28/02/2014

Infeksionet Nozokomiale: Sfidë drejt një shëndetësie më moderne

 

Komiteti i Kontrollit të Infeksioneve Spitalore të QSUT “Nënë Tereza” është një strukturë e rëndësishme teknike përgjegjëse për parandalimin dhe uljen e infeksioneve spitalore, e cila pas disa vitesh mungesë rifilloi funksionimin e saj në 28.02.2014.

 

Në mbledhjen e parë të këtij komiteti ishin të pranishëm mjekë të specialiteteve të ndryshme dhe drejtuesit më të lartë të QSUT në cilësinë edhe të anëtarëve të komitetit.

 

Infeksionet nozokomiale konsiderohen sot tregues të cilësisë së shërbimeve të ofruara në një spital apo çdo institucion tjetër shëndetësor, në këtë kuadër QSUT ka për synim të përcaktojë objektiva konkretë rreth të cilave do të përqendrojë përpjekjet për parandalimin dhe uljen e këtyre infeksioneve, të caktojë ekipet e profesionistëve përgjegjës për të siguruar zbatimin me rigorozitet dhe monitorimin e ecurisë së procesit si dhe ndërgjegjësimin e strukturave në të gjitha nivelet duke dërguar një mesazh të qartë mbi parimet e higjienës dhe konceptet e mbrojtjes prej infeksioneve.

 

Komiteti do përmbushë këto funksione:

 

  • Të hartojë politikat spitalore për parandalimin dhe uljen e infeksioneve në shërbime;
  • Të përgatisë një strategji të luftës kundër infeksioneve spitalore, përfshirë edhe survejancën epidemiologjike;
  • Të hartojë standarde për procedurat e punës në sallat operatore dhe ambientet e tjera, bazuar në normat për garantimin e higjienës dhe sterilitetit në shërbime;
  • Të verifikojë zbatimin efektiv të masave të propozuara për parandalimin dhe uljen e infeksioneve spitalore dhe të raportojë periodikisht pranë drejtorisë;
  • Të bëjnë propozime për masa të menjëhershme operative, sa herë identifikohen problematika apo situata me risk të shtuar për infeksione;
  • Të hartojë një politikë spitalore për përdorimin e antibiotikëve;
  • Të ofrojë trajnime të vazhdueshme të personelit spitalor mbi këto çështje;
  • Të hartojnë materiale informuese dhe ndërgjegjësuese.

Programet e kontrollit dhe parandalimit të infeksioneve spitalore përmbushin jo vetëm qëllimin që lidhet më një përkujdes të orientuar dhe fokusuar tek pacienti, por kontribuojnë gjithashtu në mbrojtjen e stafit mjekësor dhe përkujdesës shëndetësor, vizitorëve, studentëve dhe të gjithë atyre në kontakt me këto mjedise si dhe nëpërmjet një programi efikas sigurojnë një trajtë të drejtë kosto-përfitimi.

Posted in Lajme by admin qsut
19/02/2014

QSUT në shifra 2013

Sfidat: Transparencë, komunikim, llogaridhënie.

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” zhvilloi sot në ambientet e hotel “Tirana International” analizën e punës vjetore ku merrnin pjesë Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, Drejtoresha e QSUT-së Ogerta Manastirliu, Drejtori i ISKSH Astrit Beci, Rektorja e Universitetit të Mjekësisë Jera Kruja, Dekani i Fakultetit të Mjekësisë Bajram Hysa, shefat e shërbimeve dhe pavijoneve, kryeinfermierë, infermierë dhe punonjës të administratës. Analiza vjetore u zhvillua në formë bashkëbisedimi mes drejtuesve të shëndetësisë dhe personelit mjekësor, ku të gjitha palët parashtruan kërkesat, vërejtjet, sugjerimet, alternativat për zgjidhjen e problemeve vitin në vazhdim si dhe falenderimet për punën e kryer gjatë vitit që lamë pas.

“Nuk është asnjëherë e tepërt të theksojmë atë që është misioni parësor i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”: Një shërbim mjekësor profesional dhe cilësor që në fokus ka vetëm përmbushjen e nevojave të pacientit”, – tha në fjalën e saj Drejtoresha Manastirliu.

Sipas saj, gjatë kësaj periudhe është punuar që të identifikohen e më tej të vihen në rrugën e zgjidhjes, ato probleme që prej kohësh kanë qenë të pranishme në punën e përditshme të QSUT.

Manastirliu u shpreh se “Ajo që kemi konstatuar gjatë kësaj kohe, është se të gjitha kërkesat dhe ankesat, të gjitha sugjerimet dhe propozimet e ardhura si nga pacientët, mjekët, infermierët apo nga qytetarë dashamirës vijnë e bashkohen në tre elementë thelbësorë:

  • Nevojë për më shumë transparencë!
  • Nevojë për më shumë komunikim!
  • Nevojë për më shumë llogaridhënie ndaj pacientëve dhe familjarëve!

Prandaj përpara se të bëj prezantimin e punës, pikërisht këto do të doja të theksoja edhe një herë sot, në emër të administratës së QSUT si dhe atyre qindra sanitarëve, infermiereve, mjekëve e profesorëve të nderuar: Transparencë, Komunikim, Llogaridhënie”.

Më tej Drejtoresha e QSUT parashtroi objektivat e punës për këtë vit e në vazhdim, “Me buxhetin e këtij viti (2014) kemi në dispozicion më shumë fonde për barnat e materialet mjekësore, kemi dyfishim të fondeve për citostatikët dhe për analizat laboratorike, kemi përmirësim të infrastrukturës spitalore për sallën e operacioneve për kardiokirurgjinë dhe fillimin e përgatitjes së projekteve për ndërtimin e 7 sallave të operacionit në Spitalin e ri si dhe rehabilitimin e plotë të spitalit të Sëmundjeve të Brendshme nëpërmjet kredisë që pritet nga Banka e Këshillit të Europës”, u shpreh ajo.

Manastirliu u ndal tek një prej hapave të ndërmarrë që në fillim të marrjes së detyrës në krye të QSUT, atë të nisjes së procesit të hapur e transparent të bashkëpunimit ndërmjet shërbimeve mjekësore, për planifikimin spitalor për barnat dhe materialet mjekësore. “Qëllimi ishte ndërtimi i një mënyre të re komunikimi që në themel kishte pjesëmarrjen dhe vendim-marrjen në grup. Dhe arritëm të bëjmë një parashikim të nevojave spitalore falë kontributit të çdo shërbimi. Ishte një proces gjatë të cilit arritëm të identifikojmë pikat e dobëta siç ishin sasitë e stoqeve të mbetura apo barnave të skaduara e të mbetura për vite me radhë në depot e spitalit, por edhe rrugët për të mundësuar shmangien e këtyre problemeve në të ardhmen”, u shpreh Manastirliu duke falënderuar stafin e Ministrisë së Shëndetësisë për bashkëpunimin dhe mbështetjen dhe në mënyrë të veçantë, Ministrin Beqaj.

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, gjatë fjalës së tij, theksoi se “QSUT është ndërmarrja më e madhe ekonomike publike në Shqipëri, ka rreth 2700 të punësuar, ka një buxhet prej rreth 45 milion $ dhe është ndoshta organizmi më i madh social në vend  për nga numri i njerëzve që hyjnë në të brenda vitit, si të sëmurë, familjarë apo dhe si profesionistë. Me atë çfarë arritëm të realizojmë, me miratimin e buxhetit 2014 jemi të fokusuar të kemi furnizim shumë të mirë  me barna dhe materiale mjekësore, të kemi një funksionim të mirë të dy shërbimeve që mund t’i quajmë horizontale që u shërbejnë specialistëve të laboratorëve dhe pajisjeve biomjekësore, të mund të mbyllim disa investime të nisura vitin e kaluar apo investime të vogla dhe të punojmë fort që deri në shtator të kemi të garantuara për vitin e ardhshëm të paktën 40 milionë euro në QSUT”.

Sipas Ministrit Beqaj, do të përfundojnë brenda këtij viti pagesat për spitalin e Neurologjisë dhe po garantohen pajisjet me mjetet e duhura për këtë spital dhe në buxhet janë fondet për të ndërtuar bunkerin e Akseleratorit Linear të Onkologjisë dhe më pas me kredinë austriake që miratohet nesër në seancën plenare do të mundësohet në fillim të vitit 2015 përmirësimi i kushteve të sallës së operacioneve në Kardiokirurgji  dhe vënia në funksionim e saj. Ministri Beqaj në fund të fjalës së tij kërkoi nga shefat e shërbimeve dhe mjekët e QSUT-së që të reduktojnë kërkesat për shtyrjen e moshës së pensionit .

Posted in Lajme by admin qsut
12/02/2014

Komunikimi dhe etika me pacientin – Moduli i parë i trajnimeve

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka nisur cikli i trajnimeve për Edukimin në Vazhdim për personelin infermieror. Edukimi në vazhdim është një ndër objektivat strategjikë të QSUT si një institucion ofrues i shërbimeve dhe mësimdhënies. Ky objektiv lidhet me përmirësimin në vazhdim të cilësisë së stafit aktual të shërbimeve mjekësore.

Për të siguruar stafe të kualifikuara QSUT po mbështetet dhe në politikat e reja për rekrutimin e stafeve nëpërmjet konkurseve të pranimit dhe përcaktimit të kritereve specifike dhe aftësive profesionale për çdo kategori shërbimi.

Cikli i trajnimeve për stafin infermieror ka filluar në datën 12 Shkurt. Nga ky trajnim do të përfitojnë rreth 600 infermierë dhe kryeinfermierë të cilët janë identifikuar për të përftuar këto njohuri.

Moduli i parë trajnues ka nisur me temën “Komunikimi dhe etika me pacientin”. Ky trajnim ka për synim të përmirësojë aftësitë njohëse dhe zhvillojë sjelljen profesionale në marrëdhënie me pacientin dhe familjarët nëpërmjet teknikave bashkëkohore.

Në ditët aktuale roli i profesionistëve të kujdesit infermieror ka njohur një dimension të ri duke u vlerësuar si një ndër komponentët më kritikë të sistemit të kujdesit shëndetësor. Ky profesion është sot i orientuar drejt vlerave të veçanta njerëzore, njohurive shkencore dhe aftësive teknike. Kur respektimi i këtyre parimeve shoqërohet me sjelljen e përshtatshme dhe vullnetin e duhur atëherë infermieristika është më shumë një thirrje e lartë shpirtërore se sa thjesht një profesion. Në përpjekjen për të përkthyer vlerat më të larta në sjellje konkrete profesionale një infermier i mirë është:

  • I dhembshur dhe vetëmohues;
  • I pajisur me inteligjencë të lartë emocionale;
  • I etur për dije dhe i ndërgjegjshëm për sfidat dhe zhvillimet që shoqërojnë profesionin.

Ndër vite hulumtimet kanë provuar se mënyra e sjelljes dhe qasja e profesionistëve të kujdesit infermieror ka një efekt të rëndësishëm në shëndetin e pacientëve, një fjalë e ngrohtë, një mendim i këndshëm mund të kultivojnë shëndet më të mirë apo dhe të çojnë përpara procesin e shërimit të tyre. Me pacientit në qendër, përkujdesjen ndaj tij apo punën e përditshme me pajisje të teknologjisë së lartë, sot infermierët adresohen si avokatët e mirëqënies së pacientit.

Programi i Edukimit në Vazhdim për personelin infermieror i përgjigjet këtyre pritshmërive si dhe nevojave imediate të mbështetura në vëzhgimet e fundit të realizuara nga Sektori i Marrëdhënieve me Publikun dhe Sektori i Edukimit në vazhdim dhe kontribuon direkt në zhvillimin e stafit dhe motivimin e tij.

Posted in Lajme by admin qsut
04/02/2014

Manastirliu: Bashkohemi me sloganin “Të rrëzojmë mitet e kancerit”.

Në Shërbimin e Laboratorik Biokimik-Klinik të QSUT-së sapo është vënë në punë një pajisje e re, e cila kryen ekzaminimet e markuesve tumoralë me metodën “chemiluminiscent”. Matjet e realizuara nga kjo pajisje janë tepër të rëndësishme për sa i përket ndjekjes së ecurisë si dhe efikasitetit të trajtimeve (kirurgjikale, kimioterapeutike, radioterapeutike) të pacientëve me sëmundje tumorale në vazhdimësi.

Sot në Ditën Botërore të Luftës kundër Kancerit, Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe drejtoresha e QSUT-së, Ogerta Manastirliu, zhvilluan një takim me mjekët dhe personelin shëndetësor të Laboratorit Biokimik-Klinik.

Ministri Beqaj u shpreh se “Sot është ditë e veçantë, 4 shkurti është Dita Botërore e Luftës kundër Kancerit. Në këtë ditë, në një vizitë në laboratorin e spitalit komunikova me mjekët për të parë funksionimin e një pajisjeje që arrin të bëjë analizat e markuesve tumoralë, një analizë e domosdoshme, jo vetëm për diagnostikim, por edhe për ndjekjen e terapisë dhe në rastet më të mira për shërimin e sëmundjes. Ne do të garantojmë funksionimin e përditshëm dhe kryerjen normale të kësaj analize”.

Sipas Ministrit Beqaj, vënia në punë e kësaj aparature është pjesë e gjithë përpjekjeve që po bën Ministria e Shëndetësisë për të patur një përkujdesje shumë të mirë për pacientët që vuajnë nga këto sëmundje, të cilat në vitet e fundit e kanë rritur shumë incidencën e tyre. “Edhe dje kishte një lajm të mirë që në komisionin parlamentar u diskutua marrëveshja e kredisë për akseleratorin linear që do të ndihmojë edhe trajtimin radioterapeutik të sëmundjeve kanceroze pranë shërbimit tonë Onkologjik”, përfundoi Beqja.

Drejtoresha e QSUT-së, Ogerta Manastirliu, u shpreh se “Sot në ditën botërore të luftës kundër kancerit QSUT i bashkohet sloganit: “Të rrëzojmë mitet e kancerit”. Në Laboratorin Qendror të kësaj qendre universitare bëhen çdo vit rreth 2 milion teste në funksion të diagnostikimit dhe ecurisë së trajtimit të sëmundjes. “Prej më shumë se një viti nuk kryheshin analizat e markuesve tumoralë në spital, por në sajë të bashkëpunimit dhe mbështetjes së Ministrisë së Shëndetësisë sot arrijmë të bëjmë këtë gamë analizash.

Fondi për laboratorët në QSUT për kitet dhe reagentët është rritur 2 herë më shumë se në 2013. “Buxheti i këtij viti mbështet më shumë QSUT si një qendër e shërbimeve terciare, si një qendër që duhet të ofrojë shërbime të specializuara dhe për sa i përket këtyre sëmundjeve, citostatikët zënë një peshë specifike në buxhetin 2014 rreth 2 herë më shumë, krahasuar me vitin e kaluar”, tha Manastirliu.

Posted in Lajme by admin qsut
04/02/2014

Në kuadër të ditës ndërkombëtare dhe muajit të ndërgjegjësimit mbi autizmin, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” u zhvillua një workshop nën drejtimin e Dr. Ariel Çomo, Shef  i Shërbimit të Psikiatrisë Infantile dhe Adulte, me personelin e Shërbimit Psiko-social të QSUT.

 

Në Shërbimin Psikiatrik Infantil dhe Adult të QSUT, numërohen rreth 150 raste të reja në vit të fëmijëve me autizëm, si dhe rreth 200 raste në ndjekje.  Shërbimi Psiko-Social në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, përbëhet nga psikolog dhe punonjës social. Ky shërbim trajton problematikat psikosociale të pacientëve të shtruar në shërbimet  mjekësore dhe familjarëve të tyre.

 

Roli i psikologut/punonjësit social në QSUT, është në mbështetje të stafit mjekësor dhe ka si qëllim primar shëndetin mendor të pacientit si pjesë e pandashme e mirëqenies së tij fizike.

 

Autizmi, identifikimi dhe diagnostikimi i hershëm  i tij, si dhe çështje të tjera të rëndësishme që lidhen me shëndetin mendor, u diskutuan gjatë zhvillimit të këtij takimi. Psikologë dhe punonjës social të shërbimeve të ndryshme mjekësore, shkëmbyen eksperienca profesionale dhe ngritën për diskutim çështje lidhur me shëndetin mendor.

 

Gjithashtu, në kuadër të Ditës Botërore të Ndërgjegjësimit ndaj Autizmit, u shpërndanë dhe fletëpalosje informative mbi çështjen e autizmit, familjarëve të shërbimit të Pediatrisë. Në vazhdimësi, në kuadër të objektivave institucionale për përmirësimin e cilësisë së shërbimit ndaj pacientëve/ qytetarëve,  duke u kujdesur për mirëqenien emocionale dhe mendore të tyre si pjesë e pandashme e mirëqënies fizike, cdo muaj do të zhvillohen të tilla takime, për të referuar dhe diskutuar çështje të ndryshme me natyrë profesionale.

Posted in Lajme by admin qsut
20/01/2014

Stafi mjekësor i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” do të ketë mundësinë të trajnohet dhe të bashkëpunojë me Njësinë Lokale të Kujdesit Shëndetësor dhe Social Nr.5 (Azienda Unita Locale Socio Sanitaria 5, Ovestvicentino) në Vicenza, Itali, në kuadër të një projekti binjakëzimi për të dy institucionet shëndetësore.

Gjatë një vizite studimore disa ditore pranë kësaj qendre me ftesë të drejtorit Dr. Giuseppe Cenci, drejtoresha e QSUT është njohur me aktivitetin e qendrës dhe ka ndërmarrë një sërë takimesh gjatë të cilave ndër të tjera është diskutuar institucionalizimi i marrëdhënieve nëpërmjet nënshkrimit të një memorandumi bashkëpunimi mes dy palëve.

Drejtuesit administrativë dhe mjekësorë të ULSS Nr.5 Ovest Vicentino kanë shprehur interesimin dhe gatishmërinë mbi bashkëpunimin në të ardhmen, shkëmbimin e eksperiencave, formimin profesional të mjekëve si dhe mbështetjen që kjo qendër shëndetësore do të ofrojë.

Posted in Lajme by admin qsut
30/12/2013

Fëmijët, të cilët mjekohen në shërbimet e Pediatrisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë dhe që do të kalojnë natën e ndërrimit të viteve në spital, kanë marrë sot dhurata nga Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe nga organizata “Save the Children”.

Nën një atmosferë festive, fëmijët morën dhuratat e mundësuara nga kjo organizatë, në prani të ministrit Beqaj dhe drejtores së QSUT-së, Ogerta Manastirliu. “Dëshiroj që të gjithë fëmijët të gëzojnë në këtë periudhë festive të fundvitit, edhe këta fëmijë që për shkak të sëmundjes, nuk kanë mundësi të qëndrojnë me familjarët e tyre”, tha Beqaj.

Ministri Beqaj u shpreh më tej se këtyre fëmijëve që kanë vështirësi në ndjekjen e mësimit për shkak të marrjes së mjekimit, do t’u mundësohet marrje e njohurive në ambjentet spitalore. “Do t’u mundësojmë fëmijëve të shtruar në Onkohematologji mësues që të vijnë në spital dhe t’u mësojnë lëndët bazë, me qëllim që të mos ngelen mbrapa në mësime” tha Beqaj.

Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë përcolli një falenderim për drejtoreshën e QSUT-së, Manastirliu, për punën e kryer në këta muaj. Ai siguroi gjithashtu se vitin e ardhshëm Pediatria dhe të gjithë shërbimet e tjera të QSUT do të kenë një furnizim më të mirë me barna.

Posted in Lajme by admin qsut
28/12/2013

Pacientët e vegjël që trajtohen në shërbimin e Pediatrisë së Përgjithshme në QSUT do të kenë së shpejti dy dhoma të rinkonstruktuara për të qëndruar në kushte sterile.
Rikonstruktimi i këtyre ambienteve do të mundësohet nga një projekt i Albcontrol në bashkëpunim me Drejtorinë e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në mbështetje të nismës së Qeverisë “Shqipëria dhuron”.

“Iniciativa e parë do të jetë krijimi i dy bokseve të sterilitetit për fëmijët me sëmundje imunitare duke përmirësuar kushtet e hospitalizimit dhe për të ofruar pajisjet dhe aparaturat biomjekësore që do të nevojiten për to. Ne falenderojmë përzemërsisht, jo vetëm AlbControl që në këtë rast na u gjend i pari në këto ditë të vështira të spitalit për mungesa të fondeve, që tashmë ne i dimë, por edhe në vijim për mbështetjen që na kanë siguruar për të zhvilluar edhe më tej përmirësimin e ofrimit të shërbimit ndaj fëmijëve”, u shpreh drejtoresha e QSUT-së, Ogerta Manastirliu.
Në ditët në vijim ky projekt do të marrë formë zyrtare, për të vendosur afatet e realizimit dhe dorëzimin sa më shpejt në ndihmë të pacientëve të vegjël.
Pacientëve të vegjël që trajtohen në Shërbimin e Kirurgjisë së Përgjithshme iu shpërndanë dhurata.

Posted in Lajme by admin qsut
27/12/2013

Shërbimi i Reumatologjisë QSUT dhe Shoqata për Sëmundjet Muskulo-skeletike dhe Autoimune realizuan më datë 27 dhjetor 2013, Konferencën e 3-të Kombëtare të Reumatologjisë me pjesëmarrjen e mjekëve Reumatologë nga Shqipëria dhe Kosova si dhe me pjesëmarrjen e mjekëve të specialiteteve të ndryshme.

 

Në konferencë u diskutuan një larmi temash dhe u shkëmbyen eksperienca personale. Çështjet kryesore të konferencës ishin nga më bashkëkohoret si mjekimet me barnat biologjike, diagnostikimi bashkëkohor në kolagenopatitë si dhe tematika të tjera. U diskutuan protokollet e standardizuara për patologji të veçanta. Në shërbimin tonë prej 2 vitesh realizohet aplikimi i preparateve biologjike si Etanercept, Adalimumab për trajtimin e Artritit Rheumatoid dhe Spondilitit Ankilozant, Acidi Ibadronik për trajtimin e Osteoporozës. Vazhdojmë aplikimin e Iloprostit për trajtimin e simptomave të Sclerodermisë sistemike.

 

Në Shërbimin e Reumatologjisë QSUT shtrohen rreth 1800 pacientë në vit, ku ngarkesa e sëmundjes është përkatesisht për Artritin Reumatoid me 54%, Kolagenopatit (LES, DM-PM, Sclerodermia, Sjogren sindrom, sindromat vaskulitike etc) me 28%, Spondiloartropatitë dhe Osteoartrozat me 18%. Gjatë periudhës nëntor 2012 – tetor 2013, janë trajtuar dhe kanë dalë nga klinika 1688 raste me 8101 ditë qëndrimi gjithsej. Prej tyre 106 raste janë paraqitur si urgjente, 1582 raste me planifikim; 30.05% meshkuj dhe 69.95% femra. Xhiro e shtratit është realizuar 97.8% dhe ditë qëndrimi është 4.79

 

Shërbimi Reumatologjisë Q.S.U.T.-së përballon nevojat e shërbimit terciar në rang vendi, shërben si qendër e specializimit për mjekët e rinj reumatologë dhe realizon punë kërkimore shkencore në nivele të larta.

Posted in Lajme by admin qsut
21/12/2013

Shoqata e mjekëve kardiologë të Shqipërisë zhvilloi konferencën e 17-të kombëtare të këtij shërbimi me temë “Sëmundjet kardiovaskulare dhe shtatzania”.

 

Në konferencë merrnin pjesë mjekë kardiologë nga i gjithë vendi, për të referuar, diskutuar dhe shkëmbyer eksperiencat profesionale. Disa nga temat e disktuara në këtë konferencë ishin “Epidemiologjia dhe ndryshimet hemodinamike, hemostatike dhe metabolike gjatë shtatzënisë”, “Diagnoza dhe kujdesi kardiovaskular gjatë shtatzanisë dhe lindjes”, “Vlerësimi fetal dhe testet gjenetike. Metodat e kontracepsionit dhe ndërprerjes së shtatzanisë, fertilizimi in vitro”, “Sëmundjet e lindura të zemrës dhe hipertensioni pulmonar”, etj.

 

Nga statistikat vjetore të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, shërbimi i Kardiologjisë është ndër shërbimet me fluksin më të madh të shtrimeve, me rreth 4.500 pacientë në vit, me 10.5 ditë qëndrimi mesatar për pacient. Çdo vit në shërbimin e Hemodinamikës, kryhen rreth 2 mijë koronarografi dhe duke parë fluksin në rritje të sëmundjeve kardio-vaskulare, këto shifra pritet të rriten.

Posted in Lajme by admin qsut