë ndryshe  pamjaftueshmëri e zemrës.
    2. Sëmundjet valvulare janë patologjitë që prekin valvulat e zemrës. Këto sëmundje mund të jenë të lindura ose të fituara. Sëmundje të fituara kanë si shkak kryesor sëmundjen reumatizmale që mund të ketë kaluar një njeri në fëmijëri apo adoleshencë dhe që manifestohet në moshë të rritur me sëmundje valvulare të zemrës.
    3. Sëmundjet e zemrës që manifestohen me aritmi. Aritmia mund të jenë funksionale pra që nuk lindin në kushtet e dëmtimeve strukturore kardiake ose më serioze për jetën siç janë ato valvulare; të muskulit të zemrës apo e arterieve koronare.

Insulti cerebral që mund të jetë me natyre iskemike, i cili ndodh kur një  tromb  bllokon enën e gjakut që ushqen një zonë të caktuar të trurit apo me natyrë hemoragjike kur kemi çarje të enës së gjakut. Zakonisht insulti me natyrë hemoragjike shkaktohet nga hipertensioni arterial.

Faktorët e riskut dhe parandalimi i tyre
Sëmundjet kardiovaskulare mund të parandalohen duke pasur në menaxhim faktorët e rrezikut që i stimulojnë ato. Faktorët e rrezikut për t’u prekur nga sëmundjet kardiovaskulare janë të ndryshëm.  Ata kategorizohen në faktorë të pamodifikueshëm dhe në faktorë të modifikueshëm.

Te faktorët e pamodifikueshëm bëjnë pjesë:

  1. Mosha– Meshkujt mbi 45 vjeç dhe femrat mbi 55 vjeç kanë rrezik për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare.
  2. Seksi – Meshkujt janë më të rrezikuar se femrat për të zhvilluar sëmundje artereoskleroike, pra të enëve të gjakut. Te femrat ky rrezik shtohet me fillimin e  menopauzës.
  3. Trashëgimia– Personat që kanë në pemën familjare një mashkull që ka pësuar një atak kardiovaskular para moshës 55 vjeç ose një femër që ka pësuar një atak kardiovaskular para moshës 65 vjeç, quhen që kanë trashëgimi për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare.

Faktorët e modifikueshëm, të rreziku janë:

  1. Diabeti– personat diabetikë janë dyfish më të rrezikuar për të zhvilluar sëmundje artereosklerotike të enëve të gjakut kundrejt jodiabetikëve. Kemi dy tipe, diabeti tip I që zakonisht është me origjinë virale pra kemi të bëjmë me shkatërrim të qelizave të pankreasit që prodhojnë insulinën dhe nuk prodhohet më insulinë dhe diabeti tip II që mund të shfaqet nga mbipesha, mungesa e aktiviteti fizik, nga mënyra e ushqyerjes me shumë kalori, tek të cilët prodhohet insulinë por ajo nuk vepron në qeliza.
  2. Hipertensioni– Te një person me shifra të larta të tensionit arterial, enët e gjakut janë në një presion më të lartë i cili çon në prishje të shtresës së brendshme të enëve të gjakut që quhet endotel dhe prisha e tij çon në formimin e pllakës artereosklerotike, deri në mbyllje nga trombi.
  3. Dislipidemitë– Yndyrnat përfshijnë kolesterolin dhe trigliceridet. Dy komponentët kryesor të kolesterolit janë: LDL kolesteroli, që është komponenti i dëmshëm si dhe komponenti i mirë i quajtur HDL kolesterol, ku ky i fundit pastron gjakun nga sasia e tepërt e kolesterolit. Personat që kanë një profil të dëmshëm lipidik kanë rritje të koleserolit të keq dhe ulje të kolesterolit të mirë.
  4. Duhanpirja– Kjo është pjesë e stilit të jetesës dhe është një nga armiqtë kryesor të enëve të gjakut. Me ndërprerjen e duhanit, ka mundësi që të zhduken edhe efektet e tij të dëmshme. Nuk është kurrë vonë për të ndaluar duhanin. Është shumë e rëndësishme për të mos zhvilluar sëmundje kardiovaskulare, pasi vazhdimi i pirjes së duhanit pas diagnostikimit me sëmundje të zemrës mund të konsiderohet “vetvrasës”.
  5. Mënyra e të ushqyerit– Shumë e rëndësishme është ushqyerja me një dietë të shëndetshme; konsumimi i vajit të ullirit, frutave dhe perimeve dhe konsumimi i kontrolluar i yndyrna shtazore.
  6. Aktiviteti fizik– Ne futemi tek popujt sedentar, që nuk kryejnë aktivitet. Pra hamë keq dhe nuk lëvizim.  Duhet të bëhet aktivitet fizik i moderuar deri në të fuqishëm, të paktën 2 orë e 30 min/ javë. Nëse aktiviteti që zhvillohet është aerobik i fuqishëm, mjafton edhe 1 orë e gjysmë/ javë.  Kush nuk ka kohë për aktivitet ushtrimor, mund edhe vetëm  të ecë deri në 30 minuta/ditë. Aktiviteti fizik luan një rol shumë të rëndësishëm në rritjen e kolesterolit të mirë në organizëm.
  7. Stresi- Nuk është një faktor i mirëfilltë rreziku por ai nxit shfaqjen e sëmundjes artereosklerotike. Stresi nxit shpërthimin e hormoneve- katekolaminave, të cilat janë vazo ngushtuese dhe bëjnë ngushtimin e enëve të gjakut të zemrës, të cilat  nëse janë edhe të shtresëzuara nga pllakat arterosklerotike, mund të çojnë në mbylljen totale të enës së gjakut, duke shkaktuar infarktin.
  8. Preklampsia– Që është hipertensioni gjatë shtatëzënisë. Preklamsia shfaqet në muajin e gjashtë të shtatëzënisë dhe është një faktor i ri rreziku. Është parë që këto femra kanë probabilitet më të lartë të zhvillojnë sëmundje kardiovaskulare në të ardhmen, kundrejt femrave që nuk kanë patur preklampsi.

 

Kush është i shëndetshëm duhet të tregojë shumë kujdes për të parandaluar zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare. Për këtë është e rëndësishme krerja e analizave në mënyrë periodike. Tensioni duhet matur minimalisht një herë në vit, që rreth moshës 20 vjeç. Një herë në tre vjet, duke filluar po në moshë të re duhet vlerësuar profile lipidik, pra yndyrnat. Këto kontrolle janë shumë të rëndësishme pasi ka situata të trashëguara dhe duke bërë këto kontrolle të vazhdueshme arrihet të diagnostikohet në kohë dhe të parandalohet përkeqësimi i këtyre faktorëve dhe shfaqja e sëmundjeve të zemrës.

Simptomat e shfaqjes së sëmundjes kardiovaskulare
Ndër simptomat kryesore të shfaqjes së sëmundjeve kardiovaskulare është dhimbja e kraharorit. Kjo dhimbje mund të shfaqet kur ngjit një malore, shkallët apo kur ekspozohesh ndaj një klime të ftohtë. Dhimbja shfaqet në kraharor, në formë shtrënguese dhe mund të përhapet në nofullën e poshtme, në shpinë, apo në krahun e majtë. Këto dhimbje kanë shumë mundësi që të kenë të bëjnë me ngushtim të enëve të gjakut dhe shfaqen më shumë te meshkujt. Te femrat simptomat shfaqen më ndryshe. Ato nuk përjetojnë dhimbje kraharori por marrje fryme. Te nje grua aktive, një marrje e menjëhershme e frymës, një lodhje e theksuar mund të jetë shfaqje e sëmundjes së arterieve koronare. Ndërkohë diabetikët dhe moshat e mëdha nuk i kanë të shprehura këto simptoma, ata mund të përjetojmë një jorehati të lehtë në kraharor, por jo shenja specifike.

Personat tek të cilët shfaqen këto shenja duhet menjëherë të konsultohen me mjekun e tyre dhe të kryejnë ekzaminimet e nevojshme për të diagnostikuar problemin e tyre.

Ekzaminimet për sëmundjet kardiovaskulare
Ekzaminimi më i thjeshtë është elektrokardiograma (EKG) por që jep shumë informacion përsa i përket ngushtimit të enëve të gjakut dhe ritmit të zemrës. Nëse në EKG nuk ka informacion për ngushtim të enëve të gjakut atëherë kalohet në dy ekzaminimet e tjera eko kardiake dhe prova ushtrimore, pasi një EKG që del mirë, nuk përjashton ngushtimin e arterieve koronare sepse ngushtimi mund të jetë aq i vogël sa nuk jep simptoma në qetësi, pra në kushtet në të cilat kryhet EKG. Në ekon kardiake vlerësohen lëvizjet e muskulit të zermës dhe valvulat, megjithatë edhe eko mund të dalë shumë mirë në rastet e sëmundjes artereosklerotike, deri në momentin që nuk ka ndodhur një infarkt, pasi nuk është bllokuar ena e gjakut apo të jetë dëmtuar muskuli i zemrës. Në këtë pikë është shumë e rëndësishme të kalohet në provën ushtrimore, apo siç i themi ndryshe biçikleta.

Gjatë provës ushtrimore rritet konsumi i oksigjenit dhe aty shfaqen simptomat e arterieve edhe kur ato janë lehtësisht të ngushtuara. Pra shikohet çfarë ndryshimesh elektrokardiografike shfaqen gjatë sforcimit fizik. Gjatë provës shikohet edhe si përgjigjet tensionit gjatë sforcimit fizik si edhe nëse ka aritmi gjatë sforcimit fizik. Nëse kemi diagnostikuar që ka një ngushtim të arterieve koronare kalohet në ekzaminim tjetër që është koronarografia dhe që është një ekzaminim invaziv. Koronarografia shikon arteriet koronare dhe lokalizon ato që janë të ngushtuara, në çfarë mase janë të ngushtuara dhe bëhet trajtimi me stentim (zgjerim i enës së gjakut) ose me ndërhyrje kirurgjikale.

Kujdesi për pacientët e trajtuar
Trajtimet invasive gjithmonë shoqërohen me trajtimin medikamentoz pra marrjen e ilaceve dhe ndryshimin e stilit të jetesës. Pas këtyre trajtimeve, pacienti duhet të ketë një kujdes shumë të veçantë për shëndetin, pasi sërisht është i rrezikuar për të shfaqur probleme të zemrës. Në këtë rast nuk kemi të bëjmë më me parandalim primar, pra të mosshfaqjes së sëmundjes por kemi të bëjmë me një paradalim sekondar ku sëmundja është shfaqur, është trajtuar por duhet një kujdes i veçantë për të trajtuar të gjithë faktorët e rrezikut që ka një person, në mënyrë që sëmundja mos të rishfaqe. Gjithashtu këta pacientë duhet të rikontrollohen vazhdimisht me eko dhe prove ushtrimore, për të parë ecurinë e tyre, pasi ekziston rreziku që sëmundja të përsëritet apo të shfaqet diku tjetër.

Posted in Lajme by admin qsut
08/09/2017

Intervistë me Dr. Eneda Rustemi, mjeke okuliste

Dr. Eneda Rustemi, mjeke okuliste pranë shërbimit të Pediatrisë së Përgjithshme në QSUT “Nënë Tereza”, thekson rëndësinë e një vizite mjekësore për të gjithë fëmijët të cilët shkojnë për herë të parë në shkollë. “Na ka ndodhur në jo pak raste, që nxënësit e klasave të para, pasi kanë filluar procesin mësimor të vijnë dhe të diagnostikohen me probleme të shikimit, në disa raste edhe të rënda. Këto probleme të diagnostikuara me vonesë, nëse do të ishin kontrolluar më parë, gjatë një vizite mjekësore rutinë, do të ishin parandaluar. Ndaj edhe një herë theksoj rëndësinë e kontrollit të syve tek fëmijët e moshave parashkollore në të gjitha rrethet e vendit, jo vetëm në kryeqytet”, shprehet Dr. Rustemi.

Cilat janë problemet (anomalitë) më të shpeshta të shikimit që hasen të fëmijët?
Sëmundjet e syrit, te fëmijët mund të jenë të lindura ose të fituara. Më të shpeshta janë anomalitë e lindura. Strabizmi dhe anomalitë e refraksionit janë patologjitë më të shpeshta të shikimit, në moshat e vogla. Strabizmi është shtrembërimi i syve nga boshti qëndror i shikimit. Ai mund të jetë i lindur ose i fituar. Kur nuk është i lindur, strabizmi mund të vijë si pasojë e ndonjë traume ose temperature të lartë, që ka kaluar fëmija. Ka tipe të ndryshëm strabizmi. Eshtë konvergens, kur syri shkon brenda dhe divergens kur syri shkon jashtë. Ndërkohë kemi dhe hypertropi dhe hypotropi kur syri lëviz lart dhe poshtë.  Gjithashtu tek fëmijët e vegjël shfaqen dhe anomalitë e refraksionit, të cilat janë myopia, hipermetropia dhe astigmatizmi. Edhe këto anomali mund të jenë të lindura ose të fituara. Në bazë të difektit të boshtit të përthyerjes së rrezeve rritëse, përcaktohet se çfarë anomalie refraksioni  është. Sëmundje të tjera, por që janë më të rralla janë glaucoma, catarracta ose degjenerimet distrofike retinale  congenitale.

Cila është rëndësia e diagnostikimit të hershëm të këtyre sëmundjeve?
Sa më herët të zbulohen sëmundjet e shikimit, aq më e madhe dhe e shpejtë është mundësia e rikuperimit të anomalive të shikimit. Komplikacioni më i shpeshtë dhe më i vështirë për t’u trajtuar është ambliopia ose syri dembel.  Sa më shpejt të zbulohet që fëmija ka një sy dembel aq më e madhe është mundësia e trajtimit. Fëmija duhet të jetë më i vogël se 8 vjeç për të rikuperuar shikimin, prandaj zbulimi i hershëm çon në trajtimin sa më efikas dhe ul mundësinë e invalidizimit të syrit dhe shikimit.

Sa i rëndësishëm është kontrolli i shikimit të moshës parashkollore?

Pikërisht për të parandaluar ambliopinë, kontrolli i fëmijës, në moshën 6 vjeç është i domosdoshëm. Strabizmi është një patologji e dukshme prandaj zbulohet më shpejt, pasi prindërit e çojnë te mjeku fëmijën, sapo e vënë re që syri i fëmijës shkon shtrembër. Më i vështirë është kur fëmija nuk ka asnjë të dhënë anormale nga pamja fizike e syrit ose asnjë ankesë dhe prindërit e neglizhojnë vizitën e syve.  Raste të tilla të moskryerjes së vizitës në moshat e hershme, kur janë paraqitur te mjeku, kanë qenë të vonuara dhe nuk mund të korigjohej një ambliopi apo strabizëm i mundshëm dhe fëmija është invalidizuar. Kjo e bën shumë të rëndësishëm kontrollin rutinë të syrit, para se fëmija të shkojë në shkollë. Na ka ndodhur në jo pak raste, që nxënësit e klasave të para, pasi kanë filluar procesin mësimor të vijnë dhe të diagnostikohen me probleme të shikimit, në disa raste edhe të rënda. Këto probleme të diagnostikuara me vonesë, nëse do të ishin kontrolluar më parë gjatë një vizite mjekësore rutinë, do të ishin parandaluar. Ndaj edhe një herë theksoj, rëndësinë e kontrollit të syve tek fëmijët e moshave parashkollore në të gjitha rrethet e vendit, jo vetëm në kryeqytet.

 A mund të shmanget krijimi i defekteve të refraksionit apo parandalohet përkeqësimi i tyre?
Nuk mund të bëhet diçka konkrete për parandalimin e tyre, por mund të marrim masa që të mos kemi rritje të madhe të numrit.  Disa këshilla për këtë qëllim janë:

  • Duhet t’i krijojmë fëmijës kushte optimale studimi. Të kenë dritë të mjaftueshme në tavolinën e punës, të jetë dritë e ngrohtë dhe jo shumë e fortë. Drita duhet të bjerë mbi libër apo fletore dhe jo mbi sytë e fëmijës.
  • Të ketë kufizim ndaj ekspozimit të lojërave të ndryshme elektronike, ekranit të televizorit, tabletave apo telefonave etj.
  • Të ndjekin vizitat në mënyrë të rregullt te okulisti dhe të sigurohen që xhami i syzeve të fëmijës të jetë cilësor dhe i padëmtuar.

Apel për prindërit
Ka një protokoll mjekësor kur duhet të bëhen vizitat e fëmijës dhe duhet të ndiqet me rigorozitet nga prinderit. Kur fëmijët nuk kanë difekt të jashtëm të syrit si ptozë palpebrale, strabizëm, mikroftalmus, etj, duhet të vizitohen nga okulisti, në moshën 2,5 vjeç dhe pastaj me rradhë në moshat 5, 6, 10, 12, 16 vjeç. Secila fazë e rritjes përkon me nga një të metë refraksioni. Kur shfaqen anomalitë e përmendura më lart, fëmija duhet të çohet tek mjeku okulist menjëherë, sapo vihet re defekti. Është mjeku ai që do përcaktojë dhe trajtimin e tij, që mund të jetë konservativ ose kirurgjikal.

Posted in Lajme by admin qsut
05/09/2017

Në ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, stafi mjekësor dhe administrativ i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka dhuruar gjak vullnetarisht, në ndihmë të personave në nevojë.

Aktiviteti u organizua nga Drejtoria e QSUT në bashkëpunim me Bankën Kombëtare të Gjakut, në ndihmë të pacientëve që e kanë domosdoshmëri jetike transfuzionin e gjakut dhe për të sensibilizuar opinionin publik për rëndësinë e dhurimit vullnetar.

“Nevojat për gjak janë shumë të mëdha pasi transfuzioni i gjakut apo përbërësve të tij, shërben shpesh për t’i shpëtuar jetën dikujt që pëson aksident (të çdo forme) apo ndërhyrje kirurgjikale të shoqëruar me hemorragji, por edhe si kurë shoqëruese në disa patologji si anemitë si talasemia, hemofilia, anemitë hemolitike, leuçemitë, të transplantuarit, etj”, u shpreh zv/drejtoresha e QSUT, znj. Mirela Hasanaj.

Vullnetarisht dhuruan gjak shefa shërbimesh, profesorë të Universitetit të Mjekësisë, mjekë specializantë, staf infermieror dhe sanitar, punonjës të administratës, studentë të Mjekësisë si dhe disa familjarë të pacientëve tanë, të cilët u sensibilizuan me këtë nismë humane të Drejtorisë së QSUT.

Mjekët kirurgë të shërbimeve të QSUT gjatë aktivitetit, e vunë theksin, në rëndësinë e dhurimit të gjakut, si i vetmi burim për sigurimin e tij. “Gjaku nuk prodhohet nga industria farmaceutike dhe në shumë raste shpëton jetën e pacientëve tanë gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale, ndaj i vetmi burim i sigurimit të tij është nëpërmjet donacionit vullnetar”, u shpreh Prof. Asc. Edmond Nuellari, shef i shërbimit të Kirurgjisë Vazale.

“Duke dhuruar gjak, ju keni kryer një akt heroik, pra i keni shpëtuar jetën dikujt apo keni ndihmuar dikë tjetër që të jetojë më gjatë dhe më mirë. Të dhurosh gjak është një akt solidariteti human që shpëton jetën e njerëzve në nevojë. Ajo është dhurata më e çmuar që ne mund t’i bëjmë një njeriu tjetër që ka nevojë. Ajo është dhurata e jetës,” u shpreh Prof. Asc. Tatjana Caja, shefe e shërbimit të Hematologjisë në QSUT.

Posted in Lajme by admin qsut
01/06/2017

Në 1 Qershor, fëmijët që kurohen në shërbimin e Onkohematologjisë Pediatrike në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, kanë marrë dhuratë një aparat respirator të teknologjisë më të fundit për terapinë intensive, Eko për fëmijët me kardiopati dhe një dhomë të pajisur me televizorë dhe poltrona me pompa multifunksionale, ku ata bëjnë kimioterapinë, falë projektit “Ti je një luledielli”.

Shefja e shërbimit të Onkohemtologjisë Pediatrike, prof. Anila Godo vlerësoi këtë projekt në ndihmë të pacientëve të vegjël.

“Ta marrësh kimioterapinë në një dhomë me kushte të mira, me standarde të kohës, do të thotë një efektshmëri më e mirë e trajtimit, fëmijë dhe familje më të qeta nga ana psikologjike”, u shpreh prof. Godo.

Nismëtarja e projekti “Ti je një luledielli”, Albana Osmani falenderoi të gjithë ata që kontribuan, si në fonde, por dhe me mbështetjen e tyre, në këtë projekt në ndihmë të pacientëve të vegjël.

“Nuk duhet të harroj kurrësesi 3 mijë njerëzit që blenë këto bluza, kanë qenë 3 mijë shqiptarë nga e gjithë bota. U përulem në falenderim gjithsecilit prej tyre dhe i kam quajtur ambasadorë të një misioni, sepse ky projekt u shndërrua në një mission”, u shpreh Albana Osmani.

Projekti “Ti je një luledielli” nisi si një nismë vullnetare, duke u shndërruar më pas në një fushatë që mori përmasë në rrjetet sociale për të themeluar më pas Fondacionin “You are a sunflower”.

Posted in Lajme by admin qsut
09/05/2017
Në mbështetje të pacientëve që vuajnë nga Talasemia punonjës të Njësisë Bashkiake nr.1 në Tiranë kanë dhuruar vullnetarisht gjak, gjatë aktivitetit sensibilizues “Dhuro gjak, shpëto një jetë”. Thirrjes për grumbullimin e sasive rezervë të gjakut me dhurime vullnetare, punonjësit e kësaj njësie bashkiake i janë përgjigjur pozitivisht.

Aktiviteti u zhvillua nga ora 10:00 deri në orën 16:00 të ditës së diel dhe përveç punonjësve të njësisë bashkiake morën pjesë edhe anëtarë të shoqatës së të sëmurëve me Talasemi. Gjaku i dhuruar do të përdoret për pacientët talasemikë të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë.

Posted in Lajme by admin qsut
21/02/2017

Fëmijët që kanë probleme me humbje të theksuar të dëgjimit, mund të kryejnë tashmë ndërhyrjen për vendosjen e implantit koklear falas në shërbimin e ORL-së në QSUT.

Shef i Shërbimit të ORL-së në Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë, profesor Besim Boçi, shprehet se për herë të parë në këtë shërbim është kryer me sukses ndërhyrja për vendosjen e implantit koklear në tre fëmijë me humbje të thellë të dëgjimit.

Implanti koklear, e cila është një pajisje e kompjuterizuar që mund të rivendosë dëgjimin e dobishëm për personat me humbje të rënda ose të thella të dëgjimit (shurdhim nervor), implantohet në fëmijët që kanë shurdhësi të thellë dhe nuk përfitojnë më nga asnjë ndihmesë tjetër dëgjimi.

Të tre fëmijët ku është realizuar kjo ndërhyrje deri më tani, janë në një gjendje shumë të mirë.

Posted in Lajme by admin qsut
15/02/2017

Një tjetër pajisje moderne e teknologjisë së fundit i shtohet Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë, e cila rrit ndjeshëm cilësinë e shërbimit të ofruar ndaj pacientëve.

Bëhet fjalë për pajisjen e njohur me emërtimin ERCP (Endoscopic Retrograde Cholangio-Pancreatogram – Kolangio-Pankreatograma Endoskopike Prapavajtëse), e cila është vendosur tashmë në funksion të plotë në shërbim të repartit të Kirurgjisë. Pajisja bën të mundur realizimin e ndërhyrjeve në rrugët e tëmthit duke shmangur kirurgjinë e hapur, ndërsa përmes aplikimit të saj, shkurtohet ndjeshëm jo vetëm koha e realizimit të interventit, por edhe ajo e qëndrimit të pacientëve në spital pas ndërhyrjes, ul ndjeshëm përdorimin e barnave post-operatore, si dhe është një ndihmë e madhe për vetë mjekët kirurgë për ta ushtruar sa më mirë profesionin e tyre.

Procedura e ERCP-së për trajtimin e patologjive të rrugëve biliare dhe pankreatike, – apo rrugëve të tëmthit siç njihen në gjuhën e përditshme, – realizohet për herë të parë në kabinetin e angiografisë pranë Shërbimit të Imazherisë në #QSUT. Realizimi me sukses i kësaj procedureje te, u bë e mundur në sajë të angazhimit të ekipit të mjekëve kirurgjë dhe gastrohepatologë, radiologë, të cilët kanë filluar prej disa ditësh trajtimin e pacientëve me këtë metodë të re në #QSUT. Edhe pse kjo aparaturë, tashmë, kishte vite e instaluar në shërbimin e Imazherisë, vetëm këtë vit u bë e mundur rivendosja e saj në punë pas blerjes së materialeve të nevojshme mjekësore dhe përfundimit të ciklit të trajnimit të mjekëve.

Gjatë këtij viti presim që pajisja e Angiografit të mund të realizojë edhe ndërhyrjet invazive vaskulare dhe interventa të tjera. Por lajmet e mira nuk mbarojnë këtu, të tjera investime pritet të realizohen gjatë këtij viti në #QSUT. Pas elementëve të rinj që ka sjellë furnizimi, si pjesë e programit të 96000 instrumentave të rinj kirurgjikalë të sterilizuar, më në fund, jemi në fazën pothuajse përfundimtare që të fillojmë ndërtimin e godinës së re të Repartit të Kirurgjisë, e cila do ta kompletojë shumë më tepër të gjithë shërbimin.

Posted in Lajme by admin qsut
02/02/2017

Realizohet për herë të parë protokolli i radioterapisë në trajtimin e tumoreve në moshat pediatrike me akselerator linear në Shërbimin Onkologjik

Për herë të parë në Shërbimin Onkologjik- Njësia e Radioterapisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, është realizuar trajtimi i pacientëve të moshës pediatrike sipas standarteve dhe protokolleve bashkëkohore.

Deri vonë në Shqipëri, për shkak të mungesës së teknologjisë së përshtatshme për ndjekjen e protokolleve ndërkombëtare të trajtimit, pacientët pediatrikë janë trajtuar në raste të rralla me Cobalt Therapy 60, kjo për shkak të mbrojtjes së limituar të organeve të shëndosha përreth tumorit dhe kufizimit të dozave të domosdoshme terapeutike.

Pas instalimit të Akseleratorit Linear në prill të vitit 2016 në shërbimin Onkologjik në QSUT, si dhe përdorimit të teknikave bashkëkohore të Radioterapisë është bërë e mundur trajtimi sipas protokolleve i tumoreve pediatrike, nën kujdesin e Prof. Agim Sallaku, Dr. Orges Spahiut si dhe stafit mjekësor të përbërë nga mjekë radioterapeut, fizikantë dhe teknikë laborantë të Radioterapisë.

Dr. Orges Spahiu mjek radioterapeut onkolog thotë se “aktualisht janë trajtuar 4 pacientë pediadrike që kanë toleruar mjaft mirë trajtimin dhe kanë pasur rezultatet e para pozitive. Këta pacientë janë në monitorim të vazhdueshëm nga ekipi Onkopediatrik në Spitalit Pediatrik nën drejtimin e Prof. Anila Godo”.

Sipas dr. Spahiut: “Me mbështetjen e strukturave drejtuese të drejtorisë së QSUT është mundësuar krijimi i një stafi multidisiplinar për trajtimin e tumoreve pediadrike të përbërë nga një kirurg pediatër, një mjek onkopediatër, mjek onko-radioterapeut, radiolog, anestezist dhe fizikant mjekësor, të cilët ndjekin ecurinë gjatë dhe pas trajtimit të fëmijëve”.

“Aktualisht jemi në pritje të instalimit të Akseleratorit Linear të dytë, i cili me një performancë shumë më të avancuar përdorimi dhe trajtimi, do të bëjë të mundur nje prognozë më të mirë të pacientëve të vegjël”, shprehet dr. Spahiu.

Posted in Lajme by admin qsut
25/01/2017

Mjekët e shërbimit të Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” kanë kryer për herë të parë në vendin tonë procedurën e implantimit të qelizave staminale autolog, procedurë e cila konsiston në ndërthurjen e terapive kirurgjikale, terapive qelizore dhe atyre gjenetike.

Përdorimi i qelizave staminale është fjala e fundit e shkencës në nivel botëror, e cila ka të bëjë me qeliza burimore dhe pluripotenciale, të cilat përdoren në organet e dëmtuara për të rigjeneruar pjesët e dëmtuara.

Ky intervent ka rëndësi jetike për të gjithë ata pacientë me funksion të ulur të zemrës për shkak të infarktit të miokardit. Ekipi kardiokirurgjikal Dr.Klodian Krakulli, Dr. Altin Veshti, Prof. Arben Baboçi, Dr. Ketjon Mekshi, ekipi kardioanestezist dhe perfuzionist Dr. Saimir Kuçi, Dr. Ervin Bejko së bashku me mjekun hematolog Prof. Polikron Pulluqi dhe Dr. Laureta Dibra, kardiologe, punën dhe studimet e shumë viteve i finalizuan me sukses gjatë interventit kirurgjikal të pacientit S. M. 68-vjeç, me diagnozë “Sëmundje Iskemike e Zemrës” me funksion të ulët të ventrikulit të majtë, infarkt i gjerë anterior i kaluar”.

Pas anestezisë së përgjithshme, Prof. Pulluqi realizoi eksplantin e qelizave staminale autologe të padiferencuara nga kresta iliake dhe më pas pacienti i’u nënshtrua interventit të revaskularizimit kirurgjikal, i cili konsistoi në tre bypase si dhe implantimit topik ekstrinsek të qelizave staminale autologe si dhe në rrugë anterograde nëpërmjet arterieve koronare dhe grafteve.

 

Për shkak të funksionit të ulët të zemrës, pacientit i’u implantua kontropulsatori aortik, i cili u mbajt në funksion në dy ditët në vazhdim. Pacienti u ekstubua ditën e tretë dhe aktualisht është në fazën e rehabilitimit të tij.

Posted in Lajme by admin qsut
13/01/2017

Për herë të parë në vendin tonë aplikohet proçedura për shpëtimin e jetës së pacientëve

Njësia e Shërbimit Neurovaskular (stroke dhe post-stroke) është shërbimi më i ri i krijuar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, si pjesë e Polit të Integruar të Neuroshkencës, i cili brenda një periudhe kohe të shkurtër në sajë të investimeve është shndërruar në një pavijon modern, i pajisur me teknologjinë më të lartë mjekësore të standardeve europiane. Për herë të parë, në këtë njësi bëhet aplikimi i proçedurës së trombolizës intravenoze për sëmundjet ishemike të trurit, i cili ofrohet vetëm në QSUT.

Kryeministri i vendit z. Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj ishin të pranishëm për të parë nga afër investimet më të reja në këtë pavion.

Kryeministri Rama u shpreh se “tashmë gjendja në spitalet publike është krejtësisht ndryshe, dhe shërbimet që ofrohen për pacientët janë të kënaqshme. Tani jemi në një fazë tjetër dhe realisht që të gjithë ata që marrin shërbim se kanë hall në QSUT, por edhe në spitalet e tjera, pavarësisht se në spitalet e tjera kemi ende shumë probleme, – janë të kënaqur. Ata që nuk kanë qenë në spital dhe nuk e dinë se çfarë ka ndodhur vazhdojnë shajnë e shajnë se s’kanë faj se kanë pasur situata të ndërlikuara në të kaluarën.”

Shërbimi Neurovaskular ka në përbërjen e tij një personel të specializuar prej 8 mjekësh neurologë dhe neuroreanimatorë dhe 31 infermierë të dedikuar për këtë shërbim. Ai ka një kapacitet 29 shtretër dhe gjatë vitit 2016 ka trajtuar 1180 pacientë me probleme neurologjike akute. Në këtë shërbim gjatë vitit 2015/2016 janë investuar pajisje biomjekësore të cilat janë një kusht i domosdoshëm për realizimin e shërbimit si pajisje të monitorimit kardiak të pacientëve në kushte observimi reanimator, pompat e infuzionit, respiratorë, panelet e gazrave mjekësore, eko Doppler dhe transkraniale, pajisje të matjes së vlerave të gazeve jetësore në gjak, shtretër reanimacioni në vlerën 20 milionë lekë.

Shërbimi Neurovaskular organizon punën e tij së bashku me Shërbimin e Urgjencës, e cila pret dhe identifikon pacientët, përcakton problematikën vaskulare cerebrale për shqetësimin që paraqitet duke ja përcjellë në kohë reale mjekëve në këtë shërbim. Ndër zhvillimet më të fundit është aplikimi për herë të parë i proçedurës së trombolizës intravenoze për sëmundjet ishemike të trurit. Kur pacienti paraqitet në orët e para të shfaqjes së sëmundjes dhe kur plotëson disa kritere mjekësore, ai përfiton nga kjo procedurë, e cila aplikohet në këtë shërbim nga mjekëst neurologë.

Vetëm gjatë kësaj jave janë zhvilluar dy procedura në dy pacientë përkatësisht 67 dhe 54 vjeç, të cilët janë paraqitur në pamundësi për të folur, komanduar anësitë e trupit, dhe me humbje të ndërgjegjjes. Prej 12 orësh nga aplikimi i alteplazës venoze pacientët gëzojnë shëndet të plotë dhe janë pa asnjë deficit neurologjik.

Kjo procedurë e kryer për herë të parë në Shqipëri bëhet e mundur në sajë të ambicies, përkushtimit dhe profesionalizmit të mjekëve të shërbimit neurovaskular, mjekëve radiologë dhe urgjentistë si dhe mbështetjes dhe buxhetimit për herë të parë të një medikamenti të ri, aplikimi i të cilit është jetëshpëtues për pacientët me diagnozë sëmundje ishemike akute të trurit.

Posted in Lajme by admin qsut